Guardiola: Nuk do të ketë revolucion, kjo skuadër është e përkryer Spanjolli do të prezantohet të hënën te Bajerni, do të flasë në gjuhën gjermane

0
105

Përgatiti Altin Vorpsi

guardiolaTrajneri i ka telefonuar Rumeniges, duke i treguar planin që ka për merkaton

 

Numërimi mbrapsht ka nisur. Dita e hënë po vjen dhe së bashku me të tërë populli bavarez mezi pret të shohë konferencën e parë të Pep Guardiolës si trajner i Bajernit.

 

Premtimi

Në një konferencë të programuar për shtyp, në orën 12:00, ai do jetë i shoqëruar nga Uli Hënes dhe Karl-Hajnc Rumenige, të cilët janë detyruar të prishin pushimet. Trajneri spanjoll ka pasur një bisedë telefonike me Rumenigen dhe siç zbulon media gjermane, ka thënë: “Nuk do ketë asnjë revolucion në skuadër. Kemi një organikë të shkëlqyer dhe do vazhdoj punën me këta futbollistë”. Ky fakt tregon se nuk pritet të ketë largime masive, siç ishte dyshuar në fillim. Kështu për rrjedhojë edhe blerjet e reja do të bëhen me “pikatore”.

 

Gjermanisht

Ajo që do ta bëjë më të veçantë prezantimin e Pepit, është fakti se do të flasë në gjermanisht dhe gazetarëve do t’u përgjigjet në gjuhën që do t’i bëhet edhe pyetja, pasi është i aftë të komunikojë edhe në spanjisht, italisht, anglisht. Pritet që të ketë një numër rekord mediash të pranishme nga e gjithë bota, ndërsa përveç Guardiolës do mbajnë edhe një deklaratë krerët e klubit gjerman. Në fakt, nuk parashikohet që të zbulohen emra të rinj në merkato, por biseda e zbuluar me Rumenigen ka qartësuar edhe planin e spanjollit në drejtimin e skuadrës.

 

 

 

Ndihmësi

Me sa duket, tekniku i ri i bavarezëve ka vendosur që të mbajë në staf një nga njerëzit më të besuar të Bajernit të Mynihut. Ai ka pasur një bisedë telefonike me ndihmëstrajnerin Herman Gerland, me të cilin ka biseduar në gjermanisht për çdo gjë rreth klubit. Madje, i ka lënë të nënkuptojë se do të vazhdojnë bashkëpunimin, duke mbajtur të njëjtin post edhe në të ardhmen. Gjithsesi, kjo pritet të zyrtarizohet vetëm pasi Pep të mbërrijë në Gjermani dhe të bëjë të ditur se cilët janë anëtarët e stafit të tij. Kjo është një lëvizje tepër e zgjuar e Pepit, që duke mbajtur Gerlandin në bankinë do të ketë një urë të sigurt me lojtarët. Kujtojmë se Gerlandi ka qenë njeriu që ka rritur gati gjysmën e skuadrës së Bajernit. Ai, duke qenë se ishte trajneri i moshave, ka rritur lojtarë si Shvajni, Lami, Myleri, Badshtuberi, Alaba dhe Krosi.

 

Pesë euro për bamirësi dhe Pepin

Dy stërvitjet e para nën drejtimin e Pep Guardiolës, pra të mërkurën dhe të enjten, do të zhvillohen në “Allianz Arena”. Bileta do të kushtojë 5 euro dhe fitimet e mbledhura do të shkojnë për të prekurit nga përmbytjet në Pasau. Stërvitjet e para të trajnerit katalanas do të nisin në orën 17:00, më 26 dhe 27 qershor. Për fëmijët nën 14 vjeç, hyrja është e lirë. Priten 25 mijë tifozë.

 

 

 

 

Topi i Artë

Myleri bën lojë skuadre: Nëse nuk e marrim këtë vit, s’na e japin më

Nëse “Topi i Artë” nuk do t’i shkojë një lojtari të Bajernit, atëherë Tomas Myleri mendon se ata nuk do ta fitojnë kurrë më. “Nëse nuk është as këtë herë një nga lojtarët e Bajernit, atëherë nuk do të ketë kurrë një lojtar të Bajernit që do tat fitojë këtë çmim”, – tha sulmuesi i Bajernit. Lidhur me risinë që mund të sjellë trajneri i ri në Mynih, talenti i akademisë shtoi: “Pep ka zhvilluar më tepër lojën me pasime të shkurtra dhe filloi kështu një epokë tek Barcelona. Konkurrenca? Të gjithë duhet të arrijnë në ekstremet e asaj që mund të japin për ekipin për të siguruar një vend në fushë. Këtë vit kishim konkurrencën më të fortë në skuadër”.

 

Oferta

Reali “çmendet” për Ronaldon

Reali i Madridit po bëhet gati të thyejë çdo rekord të mundshëm botëror pagesash për të siguruar rinovimin e Kristiano Ronaldos. Klubi madrilen i ka vënë para në tavolinë futbollistit një marrëveshje të jashtëzakonshme, për ta bindur të firmosë një kontratë pesëvjeçare. Sipas kushteve të kësaj kontrate, Kristiano Ronaldo do të përfitojë 155 milionë euro në 5 vitet e ardhshme, që duke hequr taksat përkthehet në 15 milionë euro në vit për portugezin, duke i dhënë mundësinë që të ketë kontratën më fitimprurëse të historisë së futbollit. Ronaldo, i cili ka shënuar 201 gola në 199 ndeshje me madrilenët, pak ditë më parë la të nënkuptohej për një krisje të mundshme mes tij dhe Realit me një mesazh në Twitter. “Çdo lajm rreth rinovimit tim me Realin e Madridit është fals”, – ishin fjalët e lojtarit. Por duket se kjo ofertë e re e Realit të Madridit po e bën të ndërrojë mendje futbollistin portugez. Një ndihmë më shumë madrilenëve u ka ardhur nga largimi i Zhoze Murinjos, pasi lojtari nuk kishte me një marrëdhënie miqësore me trajnerin, i cili e kritikoi publikisht duke e quajtur të paaftë taktikisht. Me largimin e Murinjos, Ronaldo do të ketë hapësirat e kërkuara në skuadër dhe loja e ekipit do të bazohet më shumë rreth tij.

 

Vendimi

Alkantara shumë shpejt bëhet “djall i kuq”

Mançester Junajtid duket se ka lënë pas krahëve pistën e Çesk Fabregas, pasi kërkon t’i rrëmbejë Barcelonës një tjetër futbollist, mesfushorin Tiago Alkantara. Trajneri Devid Mojes ka udhëzuar që kapiteni i Spanjës U-21 të kontaktohet menjëherë, duke parë dëshirën e vetë lojtarit për të shkuar te një ekip ku ka mundësi të luajë titullar, si dhe çmimin e ulët të kartonit të tij. Alkantara ka tërhequr shpesh vëmendjen e klubeve angleze, me Mojes që e ka vëzhguar nga afër që në kohën kur drejtonte Evertonin. Por edhe Mançester Junajtid ka qenë në gjurmët e futbollistit që kur ai ishte adoleshent, por pa arritur ta shkëpusë nga Barcelona. Tani, djali i ish-yllit brazilian, Mazinjo, kërkon të luajë rregullisht dhe mund të përfitojë nga fakti që klauzola e largimit të kontratës së tij është vetëm 18 milion euro, një shifër që Mançester Junajtid do ta paguante me shumë kënaqësi duke parë cilësitë e futbollistit.

Në fakt, Barcelona i kishte vënë lojtarit një klauzolë fillestare prej 85 milion eurosh në marrëveshjen e nënshkruar dy vite më parë. Por aty ishte vendosur edhe një klauzolë që thotë se lojtari duhej të luante të paktën 30 minuta në 60% të ndeshjeve. Por kjo kohë nuk është arritur në 15 nga 36 ndeshjet që ai luajti me fanellën e katalanasve, duke bërë që klauzola e largimit të tij të bjerë nga 85 milion euro, në 18 milion euro, pasi klubi nuk ka respektuar kohën që i kishte premtuar lojtarit.

Tashmë katalanasit e kanë kuptuar se po gabojnë duke lënë të largohet lojtarin dhe nuk është rastësi që në ditën kur ai shënoi 3 gola në finalen e Evropianit U-21 kundër Italisë, ishte shoku i tij i skuadrës, Zherard Pike, që e ftoi publikisht të mos largohej nga ekipi spanjoll, por të nënshkruante një kontratë të re.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency