Ina Jano
Ata që u përpoqën ta bllokojnë thonë që kjo s’është reale, s’është rrugë, s’është tunel, s’është zhvillim, duan të na ndalin, por ne do ecim përpara, jemi alternativa e duhur
Për ish-deputetin e Elbasanit, sot kryetar të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha arkitekti i vërtetë i ndërtimit të autostradës dhe rrugës Tirnaë-Elbasan është vetë Kryeministri i vendit zoti Sali Berisha. Kryebashkiaku i pranishëm në inaugurimin e tunelit ditën e djeshme, gjatë fjalës që mbajti tha se kjo është një ngjarje, e cila do të mbahet mend gjatë në memorien e shqiptarëve. Pasi përshkoi tunelin e Krrabës, zoti Basha e konsideroi këtë rrugë një mrekulli mahnitëse, ndërsa ia atribuoi meritat për ndërtimin e saj, kryeministrit të vendit Sali Berisha. “Elbasani, kjo qendër e rëndësishme kulturore, e traditës, tani është në hyrje të qytetit. Jam i lumtur shumëfish si qytetar i Tiranës dhe përfaqësues i zgjedhur i Elbasanit. Nuk kam dyshuar asnjëherë tek këto sipërmarrje të mëdha, e di se kur Sali Berisha thotë do bëjmë rrugën ajo bëhet, kur thotë do bëjmë tunelin, ai bëhet. Sa herë që çajmë malet dhe sjellim zhvillim, arkitekt i këtij projekti është Sali Berisha. Ne sot jemi në një mrekulli mahnitëse të infrastrukturës, që afron qytetarët dhe lidhemi më shumë me njëri-tjetrin dhe sa herë lidhemi me njëri-tjetrin, arkitekti është Sali Berisha. Ky është lidershipi i vërtetë për çdo shqiptar”, – tha Basha.
Mes brohoritjeve, kryebashkiaku u shpreh se tashmë të dy qytetet janë më afër se kurrë me njëri-tjetrin dhe kjo do të ndikojë edhe në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve. “Sot ofrohet për Tiranën një fuqi më shumë, një fuqi blerëse, për zhvillim”, – u shpreh kreu i Bashkisë së kryeqytetit. Basha u shpreh ndër të tjera se Partia Demokratike është alternativa e duhur për qytetarët. “Ata që u përpoqën ta bllokojnë thonë që kjo s’është reale, s’është rrugë, s’është tunel, s’është zhvillim, duan të na ndalin, por ne do ecim përpara, jemi alternativa e duhur. Për ne qytetarët janë të parët, do ecim përpara për Tiranën, Elbasanin e gjithë Shqipërinë”, – vijoi ai.
Tuneli
Kjo rrugë e cilësuar si arteria kryesore e Korridorit 8 vjen për qytetarët shqiptarë si një premtim i mbajtur nga ana e qeverisë, duke përfaqësuar standardet më të larta të ndërtuara deri më sot, në vendin tonë, por edhe në Ballkan. Autostrada, me një vlerë investimi prej 204 milionë dollarë ka një gjatësi 27 kilometra, 4 korsi, me një tunel 2,5 kilometra të gjatë, 7 mbikalime, 21 vijadukte, 4 nënkalime. Autostrada përbëhet nga tre segmente Segmenti I. Tuneli i Kërrabës, punimet për të cilin shënuan vlerën e 101 milion dollarëve, investim i buxhetit të shtetit dhe Bankës Islamike për Zhvillim, u realizua në një kohë rekord prej 13 muajsh. Punimet për ndërtimin e tij nisën në muajin maj të vitit 2011, dhe pas afro 9 muajsh filluan edhe dy kontratat e tjera te segmenteve rrugore para dhe pas tunelit. Autostrada Tiranë-Elbasan u kursen qytetarëve shqiptarë së paku 40 minuta kohë për të mbërritur në destinacionet e tyre, duke bërë që distanca mes dy qyteteve të përshkruhet në më pak se 20 minuta. Ajo është rrugë kryesore drejt kryeqytetit për qytetarët e rretheve Elbasan, Librazhd, Korce, Pogradec, Kolonje. Ajo gjithashtu është pjesa e parë e Boshtit të Jugut. ( Cërrik, Belsh, Kuçovë, Berat, Tepelenë, Gjirokastër, Delvinë, Sarandë). Me ndërtimin e saj skajet ekstreme jugore apo lindore të Shqipërisë do të arrijnë në Tirane për më pak se 2 orë me përfundimin e segmenteve që vijnë pas autostradës së rë.
Qytetarët
Vetëm falënderime për PD-në
Si rrallë herë zona rreth tunelit ishte e populluar jo vetëm nga banorët e zonës, por edhe nga qytetarë të tjerë të cilët kishin ardhur nga të gjitha anët e vendit, për të parë dhe prekur një prej veprave më të mëdha të arkitekturës në vend. Të dyja anët e tunelit, ishin të pranishëm mijëra qytetarë të cilët të emocionuar dhe gëzuar për atë që po ndodhte, tha se kjo është një rrugë mbi të cilën nuk ishte vënë dorë më parë dhe nuk kishte asnjë pasur asnjë ndërtim të këtij lloji. Shumë prej tyre nuk u besonin syve për atë që ishte duke ndodhur, dhe kishin vetëm falënderime për të bërë për qeverisjen e demokratëve. Të entuziazmuar ata treguan emocionet e tyre dhe thanë se ishte një ngjarje që do të mbahej mend gjatë. Me urimet më të mira për Kryeministrin Berisha të cilin e shohin si atë që ka bërë ëndrrën e tyre realitet, ata premtuan votën e tyre për PD-në pasi ajo është një parti e fjalës së mbajtur.
Ndryshon gjeografia e Shqipërisë
Një prej ndryshimeve më të dukshme që ka sjellë tuneli që lidh Tiranën me Elbasanin është ai i transformimit të gjeografisë së vendit. Tuneli, por edhe e gjithë autostrada bëjnë të mudur që rruga mes dy qyteteve të shkurtohet me rreth 60 minuta. Ajo që është e dukshme në këto projekte janë jo vetëm shkurtimet e distancave, por edhe rrugët panoramike që ndërtohen duke përfshirë këtu edhe të gjitha parametrat ndërkombëtare. Malet që çahen, kodrat që shemben për të ndërtuar rrugë janë duke transformuar edhe gjeografinë e Shqipërisë. Tashmë Kërraba, një prej segmenteve më të rëndësishme të vendit, nuk ka nevojë që të përshkruhet mes kodrave, por tuneli i ka dhënë zgjidhje përfundimtare këtij problemi. Duket se Shqipëria sa vjen dhe po zvogëlohet edhe më tepër. Edhe Rruga e Kombit të njëjtin efekti ka pasur, duke ndryshuar në mënyrë rrënjësore itinerarin e rrugëve dhe po ashtu të njerëzve. Kryeministri Berisha ka premtuar Rrugën e Arbrit dhe Boshtin e Jugut, si dy prej prioriteteve të mandatit të ardhshëm, ndërsa padyshim që edhe këto do të jenë vepra që do të mund të lidhin njerëzit më afër.
Korçë
Bode: Modernizojmë infrastrukturën
Kandidatët e Partisë Demokratike për qarkun e Korçës kanë zhvilluar një miting elektoral me banorët e qytetit të Korçës. “Qeveria demokratike do të vijoje edhe ne mandatin e tretë të modernizojë infrastrukturën rrugore sepse ka bindjen se rruga është një mundësi më shumë, është një biznes më shumë, të ardhura më të mëdha dhe mirëqenie më e madhe”. Me këto fjalë iu është drejtuar qytetarëve ministri i financave, kreu i listës së demokratëve për Korçën Ridvan Bode. Ai tha se me inaugurimin e tunelit Tiranë – Elbasan, Korça dhe Tirana do të jenë edhe 1 orë e një çerek më afër dhe pas 18-24 muaj, me përfundimin e rrugës Qukës – Qafë Plloçë me vlerë 153 milionë dollarë Korça dhe Tirana do të jenë vetëm 112 km larg, kjo sipas tij do të rrisë interesin e vizitorëve dhe investitorëve për Korçën duke i dhënë asaj më tepër zhvillim e mundësi për të ecur përpara.
Shkodër
Topalli: Humbja e Ramës përfundimtare
Kryesuesja e listës së PD-së për Qarkun Shkodër bashkë me kandidatë të tjerë u takua me banorët e njërës prej lagjeve të Shkodrës me të cilët foli për planin konkret të Partisë Demokratike në mandatin e ri për punësimin, ekonominë, turizmin, taksat, shëndetësinë e arsimin. Duke ftuar të gjithë për të votuar numrin 44, ajo tha se PD edhe në katër vitet e mandatit të ardhshëm më shumë do bëjë për Shkodrën dhe për gjithë Shqipërinë, sepse e ka treguar me vepra. Ndërsa alternativa tjetër është ajo e një gënjeshtari që ka vetëm një plan; rrënimin. “Ai e di se kësaj radhe do ketë humbjen fatale dhe përfundimtare. Ai s’ka koncept as për shtetin, as për ekonominë, as për shtetin. Ai është bllokues, bojkotues, në çdo proces reformator të këtij vendi. Ai është nihilist e gënjeshtar në çdo gjë. por ai tha të vërtetën: “Tom Doshi është modeli ynë.” Po, ai është modeli i Edi Ramës, ai është Edi Rama ”, – tha Jozefina Topalli.