Të burgosurit Zgjedhjet, 5 mijë të dënuar do ushtrojnë të drejtën për të votuar në burgje

0
143

Sonja Caka

burgjetKreu i KQZ-së dhe kreu i Burgjeve takim me gratë e dënuara në burgun 325 “Ali Demi”. Lleshi apelon: Ushtroni të drejtën e votës. Zgjedhjet nuk duhen kontestuar

 

Pesë mijë të dënuar do kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e votës në këto zgjedhje parlamentare të 23 qershorit. Përveç masave të marra nga vetë drejtoria e burgjeve për të dënuarit në 22 institucionet e paraburgimit dhe vuajtjes së dënimit në vend, dje në burgun e grave ka qenë vetë kreu i KQZ-së, znj.Lefteri Lleshi, e cila nën shoqërinë e kreut të burgjeve, z.Gazmend Dibra dhe drejtoreshës Irena Çela ka apeluar që të dënuarit të ushtrojnë të drejtën e votës, ndërsa shtoi edhe një apel të dytë që procesi zgjedhor të mos kontestohet. Gjatë një takimi më nga afër me gratë e burgut, me të cilat bisedoi për disa momente, znj.Lleshi u kërkoi atyre që ditën e zgjedhjeve të ushtrojnë të drejtën e votës, pasi shoqëria shqiptare ka nevojë edhe për votën e tyre. Ndërsa drejtori juridik i burgjeve, z.Arben Tushe dha detaje për numrin e të dënuarve që do të votojnë më 23 qershor. Sipas tij, në burgun e grave në “Ali Demi”, ditën e 23 qershorit do të ushtrojnë të drejtën e votës 140 të dënuar, burra dhe gra.

Votimi

Rreth 5 mijë të burgosur do të kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet e 23 qershorit. Drejtori juridik i drejtorisë së burgjeve Arben Tusha pohon se ka përfunduar procesi i pajisjes me karta identiteti i të dënuarve thuajse në gjitha vendet e vuajtjes së dënimit. Ndërkohë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me drejtorinë e burgjeve kanë nisur trajnimin e të burgosurve sesi duhet të votojnë. Kryetarja e KQZ-së, Lefteri Lleshi dhe drejtori i përgjithshëm i burgjeve, z. Gazmend Dibra u shprehën se për të gjithë do të krijohen kushtet për të votuar. Në të gjithë vendin do të ngrihen 19 qendra votimi, kjo në zbatim të kodit zgjedhor, i cili ka të parashikuar vendosjen e një qendre në ato vende ku rezultojnë nga 15 deri në 1000 te dënuar. Në të gjithë vendin janë aktualisht 22 institucione të vuajtjes së dënimit. Numrin më të lartë të të dënuarve e ka Tirana ku parashikohen të ngrihen katër qendra votimi dhe më pas vijnë burgjet e sigurisë së lartë si Peqini e Fushë Kruja.

Ligji

 

Në bazë të ligjit 8328, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar, neni 5 dhe neni 32, përcaktojnë qartë se ekzekutimi i dënimit me burgim bëhet duke respektuar dinjitetin e të dënuarit dhe përshkohet nga ndjenja njerëzore. Bazuar në ligj, ashtu si personit me liri të kufizuar nuk mund t’i mohohet e drejta e arsimimit, kujdesit shëndetësor, etj, në të njëjtën mënyrë, kurrsesi nuk mund t’i mohohet e drejta e fjalës nëpërmjet votës. Sipas përcaktimeve të nenit 62 të Kodit Zgjedhor, “Institucionet e posaçme përbëjnë zonë të veçantë qendre votimi. Qendra e votimit në këto institucione ngrihet kur në to ndodhen mbi 15 zgjedhës. ”Grupi i punës i ngritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, kanë hartuar planin e veprimit për mirëfunksionimin e procesit zgjedhor në burgjeve dhe paraburgime, duke filluar me identifikimin e personave të privuar nga liria të cilët nuk janë të pajisur me karta identiteti. Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, po përgatitet e gjithë infrastruktura e nevojshme, që personat me liri të kufizuar të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013.

 Aplikimet me karta identiteti në burgje

Në sistemin e burgjeve gjatë muajit prill janë identifikuar dhe pajisur me karta identiteti 1100 persona të dënuar, të cilët nuk ishin të pajisur me karta identiteti apo nuk figuronin të dorëzuara brenda burgjeve dhe paraburgimeve. Sipas burimeve zyrtare nga burgjet, 90% e tyre kanë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme, ndërsa pjesa tjetër është në proces. Në 9 burgjet ku ndodheshin persona të burgosur pa kartë identiteti, janë ngritur vende të posaçme ku zhvillohet procesi i aplikimit nga specialistë të “Aleat”. Në total në burgjet shqiptare ndodhen 5164 të dënuar dhe të paraburgosur, ndërkohë që përjashtohen nga votimi për shkak të moshës, 95 të mitur që ndodhen në Institutin e Ri-edukimit të Miturve në Kavajë dhe 106 persona me masë mjekësore “mjekim i detyruar”. Burgjet dhe paraburgimet do të kalojnë në gatishmëri një javë para zgjedhjeve, një procedurë normale kjo e parashikuar në rregulloren e brendshme të institucioneve penale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency