16 ditë që kishte dalë nga burgu vritet me 7 plumba për hakmarrje

0
53

Elton Qyno

Hyqmet PishaHyqmet Pisha, aplikoi për pasaportë dhe u ul për të pirë birrë, u qëllua me shtatë plumba

Mbetet e plagosur aksidentalisht Lindita Callandej, autori Fisnik Korra shpallet në kërkim

 

 

Hyqmet Pisha kishte vetëm 16 ditë që doli nga burgu dhe pasi është çmallur me njerëzit e shtëpisë, ka vendosur të dalë jashtë për të aplikuar për pasaportë dhe më pas është ulur për të pirë një birrë, në kafenetë që ndodhen në qendër të qytetit të Elbasanit. I veshur me atlete sportive, 45-vjeçari ka ecur i qetë në trotuar, duke gëzuar ditët e lirisë, dhe më pas është drejtuar në një lokal ku ka porositur një birrë. Nuk kanë kaluar shumë sekonda kur sapo është larguar kamerieri që mori porosinë, në tavolinën e Hyqmet Pishës është afruar një person tjetër i identifikuar si Fisnik Korra, i cili pa paralajmërim ka nxjerrë nga brezi një armë tip pistoletë dhe ka qëlluar me të shtatë herë në drejtim të sapoliruarit nga burgu. Plumbat kanë përshkuar trupin e Pishës, i cili ka mbetur i vdekur në vend, ndërkohë që një plumb ka prekur në krahun e djathtë dhe një kalimtare të rastit e cila është identifikuar nga policia me emrin Lindita Callandej. Pas krimit autori është larguar qetësisht, duke hipur në një makinë dhe më pas është zhdukur me shpejtësi nga vendi i krimit, duke braktisur automjetin në dalje të qytetit. Dëshmitarët i thanë policisë se para se të ndodhte ekzekutimi i 44-vjeçarit, ata kishin vënë re një të ri që ka zbritur nga automjeti me tip “Mercedes-Benz” me targa angleze KJ 53 LUD. Nisur nga këto të dhëna, blutë e qytetit të Elbasanit të mbështetura edhe nga prokuroria kanë arritur të bëjnë identifikimin e autorit të krimit, i cili mendohet se është Fisnik Korra, djali i Qemal Korrës, person ky i vrarë në 1997 nga Hyqmet Pisha.

Vrasja për hakmarrje

Vrasja që tronditi qendrën e Elbasanit e ka zanafillën në një krim të ndodhur në vitin 1997. Pikërisht në këtë vit të trazirave, 45-vjeçari Hyqmet Pisha ka ekzekutuar me armë zjarri shtetasin Qemal Korra. Të dy protagonistët e kësaj ngjarjeje kanë debatuar me njëri-tjetrin dhe se shumë shpejt gjakrat mes tyre janë nxehur, duke bërë që Pisha të organizojë vrasjen e tij. Pas ekzekutimit të Qemal Korrës, policia dhe prokuroria e Elbasanit kanë bërë arrestimin e Pishës, duke arritur të sigurojnë prova dhe ta nxjerrin para drejtësisë si të pandehur. Mbi bazën e provave të administruara në dosje, gjykata e Elbasanit dhe dy nivelet e tjerë të sistemit gjyqësor e kanë dënuar Pishën me 17 vite heqje lirie. Mirëpo pasi ka qëndruar disa vite në burg, Pisha ka kërkuar lirinë duke dorëzuar një kërkesë në gjykatën e Elbasanit. Seanca është zhvilluar 16 ditë më parë dhe se gjykata ka vendosur lirimin e tij me kusht që të sillej mirë në shoqëri. Nga ana tjetër për lirimin e Pishës janë vënë në dijeni dhe familjarët e viktimës Qemal Korra, të cilët e kanë konsideruar vendimin e gjykatës si të padrejtë. Nisur në këto kushte dhe duke mos pasur asnjë mundësi për ridënimin e Pishës për akuzën e vrasjes së të afërmit të tyre, djali i Qemal Korrës gjatë kësaj kohe ka organizuar planin për eliminimin fizik të hasmit të tij. Fisnik Korra ka siguruar në rrugë informale një pistoletë dhe pasi ka studiuar për disa ditë lëvizjet e objektivit të tij, ka vendosur të hidhet në sulm pikërisht mesditën e djeshme, duke qëlluar plot 7 herë në pjesë të ndryshme të trupit shtetasin Hyqmet Pisha. Krismat e armës, kanë alarmuar të gjithë klientët e tjerë të lokalit, ndërkohë që viktima nuk ka pasur mundësi të reagojë për asnjë çast për shkak se plumba e parë i ka marrë nga prapa shpine. Me shumë shpejtësi lokali është zbrazur, ndërkohë që klientët dhe kamerieri që ishte brenda, janë shtrirë në tokë. Si pasojë e të shtënave të vazhdueshme një plumb ka prekur në dorë dhe një kalimtare të rastit, e cila është transportuar nga policia në spitalin e Elbasanit dhe se gjëndja e saj është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që trupi i viktimës ka mbetur i palëvizur për rreth 30 minuta duke u parë nga shumë kalimtarë të rastit, derisa policia ka kryer veprimet e nevojshme në vendin e ekzekutimit.

Kapja e autorit

Pas zbulimit të Benzit me targë angleze KJ 53 LUD, Policia Kriminale e Elbasanit ka bërë dhe identifikimin e autorit të krimit. Sipas bluve të këtij qyteti ai është shtetasi Fisnik Korra, djali i Qemal Korrës. Policia ka bërë të mundur sekuestrimin e makinës, ndërkohë që prangosja e autorit të krimit deri në orët e vona të mbrëmjes ende nuk ishte kryer. Kërkime janë kryer në disa banesa ku mendohet se fshihet autori i krimit por pa rezultat. Kërkimet kanë vijuar dhe në banesat e rrethit shoqëror dhe farefisnor, por nuk është arritur të bëhet lokalizimi dhe arrestimi i Fisnik Korrës. Strukturat e policisë së Elbasanit kanë njoftuar disa komisariate për të marrë masa me qëllim arrestimin e Fisnik Korrës, tashmë të shpallur në kërkim për akuzën e “Vrasjes me paramendim”.

 

Akuza: Pisha, incidente dhunë në ambientet e burgut

Hyqmet Pisha në gjykatë: Më lironi,

kushti im është sjellja e mirë

 

Hyqmet Pisha duhet të shlyente edhe 2.8 vite burg dhe më pas rifitonte lirinë. Por me një kërkesë për lirimin e tij me kusht të bazuar në nenin 447 të Kodit të Procedurës Penale, Pisha ka arritur të dalë nga qelia dhe të ecë i lirë në rrugët e Elbasanit. Në seancën gjyqësore të zhvilluar në datën 29 maj, Pisha ka pohuar para gjykatës se jepte si kusht të vetëm dhe parësor se do sillet shumë mirë në shoqëri kur të dalë nga burgu. Këto argumente i ka kundërshtuar në sallën e gjykimit përfaqësuesi i prokurorisë së Elbsanit, i cili ka sjellë në gjykim disa procesverbale të incidenteve të ndodhura mes Hyqmet Pishës dhe të dënuarve të tjerë në burg por edhe gardianëve. Në këto incidente Pisha është dënuar me masa disiplinore, pasi ka keqtrajtuar të dënuarit e tjerë dhe disa gardianë. Por pavarësisht kësaj situate, gjykata e Elbasanit nuk i ka marrë të mirëqena provat e servirura nga prokuroria,dhe se ka vendosur të miratojë kërkesën e Hyqmet Pishës, për lirimin e tij me kusht. Lirimi është bërë në 29 maj, ndërkohë pa kaluar 16 ditë nga dalja nga burgu, Pisha është vrarë me 7 plumba. Ndërkohë që për sa i për sa i përket vendimit të gjykatës, mësohet se Prokuroria e Elbasanit e ka apeluar atë, duke mos qenë dakord me vendimin për lirimin e Pishës.