Gazeta “Mapo” botoi të shtunën një artikull për futjen e partive komuniste, të cilat e konsiderojnë Enver Hoxhën udhëheqës historik, si pjesë e koalicionit të majtë, me titull “Rikthimi i komunistëve”. Po atë ditë, në “Mapo”, duke iu referuar koalicioneve dhe shkrimit në të njëjtën gazetë, Henri Çili u binte këmbanave për legalizimin e enveristëve, që, medemek, shoqëria shqiptare i ka pranuar tashmë. Henri Çili është, njëkohësisht, themelues dhe botues i gazetës “Mapo”.
Si shembull tjetër, për mbështetjen e tezës së tij, zoti Çili përmendte një emision të Artur Zhejit, i cili kishte ftuar përfaqësues të partive enveriste, javën e kaluar. Zoti Zheji ka qenë dhe akoma është, duke iu referuar të dhënave në faqen elektronike të gazetës, drejtor i gazetës së Henri Çilit.
Një shembull tjetër, në shkrimin e zotit Çili, në të njëjtën vijë argumentimi, ishte botimi i librit “Enver Hoxha”, me autor Blendi Fevziun. Sipas tij, fakti që ky libër u shit 40 mijë kopje (edhe kjo shifër e ofruar nga Henri Çili), kishte treguar që Enveri ishte i dashur nga populli dhe Edi Rama nuk mund ta injoronte këtë fakt. Nënteksti ishte që libri i Fevziut kishte ndihmuar në legalizimin e enverizmit. Botuesi i këtij libri ishte Henri Çili.
Për qartësi: këmbanat e Henri Çilit ishin triumfuese. Nisur nga indiferenca e qytetarëve shqiptarë karshi ngjarjeve të mësipërme, ai u ra këmbaneve për të tërhequr vëmendjen, njerëzit të kthenin kokën dhe të admironin një çast punën këmbëngulëse që ai kishte bërë për legalizimin e enveristëve.
Për një pjesë njerëzish besoj s’ka pasur nevojë për këtë lloj zhurme. Enveristët, të të dy llojeve, kanë qenë këmbëkryq në shoqërinë shqiptare më herët se e shtuna e shkuar, kur e pikasi Henri Çili.
Lloji i parë i enveristëve janë ata që kishin si emblemë Hysni Milloshin. Të gjitha partitë e tipit të partisë tij (dhe janë tre a katër) u legalizuan pas lëvizjes antiinstitucionale të vitit 1997. Shoqëria shqiptare i pranoi ata, në një cep të saj, njëlloj si ka pranuar ekzistencën e gropave septike krahas banesave të qytetarëve të saj. Këta lloj enveristësh janë viktimat e përjetshme të diktaturës, sepse nuk janë në gjendje ta shikojnë fatkeqësinë e tyre. Ata janë dëshmi që të tjerët të kuptojnë se cili do të kishte qenë rezultati i politikës së njeriut të ri, nëse do t’ia kishte dalë mbanë të nënshtronte gjithëp shoqërinë. Ata janë e keqja e vetes, sepse shoqëria mbrohet prej tyre duke i izoluar, me anë të indiferencës.
Të dëmshëm janë lloji i dytë i enveristëve, në radhët e brezit të ri. Ata s’mendojnë si Hysni Milloshi (ndjesë pastë), Marko Dajti etj., ata mendojnë si Koçi Xoxe, si Sejfulla Malëshova, si Mehmet Shehu. Enver Hoxha nuk është në grupin e këtyre, ai është të gjithë ata së bashku. Këta lloj enveristësh, ashtu si paraardhësit e tyre, janë ca lloj njerëzish të vegjël me qëllime të caktuara, tërësisht personale dhe, për t’i realizuar, shkelin pa problem çdo lloj pengese ligjore e morale. Ata vihen në shërbim të çdo kauze dhe çdo personi që mendojnë se i ndihmon të arrijnë qëllimet e tyre, nuk kanë as moral, as karakter dhe as miq. Të tjerët, për ata, janë thjesht blerës ose shitës në një ditë pazari. Ata janë më të shquarit atë ditë, ata janë matrapazët.
Enverizimi nuk është ideologji, por mënyrë sjellje. Ata nuk debatojnë, ata veprojnë. Ata s’kanë kundërshtarë politikë, sa janë të dobët, por kur marrin pushtet, ashtu si Enveri, zbulojnë armiq. Enveristët e rinj deri tani janë shitur në publik si liberalë, por në kuptimin e shthurjes. Ata nuk janë për një shoqëri tolerante (ky është liberalizëm), por të degjeneruar. Ata duan të veprojnë, por jo të gjykohen. Premisat bazë e gjykimit, në diskursin publik, janë normat morale të shoqërisë.
Dhe shoqëria e ka dhënë mendimin e saj për ta, por enveristët e rinj se pranojnë dot të mos jenë qendra e vëmendjes pa ndërprerje. Ata duan vëmendje, sepse ata ekzistojnë vetëm nëse i percepton dikush. Në këtë pikë, gjakimin e tyre për të qenë në vëmendje të publikut, ata ngjasojnë shumë me homoseksualët, të cilët nuk kënaqen me konsumimin e “dashurisë” së tyre në intimitet, ata duan dhe shoqërinë dëshmitare, e madje t’i duartrokasë.
Henri Çilit, me sa duket, i është i sosur durimi, prandaj mori përsipër të bëhet qesharak, e të deklarojë diçka që e dinë të gjithë. Ai ka filluar të promovojë enverizmin që me reklamat e para të UET (një version i ri i ish-Shkollës së Partisë) me pikturat socrealiste (njëra ishte Vojo Kushi mbi tank, kanë qenë dhe të varura në korridoret e UET, por nuk di në janë akoma) të shoqëruara me pyetjen “A e bën dot?” Për ata që kishin dy pare mend, reklama i provokonte njerëzit të merrnin përsipër përhapjen e enverizmit.