Nga The Economist
Gjithçka filloi me një pemishte fiqsh. Për muaj me radhë një grup i palëkundur mjedisorësh kishin protestuar kundër një projekti të mbështetur nga qeveria për të prerë pemët, që t’i hapej rruga një qendre tregtare dhe kompleksi rezidencial në sheshin ‘Taksim’ të Stambollit. Javën e shkuar ata organizuan një tubim paqësor, kamping, këngë dhe valle afër pemëve të kërcënuara.
Më 31 maj, në një bastisje para agimit, policia e protestave kundërveproi. Ata u vunë flakën çadrave të demonstruesve dhe i mbytën me ujë me presion dhe gaz lotsjellës. Imazhe të brutalitetit të policisë u përhapën si zjarr nëpër rrjetet sociale. Brenda disa orësh mijëra qytetarë të ndërkryer filluan të vërshonin drejt sheshit ‘Taksim’. Të mbuluar nga mjete të blinduara dhe topa ujëhedhës, policia u përgjigj me forcë edhe më të pamëshirshme. Valë të forta gazi lotsjellës i dërrmuan protestuesit. Qindra prej tyre u arrestuan dhe shumë të tjerë u plagosën në përleshjet që vazhduan. Demonstrata të tjera shpërthyen në Ankara, kryeqyteti turk, dhe tjetërkund në të gjithë vendin. ‘Revolucioni i pemëve’ të Turqisë kishte filluar.
Në fakt, protestat masive që po përfshijnë vendin nuk janë vetëm për pemët, por as nuk janë një revolucion. Ato janë shprehje e një pakënaqësie të shtypur gjatë, ndjesi e pothuajse gjysmës së elektoratit që nuk votoi për Partinë Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet, në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2011. Zgjedhje që i dhanë pushtetin për herë të tretë radhazi Kryeministrit Rexhep Taip Erdogan.
Vala e protestave ishte krejtësisht e papritur. Protestuesit vinin nga të gjitha shtresat ideologjike, fetare dhe klasore. Shumica janë të rinj. Por ka shumë turq në moshë, mjaft prej tyre sekularistë, disa tej mase religjiozë. Ka homoseksualë, armenë, anarkistë dhe ateistë. Ka gjithashtu anëtarë të pakicës myslimane alevite. Ajo që i bashkon është ndjenja e përbashkët, se një Erdogan gjithnjë e më autokratik është i vendosur për të detyruar pikëpamjet e tij mbi të tjerët. Sekularistët tregojnë një varg kufizimesh mbi alkoolin; liberalët te numri i gazetarëve të burgosur (ka më shumë gazetarë të burgosur se në çdo vend tjetër të botës). Mijëra aktivistë të ngjyrave të ndryshme (shumica kurdë) të dënuar nën ligjin e vagullt antiterror të Turqisë, janë pas hekurave. Më pas janë të zemëruarit me megaprojektet urbane, përfshirë një urë të tretë përmbi Bosfor, e cila do të thotë mijëra pemë të tjera të prera. Duke ndier zemërimin e publikut, industrialistët shpallën se do tërhiqeshin nga projekti në sheshin ‘Taksim’. “Kjo nuk është një përplasje e sekularistëve me islamistët – ka të bëjë me pluralizmin kundër autoritarizmit”, – komentoi një diplomat i huaj.
Erdogani do që të zgjidhet president kur posti të lirohet në gusht 2014. Dhe ai as e ka mbajtur sekret dëshirën e tij për ta fuqizuar pushtetin e presidentit ‘alla turka’ siç e tha vetë, duke u dhënë jetë akuzave se ajo që do është të bëhet një ‘sulltan’.
“Tayyip [Erdogan] istifa”, një thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit ishte slogani më i shpeshtë thirrur nga protestuesit. Jo se turqit e tjerë do ta kishin marrë vesh se ç’po ndodhte. Bosët e mediave, në panik se mos rrezikonin bizneset e tjera, iu shmangën mbulimit të protestave për thuajse dy ditë, duke u dhënë vend programeve që flisnin për operacionet e gjinjve dhe gatimeve gourmet. Të vëna përballë zemërimit të publikut, kanalet kryesore të lajmeve filluan të transmetonin live nga sheshi ‘Taksim’. Por gazetat proqeveritare vazhdojnë të fajësojnë provokatorët dhe ‘fuqitë e huaja’ të vendosura për të minuar Turqinë. Ngjan një përshkrim i çuditshëm i mijëra shtëpiakeve që shtrihen nëpër ballkonet e tyre duke përplasur tenxheret.
Ndërkohë opozita kryesore e Turqisë, sekularja Partia e Popullit Republikan po përpushet për të bërë për vete protestuesit. “Erdogani është një diktator-është koha për dorëheqje”, – këmbëngul Kemal Kilicdaroglu, lideri i partisë. Megjithatë, Erdogani është zgjedhur me zgjedhje të lira e të ndershme dhe mbetet lideri më popullor në historinë moderne të Turqisë.
Me gjithë ngecjet e kohëve të fundit, partia e Erdoganit ndoshta do t’i fitonte sërish zgjedhjet nëse ato do të mbaheshin sot. Ashtu si shumë njerëz, turqit priren të votojnë me xhepat e tyre. Një dekadë e pushtetit të PZHD ka sjellë prosperitet të paprecedent. Të ardhurat për frymë janë trefishuar, eksportet janë rritur me pothuajse dhjetëfish dhe bankat turke gëzojnë shëndet të plotë. Nisma guximtare e Erdoganit për t’u dhënë fund dekadave të konfliktit me kurdët po ecën përpara. Partitë e opozitës (përjashto kurdët) mbeten të dobëta dhe të përçara.
Erdogani është bërë mbikonfident duke tëhuajëzuar mbështetësit liberalë dhe duket gjithnjë e më shumë jashtë realitetit. Protestat janë një thirrje për t’u zgjuar dhe ka shenja shpresëdhënëse se Erdogani po dëgjon. Në ditën e dytë të protestës ai urdhëroi policinë të tërhiqej nga sheshi ‘Taksim’, pranoi se policia e kishte kaluar cakun me gaz lotsjellës dhe lejoi që dhjetëra mijëra demonstrues të mblidheshin paqësisht. Dhe, megjithëse Erdogani këmbëngul se projekti i sheshit ‘Taksim’ do të vazhdojë, ai gjithashtu tha se ndërtesa mund të bëhet strehë për një muze modern në vend të një qendre tregtare.
Mbi të gjitha, protestat treguan se demokracia turke po maturohet dhe se shoqëria civile ka hedhur rrënjë. Protestuesit janë të vendosur të mos lejojnë që lëvizja e tyre të merret peng nga rrëmujaxhinjtë. Ata e shmangin dhunën dhe pastrojnë pas çdo demonstrate dhe kanë ngritur linja telefonike të posaçme për të lënduarit-përfshirë edhe qentë e macet. Restorantet dhe hotelet kanë hapur dyert për ta. Prosekularistët duket se kanë hequr dorë nga varësia tek ushtria. Një ndjesi solidariteti dhe konfidence sundon. Reformat me frymë evropiane që u ndërmorën nga partia e Erdoganit, kanë ndihmuar në shtrimin e rrugës. Erdogani ndoshta është duke pyetur veten se a mos është viktima e suksesit të tij.