Imagjinojeni veten për një çast në bordin e një avioni. Udhëtimi nuk është as i këndshëm e as i sigurt. Ushqimi nuk ka cilësinë e ushqimit në avionë të tjerë. Sediljet janë të ngushta, aty pihet duhan dhe flitet me zë të lartë. Veç kësaj, brenda bordit ka fjalë se të gjitha këto, plus lëkundjeve të vazhdueshme të avionit, janë pasojë e paaftësisë së pilotit. Veç pilotit, askush nuk di ta nisë avionin. Në kabinë është dhe një riosh, por herën e fundit që u bë testi për drejtimin e avionit, fitoi burri në moshë që është në timon. Udhëtimi është i gjatë dhe udhëtarët mundohen ta kalojnë kohën me diskutime. Diskutimet bëhen në mënryë që të mos e marrë vesh i pari të dytin. Në një udhëtim kaq delikat, diskutimi ka ardhur në pikën që duhet gjetur një zgjidhje, për të patur më shumë rregull në bord, ushqim më cilësor dhe një udhëtim më të sigurt. Për këtë, ata vendosin të pyesin disa persona në bord, të cilët mendohet se janë më të diturit. Të diturit janë nëntë vetë. Çështja shtrohet kështu: Çfarë duhet bërë, a mund vazhdohet udhëtimi me pilotin që është, apo duhet zëvendësuar me rioshin, që nuk e kaluar testin herën e fundit, e ia dhanë pilotit për shoqërim se nuk kishin dikë tjetër?
Përgjigjet e më të mençurve në bord janë si vijojnë: tre janë të mendimit se ia vlen të udhëtohet me atë pilot që është; dy janë të mendimit se drejtimi i avionit nuk i duhet besuar as njërit dhe as tjetrit, të dy pesonat në kabinë duhen flakur nga dritarja; katër të tjerët mendojnë se zgjidhja më e mirë – për një udhëtim më cilësor dhe më të sigurt – është vrasja e pilotit.
Me një analogji të tillë mund të kuptohen më qartë, mendoj unë, deklaratat e pozicionimit politik në këto zgjedhje të disa analistëve që kishte intervistuar një e përditshme të shtunën. Shumica e tyre ishin kundër fitores së mazhorancë aktuale, kurse të gjithë, pa përjashtim, nuk shprehinin asnjë lloj entusiazmi për opozitën
Analistët zakonisht pyeten për të dhënë një mendim më të qartë, më të specializuar, që mund t’i ndihmojë qytetarët në të kuptuarit e një situate dhe të jenë më të aftë në marrjen e vendimit individual ditën e votimit. Një votues, në 23 qershor, do të shkojë (ose duhet të shkojë), te kutia e votimit për të bërë zgjedhjen më të mirë politike, për qeverisjen e vendit. Kjo është qasja pozitive dhe që duhet të përcillet te votuesi. Njeriut gjithmonë i është dashur të bëjë zgjedhje, mes të mirës dhe të keqes, në një realitet të caktuar, jo në një realitet imagjinar. Dikur, beratasit dhe gjirokastritët, kur ndërtuan shtëpi, përdorën gurë për muret dhe pllaka guri për çatitëi. Guri mund të mos ketë qenë materiali i ndërtimit më i mirë, diku në botë ndoshta përdoreshin materiale të tjera, ndoshta dhe më të mira, por ata zgjodhën materialin më të mirë që kishin në zonën e tyre. Në një kohë, në Myzeqe shtëpitë kanë qenë të ndërtuara me qerpiç, sepse në aty nuk kishte as gurë e as tulla, apo materiale të tjera. Pra, nerëzit kanë bërë zgjedhjen në lidhje me mundësitë dhe realitetin në të cilin jetonin.
Shembujt, ndoshta nuk janë më të goditurit, por besoj se logjika që dua të përcjell është e qartë. Shqiptarët nuk duhen, mendoj unë, këshilluar të shkojnë në kutinë e votimit me ngarkesë emocionale negative: të votojnë kundër. Kjo është një qasje e gabuar. Duke vënë në lëvizje vetëm energjitë negative të individit, kurrë nuk ka për t’u arritur rezultat pozitiv. Dhe kurrë nuk ka për t’u krijuar një mjedis që të favorizojë të kundërtën.
Supozojmë se qytetarët votojnë kundër qeverisë, sepse ajo nuk u ka ndërtuar realitetin që ata prisnin prej saj. Në vend të kësaj qeverie, vjen një tjetër që ua bën jetën edhe më të keqe, a do të kenë moral qytetarët të ankohen, të ngihen kundër qeverisë? Dhe gjasat janë, shumë të mëdha bile, sepse edhe ata analistë që nuk e pranojnë në mënyrë kategorike një mandat tjetër të kësaj qeverie, nuk shfaqin asnjë shenjë optimizmi, sado minimale, për atë që mund të vijë në vend të kësaj qeverie.
Kjo mënyrë të menduari ka qenë sunduese një herë në Shqipëri dhe rezultati ishte katastrofik. Dikur mbreti Zog ishte, për propagandën, burimi i gjithë të këqijave të Shqipërisë dhe jetës së shqiptarëve. Iku mbreti dhe ajo që pasoi ishte edhe më e keqe, njëqind fish më e keqe, në mos më shumë; dhe zgjati trefishin e kohës së mbretërisë. E gjithë kjo ndodhi se turmat u helmuan nga logjika e refuzimit, tek ata u motivuan energjitë negative. Shumica e atyre që sollën komunimzin e pësuan edhe vetë shumë keq, por është e tepërt t’i konsiderosh ata njerëz si viktima e të vijë keq për ta, megjithëse e kemi bërë një gjë tillë shumë herë. Ata ishin thjesht një tufë injorantëshm që dinin vetëm të urrenin.
Analistëve të sotëm nuk u falet të bien në atë nivel. Detyra e votuesit në 23 qershor është e përcaktuar. Përballë tij janë dy alternativa politike, atij i duhet të zgjedhë njërën prej tyre, më të mirën. Analistët këtu mund të ndihmojnë, të argumentojnë, në mundshin, cila aletranativë është, sipas tyre, më e mirë se tjetra, pastaj vetë analistët, si të pavarur që u pleqen të hiqen, le të votojnë PS. Por, kurrë, nuk është e mirë, qoftë edhe verbalisht, ndotja e mjedisit në të cilin jetojmë dhe, na pëlqen apo nuk na pëlqen, do të vazhdojmë të jetojmë.