Papë Klementi XI – shqiptar 250 vjet histori “sekrete” në Vatikan

0
2338

Dokumenti sekret

vatikanKatër kardinalët shqiptarë që mbrojtën Vatikanin

Zbulohen dokumente sekrete të pemës gjenealogjike të familjes Albani, nga studiuesi kosovar Eqrem Zenelaj, të publikuar pak ditë më parë në Tiranë, duke saktësuar përfundimisht se Papë Albani, njohur si Papa Klementi XI, është me origjinë shqiptare; po ashtu për herë të parë del në dritë dhe testamenti i shkruar nga Papa Klementi XI, që mbi të shkruhej se ishte Papë shqiptar. Ja fjala e plotë: “Më varrosni në mënyrë shumë të thjeshtë, por të shkruhet në pllakën time që Papa Albani është Papë në Romë, por rrjedh nga gjaku shqiptar”. Familja Albani i dha katër kardinalë të tjerë Kishës Romane, qenë nipërit e Papa Klementit XI; Alesandro (1672-1779), Anibali (1682-1751), Albani (1720-1803) e Xhuzepe (1750-1834).

 

 

Për 250 vjet Vatikani do ta mbështillte fuqinë dhe diplomacinë e tij nën një emër të njohur për historinë e saj; Papa Albani. Tashmë me dokumente, nga studiues të hershëm e të sotëm, është dëshmuar se Papa Klementi XI – Albani ka prejardhje shqiptare, për të cilin është shkruar mjaft nga autorë të huaj.

Me urdhër papnor, ai është vlerësuar si intelektual, diplomat, burrë shteti dhe njohur përmes dokumenteve arkivore me një kontribut kombëtar, që lidhet me historinë e Shqipërisë, në porosinë e shkrimit të serisë së veprës historike “Iliria e shenjtë” nga At Ferlati; Papa Klementi XI nxiti mbajtjen e Kuvendit të Arbënit më 1703, botimin e akteve të këtij Kuvendi, si dhe botimin e Gramatikës së shqipes me porosinë për të hartuar më 1716, që njihet deri më sot si gramatika e parë të gjuhës shqipe. Dhe së fundi, përmes arkivave është zbuluar se Papa Albani ka lënë një testament: “Më varrosni në mënyrë shumë të thjeshtë, por të shkruhet në pllakën time që Papa Albani është Papë në Romë, por rrjedh nga gjaku shqiptar”.

Pak ditë më parë, në nder të këtij personaliteti kishtar, por edhe historik, Qendra e Studimeve Albanologjike organizoi në Tiranë konferencën shkencore me temë “Papa Klementi XI dhe familja Albani”. Në këtë rast u prezantua një monografi, e botuar qysh më 2009 në Kosovë, me autor Eqrem Zenelajn, dhe vetëm tani e njohur në Shqipëri.

Zenelaj ka rrëfyer disa nga zbulimet e tij të panjohura rreth figurës së Papa Klementit XI, fakte nga arkivat e Vjenës e të Vatikanit dhe në vizitën e tij në Tiranë është shoqëruar me autorin e parathënies Richard Pots, studiues.

Familja Albani, me origjinë shqiptare, nxori, përveç Papës Klementi XI, edhe kardinalë, profesorë, juristë dhe artistë me famë botërore, si dhe la trashëgimi muzeun e mirënjohur të artit “Pallati Albani”.

Zenelaj ka treguar se ka rreth 17 vjet që merret me hulumtimin e arkivave që flasin rreth familjes së Albanëve. Ky studiues i Kosovës është i pari që na njeh me pemën gjenealogjike të familjes Albani duke u shprehur se referuar heraldikës, stemës së Papa Klementit XI paraqet Kalanë e Krujës, duke treguar se “familja Albani rrjedh nga Laçi i rrethit të Shkodrës, e cila ka ardhur në Itali në vitin 1464”. Është interesante, thotë ai, se kjo familje ka shkëlqyer për 300 vjet në të gjithë Evropën. Nga kjo familje rrjedh Papa Albani, i cili është i vetmi papë nga portifikati roman është quajtur Klements XI dhe Albanis Urbina. “Ka qenë mjaft atdhetar dhe Papa Gjon Pali II dhe shumë të tjerë po ky është i vetmi që e kanë thirrur me emrin e vendit dhe origjinës së tij” thotë Zenelaj.

Në kohën e Skënderbeut, dy djemtë e Mikel e Lazri ishin kapiten të veriut, ata u dërguan me detyrë diplomatike dhe ushtarake në Urbino te Duka I Urbinos.

Atherë Urbino ka qenë si të themi sot Brukseli, meqenëse themi se ka qenë të ngarkuar detyra ushtarake dhe diplomatike. Atëherë kemi edhe përfaqësinë e përhershme diplomatike

Pema gjenealogjike e familjes Albani është një dokument tjetër i veçantë që na dëshmoi Zenelaj në konferencë si zbulim, dalë në dritë për herë të parë, me pesë fletë dhe tregon saktësisht rrënjën e gjenealogjisë së familjes Albani nga Shqipëria.

Familja Albani është ndarë në dysh; në familjen që rrjedh nga Filipi, që është në Bergamo dhe familja që rrjedh nga Gjergji që është në Urbini. “Ndërsa një dokument që kam gjetur para një viti thekson se Mikel Lazi ka pasur një djalë që quhej Andrea, po nuk dihet se me çfarë është marrë Andrea, ku ka jetuar dhe sa ka jetuar”, ka treguar Zenelaj për familjen Albani. Është një histori e gjatë sipas tij, të cilët duhen trajtuar në një libër e veçantë, për një familje e veçantë me të cilën duhet të merren akademikët. Çfarë tërheq në gjithë këtë histori është pikërisht Papë Albani, konsideruar me histori të veçantë. Zenelaj tërheq vëmendjen ndër të tjera, se familja Albani ka pasur shumë figura që janë: Kardinali Françesko Albani ishte propozuar tri herë për papë, ka qenë juristi më i madh në Evropë, ka shkruar 15 vepra shkencore, dhe njëherësh zëvendës komandant i forcave të armatosura të Venedikut i kësaj familjeje.

Orosh Albani gjyshi i Papa Klementit XI, është lindur 1576 – “ka qenë diplomat i zgjuar, dhe ka qenë i interesuar për t’u marrë me çështje diplomatike” – thotë Zenelaj. Kishte njohuri të jashtëzakonshme në politikë dhe diplomaci, ku njëkohësisht gëzonte një autoritet të madh në qarqet e larta politike të Romës, ai ishte zgjedhur dhe si senator i saj, një funksion që e ushtroi deri në vdekje. Një tjetër pasardhës ka qenë drejtor, dhe mbikëqyrës i bibliotekës së Vatikanit. Heraldika dhe stema e familjes Albani, vëren studiuesi, është ajo e Krujës.

Familja Albani për 250 vite e ka ruajtur gjuhën shqipe në traditën familjare.

Një tjetër pasardhës, Aleksandër Albani, njihej për karakteristika dhe dhunti të shumanshme. Ai ishte së pari aktor, oficer i Gardës së Papës, ishte kardinal. Por çfarë është e rëndësishme për historinë tonë ai ishte arkeolog. Është interesante që babai i arkeologjisë Johan Vinkelman ka qenë këshilltar dhe punëtor i Aleksandër Albanit për dhjetë vitet e fundit të jetesës së tij.

Ndërsa tashmë dihet se në qendër të Romës është Palazo Albani, Vila Albani, një pallat i mbushur me monumente klasike greko-romake. “Është pushtuar disa herë nga austriakët dhe Franca dhe janë kthyer përsëri skulptura dhe pikturat. Për Palazo Albani janë shkruar 50 vepra dhe Aleksandër Albani është njëra ndër figurat qendrore po ashtu. Secili anëtar i familjes Albani ka një histori të vetën madhore”, – tregon Zenelaj

Studiuesi krijon një lidhje “të fshehtë” të Papa Gjon Palit II me shqiptarët. Ai tregon se nuk ka qenë arsyeja vetëm Nënë Tereza apo lidhja me Presidentin historik Ibrahim Rugova, jo vetëm lirshmëria e Vatikanit në kohën e Skënderbeut, por familja Albani për 50 vite ka qenë një mbështetëse e fuqishme e çështjes polake përballë Rusisë.

Pikërisht kardinali, i Riu Françesko Albani, për 15 vite ka shkuar në konflikt të vazhdueshëm me Katerinën II të Rusisë për mbrojtjen e çështjes polake. “Prandaj Papa Gjon Pali II, duke e ditur këtë histori dhe duke lexuar librat, është takuar me familjen Albani, duke krijuar një respekt të veçantë për popullin shqiptar”. Familja Albani i dha katër kardinalë të tjerë Kishës Romane, qenë nipërit e Papa Klementit XI; Alesandro (1672-1779), Anibali (1682-1751), Albani (1720-1803) e Xhuzepe (1750-1834).

 

Papa shqiptar Gjon Françesk Albani, Klementi XI

 

Gjon Françesk Albani lind në Urbino më vitin 1649 e vdes në Romë më 1721. Studion në Kolegjin Romak e diplomohet në Juridik, Filozofi e Teologji. Ende student shquhet për punën e tij studimore në fushën teologjike e për mjaft përkthime në gjuhën greke e orientale, midis të cilëve dhe Pentateuku i Moisiut, një libër i rëndësishëm e mjaft i vlerësuar shkencor. Në moshën 28-vjeçare Papa Inoçenti XI e punëson pranë Kishës Romake. Më vitin 1690 emërohet kardinal e më 1700 Konklava e Kardinalëve e zgjedh Papë e merr emrin Papa Klementi XI. I tillë qëndron deri në vdekje, duke u renditur i katërti midis papëve të Kishës Katolike për nga jetëgjatësia e viteve në krye të Kishës.

Gjon Françesk Albani qe pasardhës i familjes fisnike shqiptare nga Laçi i Kurbinit. I pari i tyre quhej Mikel Laçi, që së bashku me fëmijët e tij Filip e Gjergj Laçi, luftuan përkrah Skënderbeut në luftën kundër turqve. Më vitin 1464, familja Laçi detyrohet të braktisë Shqipërinë e të strehohet nga Duka i Urbinos, në qytezën e Urbinos, ku stabilizojnë jetën e tyre të ardhshme e marrin mbiemrin Albani, në kujtim të vendlindjes. Gjon Françesk Albani, i biri i Karlit e Elenës, është nipi i Horacit (1576-1653), kancelar i Dukës së Urbinos i ftuar në Romë nga Papa Inoçenti XI, për t’u bërë senator i Romës. Gjon Françesk Albani siç dëshmojnë dokumente të shumta të lëna në trashëgim nga ai, kujtonte shpeshherë prejardhjen shqiptare të tij. Në fakt, gjatë jetës interesohet për Shqipërinë, e sunduar në atë epokë nga turqit. Përpiqet të kontribuojë në ruajtjen e gjuhës dhe fesë së krishterë, duke nxitur botimin e mjaft librave në gjuhën shqipe.

Nën iniciativën e tij u mbajt një ngjarje e rëndësishme në historinë shqiptare, ende e pastudiuar siç duhet, siç qe Kuvendi i Arbrit, zhvilluar më 14 – 15 janar 1703 në fshatin Mëqinjë të Lezhës e në kryesinë e Arqipeshkvit të Tivarit, Vinçenc Zmajeviç. Dekretet e Kuvendit të Arbrit prekën problematika fetare, ekonomike e arsimore, marrëdhënie ndërkombëtare të Shqipërisë me pjesën tjetër të botës. Të gjitha aktet e tij u përkthyen nga latinishtja në shqip, falë punës së një grupi teologësh të kohës, midis të cilëve dhe të huaj, gjë që parapriu idenë e mëvonshme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Në librin “Illyricum Sacrum”, një vepër enciklopedike e historianit dhe jezuitit italian Daniele Farlati 1690-1773, përshkruhen përpjekjet e punës së Papa Klementi XI për krijimin dhe përpunimin e dokumentacionit për historinë e Shqipërisë siç shkruhet: “Papa Klementi XI, Gjon Françesk Albani, nga Urbino, me prejardhje shqiptare, ende prift i ri nisi të mbledhë materiale mbi historinë e krishterë ilire. Detyrimet si klerik që e vlerësuan deri në majën më të lartë të Selisë së Shenjtë e detyruan të ndërpresë punimet e tij historike. Në fillim të pontifikatit, mblodhi Këshillin e parë të Arbrit nën kryesinë e Arqipeshkvit të Tivarit, Vinçenc Zmajeviç, e urdhëroj që aktet e Këshillit të përktheheshin në shqip e të njihte gjuhën e të parëve që në familjen Albani kishte mbet veç një kujtim”.

Papa Klementi Xi është kujdesur për barinjtë shpirtërorë të kishës katolike, thotë Zenelaj.

Ai do ta bënte detyrën e tij duke emëruar misionarë fetare, dhe duke mbikëqyrur punën e kishave. Më 17 maj 1706 Papa Klementi kishte emëruar 20 kardinalë dhe gjatë detyrës së tij si Papë kishte arritur të hapte gjithsej 315 kisha, 38 spitale, si dhe një numër të madh të ndihmave humanitare. “Numri i famullitarëve u rrit dukshëm gjatë kohës që drejtonte Vatikanin Papa Klementi Albani. Në vitin 1716 ai ngarkon at Maria de Lecce për të hartuar gramatikën e parë të gjuhës shqipe dhe at Maria de Lecce e ngarkon me një përgjegjësi shumë të lartë dhe i thotë nën një parathënie me disa fjali shqip: “Arbënuer i dashtun, këtë gramatikën e shkrova jo për zotërinë tënde që di më mirë dhe më kthjellët se unë, por për ata fratinët që vijnë prej së largu me shërby”. Ky fakt do të thotë se papa Albani e ka ditë gramatikën shqipe më mirë se vetë hartuesi. Ai ishte i vetmi papë romak që ka mbajtur një mbiemër Albani, sepse ishte mjaft patriot. Ishte edhe papa Gjon Pali, por nuk u quajt papa polak pas vdekjes. Ndërsa ky quhet Papa Albani. Shkruhet “Clementes Undecimo Albani Urbinas”. Në shqip do të thotë shqiptari Klmeneti XI nga Urbina.

Përgatiti: V. Murati

 

 

 

 

Papa Albani kanalizoi Romën dhe rregulloi kopshtet

 

Papa Albani konsiderohet një qeveritar shumë i suksesshëm, thotë studiuesi nga Kosova, pasi për herë të parë në historinë e Romës, ai kishte bërë kanalizimin e Romës; kishte sjellë ujësjellësin dhe rregulloi kopshtet e Romës. Po ashtu gjatë shumë vërshimeve, tërmeteve Papa Albani kishte dhënë ndihmë popullatës, dhe po ashtu shpërndarë dhe të holla për të pamundurit. Papa Albani ishte edhe një humanist i madh në arenën ndërkombëtare, ka të bëjë me respektimin e rregullave dhe zakone të luftës në konflikte të armatosura. Një nga detyrat kryesore ka qenë mbrojtja e popullsisë civile të paarmatosur. Një ndër to është edhe azili politik, kjo arriti kulmin e vet në kohën e Papa Klementit që e ndërtoi në Romë me 8500 shtretër, ku gjithë pasurinë e tij, rrogën e investoj që njerëzit të iknin nga diktatura, nga dhuna etj duke i strehuar.

 

 

Papa Albani, dokumenti sekret për prejardhjen

“Papa Albani ka lënë një dokument sekret për pemën gjenealogjike të familjes së tij. Ai nuk lejoi të emërohej Papë pa u quajtur Papa Albani, shqiptari Klementi XI nga Urbino”, – na njeh studiuesi Zenelaj. Por më e dhimbshme, sipas tij, është kur ai lë një testament që me vdekjen e tij të bëhet një varrim i thjeshtë, një gur mermer dhe mbi të shkruhet se është shqiptar. Pra, edhe testamentin e fundit e lë që të shkruhet se është shqiptar.

Papa Albani kishte themeluar dy katedra të gjuhës shqipe në Romë, por kulminacioni tjetër është se ai në vitin 1716 kishte urdhëruar, porositur At Maria de Leçen që të hartojë një gramatike të gjuhës shqipe. Kjo është gramatikë e parë e gjuhës shqipe me porosi të Papë Albanit. “U bëj thirrje institucioneve shqiptare në Kosovë e Shqipëri, familja Albani që i dha popullit shqiptar historinë e tij, familja aristokrate më e njohur në Romë, kjo të shënohet në histori”, – ka apeluar në Tiranë Zenelaj.

  

 

Mbretëresha e Anglisë për Papë Albanin: “Dëgjuam Ciceronin e dytë”

Në moshën 17-vjeçare, Papa Albani kishte përkthyer një predikt nga gjuha greke në gjuhën latine, që i dha famën dhe madhështinë. Ndërsa në moshën 20-vjeçare studiuesi Eqrem Zenelaj na tregon se ai është pranuar të studiojë në Angli, ku ka mbajtur një fjalim dhe pas atij fjalimi mbretëresha kishte theksuar: “Ne patëm rastin të dëgjonim Ciceronin e dytë”.

Në moshën 28-vjeçare pranohet si prelat në oborrin kishtar të Romës, më pas merr një post diplomatik.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency