Varret e Boboshticës, gjykata i jep pafajësi Naum Dishos

0
162

Sonja Caka

naumGjykata e Apelit: Nuk ka vepër penale, pushohet akuza e dhunimit të varreve

Gjykata e Lartë ktheu dosjen për rigjykim, për hetime të paplota

 

U dhunuan apo jo varret e Boboshticës, apo ishte i ligjshëm, apo jo ndërtimi i lapidarit mbi këto varre mori një zgjidhje dje nga Gjykata e Apelit, e cila shpalli të pafajshëm Naum Dishon dhe dy punëtorët Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe. Përmes vendimit të saj ditën e djeshme, trupa gjyqësore vendosi të pushonte akuzën e “Dhunimit të varreve”, ndërsa për veprën penale të “Ndërtimit të paligjshëm”, nga ana e akuzës nuk kishte ndonjë pretendim, pasi vetë Gjykata e Shkallës së Parë i kishte shpallur të pafajshëm për këtë vepër penale. Pasi pushoi edhe akuzën për të cilën ishin dënuar tre të pandehurit, trupi gjykues u dha pafajësi Dishos, Koroveshit dhe Zaçes, duke rrëzuar pretendimet e akuzës për dhunim të varreve në Boboshticë. Sipas argumentimit të gjykatës, nuk kemi vepër penale dhe për këtë arsye pushohet kjo akuzë. Ky vendim u dha pas rigjykimit të çështjes nga Gjykata e Apelit, pasi Gjykata e Lartë e kishte kthyer çështjen me argumentin se kishte hetime të paplota si dosje. Rigjykimi solli edhe tri pafajësitë, ndërsa dje mund të thuhet se ka marrë fund edhe kalvari 3-vjeçar i kësaj çështjeje nëpër dyert e gjyqësorit.

Vendimi

Më herët, dy gjykatat, ajo e Shkallës së Parë dhe Apeli, e kishin dënuar me 1 vit burg Naum Dishon dhe me nga 6 muaj burg dy punëtorët për akuzën e “dhunimit të varreve”, ndërsa kishin rrëzuar akuzën e “Ndërtimit të paligjshëm”. Akuzat ndaj tre të pandehurve u ngritën 3 vjet më parë, pasi denoncimit të banorëve të fshatit Boboshticë se një përmendore për ushtarët grekë të vrarë gjatë luftës italo-greke, ishte ndërtuar mbi varret e të parëve të tyre. Sipas banorëve, gjatë punimeve për ndërtimin e përmendores kishin dalë në sipërfaqe eshtrat e të parëve të tyre, që nuk ishin greke, duke dhunuar në këtë mënyrë varret e të afërmve të vdekur kohë më parë. Organizata OMONIA kishte marrë përsipër që në brendësi të varrezave te kisha e Shën Mërisë të ngrinte këtë përmendore me fondet e saj, në kujtim të ushtarëve grekë të vrarë gjatë luftës italo-greke. Por, banorët u ngritën në protesta dhe denoncuan se brenda asaj kishe nuk kishte asnjë varr të ushtarëve grekë por ishin varret e të parëve të tyre, ndërsa pranuan se në këtë zonë në kohën e luftës ishte vrarë vetëm një ushtar grek në afërsi të fshatit Boboshticë. Sipas tyre, në varrezat në brendësi të kishës së Shën Mërisë nuk ishte varrosur asnjë ushtar greke.

Rigjykimi

Gjykata e Lartë ka vendosur të hedhë poshtë vendimin e Gjykatës së Apelit të Korçës e cila dënoi me burg Naum Dishon, ish-kreun e OMONIA-s në Korçës. Kolegji Penal e ktheu dosjen për rigjykim, me argumentin se hetimet për këtë çështje ishin të paplota. Naum Disho dhe dy punëtorët u vendos të rigjykohen për akuzat e ngritura ndaj tyre për çështjen e dhunimit të varreve shqiptare në Boboshticë. Disho u dënua me një vit burg, ndërsa Koroveshi dhe Zaçe me nga 6 muaj burg, por për dy të fundit u vendos liri me kusht për 18 muaj. Sipas Gjykatës, fajësia e tyre kishte të bënte me dhunimin e disa varreve në zonën e Boboshticës në tetor të vitit 2010, gjatë punës për ngritjen e një piedestali në nderim të ushtarëve grekë. Referuar vendimit, Disho kishte punësuar dy punëtorët për ndërtimin e memorialit.

Detaje

3 vjet zgjati hetimi dhe gjykimi për çështjen e varreve në fshatin Boboshticë, pas denoncimit nga banorët e fshatit

1 vit burg u dënua ish-kreu i OMONIA-s, Naum Disho, ndërsa dje u shpall i pafajshëm për akuzën e dhunimit të varreve

Vendimi

Pas rigjykimit, Gjykata e Apelit vendosi pushimin e akuzës së dhunimit të varreve dhe deklaroi se nuk kishte vepër penale

 

Gjykatë

Nuk vijnë avokatët, Dajti largohet sërish nga gjyqi

Panorama në gjyqin ndaj Dritan Dajtit është e njëjtë. Avokatët e thirrur nga gjykata nga lista kryesisht nuk paraqiten, ndërsa vetë i pandehuri nuk pranon që gjyqi të vijojë pa praninë e avokatit. Edhe dje procesi dështoi, ndërsa vetë i pandehuri ironizoi sërish përmes akuzave gjykatën, duke u shprehur: “Nuk po e zvarris unë procesin, ju po e ktheni në një komedi gjyqin tim. Gjykata e ka kthyer në një komedi gjyqësore procesin tim”. Më pas, Dajti si përherë ka braktisur sallën e gjyqit, duke detyruar trupin gjykues të shtyjë seancën dhe të lajmërojë sërish avokatë kryesisht për të marrë përsipër mbrojtjen e këtij të pandehuri. Dhe si përherë fjalia e njëjtë në mbyllje të gjyqit, se do lajmërohej Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Ministria e Drejtësisë për mosparaqitjen e avokatëve të thirrur nga lista kryesisht. Para se të mbyllej seanca, gjykata lajmëroi se gjyqi do vijojë sërish sot në mesditë, ndërsa ka thirrur për mbrojtjen e të pandehurit avokatët Vladimir Kurti dhe Arjan Dhrami. I pandehuri akuzohet për vrasje të katërfishtë në plazhin e Durrësit më 7 gusht 2009, ku mbetën të vdekur katër oficerë policie të skuadrës operacionale, përkatësisht Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Fatos Xhani dhe Kastriot Feskaj.

 

Procesi

Dhunoi të miturin në kopsht, në gjyq edukatorja     

Një edukatore kopshti ka përfunduar në gjyq pas denoncimit të prindërve të një fëmije se u kishte keqtrajtuar djalin. Dosja penale ndaj të pandehurës Alma Toska ka mbërritur për gjykim në fillim të majit, ndërsa dje ishte seanca e parë gjyqësore ndaj saj. Gjatë seancës, prokurori i çështjes tregoi arsyet pse e pandehura ishte sjellë në gjyq, si dhe mënyrën se si prindërit kanë zbuluar keqtrajtimin e fëmijës së tyre 4-vjeçar. Sipas akuzës, Alma Toska është edukatore në një nga kopshtet në kryeqytet dhe dyshohet të ketë qëlluar një fëmijë në qafë, aq sa këtij të fundit t’i ketë mbetur shenjë. Pasi kanë marrë fëmijën nga kopshti, ky i fundit u ka treguar prindërve se është qëlluar nga edukatorja, madje duke treguar edhe vendin. Pasi kanë konstatuar shenjën e mbetur në qafën e djalit të tyre të mitur, prindërit janë ankuar në drejtorinë e kopshtit dhe më pas në polici. Uniformat blu kanë nisur hetimet, ndërsa kanë bërë edhe ekspertizën e fëmijës, si dhe një psikologe ka marrë në pyetje fëmijën e dhunuar. Fëmija ka pranuar dhunën e edukatores, ashtu siç ua ka shpjeguar edhe prindërve, ndërsa edukatorja ka mohuar këtë fakt, duke thënë se nuk ka gisht në këtë dhunë ndaj fëmijës. Por, prokurori ka deklaruar se ka 5 dëshmitarë që provojnë se edukatorja ka qëlluar fëmijën dhe pritet që ata të vijnë për të dëshmuar në proces. Pas hetimeve disamujore, prokurori ka sjellë më 2 maj çështjen për gjykim, ndërsa dje gjyqtari Arben Micko ka zhvilluar seancën e parë. Tashmë pritet që në seancën e radhës të sillen për të dëshmuar prindërit e fëmijës, ndërsa vetë e pandehura mohon kategorikisht të ketë ushtruar dhunë ndaj të miturit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency