Thyen lejen i dënuari i burgut të Burrelit, policia në kërkim të Zenelit

0
465

Sonja Caka

burguDrejtoria i dha leje për të vizituar gruan shtatzënë, nuk u kthye në datën e kërkuar. Në një muaj, 3 raste të thyerjes së lejes shpërblyese

 

Vijojnë thyerjet e lejeve shpërblyese në burgjet shqiptare. Në një muaj janë shënuar 3 të tilla, ndërsa dje në mesditë është shënuar precedenti i radhës. Një i dënuar për grabitje nuk është paraqitur pas përfundimit të lejes, duke alarmuar drejtorinë e burgut të Burrelit. Kjo e fundit ka dërguar një grup të policisë së burgut me furgon për ta marrë, por nuk e ka gjetur të dënuarin në banesë, duke vënë alarmin te policia e Burrelit dhe e Kukësit. I dënuari Afrim Zeneli është shpallur në kërkim dhe nga policitë e dy rretheve po bëhet e pamundura për kapjen e tij. Ndërkohë, burime nga burgjet bëjnë me dije se do verifikohen procedurat e dhënies së lejes së këtij të dënuari, kartela e tij përkatëse dhe më pas do vendoset nëse do ketë ose pezullim të drejtorit nga detyra.

Arratia

Burime zyrtare nga burgjet konfirmojnë thyerjen e lejes shpërblyese nga Afrim Zeneli, i dënuar për grabitje me armë të udhëtarëve nga Kosova. Ai duhet të kthehej mesditën e djeshme, por kjo nuk ka ndodhur ndaj është shpallur në kërkim policor për akuzën e “largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit”. Por kjo nuk është hera e parë për Afrim Zenelin në thyerjen e lejes në burg. I dënuari është arratisur edhe në vitin 2003 nga paraburgimi i Kukësit, së bashku me dy të dënuar të tjerë, duke prerë kangjellat e dritareve. Afrim Zenelit i kishin mbetur edhe 6 muaj kohë nga dënimi i marrë kohë më parë. Për shkak të kësaj precedence të mëparshme të këtij të dënuari 10 vjet më parë, pritet që drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të marrin masën e pezullimit nga detyra për drejtorin e burgut të Burrelit Demir Çupi.

Leja

Zhgënjyes ka qenë rasti i kësaj leje për drejtorin e burgut Demir Çupi. Pas kërkesës së të dënuarit Afrim Zeneli për të përfituar leje, pasi e kishte gruan shtatzënë, atij i është aprovuar leja shpërblyese, madje duke iu dhënë edhe 20 mijë lekë nga drejtori Çupi, për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike. Deri në mesditën e djeshme, drejtoria ka pritur e qetë kthimin e tij, dhe ndërsa ora kalonte dhe ai nuk kthehej, një furgon është nisur drejt Kukësit për në banesën e Zenelit, me mendimin se nuk kishte mundësi ekonomike për të marrë furgonin drejt burgut të Burrelit. Kur kanë shkuar në banesën e Afrim Zenelit, policët nuk e kanë gjetur të dënuarin dhe menjëherë kanë njoftuar eprorin dhe ky i fundit vuri në dijeni policinë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për arratinë.

Detaj

6 muaj burg i kishin mbetur Afrim Zenelit, i dënuar për grabitje të udhëtarëve nga Kosova

20 mijë lekë i ka dhënë drejtori i burgut të dënuarit për të shkuar pranë familjes në Kukës

1 herë ishte arratisur më parë nga paraburgimi i Kukësit ky i dënuar në vitin 2003

3 raste brenda një muaji të thyerjes së lejeve në burg nga të dënuarit, më herët në Fushë Krujë dhe Peqin

 

 

Itali

Riti shqiptar i “vë flakën” dasmës së çiftit italo-shqiptar

Respektimi i traditës shqiptare, djegia e shamisë së beqarisë nga dhëndri, ka bërë që lokali ku bëhej ceremonia martesore në Bellaria të Italisë të merrte flakë. Ndoshta shamia, ndoshta edhe fishekzjarret e shumta mund të kenë qenë shkaku, por ajo që është faktike, një lokal i shkrumbuar pavarësisht nga tentativat e të ftuarve për të shuar zjarrin apo dhe ndërhyrja e zjarrfikëseve pak më vonë. Lajmi bëhet i ditur nga media online www.romagnanoi.it, të cilët pasqyrojnë ngjarjen dhe japin detaje të saj. Ngjarja ka ndodhur në mesnatën e të shtunës, ku një djalë nga Shqipëria martohej me një vajzë nga Italia, pra një dasmë ndërkombëtare siç komentohej nga mediat italiane. Tradita shqiptare po respektohej në maksimum, ndërsa të ftuarit e shumtë nga familja e dhëndrit kishin ngritur flamujt e shumtë kuqezi dhe sfilonin përgjatë bregut të detit në Bellaria Igea Marina. Falka simbolizon të mirën, ndonëse në fillim frika ka qenë e madhe. Të ftuarit u përpoqën t’i shuanin dhe kur nuk mundën, ata lajmëruan zjarrfikëset. Djegia e shamisë është një traditë shqiptare në dasmë, ku djegia e të parës simbolizon që i lë vendin një të reje, në këtë rast familjes së re. Erë kishte, por jo aq e fortë sa të pengonte hedhjen e fishkezjarreve. Ndoshta fat ose fatkeqësi, por një gjë është e sigurt, që të ftuarit e kësaj dasme nuk kanë për ta harruar kurrë “nxehtësinë” e dasmës në Bellaria Igea Marina.

 

Procesi

Dëshmon ndërtuesi: Grave u dhashë shtëpinë, më kanë edhe 10 milionë

Procesi gjyqësor ndaj Shemsie Kadrisë ka vijuar dje me dëshminë e ndërtuesit ku kanë marrë banesën e premtuar dy gratë që denoncuan për mashtrim të pandehurën. Trupi gjykues ka dëgjuar dëshminë e ndërtuesit Shyqyri Kotorri, i cili ka treguar për gjykatën lidhjet me të pandehurën, historinë e hyrjes së pretenduar nga dy gratë dhe faktin që këto të fundit i kanë edhe 10 milionë lekë borxh. Sipas dëshmitarit Kotorri, ai ka ndërtuar pallatin në vendin ku Shemsia kishte marrë lejen e ndërtimit. Në këtë pallat, dy gratë denoncuese kanë përfituar dy hyrje, të cilat u janë dhënë me shumë vonesë nga e pandehura, ndërsa më herët ato e kanë denoncuar se u ka marrë paratë por nuk u ka dhënë hyrjet e premtuara. “Shtëpia ka bërë 59 milionë lekë, ndërsa mua Shemsia më ka dhënë 49 milionë lekë. Pra, gratë më kanë edhe 10 milionë lekë mua, pasi 49 milionët e dhëna Shemsies i kanë të paguara”, – ka dëshmuar ndërtuesi, i cili marrëdhëniet kontraktuale i ka pasur me të pandehurën dhe hyrjen ua ka dhënë grave pas kërkesës së kësaj të fundit.

 

Gjyqi

Divorci, kreu i KQZ-së refuzon të paraqitet në seancën e pajtimit

Kryetarja e KQZ-së refuzon të marrë pjesë në seancën e pajtimit me të shoqin, duke shtyrë për të disatën herë gjyqin e divorcit mes tyre. Gjyqtarja Irena Hoxha e ka shtyrë seancën duke i dhënë edhe një mundësi kryetares Lefterie Lleshi të paraqitet në seancën e pajtimit me bashkëshortin Arian Lleshi, para se gjykata të kalojë në shqyrtim gjyqësor. Procesi gjyqësor u shty dje sërish, ndërsa thirrja e gjykatës ndaj të paditurës është e njëjtë, të paraqitet në gjyq, duke i dhënë edhe një tjetër mundësi. Padia e divorcit mes Arian Lleshit dhe bashkëshortes së tij Lefteries është ridepozituar në shkurt të këtij viti, pasi më parë u pushua për mosparaqitje të dy palëve. Paditësi që është bashkëshorti i kreut të KQZ-së kërkon prishjen e martesës së tyre, lënien e dy fëmijëve të tyre, Elio dhe Adlei, për rritje dhe edukim të paditurës, ndërsa për detyrimin ushqimor gjykata të vendosë sipas mundësisë ekonomike të secilit bashkëshort. Gjithashtu, paditësi Arian Lleshi kuron të drejtën për të takuar të dy fëmijët e tij çdo fundjavë nga ora 17:00 e ditës së shtunë, si dhe të drejtën të marre dhe t’i mbajë fëmijët një muaj për pushime në periudhën e verës (korrik-gusht). Pritet që në seancën e radhës të shihet nëse kreu i KQZ-së do të pranojë thirrjen e gjykatës për të qenë pjesë e seancës së pajtimit, mundësi që gjykata ia jep për të disatën herë znj. Lefterie Lleshi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency