Përmbarimi sekuestron 10 milionë lekë nga llogaria e Partisë Socialiste

0
171

psIsh-drejtori i Arsimit në Bulqizë fitoi gjyqin kundër “ZP”. PS ankohet në Gjykatën e Tiranës

 

Përmbarimi i sekuestron 10 milionë lekë Partisë Socialiste, për shkak se kjo e fundit ka humbur një proces gjyqësor me shtetasin Agim Tuci. Vendimi për ngrirjen e vlerës së 10 milionë lekëve në llogaritë të Partisë Socialiste dhe shoqëria “Qendra Botuese Ekonomike Progresi”, është marrë nga zyra përmbarimore “Basha&I” sh.p.k, e cila ka vendosur të bllokojë këtë shumë financiare, pasi shtetasi Agim Tuci, ka fituar në të dyja shkallët një proces gjyqësor me gazetën “Zëri i populli”, që është organ i Partisë Socialiste. Procesi gjyqësor në shkallën e parë është mbyllur në favor të Tucit dhe se gjykata ka vendosur ta dëmshpërblejë me 5 milion lekë të vjetra, por pas apelimit të këtij vendimi në gjykatën e Apelit, kjo e fundit ka vendosur të gjobitë “Qendrën Botuese Ekonomike Progresi” me vlerën e 10 milion lekëve. Kjo për shkak se nëpërmjet shkrimeve të botuar në gazetën “Zëri i popullit”, është dëmtuar shtetasi Tuci, i cili është akuzuar në mënyrë të padrejtë për korrupsion dhe si një person që nuk ka përfunduar shkollën e lartë, por ka hyrë në punë vetëm me diplomën e shkollës së mesme për minator. Pikërisht ky shkrim është bërë burim konflikti gjyqësor duke bërë që Tuci, të padisë “Qendra Botuese Ekonomike Progresi”, qendër kjo që boton gazetën zyrtare të Partisë Socialiste dhe t’i marrë kësaj të fundit shumën prej 10 milionë lekësh.

Ankimi i PS-së

Pasi çështja është marrë në dorë nga zyra përmbarimore, në skenë ka dalë zyrtarisht dhe Partia Socialiste, të cilës pas ngrirjes së 10 milionë lekëve, ka vendosur t’i drejtohet Gjykatës së Tiranës, me një padi ku kërkon pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv. Padia e Partisë Socialiste është regjistruar në sekretarinë e gjykatës në datën 13 maj dhe se mban numrin 13208, ndërkohë që i padituri është shoqëria përmbarimore gjyqësore private ‘Basha&I’ sh.p.k. Në objektin e kësaj padie kërkohet pavlefshmëria e titullit ekzekutiv,me nr. 4523 së datës 27.7.2011, në lidhje me lëshimin e urdhrit të ekzekutimit të vendimit nr. 1507 date 1.3.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë i lënë në fuqi me vendimin nr. 234 datë 3.2.2011 të Gjykatës së Apelit Tiranë. Pezullimi i urdhrit të ekzekutimit me nr. 4523 të datës 27.7.2011 në lidhje me lëshimin e urdhrit të vendimit nr. 1507 datë 1.3.2010. Kjo lëvizje është bërë me qëllim parandalimin e veprimeve përmbarimore, ky zyra private prej disa ditësh ka nisur praktikën e bllokimit të shumës prej 10 milionë lekë të vjetra.

Argumenti i gjykatës

Në vendimin gjyqësor të vitit 2010 gjyqtarja Majlinda Doga, ka argumentuar se nga provat e administruara rezultoi e provuar se artikulli i botuar në gazetën “Zëri i popullit” të datës 20 qershor 2007 në mënyrë të pavërtetë ka botuar informacionin” e cituar në të duke mos verifikuar vërtetësinë e tij, me shprehje të përdorura në këtë artikull si… “Agim Tuci drejtor i Arsimit në rrethin e Bulqizës është hedhur pa frikë e me guxim të habitshëm madje të paparë, në vjedhje, mashtrime, largime nga puna, nepotizëm marramendës sikur arsimi në Bulqizë është pronë e tij…” Ose “…Drejtori i Arsimit të Bulqizës nuk ka punuar asnjë ditë në arsim, është me shkollë të mesme për minator…”. Pala e paditur ka cenuar rëndë paditësin në nderin e personalitetin e tij si drejtues i një institucioni arsimor. Në kuptim të nenit 608 e vijues të K. Pr. Civile që të lindin detyrime nga shkaktimi i dëmit jashtë kontraktor duhet të konkurrojnë disa elementë së bashku të cilat në rastin konkret ekzistojnë. E para ekzistenca e dëmit moral pala paditëse rezultoi që të jetë cenuar në të drejtën e tij personale jo pasurore, pra i është cenuar nderi dhe personaliteti i tij. Në këto kushte gjykata ka çmuar se kërkesë padia e palës paditëse për shpërblim të dëmit jo pasuror duhet të pranohet duke u detyruar pala e paditur të shpërblejë demin jo pasuror të shkaktuar paditësit Agim Tuci.

 

Incidenti

Nënkryetari i partisë MEGA rrihet nga një grek

Policia e Tiranës bën me dije se Thoma Miço, nënkryetar i partisë MEGA, njëkohësisht edhe drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Kombëtar të Punësimit në MPÇSSHB, është konfliktuar fizikisht me një shtetas grek për shkak të një borxhi të pashlyer në Tiranë. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në Rrugën e Kavajës pranë edhe Ministrisë së Punës, ku sipas burimeve blu, shtetasi grek i ka marrë peng telefonin dhe disa sende të tjera personale Miços, në këmbim të borxhit. Ndërkaq mësohet se policia ka nisur procedim penal ndaj këtij shtetasi, për vetëgjyqësi. Edhe Aleanca Kuq e Zi e ka denoncuar këtë ngjarje në Facebook duke shkruar: “Nënkryetari i partisë ekstreme greke MEGA me seli në Shqipëri aktualisht pjesë e koalicionit parazgjedhor me PD, me funksion drejtor i përgjithshëm i punësimit pranë ministrisë shqiptare që drejtohet nga greku i “Agimit të artë” Ksera, është rrahur nga një shtetas grek në mes të Tiranës për shkak të një borxhi të pakthyer. Tashme me kaosin që ka krijuar Berisha në Shqipëri ka mbetur që grekërit të vijnë e të zgjidhin problemet në Shqipëri”, – shkruan AK-ja në faqen e saj në Facebook.

 

Aksidentet

Plagoset profesori i shkollës “Harry Fultz”

Një ngjarje rëndë ka ndodhur në mbrëmje pranë shkollës “Harry Fultz” në Tiranë, ku një automjet ka përplasur një këmbësor. Sipas policisë, shtetasi Ilir P. është përplasur nga automjeti tip “Volkswagen Golf” me targa AA 048 DN, me ngjyrë të zezë. Mësohet se këmbësori është një pedagog i “Harry Fultz” dhe është dërguar në gjendje të rëndë drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Sipas bluve, makina është larguar menjëherë pas aksidentit duke mos i dhënë ndihmën të plagosurit. Policia ka nisur menjëherë hetimin për kapjen e autorit të ngjarjes. Ndërsa në aksin rrugor Pukë-Fushë Arrëz një mjet ka dalë nga rruga. Mjeti tip “Audi” drejtohej nga shtetasi M. Kola. Në momentin që ndodhi aksidenti në automjet ndodhej edhe një tjetër person i cili ka mbetur i plagosur. Sh. Gjoni ka pësuar disa dëmtime në trup.

 

Atentati në Lezhë, qëllohet me 30 plumba 24-vjeçari Klevis Prenga

Një atentat me armë zjarri ka ndodhur në qytetin e Lezhës, ndërsa ka mbetur i plagosur një 24-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur gjatë paradites në lagjen “Gurra”, ku Klevis Prenga ka qenë në automjetin e tij para një dyqani, por disa persona në një tjetër automjet kanë hapur zjarr ndaj tij. Ai ka pasur dhe persona të tjerë në makinë, por fatmirësisht nuk kanë marrë lëndime. 24-vjeçari u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal, pasi ka marrë disa plagë në trup dhe ndodhet në gjendje të rëndë, ndërkohë që është transportuar në drejtim të Tiranës. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar autorët e kësaj ngjarjeje, ndërsa nuk ka asnjë person të dyshuar. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:20 minuta. Persona ende të paidentifikuar kanë ardhur me një autoveurë tip “Mercedes-Benz” me xhama të zinj dhe pa targa dhe kanë ndaluar në afërsi të automjetit që drejtohej nga Klevis Prenga, 24 vjeç, nga fshati Burbulloj i Lezhës. Me të ndaluar nga mjeti tip “Mercedes-Benz”, dy persona kanë qëlluar në drejtim të Prengës me kallashnikov dhe pistoletë e më pas janë larguar me shpejtësi në drejtim të fshatit Manati. Ndërsa së bashku me Prengën udhëtonin dhe dy persona të tjerë, njëri prej tyre i mitur. Pas atentatit, ka mbetur i plagosur Klevis Prenga, i cili është transportuar menjëherë në drejtim të spitalit të Lezhës e më pas për në Spitalin Ushtarak Tiranë. Polcia bëri të ditur se i plagosur kishte ndaluar për të blerë tek një dyqan pranë rrugës dhe në momentin që po hynte në makinë është qëlluar me breshëri automatiku. Sipas policisë së Lezhës, mësohet se plumbat kanë prekur edhe një tjetër automjet që qëndronte i parkuar, por fatmirësisht pa lënduar ndonjë person tjetër. Policia pas atentatit ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa ka shoqëruar në polici edhe personat që udhëtonin me Prengën si dhe gjashtë persona të tjerë të cilët kanë qenë dëshmitarë të rastësishëm të ngjarjes. Sipas uniformave blu ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje, ndërsa dyshohet se shkak është bërë një konflikt që Klevis Prenga ka pasur me një tjetër person, për të cilin policia nuk ka bërë të ditur ende emrin e tij. Ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur të paktën 30 gëzhoja, automatiku dhe pistolete.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency