Nishani: Siguria rajonale mbetet e kërcënuar

0
135

Florenc Drizari

pres-nishani-konf-shefat-e-mbrojtjes-3

Presidenti Nishani merr pjesë në Konferencën e 7-të të Shefave të Mbrojtjes të Vendeve të Ballkanit

Shqipëria mbledh 12 shtete për sigurinë

Ky forum mblidhet që në vitin 2007

 

Në cilësinë e komandantit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Presidenti Bujar Nishani, mori pjesë në Konferencën e 7-të të Shefave të Mbrojtjes të Vendeve të Ballkanit duke lëshuar mesazhe të forta bashkëpunimi mes vendeve anëtare të NATO-s, lidhur me sfidat në fushën e sigurisë kombëtare dhe rajonale. Presidenti Nishani shprehu besimin se integrimi euroatlantik dhe bashkëpunimi rajonal janë instrumentet më të çmuara për arritjen e objektivave të vendeve të Ballkanit dhe inkurajoi forumin e shefave të Shtabit të vendeve të Ballkanit të zgjerojnë kapacitetet për bashkëpunim edhe në sigurimin e mbështetjes ushtarake për popullatën civile, duke përshtatur një qasje të “Mbrojtjes së Mençur”.

Ky forum vijon të mblidhet që në vitin 2007, si një mekanizëm për zgjerimin e bashkëpunimit rajonal në fushat e mbrojtjes e sigurisë, duke pasur si synim forcimin e stabilitetit në Ballkan.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit tha se shtrirja e kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, rajonale apo ndërkombëtare, kanë marrë një dimension tjetër. Siguria dhe mirëqenia e vendeve paqësore sipas Nishanit, mbetet ende e kërcënuar dhe si rrjedhojë rritet nevoja për një bashkëpunim e koordinim të vazhdueshëm midis institucioneve të shteteve

Kjo konferencë vjetore, e shtata në radhë, bashkoi autoritetet më të larta ushtarake të vendeve për të shkëmbyer idetë midis tyre në zgjerimin e bashkëpunimit rajonal.

“Gjasat për konflikte të mirëfillta ushtarake në rajonin tonë janë reduktuar ndjeshëm, por të ashtuquajturat rreziqe asimetrike, të përfaqësuara nga përhapja e Armëve të Dëmtimit në Masë, terrorizmi ideologjik dhe sulmet kibernetike, mbeten ende sfida të rëndësishme për rajonin tonë dhe mbarë botën. Për më tepër, rreziqet e mësipërme bëhen më të prekshme, kur shoqërohen me krimin e sofistikuar ndërkombëtar dhe trafikimet e paligjshme të të gjitha llojeve, nga substancat e paligjshme tek qeniet njerëzore”, – deklaroi presidenti Nishani.

Presidenti vijoi më tej duke thënë se asnjë prej vendeve nuk mund të përballojë i vetëm kapacitetet ushtarake dhe sistemet e komplikuara e të shtrenjta të sistemeve të armëve, që nevojiten për të qenë i suksesshëm në fushëbetejat moderne. “Për t’iu përgjigjur si duhet këtyre situatave janë rritur edhe kërkesat për mbrojtjen kombëtare dhe atë kolektive. Në këtë këndvështrim, na duhet të gjejmë zgjidhje të përbashkëta, të cilat duhet të jenë sa të logjikshme aq edhe të përballueshme.

Organizata e Atlantikut Verior (NATO), si një organizëm i suksesshëm ndërkombëtar për mbrojtjen e përbashkët, ka adoptuar kohët e fundit sistemin e “Mbrojtjes së Mençur”, një koncept që sjell së bashku aftësitë mbrojtëse të forcave të armatosura të vendeve anëtare për të përforcuar mbrojtjen kolektive për të gjithë. Duke mbajtur në konsideratë rreziqet gjithnjë e më komplekse ndaj sigurisë dhe mbrojtjes kundrejt vendeve të rajonit tonë, edhe ne duhet të marrim një qasje të “Mbrojtjes së Mençur” dhe të gjejmë mënyrat për të sjellë së bashku disa nga kapacitetet individuale për një përfitim reciprok, për të bërë të mundur një rezultat më të kënaqshëm për shpenzimet e bëra”, – deklaroi Presidenti Nishani, njëkohësisht edhe komandant i Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency