Deklaratat e kryesocialistit për rrugët Berisha, Ramës: I ke nervat e lodhura, qëllimi ynë madhor, punësimi i qytetarëve

0
158

Ina Jano

large_berisha-librazhd1369249039

Kryeministri: Në SHBA shqiptarët do të shkojnë për vizitë, do ta bëjmë Shqipërinë Amerikë!

 

Me Eduard Selamin në krahun e djathtë të tij dhe nga ana tjetër bashkëshorten, kreu i qeverisë, Berisha, ka nisur prezantimin e kandidatëve për deputetë të Librazhdit. Në një atmosferë blu, banorët e Librazhdit kanë dalë në sheshin kryesor të qytetit për të mirëpritur ata që do të jenë përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e ardhshëm. Kryetari demokrat Berisha, duke folur përpara qytetarëve, reagoi për të gjitha deklaratat e bëra nga kundërshtari i tij politik Edi Rama. Siç është bërë zakon në këtë fushatë, lideri socialist është ai që akuzon, ndërsa Berisha u përgjigjet deklaratave të tij, duke ndjekur modelin e një fushate të qytetëruar. Në përgjigje të ironisë së Ramës, së dy ditë më parë, Kryeministri deklaroi: “Cila është alternativa tjetër? Ju e dëgjuat vetë zotin Rama, kur në një bisedë me qytetarët e Tiranës do t’u thoshte atyre, tek më adresohej mua, se po t’i kërkosh punë të thotë rrugë, po t’i kërkosh shkollë të thotë rrugë, po t’i kërkosh ujësjellës të thotë rrugë. I nderuar zotëri, i ke nervat e lodhura. Dhe i ke të lodhura shumë nga rrugët që t’i ecën. Por, meqenëse e shtrove këtë problem dhe në këtë mënyrë, po të përgjigjem këtu, para këtyre qytetareve: puna dhe punësimi janë qëllimet e mia më madhore dhe fakti që në këtë rreth, bizneset janë rritur nga 700 në 1420 dëshmon se ne kemi nxitur, inkurajuar biznesin dhe zhvillimin e tij. Para se të flasësh në atë mënyrë, të ftoj zoti Rama, të ngjitesh me atë autobusin tënd mavi deri në Çermenikë. Atje sipër, zoti Rama, do të gjesh një lokal të madh, – ndonëse tanë mund të jenë disa – ku qytetarët e Librazhdit festojnë dhe bëjnë dasma si vend panoramik që është. Pronari i tij do të thotë: unë e bëra investimin, se këtu erdhi rruga. Pronari i hidrocentralit në lumin Luma, por edhe të Beles, Orgjostit, do të thotë se i ndërtuan hidrocentralet, se ne bëmë rrugën. Rruga është shpresa e qytetarëve tanë. Rruga është kushti për të mos përjashtuar rajone të tëra të vendit tënd dhe ne do të ndërtojmë çdo kilometër rrugë. Por, meqenëse u shpreh se po të kërkojë shkolla, i përmend rrugën, qytetarë të Librazhdit, ne kemi ndërtuar e rindërtuar 1300 shkolla në mbarë Shqipërinë dhe do të rindërtojmë çdo shkollë anekënd këtij vendi”.

Berisha gjithashtu premtoi në Librazhd vijimin e reformave të investimeve në të gjithë qarkun. Ai u shpreh se qeveria nuk do të reshtë punën e saj, për të qenë sa më afër problemeve të qytetarëve, ndërsa premtoi se deputetët e zgjedhur do të jenë përfaqësues të denjë të tyre, për të mbrojtur dhe bërë të mundur tërheqjen e investimeve në këtë zonë, të cilën Kryeministri e cilësoi edhe si tejet turistike. Ndërsa duke u ndalur në premtimin për liberalizimin e vizave me SHBA-në, kreu i selisë blu, nënvizoi se shqiptarët do të udhëtojnë drejt këtij vendi si vizitorë. “Ne morëm ftesën dhe u anëtarësuam në NATO. Zotëria organizoi mitingje proteste. Këtë mandat, ne shpallëm që do marrim vizat dhe ai bëri gjithçka për të na penguar, por ne i morëm ato. Tani që kemi deklaruar se do të bëjmë gjithçka për liberalizmin e vizave me Shtetet e Bashkuara, dje deklaroi se të gjithë do të shkojnë në Amerikë. Jo zotëri, do të shkojnë për vizitë, do ta bëjmë Shqipërinë Amerikë!”, – theksoi numri një i qeverisë.

 

 

Inspektim i rrugës Librazhd – Dibër

Lideri i mazhorancës inspektoi punimet për rikonstruksionin e lotit të parë të rrugës Librazhd – Dibër, 10 kilometra. Rruga Librazhd – Dibër, 57 kilometra, ka një vlerë investimi 2.7 miliardë lekë. Kryeministri Berisha u njoh nga drejtuesit e kompanisë që po kryen rikonstruksionin me ecurinë e punimeve. Ata informuan se është hapur e gjithë traseja e rrugës, ndërkohë që 10 kilometrat e para po shtrohen me asfalt dhe pritet të mbarojnë brenda 2 javëve. Pas rikonstruksionit të plotë të rrugës, distanca Librazhd – Dibër shkurtohet me 18 kilometra, krahasuar me aksin ekzistues. Përfitues nga ky investim janë 20.000 mijë banorë. Kreu i qeverisë u shpreh se rëndësia e kësaj rruge është e shumanshme. Ajo të çon drejt zonave malore turistike më të bukura të Shqipërisë. Parku kombëtar Jabllanicë – Shebenik, tha Kryeministri, është një nga parqet më mahnitëse të vendit, por që aktualisht pak e njohim, pasi nuk kanë mundësi të shkojnë. Ai u shpreh se në 2-3 vjet, ky qark do të urbanizohet në çdo skaj të tij. Pasi të mbarohet rruga, çdo fshat i zonës do të lidhet me të. Kryeministri Berisha theksoi se ky qark ka potenciale të mëdha dhe po punohet që ato të shndërrohen në vlera për qytetarët e këtij qarku dhe mbarë qytetarët shqiptarë. Ky është një qark i pasur në ujëra, që së bashku japin një prodhim shumë të rëndësishëm të energjisë prej 196 megavat, një qark me potenciale në fushën e bujqësisë.

 

 

 

Vendimi

Ndalohet tregtimi i produkteve që janë imitime të rrezikshme

Me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, ditën e djeshme është ndaluar tregtimi i të gjitha produkteve që cilësohen si imitime të rrezikshme në treg. Dispozitat e vendimit, përcaktojnë qartë se kush përfshihet tek kjo kategori. “Për qëllim të këtij vendimi, “Imitime të rrezikshme”, konsiderohen produktet, të cilat megjithëse janë joushqimore, kanë formë, aromë, ngjyrë, pamje, paraqitje, paketim, etiketim, vëllim apo madhësi të tilla që ka mundësi që konsumatorët, kryesisht fëmijët, t’i ngatërrojnë me produktet ushqimore dhe, si pasojë, t’i futin në gojë, t’i thithin ose t’i gëlltitin, gjë që mund të jetë e rrezikshme dhe të shkaktojë asfiksi, helmim, apo shpim/çarje ose bllokim të traktit tretës”, – thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë. Kjo e fundit saktëson se vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i nis efektet e saj nga 1 janari i vitit 2014 dhe do të përfshijë edhe rastin e importimit apo edhe të eksportimit të këtyre produkteve. Ndërkohë që nuk përjashtohen rastet që produktet të tërhiqen nga tregu apo edhe kthimin mbrapsht nga konsumatorët të imitimeve të rrezikshme. Përgjegjësit për veprimet që do të kryhen në lidhje me këtë veprim, do të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të cilët do të bllokojnë në kufi këto produkte.
 

Bashkëbisedimi

Fermerët, të parët që diskriminohen nga mosmarrja e statusit

Fermerët e Komunës Gjergjan zhvilluan dje një bashkëbisedim me kreun e qeverisë Berisha, duke diskutuar në këtë mënyrë të gjitha problemet e tyre, por duke dhënë edhe vlerësimet më të larta për politikat e ndjekura nga qeveria. “Përfituesit absolutë nga paratë e Komisionit Evropian direkt do të ishin fermerët shqiptarë. Sigurisht një pjesë e fondeve të tjera do jepej për rrugë, shkolla, kanalizime. Të rinjtë do fitonin se do të shkonin në Universitete me pagesa shumë të ulëta, emigrantëve tanë do u njiheshin vitet e pensionit”, – tha Berisha. Më tej, Kryeministri deklaroi se pavarësisht se opozita e bllokoi integrimin e Shqipërisë, përsëri qeveria do të ketë mundësi që të kompesojë me anë të granteve apo subvencionimeve të ndryshme këtë shtresë. “Për të ulur koston e prodhimit, ne do t’ju rimbursojmë. Do t’ju japim para në dorë. Taksën e Vlerës së Shtuar, 20 për qindëshin, për çdo gjë që ju përdorni në fermat tuaja bujqësore, blegtorale ne do t’ju rimbursojmë akcizën. Ne do t’ju rimbursojmë shpenzimet tuaja për serat”, – u shpreh numri një i qeverisë. Në cilësinë e kreut të Partisë Demokratike zoti Berisha, premtoi se në të ardhmen do të vijojnë këto politika nxitëse, duke shprehur edhe për sistemin e vaditjes dhe të ujitjes, ndërsa mbajti shënim çdo problem që i paraqitën e zonës, duke u thënë se do të japë zgjidhje të shpejta për ta. Duke shprehur edhe konsideratat më të larta për profesionin e fermerëve, zbuloi edhe një tjetër fakt interesant për veten dhe pasionet e tij. “Unë me profesion jam kardiolog, e kam dashur shumë këtë profesion dhe të po të mos isha në politikë do të isha kardiolog. Por po të mos isha kardiolog, unë do të isha fermer. E kam dashur shumë. Punë e lodhshme, por një punë dinjitoze dhe e kënaqshme sa më nuk bëhet”, – tha ai. “Ju garantoj se të gjitha çështjet që ju shtruat sot janë dhe do të jenë pjesë thelbësore e programit tonë. Ne do të bëjmë çdo gjë për suksesin tuaj. Unë shpreh nderimin tim më të madh për punën e shkëlqyer që ju keni bërë në këto fusha. Ne do të bëjmë gjithçka që të shumëfishojmë të ardhurat për secilën nga familjet tuaja, me të gjithë mbështetjen tonë për punën tuaj, por edhe mbështetjen tonë të gjithanshme për ju”, – përfundoi bashkëbisedimin shefi i mazhorancës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency