Ambasadorja gjermane Holtkepmer: Të plotësohen vendet vakante në KQZ

0
108

Florenc Drizari

holtkemperAmbasadorja gjermane:
Mos e shisni votën

Rreth 150 mijë të rinj
votojnë për herë të parë

 

Katër javë para ditës së zgjedhjeve, përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë rritin presionin kundrejt politikës për plotësimin e vendeve vakante në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ambasadorja gjermane në Shqipëri, Carola Holtkemper, i bëri thirrje klasës politike në vend që të gjejnë konsensusin për plotësimin e vendeve në KQZ-së. Sipas saj, dita e zgjedhjeve po afron dhe komisioni më i lartë i administrimit zgjedhor pritet të përballet me vendime të rëndësishme që do të kërkojnë një shumicë të cilësuar, shumicë të cilën KQZ nuk e ka prej disa javësh që pas dorëheqjes që dhanë tre anëtarët e opozitës.

AMBASADORJA GJERMANE

“Deri më tani, për fat të mirë, nuk ka ndodhur asgjë serioze problematike për sa i përket procesit të deritanishëm zgjedhor. Por nuk është shumë i kënaqshëm fakti që forcat politike në Shqipëri nuk kanë mundur ende të gjejnë një zgjidhje për këtë problem. Unë shpresoj shumë që kjo të ndodhë së shpejti, pasi me siguri gjatë këtij procesi zgjedhor do duhet të merren vendime të cilat do të kërkojnë shumicën e cilësuar të anëtarëve të Komisionit Qendror zgjedhor. Në përfundim do të duhet të shpallet rezultati i zgjedhjeve që do të kërkojë gjithashtu një komision të plotë përsa i përket numrit të anëtarëve. Unë mendoj që sa më shpejt të ndodhë, aq më mirë është. Ne kemi pasur diskutime të gjata përpara se të ndodhnin ndryshimet e KQZ-së, por unë mendoj se këto janë elementë të cilët i përkasin të shkuarës tanimë. Ajo që do të rekomandoja unë për të gjithë ju do të ishte, ky komision zgjedhor me këta 5 anëtarë, numër tek, i cili garanton në çdo moment marrjen e vendimeve të njëkuptimta dhe të paekuivoke”, – deklaroi ambasadorja Holtkemper.

Ndërkaq, ambasadorja gjermane lëshoi edhe një mesazh të fortë për të rinjtë shqiptar që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

“Mos e shisni votën! Nuk është ide e mirë të shesësh votën gjatë zgjedhjeve”, – ishte deklarata e ambasadores gjermane, Holtkemper. Deklaratat e Holtkemper u bënë gjatë procesit të simulimit të votimit të maturantëve të shkollës “Aleks Buda” në Tiranë. Ajo apeloi të rinjtë që të mos shesin votën, pasi sipas saj në terma afatshkurtër ka të mira materiale por në terma afatgjatë do të sillte humbje shërbimesh dhe simulim të korrupsionit. Sipas statistikave, rreth 150 mijë të rinj pritet të fitojnë në 23 qershor të drejtën e votimit.

Aktualisht me afrimin e ditës së zgjedhjeve përfaqësuesit ndërkombëtar të akredituar në Shqipëri kanë intensifikuar mesazhet e tyre drejtuar klasës politike për plotësimin e vendeve të mbetura vakante në KQZ dhe garantimin e një procesi zgjedhore brenda standardeve ndërkombëtare. Në fokus të deklaratave të tyre, përfaqësuesit ndërkombëtare kanë kujtuar rëndësinë që ka procesi zgjedhor i 23 qershorit për rekomandimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në vjeshtën e këtij viti.

 

 

 

Kryetarja e KQZ-së takon krerët e OSBE-së në Shqipëri

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterie Luzi (Lleshi) priti dje në një takim pranë ambienteve të KQZ-së delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga Roberto Battelli, koordinator special i caktuar nga kryetari i radhës i OSBE-së dhe Andreas Northelle, përfaqësues special i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Qëllimi i takimit ka qenë prezantimi i delegacionit me kryetaren e KQZ-së në kuadër të drejtimit të një misioni vlerësues (NAM) lidhur me vëzhgimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të datës 23 qershor. Kryetarja e KQZ-së u ka uruar mirëseardhjen z. Roberto Battelli dhe z. Andreas Northelle si dhe i ka njohur ata me punën që KQZ ka bërë që nga konstituimi i tij. Nga ana e tyre, Roberto Battelli dhe z. Andreas Northelle e kanë falënderuar kryetaren për mikpritjen dhe pasqyrimin e punës së bërë nga ky institucion për përgatitjen e zgjedhjeve të 23 qershorit”, – thuhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit e KQZ-së. Ky takim u mbajt me dyer të mbyllura për median.

 

Votimi në ambiente private, KQZ shqyrton sot qarqet Tiranë, Shkodër dhe Fier

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pritet të shqyrtoi paraditen e së enjtes projektvendimin për miratimin e vendeve të numërimit të votave në qarqet Tiranë, Shkodër dhe Fier. Në total janë 25 KAZ të mbetura pa u miratuar nga mbledhjet e mëparshme. “Projektvendim “Për caktimin e Vendit të Numërimit të Votave të ZAZ-së, për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 23 qershor 2013”, për çdo Zonë Zgjedhore (bashkëlidhur lista e VNV-ve)”, – njofton KQZ-ja. Më herët diskutimet për këto qendra kanë shkaktuar debate mes përfaqësuesve ligjorë të partive politike lidhur me vendet se ku do të caktohen. Nga ana e tyre demokratët kanë kundërshtuar ato VNV të cilat janë përcaktuar në ambiente private pranë zonat që njihen si bastione të majta, ndërkohë që të njëjtën gjë kanë bërë edhe socialistët për ato zona që njihen si të djathta.

 

 

 

KQZ kërkon tarifat e reklamave: Jo më shumë se 90 minuta për secilën parti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bëri dje thirrje të gjithë operatorëve radiotelevizivë që të paraqesin pranë komisionit tarifat e tyre për hapësirat publicitare. Me rastin e afrimit të ditës së zgjedhjeve, KQZ pritet të nisë një fushatë sensibilizuese për pjesëmarrjen në zgjedhje dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve lidhur me procesin elektoral. Një njoftimin e shpërndarë për mediat, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, thotë se afati i fundit për operatorët radioteleviziv që të paraqesin tarifat zyrtare për hapësirat publicitare, është data e sotshme, 23 maj 2013. “Ju rikujton operatorëve radiotelevizivë detyrimin që ju lind nga Kodi Zgjedhor për dorëzimin në KQZ, të tarifave zyrtare për transmetimin e reklamave politike gjatë fushatës zgjedhore. Në bazë të nenit 84 pika 5 e Kodit Zgjedhor, operatorët radiotelevizivë detyrohen të dorëzojnë në KQZ, 5 ditë përpara fillimit të fushatës, tarifat për çdo segment kohor transmetimi, siç kuptohet ky afat ka kaluar, pasi afati i dorëzimit të këtyre tarifave, ishte data 20 maj 2013, dhe asnjë nga operatorët radiotelevizivë nuk e ka respektuar këtë detyrim ligjor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju tërheq vëmendjen të gjithë operatorëve radiotelevizivë që të dorëzojnë brenda datës 23 maj 2013, tarifat zyrtare të transmetimit të reklamave politike gjatë gjithë fushatës zgjedhore, pasi data 24 maj është dita hapjes së fushatës zgjedhore nga partitë politike. Neni 84 i Kodit Zgjedhor e përcakton se “Koha e përgjithshme e transmetimit të reklamave politike gjatë gjithë fushatës zgjedhore nga secila radio dhe televizion privat nuk mund të jetë më shumë se 90 minuta për secilën parti të regjistruar për zgjedhje”, – thuhet në njoftimin e KQZ-së. gjithashtu KQZ bën me dije se ofertat e tyre do të publikohen në faqen zyrtare të internetit, www.cec.org.al.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency