Një muaj para zgjedhjeve, PD e PS, konflikte për qendrat e votimit dhe raportet e auditëve

0
135

Florenc Drizari

kqzKQZ shtyn për në mbledhjen e radhës shqyrtimin e dy raporteve të auditëve

Gjonçaj: Në disa VNV

mungojnë kushtet minimale

Kosovrasti: Kriteret
janë njësoj për të gjithë

 

Një muaj para ditës së zgjedhjeve, mazhoranca dhe opozita vazhdojnë të kenë përplasje qëndrimesh për caktimin e vendeve të numërimit të votave dhe pastrimet e listave zgjedhore nga publikimet. Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, përfaqësues të Partisë Socialiste kundërshtuan propozimet e ardhura nga prefekti i Qarkut të Fierit për VNV 59 në Dermenas, dukë thënë se kjo është një zonë e nxehtë elektorale ku edhe në zgjedhjet e kaluara ka pasur konflikte mes militantëve të të dyja palëve dhe për këtë ky vend i numërimit të votave duhet përcaktuar në qendër të Fierit. Por argumentimi i socialistëve u hodh poshtë nga përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike Niazi Kosovrasti, i cili tha se pretendimet për zona të nxehta elektorale nuk janë argumente ligjore dhe zhvendosjen e Vendeve të Numërimit të Votave. Sipas Kosovrastit, shteti ka strukturat e tij ligjore në të gjithë vendin.

“Në këto VNV minimalisht mungojnë kushtet minimale të energjisë dhe internetit, por kjo nuk është arsyeja kryesore e kundërshtimit pasi ligji nuk e lejon që VNV-ja të vendoset në fshatra apo komuna. Vendi më i mirë për të realizuar këtë proces, pra edhe numërimin elektronik, është bashkia e Fierit. Në këtë zonë ku KQZ bazuar në propozimin e limituar dhe antiligjor të prefektit, situata ka pasur përplasje të ashpra politike, madje deri në konflikte fizike. Do të prodhonte të padyshim emocione negative të forta dhe do të ndikonte në ashpërsimin e situatës politike”, – deklaroi Genc Gjonçaj, përfaqësues i PS-së në KQZ. Ndërsa homologu i tij demokrat, Niazi Kosovrasti u shpreh se: “Shteti është në këmbë. Nuk nisemi ne nga këto motive dhe nuk rrimë të ndajmë Shqipërinë duke thënë se kjo zonë është bastion i kësaj apo asaj partie. Rregullat janë për të gjithë njësoj dhe funksionojnë në të gjithë Shqipërinë”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga 133 Qendra Votimi të propozuara për tu vendosur në objekte private, miratoi 126 prej tyre. KQZ vendosi të kthejë propozimet e krerëve të njësive të qeverisjes vendore për 7 Qendra Votimi për mospërmbushje të kritereve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

Ndërkaq, një debat që vazhdon prej disa muajsh mes përfaqësuesve të PD-së dhe të PS-së, është edhe pastrimi i publikimeve në Regjistrin Kombëtarë të Gjendjes Civile. Dy auditët teknicienë të përcaktuar nga KQZ-ja, gjatë raporteve të tyre kanë paraqitur të dhëna kontradiktore lidhur me numrin e publikimeve dhe numrin e atyre personave që mbeten jashtë listave të votuesve. Gjatë mbledhjes së djeshme ku pritej edhe raportimi i tyre për situatën lidhur me numrin e zgjedhësve pranë Regjistrit Kombëtarë të Zyrës së Gjendjes Civile, paraqitja e të dhënave u shty për mbledhjen e ardhshme. Kjo për faktin se të dy auditët kishin hartuar raportet e tyre për data të ndryshme. Auditi Dashamir Çali kishte hartuar raport deri në datën 3 maj, ndërsa Genti Malko kishte hartuar raportin për datën 15 maj.

 

 

KQZ nënshkruan memorandumin me IFES për rezultatin e zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nënshkroi dje Memorandumin e Mirëkuptimit me Fondacionin Ndërkombëtar për Sistemet Elektorale (IFES). Memorandumi u nënshkrua nga kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterie Luzi (Lleshi) dhe përfaqësuesi i IFES, Gavin Weise.

Qëllimi i memorandumit sipas administratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është bashkëpunimi i dyanshëm me IFES, për zhvillimin e një sistemi të automatizuar i cili do të grumbullojë, transmetojë dhe do të shfaqë rezultatet e zgjedhjeve. Ndërkaq, dy ditë më parë KQZ miratoi modelin përfundimtar të fletës së votimit dhe së shpjeti pritet që kompania sllovene të fillojë shtypjen e fletëve të votimit. Sipas informacioneve të fundit nga KQZ-ja, data më e afërt për mbërritjen e tyre në Shqipëri është 15 qershori i muajit të ardhshëm.

Gjithashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me katër vota projektvendimin për caktimin e Vëzhguesve të Misionit të OSBE/ODIHR, për vëzhgimin e zgjedhjeve për Kuvend të datës 23 qershor 2013”. KQZ akreditoi 33 përkthyes të MVZ OSBE/ODIHR për vëzhgimin e procesit.

 

 

Berisha, takim me krerët e OSBE-së: Opozita të plotësojë vendet në KQZ

Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me anëtarin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Battelli, i cili shoqërohej edhe nga kreu i zyrës se Asamblesë Parlamentare në Vjenë, ambasadori Andreas Nothelle.

Kryeministri Berisha i njohu të dy zyrtarët e OSBE-së me arritjet e rëndësishme që janë shënuar gjatë kësaj periudhe, si për sa i përket kuadrit zgjedhor ashtu edhe infrastrukturës zgjedhore në përgjithësi. Zbatimi i të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR në Kodin Zgjedhor, bazuar tërësisht mbi propozimet e opozitës, u vlerësua si një tregues pozitiv.

Në lidhje me problemin e KQZ-së, Kryeministri theksoi se Partia Socialiste po përpiqet të pengojë procesin zgjedhor, duke keqpërdorur rolin e anëtarëve të saj në KQZ. “Sidoqoftë, mazhoranca është tërësisht e hapur dhe e gatshme për të plotësuar anëtarësinë e KQZ-së me emrat që opozita do të propozojë”, – thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Kryeministrisë.

Ata e falënderuan Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e ngushtë që ai dhe qeveria shqiptare ka dëshmuar në vijimësi dhe po i dëshmon Asamblesë Parlamentarë të OSBE-së, në veçanti për sa i përket angazhimit të Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare që procesi i zgjedhjeve të 23 qershorit të jetë një proces konform të gjitha standardeve ndërkombëtare, si dhe shprehën mirënjohje për vendosmërinë e Kryeministrit Berisha që në Shqipëri të vijë numri më i madh i mundshëm i vëzhguesve për të ndjekur nga afër këto zgjedhje.

 

Kremtohet 100-vjetori i Bashkisë së Shkodrës, Topalli falënderon gjithë kryebashkiakët në vite

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ishte dje e pranishme në koncertin festiv dhënë mbrëmjen e djeshme në pedonalen e qytetit të Shkodrës nga orkestra frymore kombëtare e Forcave të Armatosura dhe orkestra frymore e Bashkisë Shkodër, në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të bashkisë. Në fjalën e saj, zonja Topalli shprehu mirënjohjen dhe respektin për ata që e drejtuan gjatë viteve. “Është momenti për t’u përkulur me nderim dhe respekt përpara kryetarit të parë të bashkisë, Muharrem Gjylbegaj, dhe pastaj me radhë të Musa Jukës, të zotit Dibra, Shpuza, Shiroka, Ndoc Çobës e kështu me radhë”, – u shpreh Topalli. Më pas, ajo falënderoi kryetarët e bashkive të 20 viteve të fundit, duke filluar nga ish-kryetari i bashkisë, i pari i pluralizmit, Filip Guraziu, për të vijuar me kryetarët e tjerë, zotërinjtë Ormir Rusi, Bahri Boriçi, Artan Haxhi dhe kryetarin aktual të sotëm, Lorenc Luka.

“Shkodra dhe historia e jonë na bëjnë tepër krenare. Ajo është kryeqendra ekonomike, kryeqendra e tregtisë, kryeqendra e kulturës. Jemi krenarë se këtu kanë lindur iluministët Marin Barleti, Marin Biçikeni, jemi krenare se këtu është krijuar shtypshkronja e parë dhe është botuar revista dhe gazeta e parë, jemi krenarë sepse këtu është krijuar banda e parë frymore, fototeka e parë, opera e parë, shkrimi i parë, muzika e parë. Shpirti i kulturës i Shkodrës është gjëja më e bukur që shkodranët kanë reflektuar dhe iluminuar në të gjithë territorin e Shqipërisë e më tej”, – tha më tej Topalli.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency