KQZ shqetëson edhe diplomatët, PS bën karshillëk

0
108

kqzÇelo Hoxha

 

Në dy artikuj të mëparshëm unë kam folur për rrezikun që mund t’u vijë zgjedhjeve të 23 qershorit nga KQZ. Jo për faj të KQZ, por, duke mos u plotësuar me numrin e nevojshëm të anëtarëve, PS mund ta përdorë atë si alibi për të vënë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve, nëse nuk i pëlqen rezultati.

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, zhvilloi një vizitë në selinë e PS-së për këtë çështje. “Ajo që është shqetësim për Shqipërinë është mosfunksionimi i KQZ, që nuk po funksionon si duhet”, – u shpreh ambasadori. Dhe: “Palët duhet të punojnë së bashku për të plotësuar KQZ”.

PS nuk duket se është e shqetësuar sa ambasadori. PS vazhdon të dërgojë në KQZ përfaqësuesit e saj ligjorë që ndjekin procedurat. Ajo e regjistroi në këtë KQZ (me katër anëtarë) listën e saj për deputetë. Ajo e pranon legjitimitetin e KQZ-së, sepse Arben Malajn e sulmon si kandidat kundërshtar dhe zoti Malaj është regjistruar si kandidat i pavarur nga kjo KQZ me katër anëtarë.

Veç kësaj, PS dhe gjithë koalicioni i majtë vazhdojnë të bëjnë fushatë të qetë, sikur në KQZ nuk ka asnjë problem. PS dhe LSI janë më të angazhuara më shumë për të përcaktuar sa kryeministra do të ketë qeveria, nëse i fiton zgjedhjet e majta, sesa të caktojnë anëtarët e tyre në KQZ.

Ne që e njohim mirë të majtën shqiptare, që nga Fan Noli e këtej, e dimë se ku fshihet lepuri. PS e Edi Ramës, ashtu siç ka ndodhur dhe kur ajo nuk drejtohej tij, ka frikë të hyjë në zgjedhje vetëm me një skenar. Ajo nuk mund të hyjë në zgjedhje e të pranojë çdo lloj rezultati që do të dalë nga rezultati i votimit. Në rast se i fiton zgjedhjet, PS është e gatshme ta pranojë rezultatin, por nëse shifrat nuk do të jenë në favor të saj, ajo do t’i hidhet në fyt KQZ-së. Kjo alibi i intereson zotit Rama gjashtë muaj pas zgjedhjeve, që të ruajë kreun e partisë. Tashmë ky është një skenar i përsëritur.

Këto dyshime nuk janë ngritur në hava. Në 1996, PS i tërhoqi komisionerët në mes të ditës nga të gjitha qendrat e votimit, duke minuar gjithë procesin. Pasoi dhuna e vitit 1997 dhe më në fund, ashtu si më 1924 dhe 1944, komunistët erdhën, përmes grykës së pushkës, në pushtet. Banditët nuk njohin mënyrë tjetër për t’u punësuar në administratë. Në zgjedhjet e 2001-shit, kur ishin vetë në pushtet, socialistët i fituan ashtu siç i fitonte edhe Enver Hoxha. Pak ditë më parë, duke përmendur Jeruzalemin dhe 29 nëntorin, Pandeli Majko i rikujtoi ekstremistët e të majtës që PS është trashëgimtarja e Enverit. Në kontekstin që e përdori ai, Jeruzalemi dhe 29 nëntori do të thotë dhunë.

Kryetari i PS e ka deklaruar disa herë që, nëse Sali Berisha i “vjedh” votat, atëherë ai do të përballet me popullin. Hera e fundit që e bëri këtë deklaratë ishte fundjava e kaluar, në Vlorë. Aty ku nisi lëvizja e dhunshme më 1924, aty ku nisi lufta civile gjatë Luftës së Dytë Botërore (zona e parë operative), aty ku nisi dhuna në 1997. Ajo deklaratë nuk ishte rutinë, po simbol komunikimi. Ai nuk mund të bëjë thirrje të hapur për luftë, sepse shteti nuk është më ai i ‘97-ës. Këtë e mësuan socialistët në 21 Janar.

Edhe vizita e zotit Arvizu në selinë e PS-së përmbante, përveç shqetësimit, edhe simbolikën e saj. Ai shkoi aty ku ka lindur dhe mund të zgjidhet problemi. Ndarja e KQZ-së është bërë në marrëveshje, 4 anëtarë pozita dhe 3 opozita. Ky raport ishte kur LSI ishte në qeveri, ky raport është dhe tani që ajo është në opozitë. Në jetën e PS nuk ka ndryshuar asgjë, përveç faktit që LSI ka ndërruar partnerin.

Pas takimit me ambasadorin amerikan, PS nuk dha shenja se ka ndërmend të reagojë. “PS ka pasur qëndrim konstant, jemi të hapur për çdo zgjidhje, në Parlament, mënyra e zgjidhjes mbetet në negociatë, deri kemi dëgjuar tranzigjencë nga shkelësi i ligjit që është Berisha. Ne jemi të përgatitur të shkojmë ne zgjedhje dhe me KQZ”, – deklaroi dje sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri. Kësaj i thonë t’i mendosh të gjithë shqiptarët, veç krerëve të PS-së, derra. Njerëz që shikojnë TV, por nuk kuptojnë ç’bëhet aty. Kryeministri Berisha ka deklaruar disa herë (pas herës së parë veç ka përsëritur të njëjtën gjë), që ai është gati të mblidhet Kuvendi, edhe në mes të natës, nëse propozon PS. Ky propozim nuk është bërë ende. Dhe derisa të mos bëhet, përgjegjësia për KQZ-në i takon të majtës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency