Digjen tre breza, Mjekësia pa kuota specializimesh

0
149

Blerta Mrishaj

studentMbledhja e bordit s’ka vendosur akoma për kuotat

Studentët prej vitesh nuk ndjekin specializimet

Janë brezi i tretë i studentëve të Mjekësisë që “digjen”, pa mundur të ndjekin specializimet. Prej dy vitesh janë ndërprerë këto specializime, ndërsa këtë vit pritej që pas propozimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe dërgimit të draftit në Këshill të Ministrave, të miratoheshin kuotat, por kjo nuk ka ndodhur akoma. Ish-drejtori i Politikave Shëndetësore në QSUT, doktor Pëllumb Pipero, i ftuar në “News 24”, ndër të tjera deklaroi se as bordi i mjekësisë gjatë një mbledhjeje të mbajtur ditë më parë nuk mundi të sqaronte mungesën.

Studentët

Doktor Pipero ndër të tjera deklaroi se janë propozuar 200 kuota, ku 40 janë kuota për trojet, propozimi i Ministrisë së Shëndetësisë i është nisur Ministrisë së Arsimit dhe pritej që drafti nga java në javë të shkonte drejt miratimit në Këshill të Ministrave. Ndërkohë që ende nuk ka një përgjigje zyrtare, teksa studentët po humbasin vitet, pa mundur të ndjekin vazhdimin e studimeve.

Kriteret

Sa u takon kritereve për përcaktimin e specializimet e mjekësisë, është pasur parasysh plotësimet e stafeve nëpër rrethe me specialistë ka gjetur një rrugë të suksesshme për këtë çështje. Ndër faktorët e rëndësishëm përfshihen kërkesat e Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat vijnë në përputhje me nevojat e shtuara për shërbimet shëndetësore të specializuara të Ministrisë së Shëndetësisë, veçanërisht në nivel qarku, pasi ka mungesa të theksuara të specializimeve. Gjithashtu mësohet se për herë të parë, të bëhet e mundur rajonalizimi i kërkesave, në të njëjtën kohë të bëhet e mundur që të ketë një konkurs brenda llojit, kush është më i miri të fitojë. Sa takon përcaktuesve të fituesve, roli i vetëm i Ministrisë së Shëndetësisë është propozimi për kuota përshtatur nevoja për specializime në sektorë të ndryshëm, teksa do të jetë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Rektorati dhe Universiteti i Mjekësisë ata që do të përcaktojnë kriteret. Krijimi i Universitetit të Mjekësisë do të sjellë edhe rregulla të reja për specializimet. Aktualisht janë ngritur grupet e punës që po punojnë për kriteret. Të gjitha mënyrat që përdoren për të zgjedhur kandidatët më cilësorë janë të mira, por ky cikël duhet të jetë i përvitshëm dhe në bazë të një rregulloreje të veçantë dhe mos të bllokohet herë pas here për arsye që nuk shpjegohen nga strukturat përkatëse. Universiteti i Mjekësisë publik pritet që të çelë dyert për herë të parë vitin e ardhshëm akademik, po ashtu edhe cikli i specializimeve në 36 profilet e tij. Aktualisht pritet vendimi i Këshillimit të Ministrave për miratimin e kuotave të propozuara nga Ministria e Shëndetësisë.

 

Njësia 4

Kryebashkiaku Basha: Rama e mbajti peng për 11 vjet

Bashkia e Tiranës ka shtrirë punimet për përmirësimin e infrastrukturës në dy blloqe të tjera banimi, pjesë e njësisë numër katër. Në këtë zonë me një komunitet prej disa mijëra banorësh do të kryhen punime si në infrastrukturën rrugore, në shtrimin e rrjetit të ri të kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza e deri në shtimin e hapësirave të gjelbra. Kryetari i bashkisë, Lulzim Basha, i pranishëm në nisjen e punimeve tha se ky ishte një premtim që po konkretizohet, ndryshe nga ish-paraardhësi i tij, zoti Rama, i cili e ka mbajtur peng këtë zonë, duke e lënë në harresë. “Projekti parashikon ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza, të shiut, do vazhdohet me asfaltimin e zonës, ndërtimin e trotuareve me gjerësi 2-3 metra. I kuptoj disa këshilltarë të zotit Rama të cilët të pezmatuar kërkojnë përfundimin e projekteve brenda dy muajve, projekte që nuk përfunduan për 11 vjet, sa kohë që zoti Rama ishte kryetar i bashkisë. Por kjo vinte sepse ai kishte prioritete të tjera, nuk kishte prioritet problemet e qytetarëve. Ndërkohë që bashkia, siç e shihni, në çdo moment, kohë fushate apo jo, vazhdon detyrat e veta,të jetë e përkushtuar ndaj qytetarëve”, – tha Lulzim Basha, kryetar i bashkisë. Basha tha se do të dëgjohen të gjitha kërkesat e qytetarëve dhe dotë ndërhyhet menjëherë në këtë zonë, e cila njihet si problematike për ujërat e zeza në bodrumet e pallateve. “Ne sot e nisim këtë projekt për ta përfunduar brenda kohës më të shkurtër, me standardet më të mira, duke përfshirë asfaltim të plotë dhe eliminimin njëherë e përgjithmonë të problemeve të mbartura prej më shumë se 15 vjetësh”, – tha Basha. Të pranishëm në këtë fillim punimesh kanë qenë edhe banorë të zonës, të cilët në mënyrë simbolike kanë flakur edhe çizmet që i kanë shoqëruar në këto vite për të ecur në rrugët e pashtruara dhe shpeshherë të përmbytura si pasojë e bllokimit të pusetave.

 

Komuniteti LGBT

“Pushton” qendrën e qytetit me aktivitetet e IDAHO

Ky 17 maj ishte shumë krenar për komunitetin LGBT në Shqipëri. Në një stil të paprecedentë, IDAHO, i cili festohet në më shumë se 100 vende në të gjithë botën, u realizua në Shqipëri me “Festivalin e Diversitetit” përkrah një serie të gjate aktivitetesh kulturore, edukative dhe informuese. Ambasada PINK / LGBT Pro Shqipëri si një nga organizatat LGBT lider të vendit, organizoi aktivitetet e IDAHO përgjatë të gjithë javës, duke filluar nga 13 maji me hapjen e ekspozitës e cila shfaqte lëvizjen LGBT në fotografi dhe video, duke vazhduar në 14 dhe 15 maj me një seri leksionesh në fakultete të ndryshme të Universitetit të Tiranës. Më pas në 16 maj, një tryezë e rrumbullakët u realizua në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Avokatin e Popullit dhe Komisionerin për Mbrojtje nga Diskriminimi. Aktivitet, u finalizuan në datën 17 maj me “Panairin e Diversitetit” një aktivitet i madh në qendër të Tiranës ku qytetarët mund të merrnin më shumë informacion mbi jetën LGBT në Shqipëri. Dhjetëra organizata dhe institucione e ndoqën panairin i cili tërhoqi vëmendjen e medias dhe të publikut. Duke marrë në konsideratë faktin se ky është viti i pestë që IDAHO festohet në Shqipëri, ajo çka mund të konsiderohet një sukses për këtë vit është pjesëmarrja e shumë grupeve në një rrjet mbështetjeje për lëvizjen LGBT. Qeveria e Shqipërisë, Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, komuniteti ndërkombëtar në Shqipëri, media, organizatat e të drejtave të njeriut që punojnë në fusha të tilla si gratë, fëmijët, romët, rinia, kultura, anëtarët e komunitetit LGBT etj u bashkuan në një seri ngjarjesh të cilat i dhanë jetë festimeve të IDAHO në vend. Për të parën herë këtë vit, grupet LGBT tërhoqën vëmendjen e shoqërisë me aktivitete si pedalimi në kryeqytet, ekspozita, panele diskutimi etj, ndërkohë që zyra e PNUD në Shqipëri ndërtoi një kopsht të vogël pranë Parkut të Liqenit më një urë të vogël mbi të, çka simbolizon diversitetin njerëzor. Debati publik mbi çështjet LGBT tanimë ka marrë një tjetër dimension në vend, duke marrë parasysh Planin e Masave të Qeverisë shqiptare i cila ka nisur implementimin që prej vitit 2012 dhe punën e palodhshme të organizatave LGBT në vend. Në raportin më të fundit të ILGA Europe për vitin 2013, Shqipëria u rendit e 16ta nga 49 vende. Kjo i dedikohej në pjesën më të madhe advokimit të lëvizjes LGBT shqiptare si dhe vullnetit të qeverisë dhe institucioneve të pavarura për të avancuar më tej të drejtat e personave LGBT. Gjithsesi, dita kur komuniteti LGBT do të integrohet plotësisht në Shqipëri duhet ende të mbërije dhe kjo është arsyeja përse përpjekjet vazhdojnë. Siç shtoi edhe Z. Altin Hazizaj, Ambasador i PINK / LGBT Pro “ne jemi këtu për t’i kujtuar publikut shqiptar se duhet të çlirohet nga paragjykimi dhe diskriminimi dhe t’i pranojë personat LGBT si anëtarë të barabartë të kësaj shoqërie me detyrimet dhe të drejtat e tyre”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency