Konventa zgjedhore e PS-së Prezantohet programi i “Rilindjes”, detajet e platformës që synon qeverisjen e vendit

0
124

Gëzim Saliu

konventa e psRama: Në zgjedhjet e 23 qershorit, për njerëzit e zakonshëm

 

Partia Socialiste shpalosi dje në ditën e dytë të konventës kombëtare të saj, programin “Rilindja shqiptare”, me anë të të cilit forca më e madhe opozitare synon të fitojë garën e 23 qershorit dhe të qeverisë vendin. Kreu socialist Edi Rama e ka cilësuar programin e socialistëve si më të detajuarin që një forcë politike ka pasur në 20 vite, duke theksuar nga ana tjetër se PS do të përfshihet në “betejën” e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në mënyrë të veçantë njerëzve të thjeshtë, që nuk merren me politikë. “Duke u afruar data mes zhurmës dhe entuziazmit të fushatës, mes zotimeve dhe kundra zotimeve, pretendimeve të njërës pale dhe palës tjetër, mes flamujve të njërit kamp dhe të kampit tjetër, ne nuk duhet ta humbim arsyen themelore pse quhemi Partia Socialiste e Shqipërisë, kjo arsye nuk ka të bëjë me ne, por me njerëzit që nuk hanë dhe nuk jetojnë për politikën. Me ata që në mëngjes dalin për të shkuar apo për të kërkuar punë, me ata që gdhihen me ankthin se çfarë do të gatuajnë për fëmijët e tyre, që nuk çojnë fëmijët në shkollë dhe ata që nuk kanë një rrogë se nuk kanë punë. Me ata që janë kocka, mishi gjaku dhe trupi, truri i këtij vendi, me njerëzit e zakonshëm. Njerëzit që do të vendosin nëse do na e japin apo jo votën dhe do të na ngarkojnë me përgjegjësinë për tu hapur rrugën e rilindjes duk u dhënë energjinë, përkushtimin dhe eksperiencën që ne kemi për ta”, – tha Rama.

 

Konventa

Skena e Pallatit të Kongreseve, e cila në çdo detaj të saj kishte idenë e kryesocialistit Rama, ishte e organizuar në formën e një “lagjeje” të madhe, ku nuk mungonin pallatet, lulishtet me pemë si edhe stolat, në të cilat më pas u ulën protagonistët e programit. Në nisje të aktivitetit, në skenë u shfaqën qytetarë të profesioneve të ndryshme, të cilët paraqitën arsye të ndryshme se përse nuk duhet votuar me mazhoranca aktuale qeverisëse dhe njëkohësisht se përse sipas tyre në 23 qershor, vota duhet dhënë për PS-në. Në fjalën e tij hyrëse, sekretari për programin në PS, Ilir Beqja falënderoi të gjithë kontribuuesit për ndihmën e dhënë në përpilimin e “Rilindjes”, duke theksuar disa nga piketat kryesore të këtij programi. Programi ynë ofron punësim real, dhe rimëkëmbje të ekonomisë. Kujdesi shëndetësor nuk do jetë më mall që blihet, por e mirë publike. Programi ynë garanton legalizim, pajisje me certifikatën e pronësisë brenda dy viteve. Le të ribashkohemi me Evropën duke nisur ndërtimin e Shqipërisë Evropiane. Një sfidë e vështirë por do ia dalim”, – tha ai.

 

Piketat e programit

Rama për taksat

Kreu socialist Rama sqaroi disa nga çështjet kryesore të programit të PS-së, duke i dhënë përgjigje nëpërmjet video-konferencës të gjithë atyre që shprehnin dyshime apo edhe kritika lidhur me programin e majtë. Kështu lidhur me taksat Rama tha se zgjidhja fillon nga ndryshimi i sistemit aktual. “Pala tjetër thotë se ne kemi dyfishuar rrogat e mësuesve dhe çdo mësues duhet të jetë i lumtur të na votojë. Por sot është fakt se gjithë mësuesit dhe rrogëtarët e dinë se çka marrin nuk u del të blenë çka blenë. E dinë që rrogat janë dyfishuar por jeta është shtrenjtuar shumë me tepër, ndërkohë ne u themi mësuesve dhe mjekëve, infermierëve dhe policëve dhe rrogëtarëve, se ka një gjë tjetër për tu bërë. Rritja e rrogës në mënyrë hileqare, me rritje inflacioni dhe rritje çmimeve, nuk është zgjidhje por hile. Zgjidhja fillon nga ndryshimi i sistemit të tashmit. Jo më taksë e sheshtë, ku mësuesja paguam më shumë se ministri i Arsimit. Taksimi i ndershëm do thotë kush fiton më pak paguan më pak taksa, kush fiton më shuam paguan më shumë. Për ata mjafton që të jetojnë mirë vetë bashkë me një grusht njerëzish, por ne duam të ulim taksat për 95% të shqiptarëve. Ato janë partia e 5% të njerëzve”, – tha Rama. Po ashtu lidershipi i PS-së foli edhe për taksat e biznesit të vogël, ku tha se ishte qeveria ajo që rriti këto taksa dhe jo bashkia e Tiranës, në kohën kur drejtohej prej tij. “Çfarë do bëjmë ne. Do heqim taksën e biznesit të vogël, do përgjysmojmë tatimin mbi të ardhurat”, – premtoi kreu i PS-së.

Rendi dhe siguria

Në prezantimin e programit për policinë, kreu i grupit të punës për këtë pikë, Saimir Tahiri u shpreh se që në 300 ditët e para të qeverisjes do të rimëkëmbet Policia e Shtetit. “Pas 23 qershorit rikthejmë paqen shoqërore, garantojmë sigurinë e jetës. Në 300 ditët e para rilindim policinë e shtetit, pastrojmë shoqërinë nga armët. Profesionistet në detyrë dhe të larguar do vlerësohen, do pastrohet policia nga militantët dhe të paaftët. Do rishikojmë kuadrin ligjor dhe do rrisim pagat e policisë. Do strehojmë familjet, arsimojmë familjet e policëve të rënë në krye të detyrës”, – tha Tahiri.

Korrupsioni

Deputeti i PS-së Taulant Balla premtoi në Konventën Zgjedhore se programi “Për një rilindje shqiptare” do i japë zgjidhje kulturës së pandëshkueshmërisë. Do i kthejmë publikut çdo pasuri të fituar me korrupsion. Ndëshkim çdo shkelësi të ligjit dhe transparencë për çdo koncesion. Askush nuk do të tolerohet nëse përdor pozicionin politike për përfitime të pandershme. Ne socialistët do të vendosim nj standard të ri në funksioni të ndëshkimit të kulturës së pandëshkueshmërisë. Përmes veprimeve tona sigurojmë një sistem të së drejtës së pavarur sipas kushtetutës që të ketë drejtësi për të gjithë njëlloj”, – pohoi Balla.

Biznesi

Ligjvënësja e PS-së, Vasilika Hysi, prezantoi programin për rimëkëmbjen e biznesit, ku premtoi një klimë lehtësuese dhe një partneritet të ri me biznesin. Klima e biznesit është përkeqësuar. Përkeqësimi i gjendjes së biznesit vërtetohet edhe nga Banka Botërore, taksa e sheshtë përqendroi të gjithë të ardhurat tek 5% i popullsisë ndërsa 95 % ngeli jashtë. Heqja e taksës së biznesit të vogël, modelim të të gjithë zinxhirit që bën të mundur rimbursimin e TVSH-së, stabilizim të administratës doganore dhe tatimore me anë të krijimit të një administrate të vetme, rikthim të komunitetit konsultativ të biznesit, ristrukturim të këshillit kombëtar të biznesit. Hartimi i një kontrate të qartë me sipërmarrësit dhe krijimi i kushteve për të eliminuar plotësisht shantazhimin nga administrata dhe pushteti”.

Pasuritë kombëtare

Eduard Shalsi si kryetar i grupit të punës në programin e PS-së për pasuritë kombëtare tha se forca më e madhe opozitare me ardhjen në pushte do të rishikojë të gjitha koncesionet. “Deri më sot i ka shfrytëzuar në mënyrë barbare pasuritë natyrore, dhe përfituesin ka qenë vetëm një klikë afër pushtetit. Prioriteti ynë:Vendosja dhe marrja nën kontroll e të gjithë pasurive shqiptare. Do i japim fund kontrabandës së naftës dhe evazionit në tregti me pakicë të naftës. Do të rishikojmë të gjitha koncesionet. Do të afrojmë paketa financiare apo fiskale për të tërhequr investitorë serioze me reputacion kombëtarë. Shqipëria ka të gjithë mundësitë për të shfrytëzuar të gjithë pasuritë kombëtare. Ky është misioni ynë që do e bëjmë realitet pas fitores së 23 qershor”, – tha Shalsi.

Drejtësia

Kryesuesja e grupit të punës në programin e PS-së për sistemin e drejtësisë Ermonela Felaj, premtoi se socialistët do të çlirojmë drejtësinë nga presioni për interesat politik dhe korruptim. Ne angazhohemi për drejtësi të pavarur. Shteti do sigurojë sipërmarrjet. Do çlirojmë drejtësinë nga presioni për interesat politik dhe korruptim dhe do e pastrojmë nga çdo shërbëtor pushteti. Do të ngremë një sistem drejtësie që krijon akses të plotë pa barriera dhe që funksionon dhe zbaton ligjin”, – tha Felaj.

Shërbimet sociale

Deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni, duke folur në Konventë për shërbimet sociale tha se do të ketë një fond kombëtar për shërbimet sociale. “Ripërtëritja e shoqërisë fillon tek fëmijët edhe familja. Ne angazhohemi për: Shërbimet universale për fëmijët, drejtësi sociale, Strehim për jetimët që aktualisht janë të papunë dhe të pastrehë, fond kombëtar për shërbimet sociale dhe dhënie përgjigje përfundimtare e regjistrimit të fëmijëve rom dhe egjiptian”.

Mjedisi dhe trashëgimia kulturore

Lidhur me mjedisin, deputeti socialist Besnik Bare theksoi se PS premton një komunikim dhe transparencë me publikun. “PS angazhohet për: Ndalimin e eksportit të lëndës drusore, rehabilitim të pyjeve të zonave të mbrojtura, përfundim brenda mandati të parë i trajtimit të ujërave të zeza në zonat bregdetare dhe zbatim të ligjit dhe forcim të kapaciteteve profesionale”. Ndërkohë, Auron Tare bëri të ditur politika që janë përfshirë në programin e PS-së për trashëgiminë kulturore duke theksuar se do të ketë reforma për menaxhimin, studimin dhe promovimin. “Do krijojmë legjislacion modern për ruajtjen e peizazheve historike, do krijojmë dhe menaxhojmë projekte të lidhura ngushtë me pushtetin vendor. Turizmi do konsolidojë Shqipërinë duke e kthyer në zinxhirin rajonal”, – tha Tare.

Gratë

Olta Xhaçka deklaroi në punimet e Konventës se programi i PS-së për gratë parashikon fuqizimin e tyre përmes punësimit dhe kualifikimit profesional të tyre. “Gratë dhe vajzat vuajnë diskriminimin dhe dhunën në familje dhe akses të pakët në zyra. Çdo grua e papunë, duhet të votojë për PS, në mbështetje të zotimit tonë për të fuqizuar gratë dhe vajzat përmes punësimi dhe kualifikimit profesional të tyre. Çdo nënë dhe grua duhet të në na votojë duke siguruar ne shërbimin e lindjes dhe shërbimet publike në mbështetje të mirëqenies së fëmijëve”, – u shpreh Xhaçka.

 

Gjiknuri: Zgjidhje për pronat. Argita Malltezi: Jeni pa ide, sulmoni familjen e Kryeministrit

Deputeti socialist Damian Gjiknuri duke sjellë në vëmendje çështjen e pronave, akuzoi vajzën e Kryeministrit se është e lidhur ngushtë me pronat. “Ne angazhohemi se nuk do ekzistojë termi ish-pronar. Do evidentojmë pronat publike që fshihen në zyrtaret e ministrive. Në fund të mandatit të parë do përfundojmë procedurat për ndërtimet pa leje (800 dosje)”. Ndaj akuzave të deputeti socialist ka reaguar dje vajza e Kryeministrit Argita Malltezi, e cila tha: “Sot, përpara ca pemëve false dhe ne një skene falsiteti, z. Rama vijoi me një sulm tjetër fals kundër meje. Siç duket, z. Rama ka nevojë të fshehë faktin që nuk ka asnjë ide, nuk ka asnjë zgjidhje dhe asnjë plan përveçse të sulmojë familjaret e Kryeministrit. Atij duhet t’i vijë turp dhe të kërkojë ndjesë”.

 

Alketa Vejsiu: Nuk jam socialiste, por mbështes Ramën

Prezantuesja e njohur Alketa Vejsiu iu bashkëngjit dje konventës zgjedhore të Partisë Socialiste ku ftoi shqiptarët që të votojnë Shqipërinë e Edi Ramës. “Kryetari juaj, dhe shpresoj me shpirt Kryeministri ynë i ardhshëm me 23 qershor, idhulli i adoleshencës sime dhe i gjeneratës sime, dhe sot i vetmi politikan që unë qetësisht mund t’ia besoj votën time. Kam qenë në fakt vetëm 14 vjeç kur e kam takuar këtë personazh ekstravagant, që bënte shumë përshtypje, me çitjanet dhe çorapet e tij vezullues, i lirë dhe moskokëçarës. Pa dashur të fyej askënd, nuk mund ta fsheh se Edi Rama është i vetmi ministër Kulture që mbaj mend. Ai do të mbetet kryetari i Bashkisë së Tiranës që do të mbahet mend më gjatë në Shqipëri”, – tha Vejsiu.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency