Atentat emigrantit shqiptar në sy të gruas dhe një fëmije

0
182

vrasje_pisoletë-300x212Policia: Nga të shtënat, u plagosën edhe gruaja, kunata dhe fëmija 4 vjeç. Atentati me pushkë gjuetie, 31-vjeçari i plagosur me precedentë penalë

Itali

Një emigranti shqiptar i bëhet atentat në sy të gruas, kunatës dhe fëmijës 4-vjeçar të kushërinjve, duke sjellë për pasojë edhe plagosjen e këtyre të fundit. Të katër i shpëtuan një tragjedie të mundshme, ndërsa dyshohet se atentatori nuk ka pasur për qëllim vrasjen e 31-vjeçarit, por vetëm t’i jepte një sinjal paralajmërimi këtij të fundit. Policia italiane dyshon se të riut, i cili njihet për precedentë të shumtë penalë, ndoshta kanë dashur t’i japin jo vetëm një paralajmërim, por edhe për ta trembur dhe për t’i treguar se koha ka mbaruar për diçka ku ai është përfshirë. Për këtë arsye, agresori, edhe ai i dyshuar si shqiptar, i ka pritur poshtë banesës në Locate Triulzi, një zonë në jug të Milanos, në rrugën Verdi. Sipas policisë, ndoshta i ka ndjekur në lëvizje ose thjesht ka ditur orarin kur ktheheshin, priti sa parkoi makinën dhe e fiku atë dhe sapo 31-vjeçari Edmond Leti ndodhej poshtë shtëpisë, ka dalë nga errësira dhe qëlloi në drejtim të tij me një pushkë gjuetie. Nga makina kanë dalë menjëherë edhe gruaja, kunata dhe djali 4-vjeçar i një kushëriri të tij. Autori e ka qëlluar nga këmbët dhe vithet 31-vjeçarin Leti, ndërsa plumbat e tjerë kanë kapur edhe dy gratë dhe fëmijën 4-vjeçar. Sipas hetuesve, të tre këta të fundit janë plagosur lehtë, ndërkohë që ndodhen ende në kushte spitalore. Gjithashtu, edhe objektivi i atentatit është plagosur rëndë por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas marrjes së ndihmës së parë, policia ka marrë në pyetje të plagosurin, por ai nuk ka folur asgjë mbi ngjarjen, ndërsa nuk ka ndihmuar aspak policinë në ngritjen e ndonjë pistë të mundshme. Sipas policisë, 31-vjeçari Leti ka një të kaluar të mbushur me precedentë të mëparshëm penalë, si për shpërndarje droge, ashtu dhe grabitje. Paraprakisht dyshohet për larje hesapesh brenda komunitetit të shqiptarëve, ndërsa dyshohet se mund të kenë qëlluar dy persona. Nga hetimet e para rezulton se i dëmtuari kthehej në Locate nga Milano, ku kishte shkuar për të pritur kunatën dhe djalin.

Ngjarja

Burime zyrtare policore bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur zonën e quajtur Locate Triulzi, në rrugën Verdi, në Milano, rreth orës 21:40 të dy netëve më parë. Emigranti shqiptar Edmond Leti, 31 vjeç ka qenë duke shkuar në banesë i shoqëruar nga gruaja e tij italiane, 32 vjeçe, një fëmijë 4 vjeç i lindur në Itali, fëmija i kushëririt shqiptar, si dhe me të ëmën e fëmijës. Agresori ka qëlluar me armë zjarri ndaj të katërtve, duke i plagosur lehtë, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Të plagosurit janë shoqëruar me urgjencë për në spitalet Niguarda dhe Melengano, ku rezultoi se fëmija është plagosur lehtë në krah, ndërsa nëna e fëmijës dhe gruaja italiane në këmbë. Ndërsa emigranti 31-vjeçar është plagosur në këmbë dhe vithe dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

 

Operacioni

I dënuar me 15 vite për trafik droge, arrestohet Ardian Vaka

Policia italiane ka vënë në pranga një 44-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim për trafik droge dhe i dënuar me 15 vite burg. Sipas policisë italiane, Ardian Vaka,  rezident prej vitesh në Giorgio Jonico dhe i dënuar më 28 mars me 15 vite burg nga gjykata e Tarantos për veprën penale të trafikut të drogës. Operacioni blitz startoi në orët e para të mëngjesit në zonën Lido Silvana, në Marina të Pulsano-s, ku 44-vjeçari në kërkim u kap brenda një banese ku strehohej. Sipas policisë, Vaka gjendej ende në krevat në momentin e ndërhyrjes dhe nuk pati asnjë mundësi reagimi dhe rezistence gjatë arrestimit. Policia bën me dije se 44-vjeçari nuk ishte i armatosur, ndërsa në apartament iu gjetën 5 mijë euro kesh, si dhe disa telefona celularë. Dënimi ndaj 44-vjeçarit ka ardhur pas hetimeve dhe gjykimit të kapjes së 7 kg heroinë të pastër të llojit sheqer kafe, në shtator të vitit 2008 në San Giorgio Jonico, ku vetë Vaka i ka shpëtuar arrestimit.

 

Greqi

Mister pengmarrja e katër të rinjve në Kretë, njoftuan arratisjen

Një familje që denoncon pengmarrjen dhe kërcënimin e vazhdueshëm të të birit dhe tre shokëve të tij, dhe asnjë reagim nga policia greke apo dhe mediat greke për denoncim të një rasti të tillë. Kjo është panorama që të ofrohet për një ngjarje të denoncuar nga familja Marku nga Thumana e Krujës, ndërsa situata mbetet ende mister për mediat dhe policinë greke. Denoncimi është bërë dy netë më parë, ku familja Marku ka denoncuar se djalin e tyre dhe tre shokë të tij nga Dukagjini i Shkodrës po i mbante peng një shtetas grek nga ishulli i Kretës, i cili i akuzonte për vjedhje në banesë. Sipas familjes Marku, por edhe vetë të denoncuarit se mbahej peng, Klodian Marku, i cili ka deklaruar se policia i ka nxjerrë të pafajshëm dhe se shtetasi grek i ka rrëmbyer, mbajtur peng dhe dhunuar duke u kërkuar në këmbim 25 mijë euro, pasi në të kundërt do t’i vriste. Familjarët reaguan në media të ndryshme vizive, duke apeluar për ndihmë, ndërsa mesditën e djeshme deklaruan se katër të rinjtë ishin arratisur dhe vazhdonin të ishin në ishull. “Katër personat e marrë pengje kanë mundur të arratisen. Pengjet mbaheshin në qytetin Kanja dhe kanë ikur në Iraklio”, kanë bërë me dije nga Greqia, ndërsa vazhdon të mbetet një ngjarje e paqartë dhe e pazbardhur plotësisht nga policia. “Na akuzuan ne se kemi vjedhur, por nuk është e vërtetë. Ne po fshihemi se po na kapën, na vrasin” ka denoncuar në lidhje telefonike Klodian Marku nga Kreta, duke u shprehur se kërkon ndihmë nga Ambasada Shqiptare në Athinë. Sipas tij, personat e tjerë të marrë pengje ishin Fatjon, Kristian e Mark Rregalla. Vetë Klodian Marku, në një lidhje telefonike me mediat vizive është shprehur se ai bashkë me të rinjtë e tjerë janë dhunuar dhe kërcënuar me jetë, nëse nuk i kthejnë shtetasit grek 25 mijë euro, për të cilat ai akuzon shqiptarët se ia kanë vjedhur. Para se të jepej lajmi i arratisjes, Klodiani ka deklaruar se “aa kanë trajtuar keq, na kanë rrahur keq. Policia s’ka hyrë në këtë mes. Familja na ka marrë peng. Kemi 24 orë që jemi mbyllur brenda, duan të na vrasin nëse nuk iu gjenden lekët e humbura. Këtu ka grabitur një person tjetër, këta duan të na lënë fajin neve. Na kërkojnë 25 mijë euro”, rrëfen ai. Në një reagim për mediat, Zoja Regalla deklaroi se policia i kishte arrestuar fillimisht të rinjtë, e më pas i ka nxjerrë të pafajshëm, por duket se pronari grek nuk është mjaftuar me kaq duke kërkuar të bëjë vetëgjyqësi.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency