Plotësohet kërkesa e kësaj shtrese Kryeministri: Minatorët do të dalin në pension 55 vjeç

0
152

Ina Jano

Berisha-fushate-640x340Në 22-vjetorin e grevës së përgjithshme të sindikatave, Berisha premton se është e vendosur të plotësojë maksimumin e kërkesave që do të paraqiten nga minatorët

 

 

Gatishmëria e qeverisë për të plotësuar çdo kërkesë të minatorëve është ritheksuar edhe një herë ditën e djeshme nga kreu i ekzekutivit, zoti Berisha, i cili në 22-vjetorin e grevës së përgjithshme të sindikatave ka premtuar se të gjitha kërkesat e tyre do të plotësohen në mënyrën më maksimale. Gjatë fjalës së tij të mbajtur në këtë ceremoni, u shpreh se minatorët do të dalin në pension në moshën 55-vjeçare dhe kjo është një premtim që do të realizohet. Kryeministri garantoi se kërkesa e minatorëve për moshën e pensionit 55 vjeç do të bëhet realitet, sikundër garantoi edhe punonjësit e kombinatit të Poliçanit se qeveria së bashku me sindikatën e tyre do të bëjë reformën e nevojshme. “Zoti Kalaja, ju kërkoj të vendosni një dialog me minatorët dhe të premtoj këtu, në këtë ditë solemne për ju e çdo shqiptar, se qeveria është e vendosur të plotësojë maksimumin e kërkesave që ju do të paraqisni si përfaqësues i tyre. Ky është borxhi, ky është detyrimi moral, ligjor e i gjithanshëm ndaj atyre burrave, ndaj jush e ndaj sindikatës, që shënoi një kthesë të madhe në histori”, – u shpreh Berisha.

Por shefi i qeverisë i riktheu edhe një herë vëmendjen në bllokimin që i ka bërë opozita procesit të integrimit dhe këtu, zoti Berisha nuk përmendi vetëm rastin e tre ligjeve që kanë mbetur në Parlament. Kryeministri foli edhe për NATO-n, apo liberalizimin e vizave. Ndër të tjera shefi i qeverisë nënvizoi se është pikërisht kjo forcë politike ajo që do ti japë vendit, hapjen e negociatave. “Kur erdhi çështja e statusi të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, i vuri zjarrin institucioneve, e humbi një vit. Vitin tjetër u ra dakord paraprakisht për tri ligjet, në çdo germë të tyre, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian. Dhe ligjet ishin në parlament. Pasi shqyrtoi se çfarë kishin arritur shqiptarët në këto tre vite, me mundin, djersëm e përkushtimin e tyre – askush nuk ka derdhur djersë sa ne, se djersa jonë nuk ka vërshuar si lumë vetëm këtu, por djersa e bijve e bijave tona ka vërshuar si lumë në Greqi, Itali e kudo në emigracion dhe në qoftë se Shqipëria është në këtë nivel, ka arritur edhe me kontributin e tyre thelbësor – Komisioni deklaroi se Shqipëria e meriton dhe do t’i rekomandonte Këshillit të Ministrave, për statusin e vendit kandidat, me kusht që të votohen tre ligjet. Edvin Kristaq Rama dëshmoi guxim negativ, të lig, të paimagjinueshëm, për të shkelmuar interesin e çdo qytetari shqiptar, socialist, demokrat, të paparti dhe të çfarëdo bindjeje. Statusi i vendit kandidat, miqtë e mi, ishte pasaporta e dytë pas NATO-s, që na duhet më shumë neve, fëmijëve tanë, fëmijëve të fëmijëve tanë”, – tha lideri demokrat.

Në takim u kujtua fillimi i grevës së përgjithshme të punonjësve të Shqipërisë, më 16 maj 1991, e cila u mbështet nga Partia Demokratike, studentët e universitetit të Tiranës dhe qytetarët e Tiranë. Në këtë grevë morën pjesë tetë qind mijë punonjës dhe paralizoi të gjitha degët e ekonomisë kombëtare. Në 25 maj ‘91, minatorët në minierën “Demokracia” në Valias, Tiranë, filluan grevën e urisë. Si rezultat i saj u bënë të mundura zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 22 mars 1992, të cilat u fituan nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

 

 

Taksat

Olldashi: Modeli i Ramës të punojë për vete, dhe jo për qytetarët

Ministri i Transportit dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi, ka reaguar lidhur me deklaratat e një dite më parë të shefit të opozitës në Fier “se socialistët nuk kërkojnë t’i ulim taksat për një grusht miliarderësh”. Në një deklaratë për mediat, Olldashi thekson se ky vendim i Ramës vjen pasi Koço Kokëdhima asnjëherë nuk i ka paguar të gjitha taksat dhe, sipas tij, ky është modeli që ofron Rama, të punojë për vete dhe miqtë e tij, jo për qytetarët. “Mes sulmeve të marra të Edi Ramës për lumenjtë dhe absurditeteve të tjera të thëna natën e kaluar në një shesh të Fierit thuajse të zbrazur, ai tha diçka që të gjithë qytetarët nuk duhet ta harrojnë. Rama tha se ne nuk kërkojmë t’i ulim taksat për një grusht miliarderësh. Kjo siç duket, ngaqë Koço Kokëdhima asnjëherë nuk i ka paguar të gjitha taksat. Përveçse ai ka fituar më shumë se 20 milion dollarë tendera nga lekët e taksapaguesve; Koço i detyrohet qytetit të Tiranës 1.2 milion dollarë. Ky është modeli i Ramës, të punojë për vete dhe miqtë e tij, jo për qytetarët”, – deklaroi dje ministri. Por tjetër qasje ka Partia Demokratike, sipas Olldashit, të punojë në interes të qytetarëve dhe ky është një ndryshim që fierakët mund ta prekin, ndryshe nga akuzat boshe të Ramës. “Ne kemi shtruar rrugë në Fier, rrugë si Levan-Damës, Levan-Vlorë, Fier-Lushnjë, Unaza e Myzeqesë dhe kemi rikonstruktuar rrugë si Fier-Cakran. Dhe mbaruam së rikonstruktuari rrugën Fier-Levan. Ne kemi investuar në ndërtimin dhe rikonstruktimin e 49 shkollave. Ne kemi ndërtuar qendra shëndetësore dhe ambulanca si ato në fshatin Rerës të Bashkisë Patos e në fshatin Hysgjokaj të Komunës Hysgjokaj dhe kemi rindërtuar të tjera si ajo në fshatin Tërbuf në Komunën Tërbuf. Ne kemi mundësuar subvencione për t’u ardhur në ndihmë 3.486 fermave. Kemi ndihmuar fermerët me sistemin ujitës, ngritjen e serave dhe mbrojtjen nga përmbytjet. Ne kemi investuar në rihapjen e Muzeut Arkeologjik në Apoloni. Dhe për shkak të taksës të sheshtë 10%, e cila sulmohet gjithmonë nga Rama, vetëm në qarkun e Fierit janë hapur 3.658 biznese të reja”, – shprehet kreu i MPTT. “Ne kemi ende shumë për të bërë, dhe do t’i bëjmë së bashku, sepse ne jemi të fokusuar në veprime konkrete dhe jo në akuza absurde. Përpara”, – përfundon Olldashi.

 

 

Fushata

PR dhe FRD prezantojnë kandidatët

23 qershori duhet të jetë dita kur do të përcaktohet rruga e përbashkët drejt Evropës. Nga qyteti i Ersekës, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në një takim elektoral tha se kjo rrugë shkon përpara duke votuar koalicionin “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”. Mediu ka ftuar qytetarët e Ersekës të votojnë alternativën e djathtë në zgjedhjet e 23 qershorit për të çuar përpara projektet që përmirësojnë jetën e tyre. Nga qyteti i Durrësit kreu i FRD-së, Bamir Topi, i është kundërvënë Kryeministrit Berisha sa u takon deklaratave të tij të disa ditëve më parë për liberalizimin e vizave me SHBA-në. Topi tha se kjo është një çështje që nuk ka të bëjë me Kryeministrin, përkundrazi është një vendim që merret nga administrata e Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, Topi tha se FRD do të jetë një forcë e rëndësishme pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe se shumë shpejt fishekzjarret e partive të tjera do të shuhen. Deklaratat e ish-presidentit Topi, njëherësh kreu i FRD-së, janë bërë gjatë ceremonisë së përurimit të librit “Triumfi i kombit” i autorit Skënder Kaipili.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency