Sonja Caka
Tërhiqen avokatët nga ankimimi, në fund të majit lirohen dy të pandehurit. Pas 7 seancash shtyrje, gjykata lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë me 1.5 vite burg
Emiljano Shullazi dhe Elidon Harizaj në prag lirimi. Pas disa seancash shtyrjeje, dje avokatët kanë paraqitur kërkesën për pushim të gjykimit, duke hequr dorë nga ankimimi i vendimit të Shkallës së Parë. I gjendur përballë kësaj kërkese dhe pas 7 seancash të dështuara, kryesuesi i trupit gjykues, Astrit Kalaja vendosi të pranojë kërkesën e avokatëve Sokol Mëngjesi, Ardian Skënderaj dhe Blerim Bazhdari, duke lënë në fuqi vendimin e kolegëve të tyre, përkatësisht vendimin me 1.5 vite burg për secilin për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”. Gjatë seancës së djeshme, vetë të pandehurit Shullazi dhe Harizaj kanë qenë të pranishëm në gjyq, duke pritur qetësisht dhënien e vendimit, pra pushimin e gjykimit dhe në këtë mënyrë edhe lënien në fuqi të vendimit të marrë nga Gjykata e Lezhës. Qetësia e dy të pandehurve justifikohej me faktin se atyre u ka mbetur shumë pak nga vuajtja e dënimit dhe janë në prag të lirimit, pasi llogaritet që dënimi të përfundojë në fund të muajit maj. Megjithatë, shtyrjet e shpeshta, mungesa e avokatëve dhe heqja dorë e tyre nga mbrojtja për arsye të paraqitura gjatë seancave, në Gjykatën e Apelit në Shkodër shtuan frikën se po përsëritej precedenti “Dajti”. Në shtatë seanca të shtyra, Gjykata e Apelit caktoi 8 avokatë kryesisht, ndërsa 4 u zgjodhën nga vetë të pandehurit.
Lirimi
Fundi i majit llogaritet të jetë edhe koha kur Emiljano Shullazi dhe Elidon Harizaj të lënë qelitë e burgut. Pas pushimit të gjykimit dje në Apelin e Shkodrës, nisur nga tërheqja e avokatëve për të vijuar më tej këtë gjyq dhe me kërkesë për pushim të gjyqit, lirimi i Shullazit dhe Harizajt është çështje ditësh. Dy të pandehurit janë dënuar përfundimisht me 1.4 vite burg, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, duke iu ulur një e treta e dënimit. Më 29 qershor të këtij viti ata bëjnë një vit arrestuar, ndërkohë që dita në paraburgim u llogaritet 1 ditë e gjysëm. Për shkak të këtyre llogarive, të cilat i kanë bërë edhe vetë të pandehurit dhe avokatët e tyre, ata u tërhoqën nga gjykimi, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Lezhës, ndërsa në fund të majit ata lënë edhe qelitë duke fituar sërish lirinë.
Arrestimi
Emiljano Shullazi, u arrestua më 29 qershor të 2012-ës me dy armë pa leje në një makinë të blinduar te kryqëzimi i Shëngjinit. Arrestimi u krye nga forcat speciale të policisë RENEA, pasi policia ka dyshuar për ndonjë plan kriminal dhe kanë bërë një kontroll të beftë në automjetin me të cilin po lëvizte Shullazi, ku edhe kanë gjetur 2 pistoletat. Bashkë me 34-vjeçarin nga Tirana mësohet se është arrestuar edhe shtetasi Elidon Harizaj nga Vlora. Më pas Gjykata e Lezhës vendosi shpalljen fajtor të Shullazit dhe Harizajt dhe dënimin e tyre me nga 2 vite burg, por që për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, pra uljes së 1 të tretës së dënimit, në vendimin përfundimtar u vendos dënimi i tyre me 1 vit e 4 muaj. Ky dënim u apelua në gjykatën e Apelit në Shkodër nga avokatët mbrojtës, të cilët pretenduan uljen e dënimit për dy klientët e tyre duke kërkuar llogaritjen e ditëve të qëndrimit të tyre në paraburgim. Emiljano Shullazi është një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë, pasi është arrestuar disa herë, ndërsa është dënuar për trafik droge së bashku me mikun e tij Ervin Ferhati.
Detaje
1.4 vite burg u dënuan nga Gjykata e Lezhës Shullazi e Harizaj, vendim i cili mbeti në fuqi pas pushimit të gjykimit
7 është numri i seancave të shtyra në Gjykatën e Apelit të Shkodrës, pas mungesës së avokatëve apo heqjes dorë të tyre nga mbrojtja
29 qershor i vitit 2012 ishte dita kur Shullazi dhe Harizaj u arrestua nga specialët e RENEA-s, në kryqëzimin e Shëngjinit
Krimet e Rënda
Dështon Dajti, akuza ndaj gjyqtarëve dhe kreut të gjykatës
Çdo ditë e njëjta panoramë, mungesë avokatësh, largim i të pandehurit nga salla dhe për pasojë shtyrje të seancës. Por, sërish dje i pandehuri ka lëshuar akuza ndaj trupës gjyqësore, por jo vetëm, kësaj radhe duke përmendur edhe kreun e gjykatës. “Mos u ankoni në KLD, se ajo nuk merret me avokatët dhe të pandehurit, por me punën e gjyqtarëve. Kur të më sillni avokat më thërrisni të paraqitem”. Më këto fjalë u është drejtuar Dajti gjyqtarëve dje në sallën e gjyqit, ndërsa ka shtuar se “këtu nuk jemi në Korenë e Veriut, ku në shkelje të ligjit, jepen intervista nga Sandër Simoni, kreu i kësaj gjykate”. Më pas, Dajti u largua nga salla e gjyqit, ndërsa dje në seancë nuk ishin paraqitur dy avokatët e thirrur, Ukë Cenaj dhe Skënder Alimetaj. I pari kishte dërguar një letër në gjykatë ku deklaronte se kishte probleme shëndetësore pasi vuan nga zemra, ndërsa i dyti se kishte probleme familjare. Të gjendur përballë situatës kur avokatët nuk janë paraqitur dhe Dajti u largua nga salla e gjyqit, trupi gjykues vendosi të shtyjë seancën dhe të thërrasë dy avokatë të tjerë. Seanca e radhës është lënë për ditën e hënë në orën 09:00, ndërsa iu dërgua thirrje dy avokatëve të paraqiten për mbrojtjen e të pandehurit, përkatësisht avokatët Ndue Pjetri dhe Skënder Alimetaj. Prej më shumë se një viti e gjysmë, asnjë seancë gjyqësore ndaj Dajtit, i cili akuzohet se vrau katër oficerë policie, nuk është zhvilluar. Shkak bëhen avokatët e caktuar nga gjykata, të cilët, në shumicën e rasteve nuk paraqiten, apo refuzojnë ta marrin në mbrojtje të akuzuarin. Dritan Dajti nuk zgjedh avokat, me justifikimin se nuk ka para për ta paguar, ndërsa Dhoma Kombëtare e Avokatisë lëshon akuza ndaj gjykatës se nuk po e menaxhon dot procesin.
Durrës
Vrau me thikë 15-vjeçarin, gjykata lë në burg adoleshentin Leka
Gjykata e Durrësit ka caktuar masën “arrest me burg” për adoleshentin 17-vjeçar Xhulio Leka, i akuzuar për vrasjen e një 15-vjeçari. Sipas vendimit të togave të zeza të qytetit bregdetar, 17-vjeçari Leka do të qëndrojë në qeli për vrasjen e 15-vjeçarit Fatos Daci. Ngjarja ndodhi katër ditë më parë në afërsi të sektorit “Iliria” në Plazh Durrës. Autori dhe viktima, sipas akuzës frekuentonin të njëjtën zonë dhe pas një debati me fjalë, sherri degjeneroi në ëprdorimine thikës, me pasojë vrasjen e Dacit. Sipas prokurores së çështjes, ndaj 17-vjeçarit Leka ka prova të mjaftueshme që e implikojnë si autor të vrasjes me paramendim të 15-vjeçarit. Por, ky pretendim i përfaqësueses së akuzës u hodh poshtë nga avokati Lekës, i cili pretendoi se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti banal. Pasi ka dëgjuar të dy palët, gjykata vendosi të lërë në burg deri në fund të hetimeve adoleshentin Xhulio Leka. Ajo që të binte në sy gjatë seancës së djeshme, ishte mosprania në seancën e masës të familjarëve të të dy palëve, si autorit, ashtu dhe viktimës.