Edmond Tupja: Në edukatën tonë fetare trupin e femrës e masakrojnë

0
186

Violeta Murati

 

16 maj delikatesa-215x320 E gjejmë shkrimtarin David Foenkinos me kokën kthyer, fort në të djathtë, nga zëri i lëshuar që i takonte pamjes po aq karizmatike sa autori, përkthyesit Edmond Tupes. Në anën e pasme të librarisë “E Për7shtatshme”, përkthyesi po i shpjegonte një grupi të rinjsh se romani “Delikatesa” e Foenkinos është filozofi e qartë se si e tashmja është e kaluar! Sentencat e zgjedhura janë delikate, plot ndjeshmëri që krijon një distancë klasike se si mund të shkosh drejt ëndrrës, kur sapo je shkëputur prej saj! Në fakt, ky ishte vazhdimi i fjalës së përkthyesit duke lëshuar në pyetje të të rinjve shkrimtarin francez; me syze, krejt i çlirët, i akomoduar shpejt me energjinë e të rinjve… “Nëse Edmondi ju foli shumë për librin, afër tij në këto momente më duket vetja shkrimtari më intelegjent. Por nuk jam veçse një idiot i përsosur”. Ka mjaftuar kjo hyrje e natyrshme që të rinjtë të thyenin “turpet”, e sidomos vajzat për të mbërthyer shkrimtari në pyetje sa naive, aq dhe mikluese prej tyre. Megjithatë Foenkinos ka vazhduar se për të qenë shkrimtar duhet të lejosh veten të udhëhiqesh nga naiviteti, e papritura dhe e panjohura. Kjo është Natalia e tij e çuditshme për lexuesin, protagonistja e romanit. Natalia e çuditshme sa për t’u dashuruar me një suedez! Në momentin e dëshpërimit ajo përjeton një traumë, dhe papritur miku i saj e nxjerr nga “streha” e vetes ku ishte mbyllur. Në këtë dilemë se si mund të rilindë një njeri, si mund të dalë nga mbyllja, jeta e tërhequr shkrimtari percepton “suedezin”, njeriu që i ktheu jetën, dhe e bënte të qeshë Natalinë. Shpjegimi i shkrimtarit është: Gjërat ndodhin në momentin e duhur, dhe kur ne, presim të ndodhin! Lëvizja e kohës nëpër të cilën Foenkinos transformon dhe takon personazhet me njëri tjetrin, shpesh e çojnë në paradigma të jetës reale. Ka njerëz të mrekullueshëm, thotë shkrimtari që i takojmë në ditë të vështira, por ka njerëz të mrekullueshëm që i ndeshim në kohën e duhur. Kjo e dyta, është versioni i romanit të tij, që i jep më rëndësi; koha e duhur. Në brendësi të Natalisë krijohet një lloj llave ku e panjohura dhe e papritura e shndërrojnë lëndën e romanit në një trillim. Çfarë më intereson thotë para të rinjve shkrimtari është se nga kjo e panjohur, jetë e tërhequr, e fshehur, ku personazhi është gati sa një shenjë pikësimi arrin të mbajë një roman edhe prej 800 faqesh. Janë ngacmime të vakta këto prej të rinjve, që e “detyrojnë” autorin të krijojë një raport bashkëbisedimi pak të mefshtë. Ndërhyrja e përkthyesit e ndihmon gjithmonë për t’i dhënë nivelin e kulturës këtij takimi. Pa dyshim se, autorin e ka tërhequr përcaktimi që përkthyesi në shqip, Tupja i ka bërë historisë së dashurisë në roman; një lloj Romeo dhe Zhuljeta, ndërsa vetë autori kalon te përfytyrimi pak meta e së bukurës dhe bishës! “Unë jam shumë i bukur nga brenda”, ka hedhur me batutë fjalët shkrimtari, ndërsa e njëjta ironi përgjigje është marrë nga Tupja: Edhe përkthyesi ngjan me autorin! Një komunikim që tregon një marrëdhënie të brendshme mes tyre, se si vijnë në një koherencë punë e përkthyesit me autorin, si përcjellje kulture. Ky rast është krejt i natyrshëm, dhe në atë mjedis të krijuar dje në shkrirje me të rinjtë. “S’po më lini të flas, të jem inteligjent me atë që them”, ka vazhduar atmosferën francezi, që e ka shkruar romanin e tij “Delikatesa” po aq çuditshëm; gjithçka nga dritarja e apartamentit të tij. Si një shkrimtar i çuditshëm, arrin të krijojë muzikë, të shkruajë edhe libra njëkohësisht- ngacmohet nga një studente Foenkinos. Ai përgjigjet se tashmë e ka lënë instrumentin e tij, që dikur kishte luajtur. Ndërsa kjo vazhdimësi me librat e ka lejuar të krijojë në mënyrë muzikale romanin. Dy ditë qëndrimi në Shqipëri, i janë dukur mjaft intensive, dhe të kaluara shpejt. Dje, shfaqi filmin e tij, të parin, që lidhet me romanin “Delikatesa”, të ekranizuar. Ka takuar njerëz, është ndjerë energjik, ngrohtë por e ka mërzitur një pyetje e një gazetareje, shpjegon Foenkinos me sinqeritet, kur e ka pyetur si ka mundësi që erdhi në Shqipëri, në një vend të vogël për të prezantuar romanin e tij? Shkrimtari dha përgjigjen se, nuk ka asgjë të çuditshme për të ardhur në Shqipëri, si një nënkuptim i prezencës, pranisë së personazheve, jetës së romanit të tij këtu. Ndërhyrja zbret tek zërat e shumtë se ky autor shkruan romane autobiografike. Shpjegimi i Foenkinos është: “Mendoj se me këtë roman më kupton mua. Nuk është roman autobiografik. Kam një përkthyes autobiografik”. Ky është një koncept i ri, argumenton shkrimtari. Meqë është mes të rinjve nuk e çon gjatë këtë mendim, por vazhdon të tregojë për veten e tij Foenkinos, se ç’njeri ëndërrimtar është, sa fëminor, si arrin të shpikë historitë, por në krye të të gjithave i pëlqen udhëtimi, ja këto janë që e frymëzojnë më shumë. Arsyeja kur ulet e shkruan, dhe sjell jetët e njerëzve në roman. “Një martesë midis trillimit dhe realitetit të maskuar, ky është romani për mua”, thotë ai menjëherë. Me këtë ka dhënë edhe përgjigjen se romanet e tij nuk janë biografik sa për të kuptuar atë vetë, shkrimtarin. “Idioti” për shembull, është romani i tij i parë, thotë me qesëndi Foenkinos: “Po nuk është romani biografik, sepse nuk jam suedez!” Salla ka shpërthyer në të qeshura. Pas kësaj, sigurisht autori i rrëfimit me humor edhe në roman, thotë se “është një libër për të qeshur”, dhe se humori që bën me personazhin e tij suedez i ka hapur telashe kur libri është përkthyer në suedisht. “Nuk është pritur mirë atje, për këtë arsye”, tha Foenkinos. Ndërsa të rinjtë nuk kanë qëndruar pa ngacmuar mbi personazhin kryesor, Natalinë pse dhe sa i rëndësishëm është për një roman emri. “Mendoj se është shumë i rëndësishëm emri i personazhit kryesor të romanit, vendos gati fatin e tij”. Në këtë kohë bashkëbisedimi vijnë dhe emrat e tjerë të librit, si qasje “biografike” me autorin, ku Foenkinos ka shpjeguar se brenda tij ndjehet pak nga gjithë personazhet; Markusi është frika e tij për të mos qenë i dashur me atë që do; Pak Fransua me dëshirën për të jetuar; edhe pak femër, Natali. Siç e përmendëm më lart, dje në mesditë ata që duan kinemanë kanë parë premierën e filmit “Delikatesa” në Tiranë, ekranizim i romanit, një raport shpesh i vështirë për t’u vendosur me vullnetin e shkrimtarit. Por Foenkino nuk e ka pasur të vështirë të rimodelojë romanin. Është një vullnet krej personal shpjegon shkrimtari, që e ka shtyrë ta bëjë vetë filmin. “Doja një film të mirë, dhe ta rishpikja romanin. Kisha dëshirë fizike të qëndroja sa më gjatë me personazhet e mi”, tha shkrimtari francez. Rikthehet prapë Natalia. Femra e “Delikatesës”. Natalia dhe Fransuai janë çifti i përkryer dhe janë përsosmërisht të lumtur. Por, kur Fransuai vdes papritur, pas shtatë vjetësh martese të bekuar, vejusha Natali ngre një kala rreth emocioneve te saj, ku askush nuk mund të hyjë më. Derisa kandidati më i paimagjinueshëm shfaqet…”U gjend fare pranë fytyrës së Markusit, aq afër sa hunda e saj çiku të tijën. Suedezi nuk merrte më frymë. Ç’kërkonte ajo prej atij? Ai nuk pati kohë ta formulonte këtë pyetje në kokën e tij, sepse ajo nisi ta puthte gjithë afsh. Qe një puthje e gjatë, e ngjeshur, si prej adoleshenteje. Pastaj, aty për aty, ajo u tërhoq:-Për dosjen 114 do të flasim më vonë, – tha. Ajo e hapi derën dhe e ftoi Markusin të dilte. Gjë që ky e bëri me vështirësi. Ai ishte Armstrongu në Hënë. Ajo puthje ishte një hap përpara aq i madh për njerëzimin e tij. Tashmë, Natalia, nga ana e saj, e kishte harruar krejtësisht atë që sapo kishte ndodhur. Ajo puthje ishte shprehje e një rrëmuje të papritur në tru: një veprim absurd”. E sollëm këtë fragment të shkëputur nga libri, për të marrë vesh perceptimin filozofik që autori i kthen lexuesit. Lidhet me një raport delikat mes trupit të femrës, dhe ndjesive të saj. Si Natali e sheh partnerin e saj, që nuk është i bukur- thotë autori. Përkthyesi Edmond Tupja do të hyjë në zonën e tij absolute të hulumtimit erotik dhe psikik të kësaj gjendjeje të krijuar në roman. Tupja e përfytyron shpjegimin thjesht: Natali ecën në një tapet të butë, trupi ia dikton sjelljen, trupi impononin rregullat e tij. Në edukatën tonë fetare trupin e masakrojnë. Natali nuk vendos se kush do ta shpëtojë, por është sjellja e trupit të saj. Puthja. Kjo puthje, lëvizje e trupit të saj e shtyjnë të vendosë duke i ndryshuar jetën. E menduam se ky ishte momenti që shkrimtari dhe përkthyesi e zhvendosën marrëdhënien e tyre në raport me lexuesin.

Për autorin Foenkinos ia doli mbanë në një mision të pamundur: të të bëjë të buzëqeshësh dhe të reflektosh me një roman sentimental, shkruan “La Figaro”. Ndërsa “New Zeland Herald” do komentonte: “Foenkinos përdor sasinë e duhur të humorit në këtë histori dashurie joortodokse për të zbutur kthetrat e tragjedisë”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency