Drejtori i aeroportit shpallet i pafajshëm për falsifikim dokumentesh

0
185

Elton Qyno

aeroporti-rinas842349Fatjon Hoxha lehtësohet nga dëshmia e të dashurës së nipit dhe ish-shoferit

Prokuroria kërkoi dy vjet burg, gjykata s’gjeti prova për dënimin e tij

 

Shpallet i pafajshëm ish-drejtori i aeroportit “Nënë Tereza”, Fatjon Hoxha, që u akuzua nga prokuroria për falsifikim të vizave në vendet e Bashkimit Evropian, si Spanja dhe Italia. Vendimi është marrë nga Gjykata e Tiranës, e cila e ka shpallur të pafajshëm Fatjon Hoxhën, duke i konsideruar veprimet e këtij të fundit si jo dashakeqëse, dhe jo kriminale, nërkohë që nga ana tjetër prokuroria kishte kërkuar dënimin e tij me dy vite burg. Në vendimin e saj gjykata ka arsyetuar se personi që ka lëshuar dokumentet e falsifikuara në emër të ish-drejtorit të aeroportit “Nënë Tereza”, ka qenë shoferi i tij Ismail Gerbi, i cili aktualisht rezulton i dënuar së bashku me 5 persona të tjerë, që në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer dhënien e vizave false në drejtim të vendeve të BE-së. Gerbi ka qenë njeriu që ka firmosur dhe ka vulosur dokumentet pa prezencën e shefit të tij, duke i keqpërdorur besimin e tij. E gjithë procedura niste nga administrata e aeroportit, ku personat që interesoheshin për të shkuar në Itali apo në ndonjë vend tjetër, paguanin një shumë financiare nën dorë dhe pajiseshin me dokumente sikur ishin pjesë e administratës së aeroportit. Më pas kjo i sillte favore gjatë rrugës në vijim. Një procedurë e tillë u ndoq edhe për shtetasen Denisa Tena, e dashura e nipit të Fatjon Hoxhës, e cila nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara ka kërkuar të largohet në Spanjë.

Gënjeu prokurorinë

Megjithëse Denisa Tena ka pranuar para gjykatës së kishte gënjyer prokurorinë gjatë fazës së hetimeve, organi i akuzës mësohet se ende nuk ka nisur procedim penal për akuzën e “Deklarimit të rremë” gjatë procesit të hetimit. Në dëshminë e saj dhënë në gjykatë, Tena ka sqaruar se në prokurori nuk kishte treguar të vërtetën, për shkak se Fatjon Hoxha i kishte thënë se i vinte shumë keq për Ismail Gerbin, pasi kishte një tufë me fëmijë. Për këtë shkak Fatjoni i kishte thënë të deklaronte se e kishte ndihmuar Fatjoni, pasi ishte gjynah për Ismailin, i cili ishte fukara. Denisa kishte thënë në prokurori ato që i kishte pohuar Fatjoni të deklaronte, pasi nuk donin të rëndonin pozitën e Ismailit. Ajo dhe Fatjoni donin të mbronin Ismailin. Denisa deklaroi se thëniet e saj përpara gjykatës ishin të vërteta. Fatjon Hoxhën, Denisa e njihte pasi ishte daja i të dashurit të saj dhe ishin takuar disa herë. Duke pirë kafe së bashku me Fatjonin ishin njohur edhe me shoferin e tij, i cili quhej Ismail Gerbi, por e thërrisnin shkurt Ili. Gjatë një takimi ajo kishte shprehur dëshirën për të bërë një udhëtim jashtë shtetit dhe kishte thënë se ishte e vështirë për të marrë një vizë. Ismail Gerbi i kishte thënë se ia rregullonte ai marrjen e një vize.

Gjykata: Firmosi Gerbi

Duke u bazuar në provat të marra gjatë shqyrtimit gjyqësor, gjykata arriti në përfundimin se akuza e ngritur kundër të pandehurit Fatjon Hoxha, për kryerjen prej tij të veprës penale të parashikuar nga neni 186/3-25 të Kodit Penal, nuk qëndron. Nga provat e marra në gjykim nuk u provua plotësisht e tej çdo dyshimi që i pandehuri Fatjon Hoxha, në cilësinë e drejtorit të aeroportit “Nënë Tereza”, të ketë falsifikuar me dashje e në bashkëpunim me persona të tjerë dokumente, të cilat ka pasur detyrë të lëshojë. U provua plotësisht se i pandehuri Fatjon Hoxha nuk ka pasur asnjë lidhje me aplikantët për viza, të cilët janë pajisur me vërtetime të falsifikuara, me përjashtim të dëshmitares Denisa Tena. Kjo e fundit deklaroi përpara gjykatës se vërtetimin e falsifikuar ia kishte dhënë Ismail Gerbi dhe se kishte dhënë deklarime jo të vërteta gjatë hetimeve paraprake, me porosi të Fatjon Hoxhës, për të lehtësuar të pandehurin Ismail Gerbi. Të njëjtin version deklaroi edhe i pandehuri Fatjon Hoxha. Ismail Gerbi deklaroi se i kishte përpiluar e dhënë ai vërtetimet e falsifikuara, duke përdorur letra me vulë e firmë të drejtorit, të cilat i kishte marrë në tavolinën e këtij të fundit, duke shpërdoruar besimin e tij.

 

73-vjeçari është ndaluar gjatë kontrollit policor

Kapet i moshuari në doganën e Kakavijës

po kalonte 25 kg drogë të fshehur në motor

Një shtetas grek është arrestuar mëngjesin e djeshëm në pikën kufitare të Kakavijës, pasi i janë gjetur në makinë rreth 25 kg drogë. 73- vjeçari, Christos Tzouganatos, po udhëtonte me mjetin e tij në drejtim të Athinës. Ndërkaq, gjatë kontrollit të policisë kufitare në makinën e tij tip “Daewo” me targë ZHB 6844, është konstatuar se automjeti ishte me dopio shasi, ku dhe ishte vendosur lënda narkotike. Droga, e llojit marijuanë, e paketuar dhe fshehur në makinë, kishte si destinacion shtetin fqinj, ndërkaq pas kontrollit, policia kufitarë ka sekuestruar lëndë narkotike. Në doganën e Kakavijës ka mbërritur grupi hetimor dhe specialistët e narkotikëve për hetimin e ngjarjes, dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë. Gjatë marrjes në pyetje i moshuari ka rrëfyer se ai e kishte blerë lëndën narkotike në fshatin Lazarat, me qëllim për përdorim personal. Mirëpo një dëshmi e tillë nuk ka bindur oficerët e policisë, të cilët kanë sekuestruar telefonin e të moshuarit si dhe kanë kryer procedurat për gjetjen e gjurmëve të gishtave në pakot e ambalazhuara të drogës. 73-vjeçari është transportuar në drejtim të Tiranës, ku pritet që në ditët në vijim të dalë para gjykatës, për akuzën e Trafikimit të narkotikëve mbetur në tentativë. Për shkak të moshës së thyer dhe shëndetit jo të mirë, ka shumë mundësi që i moshuari të hetohet dhe gjykohet në gjendje të lirë.

 

Ngjarja në Korçë

Mësuesi i fizkulturës tenton të hidhet nga shtylla

Një mësues grek në Korçë ka tentuar t’i japë fund jetës duke u ngjitur në shtyllën e tensionit të lartë. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Çiflig, ndërsa personi që tentoi t’i jepte fund jetës ishte Theodhoros Moraitidhis, mësues fizkulture në shkollën “Omiros”. Mësohet se për të ndalur këtë të fundit, t’i jepte fund jetës ka ndërhyrë policia. Policia po heton për ngjarjen, por paraprakisht dyshohet se mësuesi grek e ka marrë këtë veprim në një moment depresioni. Mësohet se ky i fundit vuante prej kohësh nga kjo sëmundje dhe kurohej në Greqi. Nisur nga kjo situatë, mësuesi me origjinë Greke, është transportuar në drejtim të spitalit rajonal të Korçës, ku pas marrjes së ndihmës mjekësore është lënë i lirë për tu kthyer në banesën e tij që ndodhet në këtë qytet.

 

Zvicër

Pranga dy shqiptarëve, ikën nga burgu

Shqiptari dhe kosovari, dy nga pesë personat që janë arratisur paraditen e të mërkurës nga burgu “Bois-Mermet” i Lozanës në Zvicër, janë kapur nga policia. Bashkë me ta, siç bëjnë të ditur burimet policore, janë marrë në arrest edhe dy nga personat që kanë ndihmuar arratisjen e tyre. Njëri nga të arratisurit nga burgu është kapur në Lozanë dhe tjetri në Kantonin e Lucernit. Në arrati vazhdojnë të jenë edhe tre nga personat të cilët dje kishin ikur në mënyrë spektakolare nga burgu i Lozanës. Së paku njëri nga këta i përket bandës së njohur “Pink Panthers”, e specializuar për plaçkitjen e dyqaneve të stolive. Hetimet e shumta të realizuara pas ikjes së pesë të burgosurve kanë çuar policinë në gjurmë të tyre në një banesë në Cheseaux-sur-Lausanne. Në arrestimin e tre personave kanë marrë pjesë 80 policë. Pjesë e arratisjes së djeshme nga burgu i Lozanës kanë qenë një shtetas shqiptar, një kosovar , një tjetër nga Bosnja, një nga Franca dhe personi që konsiderohet koka e grupit, një shtetas serb, pjesëtar i bandës “Pink Panther”.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency