Sulmoi Ambasadën Amerikane me kapsolla, mbyllet në psikiatri

0
210

Elton Qyno

ambasadaBletan Mustafaraj hodhi në oborrin e ambasadës fishekzjarre. Pas 4 muaj futet në çmendinë

 

 

Një person që sulmoi në muajin janar ambientet e brendshme të Ambasadës Amerikane, është mbyllur në psikiatri. Vendimi për mbylljen në qelitë e psikiatrisë të shtetasit Bletan Mustafaraj është marrë nga Gjykata e Tiranës pak ditë më parë, pasi ky i fundit është konsideruar nga një raport si person që vuan nga çrregullime mendore. Mustafaraj ka sulmuar me fishekzjarre ambientet e Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe se pikërisht gjatë kësaj kohe ai është arritur të arrestohet nga policia. Shpërthimi i fishekzjarreve ka ngjasuar me shpërthimet e municioneve luftarake, gjë e cila ka vënë në alarm personelin e sigurisë në këtë ambasadë. Menjëherë janë marrë masa për parandalimin e një sulmi të tillë, ndërkohë që Bletan Mustafaraj është arrestuar në kushtet e flagrancës nga një punonjës policie, që shërbente në kabinën e rojes nr. 4 pranë mureve të jashtëm të ambasadës. Ndërkohë që, pas arrestimit të tij, ai ka deklaruar se nuk e dëshironte Amerikën. Nga ana tjetër personeli i sigurisë ka kryer verifikime brenda territorit të ambasadës, ku ka konstatuar se Mustafaraj nuk kishte hedhur sende luftarake, por disa fishekzjarre, të cilat kanë një plasje të ngjashme me municionet luftarake.

Sulmi mbi ambasadë

Nga shqyrtimi gjyqësor i kësaj kërkese penale rezultoi e provuar se personi nën hetim, i akuzuari Bletan Mustafaraj, banon në Kodër-Kamëz, Tiranë. Ai, në datën 12 janar 2013, paradite, ka qenë duke lëvizur në afërsi të ndërtesës së Ambasadës Amerikane. Për një moment lëvizja e tij është përqendruar në rrugicën që ndodhet në pjesën jugore të kësaj ndërtese. Gjatë lëvizjes së tij në këtë vend ai ka nxjerrë nga xhepi disa sende të cilat i ka ndezur dhe i ka hedhur njëri pas tjetrit brenda murit rrethues të ndërtesës së ambasadës. Pas pak kohe janë dëgjuar shpërthime që janë karakteristike për fishekzjarret. Të gjitha veprimet e tij janë ndjekur me sy nga punonjësi i policisë Olsi Gjoshi, i cili në atë moment ka qenë duke kryer shërbimin e rojës në vendrojën nr. 4 të ambasadës. Pas shpërthimit ai ka njoftuar me telefon eprorët e tij dhe ka ndërhyrë për të ndaluar veprimet e mëtejshme të të akuzuarit Bletan Mustafaraj. Pas ndalimit të tij është vërtetuar se në ambientet e brendshme të Ambasadës Amerikane ishin hedhur fishekzjarre me efekt zhurmues, pasi brenda territorit të saj janë gjetur pjesë të strukturës së tyre të shpërthyera. Gjatë kontrollit të të akuzuarit Bletan Mustafaraj në xhepin e tij është gjetur dhe një çakmak që i ka shërbyer për ndezjen e tyre. Personi nën hetim, Bletan Mustafaraj, i cili akuzohet si më sipër njihet si person me problem të shëndetit mendor jo vetëm në familje, por edhe më gjerë. Për problem të shëndetit mendor ai është shtruar disa herë për t’u trajtuar në institucione të shëndetit mendor.

Kërkesa e prokurorit

Gjatë hetimeve të kryera për këtë ngjarje prokurori Ylli Bashaj ka kërkuar ekspertim psikik të të arrestuarit. Në konkluzionin përfundimtar të psikologut është konstatuar se personi që sulmoi me fishekzjarre Ambasadën Amerikane, Bletan Mustafaraj, vuan nga sëmundja psikike. Diagnoza e sëmundjes së shtetasit Bletan Mustafaraj është Morbus Bleuler “Skisofrenia”. Në gjendjen mendore aktuale, shtetasi Bletan Mustafaraj vazhdon të mjekohet për këtë psikozë. Nga sa më sipër, organi i akuzës ka sjellë kërkesën për caktimin e masës mjekësore kurim ambulator për shtetasin nën hetim Bletan Mustafaraj me akuzën “Veprime të dhunshme ndaj vendeve të punës të personave të mbrojtur ndërkombëtarisht”. Nisur nga kjo situatë edhe Gjykata e Tiranës ka vendosur të japë “OK” kërkesës së prokurorisë duke mbyllur në psikiatri të arrestuarin.

Alba Zeus

“Copat e kartonit provë material kanë grup karakteristikash të njëjta me ambalazhin prej kartoni të fishekzjarreve festive “Alba Zeus”. Lënda e përdorur për shpërthim në ngjarjen e mësipërme është një gjysmë grami (me karakteristikat si të barutit) e cila shërben për të krijuar efektin akustik, zhurmën e ngjashme me një shpërthim të lehtë duke realizuar qëllimin e përdorimit “festiv” të fishekzjarrit “Alba Zeus” dhe të tjerëve të ngjashëm me të”.

 

 

Shqiptari në Greqi

Vajza pret damarët, përdhunohej nga babai i saj

Një 16-vjeçare shqiptare, bija e një emigranti 36-vjeçar në Greqi, ka tentuar të vrasë veten, pasi nuk mundte dot më të duronte përdhunimet sistematike që i bënte i ati. Historia tragjike ka ndodhur në një fshat të Selanikut dhe u zbulua vetëm kur 16-vjeçarja kishte prerë damarët. Mediat greke, edhe pse nuk japin emrin e emigrantit, thonë se ai ishte i papunë dhe pinte vazhdimisht, ndërsa nëna e vajzës thotë se ajo nuk ka kuptuar asgjë gjithë këto vite dhe se kur ka ndodhur akti i tmerrshëm, ajo nuk ka qenë në shtëpi. 36-vjeçari i arrestuar është dërguar në Prokurorinë e Selanikut dhe akuzohet për përdhunim, joshje dhe incest, të cilat gjithashtu cilësohen nga akuza krime të përsëritura. Ai e pranoi krimin duke rrëfyer se e kishte përdhunuar të bijën që kur ishte 6 vjeç. Dëshmia e tij ka tronditur hetuesit e çështjes, të cilët kanë pohuar se që prej ditës së djeshme kanë marrë në mbrojtje dhe kujdestari vajzën e autorit të krimit.

 

Trafiku i drogës

Bllokohen 458 kg drogë, pranga shoferit të kamionit

Policia Kufitare e Durrësit ka sekuestruar 458 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, ndërsa ka vënë në pranga poseduesin e saj. Burimet e Policisë Portuale bënë me dije se lënda narkotike është zbuluar gjatë kontrollit të ushtruar në një trajler me targa të Tiranës, i cili pritej të hipte në një nga tragetet e linjës Durrës – Bari. Pas kontrollit të policisë droga u zbulua në pjesën e tavanit, e paketuar në 266 pako në formë cilindrike, e cila pas peshimit ka rezultuar të jetë 458 kg në total. Polica ka bërë të ditur se është arrestuar drejtuesi i kamionit, shtetasi Lulëzim Vataj, 35 vjeç, me banim në Tiranë. Në lidhje me këtë ngjarje policia vazhdon hetimet për të identifikuar përfshirjen e personave të tjerë në trafikun e lëndëve narkotike. Një grup hetimor është ngritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për hetimin e personave që kanë organizuar trafikun e rreth 458 kg marijuanë.

 

 

Gjyqi i Shullazit në Shkodër futet në gjurmët e procesit të tejzgjatur të Dritan Dajtit

Sot pritet të zhvillohet seanca në Gjykatën e Apelit për dy të pandehurit Emiliano Shullazi dhe Helidon Harizaj, të akuzuar për armëmbajtje pa leje, proces ky që duket se po përfshihet në të njëjtën vorbull shtyrjesh seancash sikurse ai i Dritan Dajtit. Në mesditë, ashtu sikurse e vendosur një javë më parë nga gjyqtari i çështjes, do të duhet të zhvillohet seanca e cila, është shtyrë të paktën shtatë herë deri tani për mungesën e avokatëve dhe justifikimet për largimin e tyre nga vetë të pandehurit. Këta të fundit, Shullazi dhe Harizaj, janë dënuar nga shkalla e parë e gjykatës së Lezhës, por duket se odiseja e tyre vazhdon edhe në Apelin e Shkodrës, pavarësisht se gjyqtari, duke parë procesin që po shkonte drejt ndërprerjeve të njëpasnjëshme, ka vendosur pezullimin e llogaritjes së afateve të paraburgimit. Kohë më parë në Parlament, ministri Eduard Halimi foli për rëndësinë e shtimit të dënimit të veprave penale, edhe kur ato janë të përsëritura. Ndryshimet në Kuvend për Kodin Penal, morën viston e të gjitha palëve, duke përfshirë Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste. Megjithatë, ende nuk duket qartë se çfarë ndodh me Kodin e Procedurës Penale, pika që kërkon ndryshime edhe nga vetë avokatët. Dy javë më parë, Dhoma Kombëtare e Avokatëve, sidomos për avokatët e procesit ndaj Dritan Dajtit, kërkoi penalizim, por avokatët vetë ia vënë fajin drejtësisë për mungesën e reagimit të shpejtë nga strukturat e drejtësisë për të kryer reformën në Kodin e Procedurës Penale. Ata propozojnë që nëse një proces shtyhet pa fund, i takon barra e provës dhe përgjegjësia e klientëve, të pandehurve, që të vazhdojnë gjyqin vetë, kur po këta të fundit, nuk i pranojnë avokatët që kanë. Ndërkohë sot procesi pritet të vazhdojë sikurse gjithmonë për dy të pandehurit të cilët janë arrestuar në gushtin e vitit 2011 në Shëngjin, gjatë një operacioni të forcave RENEA kundër tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency