Qeveria Miratohet vendimi për rimbursimin e TVSH-së për fermerët

0
158

Ina Jano

MBLEDHJE-QEVERIESë shpejti ulje e TVSH-së për industrinë turistike

Bimët mjekësore, 200 milionë lekë kompensim për kultivuesit

 

Qeveria ka miratuar ditën e djeshme vendimin për rimbursimin e TVSH-së për fermerët në të gjithë vendin. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e përjavshme të kabinetit qeveritar, kreu i ekzekutivit, Berisha, tha se kjo masë fiskale është në vijimësi të reformave që ka ndërmarrë qeveria muajt e fundit për të përmirësuar gjendjen ekonomike të fermerëve, ndërsa nuk përjashtoi edhe efektin pozitiv që ato do të kenë në ekonomi brenda pak muajsh. “Në zbatim të premtimeve të dhëna, të reformave të shpallura, sot (dje) vendosim për rimbursimin e TVSH-së për fermerët. Zoti Ruli, edhe hekurin për serat. Nuk duhet të krijojmë konfuzion, duhet ta kemi shumë të qartë se 70 për qind e serës është hekuri dhe ne u zotuam për gjithçka ka të bëjë me prodhimin”, – u shpreh Kryeministri, duke u dhënë edhe porositë përkatëse ministrave të tij. Në këtë kuadër ai u shpreh edhe lidhje me vendimet e marrë për urbanistikën, pasi edhe bujqësia dhe prodhimi bujqësor mbetet në staniacion. Kryetari i ekzekutivit solli shembullin e një komune të rrethit të Korçës. Në lidhje me këtë rast ai tha: “Vendimi i fundit, ndonëse ata e marrin në “Fletoren zyrtare”, duhet t’ia nisim me shpejtësi, direkt me postë, që të fillojnë nga puna, sepse një kryetar komune në Korçë tha se kishte katër kërkesa për frigorifer, por kishte ato pengesa që ne i zgjidhëm në mënyrë përfundimtare”.

Industria turistike

Kryeministri tregoi edhe një herë më shumë se “town hall”-et me qytetarët kanë prioritet në politikat se ku drejtohet qeveria. Pikërisht në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, operatorët turistikë, që kishin biseduar me kreun e qeverisë, morën një përgjigje pozitive. “Pasi hoqëm taksën prej 10 eurosh për pasagjerët që udhëtojnë me “charter”, si kërkesë e operatorëve turistikë, tani do të ulim TVSH-në e industrisë turistike në tërësi. Do ta bëjmë këtë jo vetëm se e premtova në takimin me operatorët turistikë, të cilët bënë diskutime shumë të përgjegjshme e dhanë mendime shumë të vyera, por e vërteta është se kjo degë është degë kryesore e ekonomisë sot. Ky hap i rëndësishëm do të jetë një lehtësim i madh për ekonominë. Prodhimi bujqësor, që është rritur me shpejtësi, sigurisht si destinacion ka eksportin dhe eksporti i perimeve është rritur 2-3 herë, por edhe konsumin e brendshëm si një faktor tjetër shumë i rëndësishëm. Dhe 4.7 milionë turistë e vizitorë pa diskutim nënkupton një rritje të madhe të konsumit”, – vlerësoi Kryeministri.

Bimët mjekësore

200 milionë lekë nga Fondi i Kontigjencës do t’i kalojnë Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në buxhetin e miratuar për vitin 2013 për të përballuar efektet financiare të kompensimit për të gjithë ata qytetarë të cilët kanë përfituar nga ky proces. Në vendimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave është përcaktuar që kjo ministri të përfitojë këtë shumë për të kompensuar të gjithë ata që kanë mbjellë bimë mjekësore të kultivuara, si sherbelë, livanda, kimus, rigon dhe rozmarinë.

 

 

Urdhri

Kryeministri: Peshkatarëve t’u hiqet TVSH-ja ashtu si fermerëve

Pas bisedimeve të dy ditëve më parë me peshkatarë në qytetin bregdetar të Durrësit, Kryeministri Berisha kërkoi nga ministrat e tij që të fillojnë fuqimisht të hartojnë një plan për sektorin e peshkimit. Ai tha se ky sektor do të jetë përfitues në tërësi i të gjitha lehtësive fiskale ashtu si edhe fermerët, madje u shpreh se do të përfitojnë edhe nga heqja e akcizës së naftës. Berisha informoi se sektori i peshkimit do të jetë përfitues si edhe fermerët në tërësi, i lehtësive fiskale me heqjen e TVSH-së për ushqimin për fermat e akuakulturës dhe mjetet e peshkimit, sikundër do të veprohet si me fermerët edhe për akcizën e naftës. Duke treguar edhe një herë se është tepër i vëmendshëm ndaj të gjitha kërkesave dhe ankesave të bashkëbiseduesve të tij, lideri demokrat nga mbledhja e qeverisë u shpreh se duhet t’i kushtohet vëmendje çdo detaji dhe çdo pyetjeje apo shqetësimi të çdo individi. Kryeministri u shpreh se është domosdoshmëri hartimi i planit kombëtar për peshkimin dhe peshkëzimin, i cili do t’u japë përgjigje problematikave të këtij sektori, ndërsa bëri prezent shqetësimet e dala nga takimi i një dite më parë me peshkatarë dhe sipërmarrës në industrinë e detit. Kryeministri kërkoi edhe rishikimin e procedurës së daljes në det të flotës së peshkimit, duke e konsideruar praktikën aktuale si qëndrim i së kaluarës. “Ky sektor është një potencial shumë i madh në të gjitha aspektet. Ne do t’i lehtësojmë ata”, – u shpreh shefi i ekzekutivit, ndërsa garantoi për një ridimensionim të plotë të akuakulturës.

 

 

Vendimi i KM

Hiqen vizat më Rusinë, Kuvajtin, Katarin, Emiratet e Bashkuara, Arabinë dhe Bahrejnin

Me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, të gjithë shtetasit nga Rusia, Kuvajti, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe nga Bahrejni mund të hyjnë në territorin shqiptar vetëm me anë të pasaportës dhe pa asnjë lloj vize. Në vendim përcaktohet se kjo procedurë do të qëndrojë në fuqi për një periudhë tremujore, nga 25 maji deri në 25 shtator të këtij viti, dhe në të gjithë pikat kufitare të vendit tonë, të gjithë këta shtetas mund të hyjnë në territorin shqiptar vetëm me pasaportë. Është pikërisht Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Brendshme, të cilat do të kujdesen që ky vendim i kabinetit qeveritar të zbatohet, duke dhënë urdhra dhe orientimet përkatëse për të gjitha institucionet. Vendimi ka fuqi të menjëhershme, duke thyer rregullin e zakonshëm, atë të hyrjes në fuqi 15 ditë, pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

TAP

Memorandum mirëkuptimi me Malin e Zi dhe Kroacinë

Këshilli i Ministrave miratoi memorandumin e mirëkuptimit me qeverinë e Malit të Zi dhe Kroacisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin për realizimin e projektit të Gazsjellësit Trans-Adriatik dhe projektit të Gazsjellësit Adriatik Jonian. Kreu i qeverisë, duke prezantuar memorandumin, e konsideroi firmosjen e këtij memorandumi dëshmi e rritjes së leverdishmërisë së projektit TAP, krahasuar me projekte të tjera. “Destinacioni kryesor është Italia dhe Evropa Perëndimore, natyrisht, Shqipëria e Greqia, sepse janë në trajektore, por në çdo eventualitet mundësie, hapet një treg i ri rajonal për këtë projekt, që përbën edhe projektin më të madh që ndërtohet në Shqipëri në fushën energjetike, krahas kaskadës së Devollit”, – u shpreh Berisha, ndërsa vlerësoi se ky vit do të jetë shumë i rëndësishëm për energjetikën shqiptare, ku po ecet paralel në dy drejtime, në drejtimin hidroenergjetik dhe termoenergjetik. “Ky është ndoshta viti më i madh në historinë energjetikës shqiptare. Po ecet paralel në dy drejtime, në drejtimin hidroenergjetik dhe termoenergjetik dhe ndër energjitë termo, gazi është më i leverdishmi për sigurinë në gatim, për ngrohje, se të gjitha materiet e tjera. Kështu që mbështetja publike për TAP, këtë projekt të madh, shkon gjithnjë e në rritje. Së shpejti do të mblidhet edhe Komiteti politik i krijuar nga tre vendet, Shqipëria, Italia dhe Greqi, për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në këtë fushë, natyrisht, në pritje të vendimit të konsorciumit Shah Deniz, ku vend kryesor sigurisht është Azerbajxhani me sipërmarrjen e tij Socar, por po kaq i rëndësishëm është British Petrolium, Total dhe Statoil e Norvegjisë”, – vlerësoi numri një i qeverisë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency