PS tërhiqet për KQZ Rama: Gati të negociojmë për të gjetur kompromis

0
133

Gëzim Saliu

rammmmmmmmmmmmaBatuta e Berishës me autobusin, Blushi: Përballë kemi një karrocë

 

Partia Socialiste tërhiqet nga qëndrimi i saj lidhur me situatën e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar nisjen e negociatave me mazhorancën qeverisëse. Ndryshe nga sa i shprehur më parë, kreu i PS-së, Edi Rama, bëri të ditur dje gjatë udhëtimit me autobusin e “Rilindjes” drejt Elbasanit se forca më e madhe opozitare është e gatshme për një kompromis me PD-në sa i përket KQZ-së, e cila prej thuajse një muaji po ushtron aktivitetin e saj me vetëm katër anëtarë, pas dorëheqjes së tre anëtarëve të propozuar nga e majta. “Ne jemi gati të negociojmë e të gjejmë një kompromis për KQZ-në, edhe pse ai institucion është shkatërruar, duke u kthyer në një organizatë partie, për hir të një procesi sa më normal”, – tha Rama.

 

Të pavarurit dhe aleatët

I pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat kritike të dy prej aleatëve tradicionalë të PS-së, kreut të PSD-së Skënder Gjinushi dhe atij të PDS-së Paskal Milo, Rama deklaroi se pakënaqësitë janë pjesë e së majtës dhe se brenda koalicionit nuk ka probleme. “Është organike që herë pas here aleatët tanë tradicionalë të kenë pakënaqësinë tradicionale, por në thelb nuk ka asgjë problematike. Jemi në një koalicion dhe do fitojmë dhe bashkë do qeverisim qeverinë”, – theksoi Rama. Më tej, kryesocialisti komentoi edhe ekipin e PS-së, duke theksuar se ata që kandidojnë si të pavarur, i shërbejnë qorrazi kundërshtarit politik. “Sigurisht nuk është skuadra jonë arsyeja pse dikush ka vendosur të dalë kundër PS-së dhe të votohet pa dashje ose qorrazi në shërbim të kundërshtarit. Kjo është një rendje që nuk ka asgjë të mirë për individët që kanë marrë nga PS gjithçka që PS ka mundur të japë për dikë, por nuk do i dilte jeta për ti kthyer PS atë që kanë marrë. Nuk ekzistojnë skuadra që të kenë konsensus e të gjithëve, kjo është e pamundur. Unë besoj se ne kemi një skuadër shumë të ekuilibruar me eksperiencën e PS, me prurje të reja, me rikthime të domosdoshme. Këtu në Elbasan kemi të gjithë për çka po flas”, – theksoi Rama. Po ashtu, lidershipi i koalicionit të majtë rikonfirmoi se në rast se PS do të vijë në pushtet, të gjitha koncesionet për të cilat opozita ka pasur dyshime do të rishikohen. “Ne do bëjmë rishikim të plotë të gjithë koncesioneve dhe proceseve që janë karakterizuar nga dyshime të forta apo dështime spektakolare. Kemi filluar punën me një grup ekspertësh të huaj. Për të zhbërë atë që është bërë keq”, – paralajmëroi kreu i PS-së.

 

Batuta e Blushit

Në bashkëbisedimin me gazetarët në autobusin e “Rilindjes”, anëtari i kryesisë së PS-së, njëkohësisht kryesuesi i listës së deputetëve për qarkun e Elbasanit, Ben Blushi, komentoi batutën e tij për shoferin dhe autobusin, duke theksuar se në krahun e kundërshtarët ka vetëm një karrocë. “Kam Saliun që është marrë me batutën e autobusit tim. Dua të them sidoqoftë autobusi ynë duhet të garojë me një karrocë këtë radhë. Ndryshimi me autobusin tonë është se këtu ke të drejtë të flasësh ti, kemi dhe ne. Në rastin tjetër Saliu është edhe karroceri, edhe kali, edhe kamxhiku dhe balta, se karroca e tyre ecën gjithmonë në baltë. Ne do ecim më shpejt dhe do shkojmë në stacionin e këtyre zgjedhjeve me 23 qershor më shpejt se Saliu. Kemi një skuadër shumë përfaqësuese”, – tha anëtari i kryesisë së PS-së, Ben Blushi.

 

 

Prezanton kandidatët në Elbasan

Rama: Nuk do të njohim asnjë gjobë që është vendosur katër muajt e fundit

Në prezantimin e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, kryesocialisti Rama premtoi se PS do të anulojë të gjitha gjobat që janë vendosur në katër muajit e fundit, ndaj bizneseve apo sipërmarrjeve të mëdha. “Ashtu sikundër po shtohen presionet ndaj administratës, ashtu po shtohet dhe vala e gjobave ndaj njerëzve të këtij vendi që në 23 qershor do të shkojnë në votime. Që nga fshatarët që jetojnë me drutë e pyllit dhe gjobat për biznesmenët apo sipërmarrësit e mëdhenj. Nuk do të njohim asnjë gjobë që është vendosur në katër muajt e fundit përpara 23 qershorit. Çdo njeri që ka marrë një gjobë që nga fillimi i muajit mars duhet ta mbajë atë më krenari si një certifikatë në betejën më këtë qeveri, që në mënyrën më të pashpresë mundohet të kapet pas këtyre formave si i mbyturi në fije të barit”, – u shpreh ai. Më tej, ai akuzoi qeverinë se po ushtron presion ndaj rrogëtarëve të shtetit, për të mbështetur PD-në gjatë fushatës elektorale. Rama tha se PS do të dërgojë përpara drejtësisë çdo drejtor shkolle apo spitali, që siç tha ai, ka ushtruar terror psikologjik ndaj rrogëtarëve të shtetit për të mbështetur dhe votuar Partinë Demokratike. “Ne u themi të gjithëve mos u përulni, ruajeni vendin e punës, por mos u përulni. Zotohemi publikisht se çdo drejtor shkolle, çdo drejtor spitali, çdo drejtor i çdo pjese të shtetit që është i angazhuar për të ushtruar terror psikologjik mbi rrogëtarët, pas 23 qershorit do të dalë përpara përgjegjësisë ligjore dhe penale”, – pohoi kreu i PS-së.

 

Takimi në PE

Kreu i PS-së: Brenda vitit të parë të mandatit qeverisës marrim statusin

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka shprehur angazhimin e tij në Parlamentin Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat brenda vitit të parë të mandatit qeverisës. I ftuar në Parlamentin Evropian nga grupi socialist dhe demokrat, kryesocialisti bëri një rezyme të shkurtër të Programit të Partisë Socialiste lidhur me proceset kryesore për të cilat socialistët janë angazhuar për të ndërtuar në qeverinë e majtë që do dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Rama tha se Ribashkimi me Evropën është një ndër pikat kryesore të programit të socialistëve. “Sigurisht zgjedhjet në Shqipëri mbeten një problem shumë i madh, sepse nuk janë të sigurta, kanë qenë të manipuluara. Ne do t’ia dalim për disa arsye të dukshme. Së pari këtë herë jemi të gjithë të bashkuar dhe ndarja e së majtës ka qenë më parë një element shumë favorizues për Berishën dhe partitë e tjera nuk ekzistuan këtë herë”, – tha Rama.

 

Kreu i LSI-së

Meta: Do t’i japim fund neglizhencës për Beratin

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi dje në një sërë takimesh me banorë të qarkut të Beratit se i duhet dhënë fund neglizhencës së qeverisë në infrastrukturën e këtij qarku. I shoqëruar nga deputeti i LSI-së për qarkun e Beratit, Nasip Naço, ai shprehu shqetësimin në lidhje me gjendjen e keqe të rrugës Berat-Çorovodë. “Unë përmenda vetëm dy ditë më parë gjendjen skandaloze të rrugës nacionale Memaliaj-Tepelenë dhe sot më duhet të them këtu në hyrje të qytetit Çorovodë ku që nga viti 2005 ka ngelur papërfunduar rruga Berat-Çorovodë vetëm për tre kilometra, edhe pse kjo gjë është premtuar vazhdimisht gjatë këtyre tetë viteve nga ana e Partisë Demokratike dhe pse kjo gjë na është premtuar neve çdo vit me rastin e miratimeve të buxhetit të vitit në Kuvend si grup parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Edhe unë personalisht, edhe deputeti i qarkut të Beratit dhe i Skraparit, z. Naço, kemi ngritur vazhdimisht këtë çështje e cila nuk ka marrë zgjidhje edhe sot pas këtyre 8 vitesh”, – u shpreh Meta.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency