Pritje madhështore në Fier Berisha: Rama shkelmoi integrimin, njësoj si marrëveshjen me Petro Koçin

0
144

Ina Jano

berishNë 23 qershor zgjidhni modelin e punësimit, jo atë të shkatërrimit

 

 

Fieri ishte qyteti i tretë ku kryetari i PD-së, Sali Berisha, prezantoi kandidatët për deputetë të partisë së tij. Gjatë fjalës së tij, në një pritje madhështore në këtë qytet, kreu demokrat foli për herë të parë për kryesocialistin Rama dhe për marrëdhëniet që ai ka me aleatët e tij, duke sjellë si shembull Petro Koçin. Në kuadër edhe të integrimit, lideri i selisë blu u shpreh: “Firmosëm reforma, ia dolëm me vizat, morëm anëtarësimin në NATO dhe u propozua Shqipërinë për vend kandidat për BE. Por KE la një detyrë shtëpie, 3 ligje, për të cilat me ndërgjegjësimin e tij, ishte arritur ujdia absolute. Statusin Shqipëria nuk e mori sepse, kreu i opozitës, mori përsipër përgjegjësinë historike të shkelmojë mbi një interes të çdo shqiptari, me atë lehtësi që shkelmoi marrëveshjen e Petro Koçit, shkelmoi KE-në, shkelmoi çdo interes të qytetarëve të Fierit”.

Alternativat

Kryeministri vlerësoi se qytetarët shqiptarë përpara kutive të votimit do ta kenë të qartë dallimin mes dy modeleve dhe filozofive, asaj të vlerave të qytetarit nga aleanca e djathtë dhe modelit të shpifjes dhe mashtrimeve në kampin e kundërshtarit. “Alternativa jonë bazohet në lirinë tuaj. Cila është alternativa tjetër? Është e atij që ka sy po nuk shikon, ka veshë po nuk dëgjon, alternativa e tij që është mbyllur në autobus dhe krijon një realitet të paqenë, përpiqen që t’ju nxijnë ju çdo gjë. Midis tre ligjeve me të cilat hapej dera e shqiptarëve për statusin dhe katër partive komuniste që hyn për herë të parë në PS u zgjodhën partitë komuniste. Zgjedhja dëshmon qartë se cila është mendësia dhe mentaliteti për integrimin tonë perëndimor. 23 qershori është një zgjedhje e madhe mes modeleve, e atij që përpiqet me gjithçka për mirëqenien, punësimin e qytetarëve, atij modeli që do ta çojë Shqipërinë drejt Evropës”, – theksoi Berisha, nën një atmosferë të ndezur në qytetin e Fierit, i cili duket se e ka nisur me energjinë e duhur këtë fushatë elektorale. Duke u ndalur rreth asaj ç’ka bërë në 8 vite kjo mazhorancë dhe asaj çfarë do të bëjë në një mandat të tretë, Berisha premtoi se katërvjeçari i ardhshëm do të kurorëzohet me projekte gjigante, ndërsa garantoi se qeveria do bëjë gjithçka për punësimin e çdo qytetari. “Në këto vite kemi ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë, kemi ndërtuar shkolla, qindra ujësjellës, lamë prapa kohën e ndërprerjes me orë të tëra të energjisë, kemi dhënë grante për fermerët. Këto kanë qenë kohërat më të vështira për ekonominë evropiane dhe atë botërore, por djersa juaj dhe reformat tona kanë bërë të mundur uljen me 0,25% të papunësisë. Ne kërkojmë dhe do bëjmë gjithçka, të sigurojmë punë për çdo shqiptar. Nga taksa e sheshtë hoqëm taksat për çdo lloj kapitali, duke bërë që Shqipëria të tërheqë më shumë investitorë të mëdhenj. Pas kaskadës së Devollit, së shpejti priten investime të tjera shumë të mëdha që do mundësojnë krijimin e dhjetëra e qindra vendeve të reja pune. Këto vite ne hapëm një kapitull të ri në bujqësinë shqiptare. Ndryshimet janë, por dhe më të mëdha duhet ti bëjmë ato. Në rast se financuam me grante 42 000 fermerë, ju garantoj se 4 vitet që vinë do financojmë trefishin e tyre. Kudo po ndërtojmë rrugë dhe do vazhdojmë ta bëjmë kudo ku ka shqiptarë. Dita po afron që ne të nisim projektin po kaq madhështor, projektin e vaditjes në të gjitha skajet e vendit. Ne do bëjmë gjithçka për mirëqenien e qytetarëve, rritëm rrogat dhe pensionet, do vazhdojmë ti rrisim, do bëjmë gjithçka që ju të keni një jetë më të mirë”, – përfundoi Kryeministri, ndërsa gjatë të gjithë mitingut, njerëzit në shesh brohorisnin “o Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do”. Pa frikë mund të thuhet se hapja e fushatës për Fierin, nën një entuziazëm të tillë do të reflektohet edhe në 23 qershor, në votat e qytetarëve të këtij rrethi, ndërsa pritet që të jetë një garë e ashpër.

 

 

Olldashi: Rama, koherencë vetëm në rritjen e taksave

Ministri Olldashi, i pari që kryeson qarkun e Fierit në zgjedhjet e 23 qershorit, foli në mitingun në këtë qytet. Ai tha se PD-ja ka ende projekte për të realizuar, ndërsa u shpreh se në këto kushte duhet që të krahasohen edhe alternativat që përballen. “Edi Rama bëri të gjitha përpjekjet për të bllokuar heqjen e vizave, anëtarësimin në NATO, çdo vit votoi kundër ndërtimit të shkollave në Parlament, diplomaty e studentëve i quan letra pa vlerë, duhet të kujtojnë bllokimin e Parlamentit, buxhetit të qeverisë Berisha për të penguar investimet në këtë qark. Të gjithë minatorët i kërcënon me ndërprerje të kontratave dhe hedhjen në rrugë të tyre, kërcënon investitorët e huaj. Ne kemi modelin e qeverisë për qytetarët. Edi Rama ofron modelin se gjithë shqiptarët duhet të punojnë për bizneset e Koço Kokëdhimës. Ne nuk e kemi Shqipërinë, as Fierin për Koçon, por për qytetarët. Në skenën politike të këtij vendi s’ka pasur njeri më të çoroditur se Edi Ramën, vetëm në një gjë ka qenë koherent, rritjen e taksave, me një përjashtim Koço Kokëdhimën. Ai nuk paguan taksa, sa ishte në krye të Bashkisë së Tiranës ju dhe qytetarëve të tjerë të vendit ju vuri taksën për të hyrë në kryeqytet, a thua se ju jeni qytetarë të dorës së dytë”, – u shpreh Olldashi.

 

 

 

Koçi: Bashkëpunëtorët e Berishës në 2005, sot në listat e PS-së

Menjëherë pas deklaratave të numrit një të qeverisë nga Fieri, reagoi edhe Petro Koçi. Ai u shpreh se nuk kishte ndonjë marrëveshje me Ramën për të qenë në listat e kandidatëve, por nga ana tjetër do ta mirëpriste një përfshirje brenda PS-së. Duhet theksuar se zoti Koçi e shkriu partinë e tij PSV 99 me PS-në, por nuk ka shprehur hapur pakënaqësi për Ramën. Gjithsesi, ai lëshon edhe një tjetër deklaratë për liderin demokrat, duke u shprehur se ata që bashkëpunuan me Berishën në 2005, për të rrëzuar pushtetin e Nanos, sot ndodhen në listat e PS-së për deputetë. “Mësoj se zoti Berisha me paska qarë hallin në fjalimin e tij pa entuziazëm në Fier duke trilluar se Edi Rama paska grisur një marrëveshje me mua për punë listash. E sqaroj fjalimmbajtësin fjalëmosmbajtës se nuk kam pasur ndonjë marrëveshje me Edi Ramën për lista kandidaturash. PS nuk më ka asnjë borxh. Sigurisht që e mirëprisja përfshirjen time në përfaqësimin socialist për Parlamentin e ardhshëm. Berisha bën mirë të rrëfejë emrat e bashkëpunëtorëve të tij në 2005-ën që komplotuan për rrëzimin e socialistëve nga pushteti dhe sot janë pjesë e listave të PS!”, – është reagimi i plotë i zotit Koçi.

 

 

Shkëlzen Berisha: Balla të fokusohet në gjyqet ekzistuese

Djali i Kryeministrit, Shkëlzen Berisha, ka reaguar në lidhje me deklaratën që dje deputeti socialist, Taulant Balla, ka bërë nga selia e partisë së tij. Ndër të tjera, zoti Berisha shprehet në njoftimin e tij për mediat se ka shkelur premtimin e bërë për ditën e nënës, duke sulmuar ashpër familjen e tij dhe për më tepër në një ditë të shënuar siç ishte ajo e djeshmja. “Sot (dje) në ditën ndërkombëtare të familjes z. Rama nxori shpifësin e tij z. Balla për të bërë të kundërtën e asaj që u zotua se nuk do të bënte në ditën ndërkombëtare të nënës. Përbaltjen e familjes së kundërshtarit politik. Taulant Balla ka një historik të gjatë në marrjen përsipër të fajeve për Edi Ramën. Ai është shpallur fajtor për shpifje dhe është urdhëruar të kërkojë falje publike nga gjykata para dy ditësh për deklaratat e tij lidhur me gënjeshtra të tjera që nuk është i aftë t’i provojë. Tani që flasim, z. Balla është duke anashkaluar nga frika ballafaqimin me më shumë se një duzinë familjesh të cilat i ofendoi para 6 muajsh. Z. Balla ka frikë të ballafaqohet në gjykatë me këto familje dhe e ka shtyrë gjyqin 7 herë në këto 5 muaj, ç’ka është një rekord i veçantë për çështjet civile. Z. Balla duhet të fokusohet më shumë në çështjet gjyqësore ekzistuese, sesa të fillojë çështje të reja”, – përfundon deklaratën e tij, djali i shefit të qeverisë.

 

 

Mediu: PR merr një mandat në Shkodër

Partia Republikane synon të marrë një mandat në qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e 23 qershorit. Fatmir Mediu vlerësoi figurat e botës akademike të angazhuar në radhët e republikanëve. Mediu foli për të drejtat e qytetarëve, pronën dhe nevojën e shtetit të së drejtës. “E kuptojmë këtë si një moment të rëndësishëm politik, sidomos ne republikanët që besojmë tek familja dhe tek prona. Sepse ka disa të drejta që janë të drejta thelbësore, që përcaktojnë në fund të fundit kufijtë e veprimit të shtetit. Shtetin e kemi krijuar për të na shërbyer dhe jo për ti shërbyer. Ne flasim për shtet ligjor, por Partia Republikane duhet të nisë pikërisht revolucionin për të folur për shtet të së drejtës”, – tha Fatmir Mediu, kreu i PR-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency