Merrni të gjitha masat ligjore që trupa gjyqësore të mos e çojë drejt dështimit gjyqin

0
189

Sonja Caka

Elvis-Cefa-300x221Elvis Cefa, Krimeve të Rënda:

Gjyqi shtyhet sërish, gjykata nuk i jep kohën e kërkuar nga i pandehuri Dajti që të flasë me avokatin. Arsyetimi: 20 minuta i ke të mjaftueshme

 

Pas mbi një viti staniacioni të procesit gjyqësor ndaj Dritan Dajtit, i akuzuari për vrasjen e katërfishtë të policëve në Durrës, më në fund ka reaguar edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, konkretisht nënkryetari i saj Elvis Cefa. I pyetur nga mediat lidhur me shtyrjet e njëpasnjëshme të këtij procesi, numri dy i KLD-së anonçoi realizimin e një takimi në ditët në vazhdim me kreun e Dhomës Kombëtare të Avokatisë për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, ndërsa i bëri apel Gjykatës së Krimeve të Rënda t’i japë zgjidhje proces dhe trupa gjyqësore të mos e çojë drejt dështimit. “Po dëmtojnë dhe po çojnë drejt dështimit një proces. Është gjykata ajo që ka kompetencën për të vendosur mbi ecurinë e këtij procesi”, – ka deklaruar Cefa, duke i tërhequr vëmendjen Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe trupës gjyqësore. Prandaj dhe, situata në të cilën ndodhet kjo çështje, e cila po krijon një precedent të rrezikshëm në drejtësinë shqiptare, e ka detyruar nënkryetarin e KLD-së të ndërhyje e të kërkojë që gjykata të zhbllokojë sa më shpejt procesin. “Do të merren masa ndaj avokatëve që çojnë në dështimin e proceseve. Masat në raste konstatimi të zvarritjes së procesit do të bazohen në ligj ndaj të gjithë aktorëve në këtë proces. Procesi ndaj Dritan Dajtit njihet si problematik. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka marrë masat që i takojnë, por është i limituar. Çështja ndaj Dajtit i takon Gjykatës së Krimeve të Rënda, pra edhe zgjidhja i takon atij institucioni. I kemi kërkuar Dhomës së Avokatisë të marrë masa ndaj avokatëve që bllokojnë këtë proces gjyqësor”, – u shpreh Cefa. Zëvendëskryetari i KLD-së kërkon që të merren të gjithë masat ligjore që trupa gjyqësore te mos e çojë drejt dështimit këtë proces gjyqësor. Ndërkohë që, i pandehuri Dritan Dajti në çdo seancë gjyqësore, kërkon avokat dhe akuzon togat e zeza se janë ata që po zvarrisin me qëllim procesin gjyqësor ndaj tij. Edhe dje, seanca e radhës ka dështuar. Në gjyq është paraqitur avokati Perlat Koçillari, ndërsa i pandehuri Dajti ka kërkuar kohë të mjaftueshme për të folur dhe konsultuar me avokatin e ardhur në gjyq, por gjykata e ka rrëzuar këtë kërkesë duke deklaruar se 20 minuta janë kohë e mjaftueshme për t’u konsultuar me të. Duket se mospranimi i kërkesës nga trupa gjyqësore solli edhe largimin e Dajtit nga gjyqi dhe detyrimin e gjykatës për të caktuar dy avokatë të tjerë kryesisht për në seancën e sotme.

 

 

Vrasja e kryekomisarit, Kastriot Gosturani refuzon të dëshmojë

Më herët kishte refuzuar të dëshmonte edhe kolegu i tij Fatmir Hoxha. I pandehuri Xhakja kërkoi ballafaqimin e tij me këta dy dëshmitarë okularë

Sonja Caka

Kastriot Gosturani, dëshmitar okular në vrasjen e kryekomisarit Adem Tahiraj dhe ish-efektiv policie në komisariatin e Shijakut, refuzon të dëshmojë për vrasjen e shefit të tij. Ish-polici deklaroi se nuk dëshiron të flasë për ngjarjen, duke shfrytëzuar hapësirën që i jep ligji për të mos dëshmuar nëse nuk dëshiron, ndërkohë që gjatë seancës nuk u lexuan as deklarimet e tij të dhëna para organit të akuzës në momentin pas ngjarjes apo dhe gjatë hetimeve. Më herët, ish-i pandehuri në këtë proces, për disa seanca nuk i është përgjigjur thirrjes së gjykatës për të ardhur për të dëshmuar, saqë trupës gjyqësore i është dashur ndihma e policisë për ta gjetur. Ndërkohë që, nuk është i vetmi dëshmitar okular i ngjarjes, njëkohësisht edhe në pozicionin e të pandehurit që nuk pranojë të dëshmojë për ngjarjen në gjykatë. Të njëjtën gjë ka bërë dy seanca më parë edhe shoferi i kryekomisarit të vrarë, Fatmir Hoxha, i cili në sallën e gjyqit ka refuzuar të dëshmojë për ngjarjen, duke u lexuar deklarimet e tij të dhëna para Policisë Gjyqësore. Ndërkohë që asnjë prej tyre nuk dëshiron të dëshmojë çfarë ndodhi 13 shtatorin e vitit të kaluar, ku një drejtues policie humbi jetën, i pandehuri Ilir Xhakja ka kërkuar një seancë më parë nga gjykata një ballafaqim me Hoxhën dhe Gosturanin për këtë ngjarje, ku kërkohet të tregohet versioni i pretenduar prej tij për këtë ngjarje. Pas refuzimit të Gosturanit për të dëshmuar, gjykata vendosi të shtyjë seancën ndërsa i la kohë prokurorit për të dorëzuar javën e ardhshme provat shkresore që disponon.

Vendimi

Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani janë dy efektivët e policisë të dënuar nga Gjykata e Durrësit për “Shpërdorim detyre” dhe “Mosveprim” për të parandaluar vrasjen e kryekomisariat të Shijakut, Adem Tahiraj. Për ish-shefin e Krimeve, Kastriot Gosturani, trupi gjykues vendosi që dënimin me 8 muaj ta shlyejë në “Arrest shtëpie” dhe të pezullohet për 3 vjet në ushtrimin e detyrës së tij, si punonjës i policisë. Ndërsa për Fatmir Hoxhën, me detyrë shofer i komisarit të vrarë, është lënë 8 muaj burg, si dhe është vendosur pezullimi me 3 vjet nga detyra në polici. Sipas organit të akuzës, të pandehurit kanë pasur mundësi për të ndërhyrë dhe parandaluar njëkohësisht vrasjen e shefit të tyre, por ata kanë ngurruar ta bëjnë këtë veprim, duke qëndruar indiferentë gjatë kohës që Ilir Xhakja shkrehu 5 herë armën në drejtim të komisarit, duke e lënë të vdekur në vend.

 

 

Konferenca

Nishani: Pajisje dixhitale e sallave të gjyqit për një proces sa më transparent

Prej disa kohësh në gjykata ka filluar regjistrimi i seancave, i mundësuar nga donatorët amerikanë të USAID-it, përmes projektit “Just”. Por, jo në të gjitha gjykatat bëhet regjistrimi audio i proceseve gjyqësore, veprim i cili shihet me dyshim edhe nga vetë Kreu i shtetit, i cili në të njëjtën kohë ushtron edhe detyrën e kreut të KLD-së, z. Bujar Nishani. “Unë do të nxisja çdo kryetar gjykate dhe çdo gjyqtar pa përjashtim, që pa hezitim të zbatojnë sistemin e regjistrimit dixhital audio. Jam më se i bindur se zbatimi i këtij sistemi do të passjellë vetëm rezultate pozitive. Ashtu si çdo qytetar i këtij vendi, kam të drejtën të bëhem dyshues nëse hezitohet të zbatohet ky sistem”, – u shpreh z. Nishani. Sipas tij, regjistrimi dixhital do kishte ndikime pozitive në rritjen e efiçencës së menaxhimit të proceseve gjyqësore, në përmirësimin e performancës profesionale të cilitdo gjyqtar, pse jo edhe në uljen e rasteve korruptive dhe në përmirësimin mbi të gjitha, të perceptimit të opinionit të gjerë publik. Gjithashtu, një tjetër aspekt pozitiv, sipas Presidentit Nishani, shihet edhe tek ndikimi që do të ketë ky sistem tek vlerësimi sa më realist i cilitdo gjyqtar. “Jam më se i sigurt se do të mjaftonte të dëgjoheshin pak seanca të drejtuara nga një gjyqtar për të krijuar një ide të qartë mbi aftësitë e tij profesionale, juridike, organizuese, zbatuese e ato komunikuese. Pra ky sistem duhet të bëhet gjithashtu një mjet në duart e Kryetarit të Gjykatës, të KLD-së, por edhe të vetë palëve, për të vërtetuar aftësitë, paanshmërinë, përgjegjshmërinë dhe efiçencën e të gjithë gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë. Padyshim që kjo do të ndihmonte si kryetarët, ashtu edhe KLD-në në kryerjen e vlerësimeve sa më realiste, në vlerësimin periodik të performancës së gjyqtarëve”, – vijoi ai. Më pas, në konferencë e ka marrë fjalën e dhe kreu i Ministrisë së Drejtësisë, z. Eduard Halimi. Në fokus të diskutimit të tij, përveç dixhitalizimit të seancave dhe rolit të krerëve të gjykatave, ishte mosvotimi i ligjit të Gjykatës së Lartë nga opozita. “Ligji i Gjykatës së Lartë, u hartuar bashkë me drejtuesit e gjykatave, bashkë me ekspertët e BE sipas modelit të BE-së. Po ai ligj vazhdon të bllokohet edhe sot në parlament, duke bllokuar jo vetëm integrimin e vendit por edhe duke i krijuar një dem te madh sistemit te drejtësisë. Të bllokosh ligjin e Gjykatës së Lartë që e zhvesh atë nga politika dhe bën gjykatë karriere, duke vendosur kushte se disa gjyqtare dua t’i emëroj unë, është ta shohësh drejtësinë dhe Gjykatën e Lartë si një gjykatë pazari, dhe është as më shumë e as më pak një thikë në zemër drejtësisë dhe besimit të qytetarëve të drejtësia, theksoi ministri duke shprehur besimin se reforma në drejtësi ka nevojë për bashkëpunim në vizion të përbashkët në të mirë të vendit. Gjykata e Larte në vizionin tonë duhet të jetë gjykatë karriere dhe ata që gjykojnë në të, duhet të kalojnë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, shkallë e parë, apel dhe pastaj Gjykatë e Lartë”, – u shpreh ministri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency