Hapet fushata në Durrës Berisha: Punësimi qëllimi madhor i aleancës sonë, votoni ndryshimin

0
96

Ina Jano

fushatatPremtoj liberalizim vizash edhe me SHBA-në

 

Kryeministri Berisha deklaroi dje se punësimi është qëllimi madhor i aleancës së djathtë dhe kjo është alternativa që duhet të zgjedhin shqiptarët në këto zgjedhje. “Punësimi juaj është qëllimi më madhor i programit tonë ekonomik. Cila është alternativa tjetër?

Është ajo e ngritjes së taksave, e shkatërrimit të vendeve të punë, e largimit të investimeve, është ajo që Shqipëria dhe qytetarët e saj do punojnë për qeverinë, ndërsa alternativa jonë është që ne qeveria të punojë për qytetarët. Alternativa jonë është vizionit, e përpjekjes së sigurt”, – u shpreh kreu i demokratëve. Në kuadër edhe të fushatës elektorale, Kryeministri pohoi se do të liberalizohen vizat edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në katër vitet e ardhshme. “Me reforma të thella, ne hoqëm vizat me Europën, me reforma të thella do heqim vizat me SHBA dhe ju do lëvizni të lirë në mbarë botën. Ne ju besojmë ju, mundit dhe djersës suaj, aspiratave vlerave tuaja, asgjë nuk do të pengojë rrugën tonë drejt integrimit, rrugën tonë drejt punësimit, drejt mirëqenies”, – nënvizoi shefi i qeverisë. Berisha theksoi se sot përballen mes tyre dy alternativa. Sipas tij, alternativa e djathtë është ajo e vlerave dhe lirive, kurse ajo e majtë, e shkatërrimit dhe bllokimit. “Sot përballen dy qëndrime, dy alternativa. Përballet alternativa jonë e bazuar në vlerat më të mira në liritë familjen në kombin dhe integrimin. Kjo alternative na udhëhoqi ne dhe këto 20 vite, mundi dhe djersa juaj, e emigrantëve shqiptarë kudo që janë, reformat tona bënë të mundur që të ngrihemi nga një mjerim i paparë ndonjëherë dhe të ecim të sigurt në rrugën e begatisë dhe prosperitetit. Ne shkojmë në këto zgjedhje me programin më të shkëlqyer më të sigurt, konkret për punësimin e qytetarëve shqiptarë. Detet e ekonomisë europiane dhe botërore kanë qenë më me tallaze se kurrë, por ekonomia shqiptare, në vitet më të vështira, ia doli me sukses të ruajë rritjen e saj. Ia doli të krijojë vende pune dhe të japë ulje të papunësisë. Këto vite në kulmin e një krize, besimi ynë tek liri9të tuaja, iniciativa juaj e lirë ka bërë që Shqipëria të marrë më shumë se kurrë investime të huaja, të krijojë vende pune. Në këto vite, Durrësi, i shekujve dhe mijëvjeçarëve, Shqipëria me brigjet dhe malet e saj, janë ngritur në kurorën e vendeve turistike të botës. Janë krijuar kështu mijëra e qindra vende pune”, – u shpreh lideri demokrat. Në sheshin Taulantia të Durrësit, mbushur plot me qytetarë, kreu i ekzekutivit tha se shqiptarët duhet të votojnë për integrimin, mirëqenien dhe punësimin e të gjithëve, dhe shtoi se kjo është alternative që PD-ja përfaqëson. Kryeministri sulmoi ashpër kreun e Partisë Socialiste për bllokim të integrimit.
“Si ka mundësi që në 22 vjet me radhë të gjitha ngjarjet e mëdha të integrimit, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, NATO, marrëveshja e Stabilizim Asociimit, liberalizimi i vizave, propozimi i statusit, të lidhen vetëm me emrin e PD-së. Ne nuk kemi qene 22 vite në pushtet, kemi njohur pushtetin dhe opozitën, dhe kemi qëndruar në mbështetje të fuqishme të integrimit. Por atëherë çfarë ndodh me partinë tjetër, si ka mundësi që në 20 vite nuk ka qoftë dhe një firmë të vetme në integrimin e Shqipërisë drejt botës perëndimore”, – tha Berisha.

 

Tre të parët e Durrësit

Gjatë mitingut të mbrëmshëm mbajtën fjalën e tyre tre kandidatët demokratë që janë në listën për këtë qark. Përkatësisht ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, kreu I PD-së së Durrësit Igli Cara dhe shefi i kabinetit të Kryeministrit, Oerd Bylykbashi. Duke vënë në dukje të gjitha hapat pozitivë që ka pësuar vendi ynë në këto vite, tre demokratët e parë premtuan edhe më tepër për zhvillimin e qytetit të tyre. “Kemi dixhitalizuar gjithçka, kemi investuar në punësim në Durrës, duke ndërtuar mbi 400 km rrugë dhe duke punësuar mijëra durrsakë. Kemi kaluar në 4.7 milionë turistë në vit dhe kemi zgjeruar të gjithë portin e këtij qyteti”, – tha Halimi. Ndërsa Bylykbashi vijoi më tej duke thënë se PD ka ndërtuar mbi 10.000 km rrugë. “Rrugë që krijojnë vende pune, biznese të reja, qe na kursejnë kohen dhe qe sjellin zhvillim. Ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1.300 shkolla të reja. Shkolla të pajisura me kompjuter dhe internet. Kemi ndërtuar e rindërtuar mbi 400 spitale dhe qendra te reja shëndetësore me teknologji moderne qe shpëton jetë çdo ditë. Kjo është Shqipëria qe kemi ndërtuar! Kjo është Shqipëria e zhvilluar, Shqipëria europiane! Një vend i cili është ne rrugën e duhur për t’u anëtarësuar në BE!”, – u shpreh kreu i kabinetit të Berishës.

 

 

Bashkëbisedimi

Kryeministri: Dako të kërkojë falje për bllokimin e portit të peshkimit

 

Në një vizitë në qytetin e Durrësit kreu i qeverisë Berisha përuroi portin e ri të peshkimit, ku edhe bashkëbisedoi me peshkatarë që punojnë aty prej vitesh. “Jam shumë i impresionuar që jam sot (dje) tek ju ‘burrat e detit’, njerëzit e guximit dhe të sakrificës, vetëmohimit ndaj dhe dua tju shpreh ju nderimin tim më të madh dhe tu garantoj se së bashku do përcaktojmë në kuadrin e një plani kombëtar për peshkimin rregullat e mbështetjes tuaj, do dëgjoj me interes dhe vëmendje të gjitha sugjerimet se si ne këtë degë me potencial kaq të madh për ekonominë tonë ta vendosim në vendin që meriton. Një investim prej 14 milion eurosh që do të krijojë për flotën e peshkimit të Durrësit kushtet më normalet ë veprimtarisë tuaj. Kryetari i Bashkisë duhet të kërkojë të falur, se ua them haptazi ju se nuk do ishim takuar për të inauguruar fillimin e punimeve por përfundimin dhe ai e ka bllokuar në mënyrë të çuditshme dhe të paarsyeshme. Por, me ato motive që e bllokoi e zhbllokoi”, – theksoi Berisha. Ai bëri me dije se pak ditë më parë në Këshillin e Rregullimit të Territorit u miratua edhe plani i rregullimit të Durrësit, i cili sipas tij do të shpëtojë qytetin nga betoni i kryebashkiakut socialist Vangjush Dako. “Bashkë me këtë port u bë plani i rregullimit të Durrësit, plan i shkëlqyer aq sa ka mbetur nga betoni i Vangjushit, plani është hartuar nga një kompani shumë serioze. Kryetari na u kundërvu shumë se me ketë projekt kishim dhe tregun e peshkut, por ky e a mendjen vetëm tek betoni. Sot me këtë infrastrukturë tregu i peshkut të Durrësit i shërben edhe Tiranës”, u shpreh Berisha. Kryeministri premtoi lehtësira për biznesin e peshkimit, duke deklaruar se do të zbresë taksën e portit në 1/10 e saj. “20 milion euro kredi të butë, ç’ka do të thotë do jetë garanci shtetërore dhe qeveritare. Lidhur me naftën do iu rimbursohet akciza e naftës, e plotë. Ne do heqim TVSH për të gjitha materialet që përdorni. Taksa e portit absolutisht për peshkimin do të zbresë në 1/10 e saj. Nëse është 1 mijë do bëhet 100. Do kërkoj që anijet e peshkimit të kenë taksën 100 euro”, – përfundoi shefi i qeverisë në bashkëbisedimin me të gjithë peshkatarët.

 

 

Akuzat

Vorpsi: Në Berat investuam 18 herë më shumë se PS

 

Zëdhënësja e Partisë Demokratike Laura Vorpsi, në një deklaratë për mediat ditën e djeshme ju përgjigj akuzave të kryesocialistit Rama për investimet në qytetin e Beratit tha se demokratët kanë investuar 18 herë më shumë se socialistët. Partia Demokratike i cilësoi akuzat e Ramës ndaj qeverisë në Berat, si urrejtje të papërmbajtur per qytetarët. “Qytetarët e Beratit dhe mbarë shqiptarë ndjehen krenare sepse lëvizin tani pa viza në Europë megjithëse Edvini dhe neobllokmenët e Partisë Socialiste bënë çdo gjë që ti ndrynin vizat në kuti e të bllokonin heqjen e tyre . Partia Demokratike e di mirë se qytetarët e Beratit kanë plot probleme për të zgjidhur dhe përballen me jo pak vështirësi. Por ata e dinë se gjatë këtyre viteve qeveria e Partisë Demokratike ka investuar në qarkun e Beratit 18 herë më shumë se sa qeveria e Partisë Socialiste”, – u shpreh Vorpsi. Në këto vite në qarkun e Beratit janë ndërtuar dhe rindërtuar 510 km rrugë kombëtare rurale dytësore dhe të treta , në të katër anët e këtij qarku. Qytetarët e Beratit vlerësojnë shumë faktin se qeveria po ndërton boshtin e jugut të cilin zoti Edvin ka frikë ti përmend emrin. Në rindërtim të plotë janë rrugët kombëtare që lidhin Beratin me Lushnjën, Beratin me Fierin dhe Vlorën. Po kështu janë rritur me 110% pensionet e fermerëve dhe mbi dyfishuar rrogat në arsim dhe shëndetësi. Në Qarkun e Beratit janë krijuar 3500 biznese të reja, janë ndërtuar 60 shkolla e kopshte, 46 qendra shëndetësore, është ndërtuar ujësjellësi i Beratit dhe i Kuçovës dhe 29 ujësjellësa dhe sisteme kanalizimi të tjera”, – vuri në dukje zëdhënësja e demokratëve.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency