Engel: Të zgjidhet situata me KQZ-në, dëshiroj ta shoh Shqipërinë në BE

0
131

Florenc Drizari

 

engelEliot Engel: Këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe mbarë bota i ka sytë nga ato

 

Kongresmeni amerikan Eliot Engel, gjatë një interviste që dha për Radion Evropa e Lirë komentoi situatën më të fundit në Shqipëri duke vënë theksin tek zgjidhja e ngërçit të krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe tek zhvillimi i një procesi elektoral brenda standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Ligjvënësi në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, tha se zgjedhjet e ardhshme janë një test shumë i rëndësishëm për konsolidimin e institucioneve demokratike në Shqipëri dhe mbarëvajtja e tyre do të jetë vendimtare për rekomandimin e statusit të vendit kandidat nga BE-ja. Duke komentuar debatet politike që bëhen në Shqipëri për situatën në të cilën ndodhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kongresmeni amerikan thotë se shpreson që palët të gjejnë një zgjidhje në të mirë të procesit dhe shqiptarëve, pasi sipas tij, standardet në zgjedhje duhen respektuar.

ELIOT ENGEL

“Shpresoj që mosmarrëveshjet që ekzistojnë tani në Shqipëri në raport me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe mosmarrëveshjet e tjera do të adresohen. Shpresoj që kushdo që fiton, të ketë një fitore që do të respektohet nga të gjithë. Nuk mund t’i kemi konfrontimet që patëm para disa vjetësh, nuk mund të kemi një situatë në të cilën një parti politike nuk merr pjesë në Kuvend, cilado parti politike qoftë ajo. Kushdo që zgjidhet duhet të marrë pjesë në Kuvend. Shqipëria duhet ta dëshmojë se e meriton t’i bashkohet BE-së dhe zgjedhjet do të zënë një pjesë të madhe në gjykimin e BE-së për kandidaturën e Shqipërisë. Unë mendoj se Shqipëria duhet të jetë kandidate. Do të doja të shihja si Shqipërinë, ashtu edhe Kosovën, por për Shqipërinë këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe mbarë bota i ka sytë nga këto zgjedhje”, – ka thënë Engel.

Sipas kongresmenit amerikan, Shqipëria e meriton vendin e saj në Bashkimin Evropian dhe për këtë ai i bën thirrje klasës politike shqiptare për zhvillimin e një procesi të drejtë zgjedhor.

“Do të ketë ndikim shumë të madh, e di që të gjithë i kanë sytë andej. Kishim një dëgjim javën e kaluar në Komitetin e Helsinkit për zgjedhjet në Shqipëri. Shpresoj që zgjedhjet të ecin mbarë dhe shpresoj që kushdo që fiton të jetë fitues dhe të mos ketë mashtrime. Shqipërinë, e cila sot është një anëtare krenare e NATO-s, isha shumë i lumtur ta shihja duke hyrë në NATO dhe do të doja ta shihja që të anëtarësohet edhe në BE. Bashkimi Evropian do t’i vëzhgojë këto zgjedhje dhe do të vendosë nëse Shqipëria është kandidate për anëtarësim në BE, bazuar në masë të madhe në mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve”, – theksoi Engel.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency