Gëzim Saliu
“Në 23 qershor votoni për punësimin dhe integrimin, Tirana, zemra e kombit do jetë blu”
Partia Demokratike çeli zyrtarisht dje në Tiranë fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. Në sheshin “Nënë Tereza”, të mbushur me mijëra qytetarë, Kryeministri Berisha u zotua se të gjithë deputetët e forcës më të madhe politike në vend do të jenë pjesë e Parlamentit të ardhshëm për t’i shërbyer qytetarit dhe jo partisë. “Një nderim të madh për ju vajza dhe djem, gra dhe burra të Tiranës, që jeni sot në këtë shesh për të çelur së bashku fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit në Tiranën blu, në Tiranën e vlerave, në Tiranën që përbën zemrën e kombit, trurin e tij. Kam nder të madh sot të paraqes para jush, ekipin e parlamentarëve të ardhshëm, të koalicionit të qendrës, qendrës së djathtë dhe së djathtës, koalicionit më të gjerë, në historinë politike të pluralizmit shqiptar. Jam sot këtu për t’u zotuar para jush se asnjëri nga këta gra e burra që qëndrojnë para jush nuk janë deputetë të partisë, por secili prej tyre janë deputetë të qytetarit, të qytetarëve të Tiranës, Shqipërisë, për ne. Në çdo kohë, në çdo stinë, në çdo ditë është dhe do jetë qytetari, interesat, aspiratat, idealet, problemet e tij”, – premtoi Berisha.
Fjalimi
Sipas kreut të Partisë Demokratike, qytetarët më 23 qershor do të votojnë për vokacionin perëndimor, i cili përfaqësohet nga “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”. “Në 23 qershor,qytetarët shqiptarë, ato të Tiranës janë të ftuar të vendosin për modelin e vokacionit të tyre. Shqiptarë e shqiptare, gjithçka që keni realizuar për veten, për familjet tona, ka qenë një lloj rezultat i përpjekjes njerëzore të shqiptarëve. Këta burra dhe gra që kemi sot përballë, forca politike të koalicionit për punësimin, mirëqenies, dhe integrimit, në asnjë ditë, në asnjë orë, nuk i lejuan kurrë vetes të ngrihen e të kundërshtojnë këtë vokacion. Në të gjithë morinë e kundërshtive, debateve, ato kanë qenë dhe mbeten avokatët të pamposhtur, të këtij vokacioni. Shqiptarë dhe shqiptare, qytetarë të mbarë Shqipërisë, 23 qershori është zgjedhja e madhe”, – theksoi Berisha. Më tej, Kryeministri pohoi se plani i së djathtës është i shkëlqyer dhe se 4 vitet që vijnë, do të jenë vite të projekteve gjigante. “Qytetarë të Tiranës e mbarë Shqipërisë, ju garantoj ju se në axhendën e tyre në përpjekjen e tyre do kenë punësimin, krijimin e vendeve të punës, rritjen e rrogave tuaja. Ne kemi plan të shkëlqyer punësimi që përsëri ju ka në epiqendër ju, forcat dhe energjitë tuaja. 4 vitet që vijnë janë vite të projekteve gjigante për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne garantojmë statusin, hapjen e negociatave do bëjmë gjithçka për një jetë më të mirë, për çdo shqiptar. Qytetarë shqiptarë dhe ju të Tiranës, le të vendosim ne të zhvillojmë kësaj radhe fushatën më të civilizuar, fushatën e vlerave që ne u besojmë, fushatën e cila do të bindë çdo qytetar shqiptar pavarësisht përkatësive partiake se ne jemi ndryshimi”, – nënvizoi kreu i PD-së.
Alternativa e majtë
Në fjalimin e tij në çeljen e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, kreu i qeverisë u ndal edhe tek alternativa e koalicionit të majtë, të cilën e cilësoi si alternativën e bllokimit. “Ajo alternativë bëri gjithçka për të bllokuar integrimin në Këshillin e Evropës, për të bllokuar marrëveshjen e stabilizim asocimit, për të bllokuar anëtarësimin në NATO, bëri gjithçka për t’iu lënë iu pa viza. Ajo alternativë sot e quan veten Aleanca e Shqipërisë Evropiane, e vërtetë kjo sa ç’është i vërtetë zotimi i 1 prillit. Alternativa tjetër është alternativa e cila kërkon të bëjë Shqipërinë që të punojë për qeverinë. Alternativa e besimit tek diktati qeveritar, e taksave të larta e pushtimit të hapësirave të iniciativës së lirë”, – tha Berisha. Sipas kreut të forcës më të madhe politike në vend, shqiptarët do të bëjnë qartë dallimin mes dy alternativa në 23 qershor, ku theksoi ai, e djathta vjen me projektin e punësimit dhe integrimit. “Ne të ecim së bashku për veten tonë, për fëmijët tanë, për Shqipërinë në Evropë, për Shqipërinë e integruar. 23 qershori është dita e gjykimit tuaj historik, tuaj të madh tek kutitë e votimit përballen dy filozofi dy qëndrime. Ne kemi mbrojtur në 20 vite parimet që besojmë. Sa qeverisi Tiranë dy dhe trefishoi taksat. Tani kalon nga një qytet në një tjetër duke thënë se do të heqë taksat. Ajo është alternativa e taksave të larta e shkatërrimit të vendeve të punës, e largimit të investitorëve. Z. Basha, demokratët e Tiranës të falënderojnë ty për rrotacionin që i bëre z. Rama, por herën e dytë miqtë e mi rrotacionin ia bën Koço Kokëdhima të tretin do t’ia bëjë Tirana, do t’ia bëjë Shqipëria”, – deklaroi Berisha.
Reagimi i PD
Vorpsi: Në vitin 2012 turistët ishin 4.7 milionë, bota na promovon si një nga vendet më tërheqëse
Partia Demokratike ka hedhur poshtë akuzat e Partisë Socialiste, lidhur me mospërmbushjen e detyrimeve të qeverisë në sektorin e turizmit. Në një dalje publike, zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi, ndërsa mohoi vërtetësinë e deklaratave, akuzoi kreun e PS se vetë ai për 8 vite si kryebashkiak nuk ka bërë asgjë për turizmin, përveçse rriti taksat për hotelet. “Sot, si gjithmonë, Edi Rama lëshoi një sulm tjetër absurd të shpikur në sallonin e tij mavi. Ndërkohë që Edi Rama vazhdon t’i fyejë shqiptarët duke u thënë atyre se e zeza është e bardhë, se gënjeshtrat janë të vërteta dhe se e shkuara është e ardhmja, Partia Demokratike po punon për bërë përmirësime reale në jetën e qytetarëve. Ndërkohë që si Kryebashkiak, Rama i kishte të gjitha mundësitë për të punuar drejt shtimit të turizmit, gjë që nuk e bëri. Përkundrazi, plani i tij i vetëm për turizmin ishte rritja e taksave të hoteleve, duke e dëmtuar turizmin. Qytetarët meritojnë trajtim më të mirë se kaq. Prandaj, Partia Demokratike ka ndërmarrë hapa konkret për shtimin e numrit të turistëve nga 300.000 në vitin 2005 në 4.7 milion në vitin 2012” deklaroi Vorpsi. Sipas zëdhënëses së PD-së, arritjet e qeverisë në turizëm janë evidente dhe kjo është arsyeja sipas saj, që agjencitë më prestigjoze e kanë konsideruar Shqipërinë si një nga vendet më tërheqëse për turizmin.“Për nxitjen e turizmit ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 10 mijë km në mbarë vëndin dhe 504 km rrugë që lidhin akset kombëtare me zonat turistike bregdetare dhe malore te vendit. Po për këtë qëllim ne po ndërtojmë 16 impiante për trajtimin e ujrave të zeza, 6 prej të cilave tashmë janë vënë në punë. Ndërsa dy të tjerë në Vlorë dhe Sarandë janë gati të vihen në punë sa po Bashkiakët e Ramës të marrin përgjegjësitë. Për nxitjen e turizmit ne kemi ndërtuar terminalin e ri të pasagjerëve në Durrës dhe dyfishuar aeroportin e Rinasit, për t’i dhënë mundësi portit të Durrësit dhe aeroportit te Rinasit te presin me shumë turistë në Shqipëri. Agjensitë turistike më serioze në Botë kanë shpallur Shqipërinë një nga detinacionet turistike kryesore në Botë! Ndërsa promovimi turistik i Shqipërisë nga Edi Rama ka qenë nëpërmjet grevave të urisë, bojkoteve dhe protestave të dhunshme, zjarrit të institucioneve dhe shpërndarjes së plehrave në Tiranë shndërrimi i kryeqytetit në qytetin më ajër më të ndotur në Evropë! !”, theksoi ajo. Më herët, deputeti socialist Besnik Baraj theksoi se turizmi është një nga dështimet e qeverisë Berisha. Ai tha se në shumicën e qyteteve të mëdha si Vlora, Fieri, Durrësi etj, mbetjet hidhen e digjen pa kriter, të përziera me mbetje të rrezikshme dhe spitalore, duke ndotur ujërat sipërfaqësorë e nëntokësorë si dhe ajrin urban.