Shkodër Berisha: Qeveria jonë serioze, në 23 qershor fitore të merituar

0
154

Ina Jano

shkoderKryeministri: “Nuk është se kjo qeverisje nuk ka dobësi, nuk ka të meta, nuk ka gabime, të gjitha këto janë të vërteta, por në projektin e saj kjo ka dëshmuar se është një qeveri shumë serioze”

Subvencionet për fermerët do të tre deri gjashtëfishohen

 

Kryeministri Berisha i pranishëm dje në qytetin e Shkodrës inauguroi dy rrugë të rëndëishme për këtë qark. Lideri demokrat duke shprehur besimin e tij se në 23 qershor selia blu do të korrë një fitore plotësisht të merituar. Ai pranoi të gjitha të metat apo defektet që mund të ketë vendi, por ndërkohë vuri theksin mbi faktin se është një qeveri serioze, ndërsa nuk la jashtë fjalës edhe kundërshtarin e tij politik Edi Ramën. “Nuk është se kjo qeverisje  nuk ka dobësi, nuk ka  të meta, nuk ka gabime, të gjitha këto janë të vërteta, por në projektin e saj kjo ka dëshmuar se është një qeveri shumë serioze. Ne më 23 qershor do të votojmë për tre ligjet, do të votojmë për integrimin tonë në Europë, do të votojmë për më shumë rrugë, më shumë kanalizime më shumë shkolla të reja, më shumë ujësjellësa, më shumë vende pune, më shumë mirëqenie, pensione më të larta, rrogat më të larta” , – u shpreh lideri demokrat. Ai nuk la edhe batutat në lidhje me kreun e opozitës dhe me atë që ai e quan autobusi mavi i tij, ndërsa pjesë e ironisë së tij ishte dhe deputeti  Blushi, në këtë rast fatorino i autobusit. “Le ta lëmë atë kryeministër në autobusin e tij,  me të cilin vetë është shofer dhe e dini ju kush ishte fatorino. Fatorino është Ben Blushi, i cili nxjerr tabelën kudo, mos i fol shoferit. Kryeministri i autobusit mavi, ka zgjedhur një autobus luksoz për vete dhe vetë shofer dhe vetë pasagjer, aty ai nxjerr ëndrrën që nuk do ti bëhen realitet kurrë dhe në çdo gropë sheh një votë për veten kryeministër”, – ironizoi zoti Berisha. Kryeministri u përcolli një mesazh qytetarëve dhe banorëve të zonave të përmbytura. Ai i falenderoi ata për durimin dhe mirëkuptimin dhe u shpreh se nuk do të ketë kurrë borxh, që nuk do t’ju kthehet atyre. “Unë kërkoj të mirëkuptojmë njëri-tjetrin. Nëse në qeveritë e mëparshme tetë vjet resht zonat u përmbytën disa herë dhe nuk u kthye një qindarkë, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë  kurrë përsa kohë të jemi ne në pushtet. Ka filluar shpërndarja dhe ju siguroj se ajo do të vazhdojë deri në qindarkën e fundit”, – u shpreh Berisha.

Premtimet

Duke u ndalur në premtimet për të ardhmen, kryetari i kabinetit qeveritar u shpreh se do të vijojë rritja e rrogave dhe pensioneve, e granteve për fermerët por edhe subvencionimet për bujqësinë. Për këto të fundit ai u shpreh se në fakt do të tre deri gjashtëfishohen sepse duhet marrë parasysh edhe fakti që vendi do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. “Ne vijmë tek ju, si forca politike që së bashku me ju ndërtuam autostrada dhe aeroporte ndër më modernet. Ndërtuam një sistem shkollor  ndër më modernet me mbi 1300 shkolla. Ne vijmë tek ju, që së bashku me ju kemi mbështetur 42 mijë ferma dhe fermerë, por  vijmë para së gjithash tek ju se katër vitet që vijnë, ne duam të bëjmë shumë më tepër për ju dhe për shqiptarët. Me këto që së bashku kemi realizuar, ne kemi fituar besim të madh, se mund të realizojmë shumë më tepër. Nëse dikush i hedh sytë mandatit të parë me mandatin e dytë, çdo njëri do të gjejë se mandati i dytë i ka realizimet për qytetarët shqiptarë dy herë më të mëdha se mandati i parë. Unë ju jap fjalën e nderit se mandati i tretë do ti ketë ndryshimet, do ti ketë përmirësimet, tre herë më të mëdha se mandati i dytë”, – shtoi kreu i ekzekutivit.

 

 

Kryeministri inspektim në komunën Vig Mnelë

Kreu i qeverisë inspektoi plantacionin e ullirit  në Komunën Vig Mnelë. I zoti i plantacionit kishte mbjelle mbi 1000 rrënjë ullinj dhe kishte përfituar nga subvencionet e qeverisë. Duke e falënderuar zotin Berisha për ndihmën dhe mbështetjen që qeveria ka dhënë, ai shprehu dhe nevojën për mbështetje për sistemin e vaditjes me pika. Kryeministri  vlerësoi  punën e bërë nga ai dhe fermerët e tjerë për mbjelljen e ullinjve dhe premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka, si për sistemin e vaditjes me pika ashtu dhe për subvencionimin në këtë zonë të një fabrike për përpunimin e vajit të ullirit me qëllim që kjo zonë, pas verës së Kallmetit të njihet edhe për përpunimin e ullinjve. Kryeministri theksoi gjithashtu edhe domosdoshmërinë për hartimin e një projekti për të disiplinuar lumin Gjadër, në mënyrë që të mos dëmtojë vreshtat dhe të mbjellat e fermerëve. Shefi i qeverisë kërkoi nga fermerët, që ti kushtojnë një vëmendje të veçantë tokës,” të shkulim çdo shkurre për të mbjellë  një ulli apo një vresht, ne nuk kemi  tokë për shkurre dhe shkurret ti kthejmë në dru frutore”.  Ai premtoi  se, qeveria do të trefishojë ndihmën gjatë mandatit të ri për fermerët, ndërsa fermerët me punën e tyre të trefishojnë prodhimin. Në qarkun e Shkodrës mbjelljet e reja dhe futja e teknologjive të reja e bashkëkohore në bujqësi kanë ecur me ritme të larta. Gjatë këtyre viteve vetëm nga skemat mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë për këtë qark kanë përfituar plot 1990 fermerë me një shumë prej mbi 520 milion lekë. Vetëm me këto grante në këtë qark janë mbjellë 638 ha ullishte si dhe 153 ha me vreshta.

 

 

PD hap sot zyrtarisht fushatën elektorale, zbardhen detajet

Berisha prezanton kandidatët e qarkut të Tiranës, më pas koncert madhështor për të gjithë të rinjtë në shesh

Partia Demokratike do të çelë sot në Tiranë, zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. Spoti televiziv që ka dy ditë që shfaqet në ekranet shqiptare, e ka konfirmuar një lajm të tillë, ndërsa edhe vetë Kryeministri Berisha në një status ditën e djeshme në rrjetin social Facebook u shpreh se të hënën, pra ditën e sotme Tirana do të jetë blu. Pritet që eventi të fillojë rreth orës 19.30, ndërsa surprizat nuk do të mungojnë. “Të dashur miq! Nesër (sot) në ora 19:30, në sheshin Nënë Tereza, në Tiranën blu, ne hapim fushatën elektorale të 23 qershorit. Ftoj qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë që nesër të festojmë dhe të hapim së bashku, në një miting dhe koncert madhështor, fushatën e fitores sonë të re!”, – njoftoi dje lideri demokrat. Nga burime brenda selisë blu mësohet se gjatë aktivitetit do të ketë një fjalë përshëndetëse Kryeministri Berisha. Pritet që ai ti drejtohet të gjithë pjesëmarrësve dhe demokratëve në vend, disa nga mesazhet kyç të kësaj fushatë elektorale. Gjithashtu mësohet se gjatë fjalës, lideri i selisë blu do të përmendë disa nga arritjet më të mëdha dhe ndryshimet që ka pësuar vendi ynë gjatë qeverisjes demokratike, duke nxjerrë në pah ato që mund të quhen pa frikë si ngjarjet kulmore dhe të një rëndësie të madhe për të gjithë vendin. Nuk do të mungojnë edhe premtimet për katër vjeçarin e ardhshëm, ndërsa nuk dihet nëse gjatë aktivitetit të sotëm do të ketë ndonjë mesazh për kreun e opozitës, duke pasur parasysh se në mbledhjen e fundit të kryesisë, zoti Berisha deklaroi se fushata në përgjithësi do të jetë pozitiviste. Po ashtu nga burime zyrtare bëhet e ditur se gjatë fjalës së shefit të qeverisë, të 32 kandidatët për deputetë të qarkut të Tiranës do të qëndrojnë në këmbë në podium, ndërsa aktiviteti do të zhvillohet në Sheshin Nënë Tereza. Do të jetë vetë kryetari demokrat, i cili do të prezantojë ekipin e Tiranës në garën elektorale, ndërsa pritet që ky të jetë një nga qarqet më vendimtarë. Burimet konfirmojnë se ky aktivitet do të pasohet edhe nga të tjerë, nëpër qytetet e tjera të Shqipërisë, që do të ndjekë të njëjtën filozofi, pra atë të prezantimit të kandidatëve për deputetë. Kjo do të ndodhë pavarësisht se edhe kreu i grupit parlamentar Patozi prezantoi në Vlorë kandidatët ditën e shtunë apo edhe Imami në Elbasan pretendetët e tjerë. Pas fjalës së Kryeministrit duket se aktiviteti do të lerë pas anën politike dhe do të jetë më tepër argëtues, ku edhe të gjithë të rinjtë që do të mbushin sheshin do të argëtohen nën tingujt e muzikës, me performanca nga emrat më në zë të muzikës në vend. Siç “premton” selia blu do të jetë një miting madhështor, i denjë për kryeqytetin shqiptar dhe për fillimin e fushatës elektorale, që për demokratët do të çojë në marrjen e mandatit të tretë. I gjithë aktiviteti do të përmbyllet me fishekzjarrë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency