Vodhën pronarin e butikut duke përdorur “Mollën e Borëbardhës”

0
2497

Elton Qyno

vjedhjeDy persona u jepnin pije energjike me tableta Diazepam dhe më pas grabisnin qytetarët

Një stil i ri vjedhjeje është shfaqur në Tiranë, ku persona të paarmatosur dhe pa maska në kokë, por të pajisur me çanta krahu në të cilat mbajnë pije energjike dhe një medikament mjekësor të quajtur Diazepam, arrijnë të vjedhin qytetarët duke i vënë ata në gjumë. Pikërisht këto pije energjike kanë efektin e “Mollës së Borëbardhës”, për shkak se sapo ato konsumohen personi bie në gjumë dhe nuk është në gjendje të shikojë dhe të ndiejë se çfarë ndodh, pasi ka pirë pijen energjike. Ky është një ndër rastet e shumta që çdo ditë e më tepër po gjen përhapje në rrugët e Tiranës, ku persona të ndryshëm, duke i dhënë pije freskuese apo energjike, brenda të cilave është hedhur një tablet Diazepam, vënë në gjumë qytetarët dhe më pas u marrin këtyre të fundit sasinë e lekëve që kanë me vete dhe sendet e tjera personale. Për këtë veprimtari kriminale në pranga kanë rënë dy persona, të cilët janë Andi Mekrizvani, 25 vjeç, dhe Mentor Dunga, 33 vjeç, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin prezantoheshin si punonjës të disa kompanive që tregtojnë pije energjike. Mekrizvani rezulton të jetë dënuar dy vjet më parë me 10 muaj burg për “Shfrytëzim prostitucioni”.Të dy së bashku ata shkonin në biznese të ndryshme dhe u jepnin qytetarëve pijen energjike së bashku me tabletën farmaceutike. Sapo personi merrte në dorë pijen energjike dhe e konsumonte, ai binte në gjumë. Pas disa minutash brenda në dyqan ktheheshin dy personat “punëtorë” të kompanisë që tregtonte pijen energjike duke bërë vjedhjen e biznesit. Të dy personat janë arrestuar pak ditë më parë nga ana e komisariatit nr. 2 në Tiranë dhe se aktualisht tashmë ata ndodhen të izoluar në burg.

Vjedhja e butikut

Një rast flagrant që është zbuluar nga ana e policisë nëpërmjet kamerave të sigurisë së një pike të shkëmbimit valutor, ka ndodhur me vjedhjen e një butiku, që ndodhet në zonën e pallateve “Agimi” në kryeqytet. Të dy personat kanë arritur të vjedhin ka ky butik sasinë e 100 mijë lekëve që ishte bërë nga xhiroja e shitjeve dhe rreth 400 mijë lekë mall që ishte porositur nga autori i krimit. Andi Mekrizvani ka hyrë në dyqanin e veshjeve dhe ka porositur rreth 40 mijë lekë rroba të ndryshme, ndërsa ka pretenduar se po shkonte të këmbente paratë në një pikë të këmbimit valutor si dhe të porosiste diçka për të pirë, pasi kishte etje. Mirëpo kamera e sigurisë në pikën e këmbimit valutor, e cila ndodhet ngjitur me dyqanin e veshjeve ka fiksuar agresorin i cili ka hyrë, por nuk ka këmbyer para. Në këtë moment ai është rikthyer në dyqanin e veshjeve me dy pije energjike, njërën prej të cilave ia ka dhënë pronarit të biznesit. Pas gati 10 minutash, 45-vjeçarit me inicialet M. P. i ka rënë të fikët, ndërsa e ka gjetur veten të shtruar në spital. Mirëpo, pikërisht në këtë moment ka vepruar me shumë shpejtësi shtetasi i arrestuar Andi Mekrizvani, i cili në bashkëpunim edhe me shtetasin tjetër të quajtur Mentor Dunga kanë marrë sasinë e lekëve e mallin e porositur dhe janë larguar në drejtim të paditur. Një veprim të tillë këta dy persona e kanë përdorur dhe në disa raste të tjera, duke vënë në shënjestër kryesisht pensionistë dhe shoferë taksie. Aktualisht, ndaj dy personave të arrestuar është ngritur akuza e vjedhjes në bashkëpunim të kryer më shumë se një herë. Duke përdorur këtë mënyrë, këta persona kanë arritur t’i vjedhin edhe 3500 euro një personi tjetër.

Medikamenti Diazepam

Pikërisht ky medikament që shitet në farmacitë e kryeqytetit është kthyer së fundmi një armë për hajdutët në rrugët e Tiranës. Ata e hedhin në pije të ndryshme dhe më pas arrijnë të vënë në gjumë personat e shënjestruar, duke u marrë atyre sasi të konsiderueshme lekësh. Sipas mjekëve, ky medikament mjekësor nuk është vetëm për të vënë në gjumë, pasi nëse do të përdoret në raste të tilla, ka shumë gjasa që të sjellë çrregullime të rënda, duke filluar nga infarkti, gjendja e të fikëtit dhe anomali të tjera në sistemin shëndetësor. Nisur nga kjo situatë, mjekët, por edhe policia e Tiranës kërkon shmangien e çdo situate të tillë, duke u kërkuar njerëzve të mos konsumojnë pije energjike apo freskuese, të cilat ofrohen si dhuratë nga persona të panjohur.

Rasti “Burri”

Florenc Burri, një 31-vjeçar, e ka përdorsh shpesh këtë skemë. Nëpërmjet pijeve freskuese ai ka arritur të vjedhë dy pensionistë, një taksist dhe një punonjës picerie, por më pas është arrestuar nga ana e policisë së Tiranës. Rasti i parë i kësaj natyre, sipas policisë, është regjistruar në Bari të Italisë dhe më pas një veprimtari e tillë ka gjetur shtrirje dhe në Shqipëri.

Ankohen italianët

Ekstradimi i Laçit dhe i Bedinit, nis inspektimi

Akuzat e bëra jopublikisht nga autoritetet e drejtësisë italiane për mosrealizimin e dy ekstradimeve nga Shqipëria në drejtim të Italisë për dy persona të dënuar në Itali ka vënë në lëvizje autoritetet shqiptare. Nisur nga kjo situatë, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurat e inspektimit në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe Apelit Tiranë. Këto veprime vijnë pasi është konstatuar mosrealizimi i ekstradimit dhe lënien të lirë të të dënuarve Paro Laçi dhe Sokol Bedini (Imami). Nisur nga kjo situatë ka filluar inspektimin e menjëhershëm të procedurave të ndjekura nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo të Apelit Tiranë. Inspektimi do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme Çështjeve të Drejtësisë me objekt kontrollin e veprimeve procedurale të ndjekura nga gjykatat në të dy rastet. Më përfundim të inspektimit, pasi të jenë marrë dhe objeksionet e gjyqtarëve, ministri i Drejtësisë do të ndërmarrë edhe eventualisht fillimin e procedurave përkatëse.

Sherri për plehrat

Arrestohet personi i plagosjes së trefishtë

Policia e Korçës ka arrestuar 40-vjeçarin Ardian Merdiku, i cili plagosi me thikë tre shtetas për vendin e hedhjes së mbeturinave disa ditë më parë. Burimet e policisë njoftojnë se Merdiku, banues në lagjen nr. të 10 Korçës, shpallur në kërkim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë, akuzohet për veprat penale “Plagosje e rëndë dhe e lehtë me dashje”, pasi është autor i plagosjes me thikë i shtetasve Arben Rushiti dhe Ferdinant Rushiti dhe Shpëtim Gjeloshani. Ngjarja e rëndë ka ndodhur disa ditë më parë në qytetin e Korçës, ku disa banorë të lagjes së sipërcituar janë konfliktuar me njëri-tjetrin për vendin e hedhjes së plehrave. Kaq ka mjaftuar që më pas ata të përdorin thikat dhe mjete të forta. Ardian Merdiku ka qëlluar disa herë me thikë tre personat e sipërcituar dhe pas krimit është larguar menjëherë, duke mos rënë në prangat e policisë së Korçës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency