Hapet fushata Konventa e PS-së me 18 maj, prezantohet ekipi dhe programi për 23 qershorin

0
116

Gëzim Saliu

zgjedhjet“Komisionerët e majtë do të ruajnë çdo votë, “ushtria” e PS-së, e përbërë nga socialistë 24 karatë”

 

Partia Socialiste do të hapë fushatën zyrtare për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në konventën e 18 majit. Kështu bën të ditur sekretari për pushtetin vendor në PS, Bashkim Fino, duke theksuar se në konventë do të prezantohet si ekipi i ri ashtu edhe programi i forcës më të madhe opozitare në vend. “PS në datën 18 maj do të bëjë një konventë për të paraqitur dhe për të shpalosur përfundimisht ekipin e skuadrës fituese dhe natyrisht sloganet që kemi paraqitur”, – tha Fino për “AS”.

Zgjedhjet

Sekretari për pushtetin vendor në PS siguroi se të gjithë deputetët do të jenë të angazhuar në fushatën zgjedhore, pavarësisht renditjes së tyre. “Ne natyrisht do të bëjmë ndarjen e deputetëve të listës pa përjashtim, pa ndarje, i pari apo i fundit, me grupe, dy apo tre deputetë duke mbajtur ZAZ të caktuara që shumatorja pastaj përbën faktin e numrit të deputetëve në një qark të caktuar. Kjo do të thotë që puna do të jetë konkrete, ballë për ballë me njerëzit, do të jetë e prekshme”, – pohoi Fino. Ndërkohë sa i përket votimit dhe numërimit të votave, deputeti socialist shprehur sigurinë se komisionerët e majtë do të ruajnë çdo votë. “Do të jenë drejtuesit politikë të partisë, do të jenë njerëzit e asamblesë së një komune dhe një bashkie konkrete, që janë votuar dhe janë vlerësuar nga partia që të jenë në asamblenë e asaj komune ose bashkie, këshilltarët lokalë, të cilët do të jenë ushtria e madhe e njerëzve që do të jetë në qendrat e votimit të PS që janë 24 karat socialistë dhe që jo vetëm të dyshojë, po s’na shkon ndërmend një gjë e tillë që ata do të mbrojnë votën e PS. Natyrisht pastaj do të jemi prezent të gjithë ne kur të vijë puna për administrimin dhe numërimin”. Pak kohë më parë, kryesocialisti Edi Rama deklaroi se skema e opozitës për mbrojtjen e votës do të jetë më funksionale se ajo e viteve të mëparshme. “Ne bashkërisht duhet t’i garantojmë njerëzit, qe plani ynë i mbrojtjes se çdo vote, këtë here është me i detajuar se asnjëherë tjetër dhe padyshim do te jete edhe me garantues se asnjëherë tjetër, ne mënyrën sesi ne do ta implementojmë. Sepse nga njëra anë eksperiencat negative të të shkuarës, po dhe shume të palara që kane dalë tanimë në shesh, na kanë dhënë mundësinë që të kuptojmë se ku ne duhet të forcojmë praninë dhe duhet të forcojmë mekanizimin tonë”, – u shpreh kreu i PS-se. Mbrojtja e votës përbën po ashtu një ndër kërkesat kryesore të aleatëve të koalicionit të majtë, të cilët në marrëveshjen që kanë nënshkruar me PS-së, kanë kërkuar transparencë nga forca më e madhe opozitare në këtë aspekt.

 

 

Ftoj Berishën të pranojë propozimin

Meta: Kompromisi im dhe i Ramës, tri ligjet të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta deklaron se kompromisi i arritur mes tij dhe kryesocialistit Rama për votimin e tri ligjeve dhe hyrjen e tyre në fuqi pas zgjedhjeve të 23 qershorit, duhet të miratohet edhe nge kreu i mazhorancës qeverisëse Berisha. Në prezantimin e kandidatëve të forcës që drejton në qytetin e Shkodrës, Meta vuri theksin tek tri ligjet, duke pohuar se palët duhet të ngrihen mbi interesat personale. “Unë propozova një kompromis për miratimin e 3 ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, brenda këtyre ditëve që i mbaron mandati këtij kuvendi, duke ofruar një kompromis që ligjet të hyjnë në fuqi me parlamentin e ri. Dhe arsyeja ka të bëjë pikërisht me faktin se nuk mjafton vetëm të miratojmë ligje, por e rëndësishme dhe të respektojmë frymën e ligjit dhe në rastin konkret bëhet fjalë për institucione dhe reforma të rëndësishme dhe do të nënvizoja rëndësinë që ka miratimi i ligjeve për gjykatën e lartë në funksion të gjykatës administrative. Kreu i PS e pranoi këtë kompromis, jam i zhgënjyer që kreu i PD bën sikur nuk e kupton këtë kompromis duke kërkuar që ligjet të miratohen siç janë dhe të hyjnë siç janë, por synimi nuk ka qenë miratimi i 3 ligjeve, por mbushja e Gjykatës së Lartë me militantë. Shpresoj të jem i gabuar, në këtë që thamë dhe uroj që për hir të integrimit të pranohet ky kompromis”, – tha Meta.

 

Apeli i BE

Sequi: Integrimi, kryefjala e fushatës

Në krye të axhendës elektorale të krerëve të politikës duhet të jetë ajo e integrimit evropian të Shqipërisë. Ndërsa e ka cilësuar një proces të shumëkërkuar nga qytetarët shqiptarë atë të integrimit, Ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi, apeloi klasën politike që të angazhohet konkretisht për këtë ëndërr të shqiptarëve. Ndërsa ka folur në inaugurimin e qendrës për informim të Bashkimit Evropian, ambasadori Sequi theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është përgjegjësia e të gjithëve. “Besoj se shqiptaret e meritojnë Evropën dhe Shqipëria ka gjithë potencialin e mundshëm për ta realizuar këtë. Por kjo varet nga angazhimi i të gjithëve. Është përgjegjësi e të gjithëve të shtyjmë Shqipërinë të ecë drejt BE-së. Presim që axhenda e BE-së të jetë në krye të prioriteteve të partive politike gjatë fushatës”, – tha ambasadori. Në kuadër të muajit maj që njihet si muaji i Evropës, ambasadori Sequi tha se qendra e informimit të BE-së do të bëhet pjesë e një sërë aktivitetesh kulturore dhe informuese për qytetarët. Po ashtu ambasadori Sequi u ndal në një tjetër projekt që ka të bëjë me bankën e ideve ku secili mund të ofrojë dhe mund të bëhet pjesë aktive e pritshmërie integruese të Shqipërisë.

 

 

Anëtarja e koalicionit të majtë

Partia e Punës e Riorganizuar: PS dhe LSI po shesin zgjedhjet, të dërgojnë anëtarët në KQZ

Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar i bën thirrje PS-së dhe LSI-së të dërgojnë sa më parë anëtarët e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pjesëmarrëse në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, PPSHR pohoi se në rast se opozita nuk do të dërgojë emrat në KQZ, ky akt do të thotë sipas kësaj partia, se PS dhe LSI po shesin zgjedhjet e 23 qershorit. “Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar i bën thirrje Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim të dërgojnë urgjentisht propozimet për anëtarët e rinj të KQZ-së, pasi çdo ditë në të cilën merren vendime pa praninë e opozitës, është në dëm të opozitës dhe duhet ndalur pazari politik. Qëndrimi i deritanishëm i Edi Ramës dhe Ilir Metës po vë në rrezik serioz fitoren e së majtës në 23 qershor, duke i dhënë Sali Berishës fitoren në tavolinë. Një akt i tillë më së paku mund të quhet shitje e zgjedhjeve nga opozita”, tha Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSHR-së Marko Dajti. Sipas tij, përfaqësuesit e majtë po bojkotojnë seancat, duke ja lënë në dorë vendimmarrjen katër anëtarëve të djathtë, të cilët juridikisht janë të mjaftueshëm për ta çuar vendin në zgjedhje. “Ne e kemi thënë prej shumë vitesh se klasa politike shqiptare ka nevojë për një reformim të thellë të brendshëm, për të mos sjellë si pasojë përmbysjen e saj me revolucion popullor, por me keqardhje vërejmë papërgjegjshmëri ndaj interesave të popullit nga të dyja kahet e politikës”, – theksoi Dajti. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i lartë i PPSHR-së tha se në rast të humbjes së zgjedhjeve nga opozita, forca që ai drejton nuk do të kundërshtojë rezultatin por do ta njohë fituesin, pavarësisht se mund të jetë PD. “Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar i bën të ditur opinionit publik se në rast të humbjes së zgjedhjeve për shkak të paaftësisë dhe dritëshkurtësisë së dyshes Rama-Meta, nuk do të pranojë asnjë justifikim për humbjen e mundësisë për të ardhur në pushtet. Deklarojmë hapur se do të njohim dhe do të përshëndesim fituesit e zgjedhjeve”, – deklaroi Dajti.

 

 

Shkodër, Rama: Të rilindim PD-në në opozitë

Kreu i PS-së, Edi Rama u ka bërë dje thirrje qytetarëve shkodranë që të “rilindin PD-në” duke e dërguar në opozitë. Gjatë prezantimit të kandidatëve socialistë për qarkun e Shkodrës, ai ka pohuar: “23 qershori është dita që Shkodra të bëjë atë që ka bërë gjithmonë, kur Shqipërisë i ka ardhur në majë të hundës, të japë një votë për PS-në, dhe jo për PD-në, të votojnë për Rilindje dhe jo për Jozefinën dhe shpurën e saj që e ka turpëruar Shkodrën. Ta Rilindin PD-në duke e çuar në opozitë dhe duke e çliruar nga kthetrat e oborrit të një pushteti, që sot, kur ka hyrë viti i parë i 100-vjetorit të dytë të shtetit, nuk është në gjendje të përballet me plagët që ka hapur vetë”, – bëri thirrje Rama. Sipas kryesocialisti, skuadra “Për një Rilindje Shqiptare” ka njerëz që në politikë nuk janë për të marrë, por për të dhënë. “Këta janë njerëzit tanë dhe shembujt tanë. Qytetarë që në politikë nuk janë për të marrë, por të dhënë; që në politikë nuk janë për vetë, por për familjen tonë politike dhe për Shqipërinë dhe qytetarët”, – deklaroi kreu i PS-së.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency