Në Vlorë, nga frika e humbjes

0
139

 

vloreNga Nebil Çika

Vendimi i kreut të PS-së, Edi Rama, për të mos kandiduar në Tiranë është shenja më domethënëse e panikut që ka kapur lidershipin e opozitës në këto zgjedhje. Largimi nga kryeqyteti i kapitenit të “ekipit kombëtar” të PS-së dhe përzgjedhja si vend kandidimi një qark të konsideruar si bastion i të majtës ish-komuniste përbën një tronditje të madhe të besimit në fitore të kësaj partie edhe për militantet më fanatike. Që Rama gjendet në krizë paniku, kjo është lënë të kuptohet edhe nga veprime e vendime të mëparshme të tij, por arratisja e tij elektorale nga Tirana e thekson qartësisht krizën e panikut nga humbja të cilën e reflekton në çdo lëvizje të tij. Nuk është hera e parë që z. Rama ka zgjedhur të shmangë përballjen direkte në betejën e tij politike, gjë që ka paralajmëruar apo edhe shkaktuar humbjen e zgjedhjeve nga formacioni politik që ai drejton. Z. Rama zgjodhi të mos kandidonte fare në zgjedhjet e shkuara politike, gjë që u vlerësua nga shumë analistë si një nga shkaqet kryesore të humbjes së zgjedhjeve nga PS-ja. Sigurisht që futja në betejë pa komandantin do të ishte shkatërruese për çdo formacion, por edhe qëndrimi larg frontit i tij ka ndoshta të njëjtin efekt. Deri tani nuk ka asnjë arsyetim apo justifikim zyrtar për këtë shmangie politike dhe elektorale të z. Rama nga Tirana në Vlorë, por gjithsesi motivet dhe pasojat duken të qarta për cilindo që ka pak dijeni për zhvillimet politike në këtë vend. Në kushte normale kishte sigurisht shumë arsye e motive përse Rama duhej dhe pritej të kandidonte në Tiranë, ndërkohë që shmangia në Vlorë duket e sforcuar dhe me risk për rezultatin kombëtar të PS-së dhe krejt opozitës së majtë. Rama pritej të kandidonte në Tiranë dhe duhet ta kishte bërë një gjë të tillë, pasi karriera dhe veprimtaria e tij politike kanë nisur e janë zhvilluar pikërisht këtu. Por jo vetëm kaq. Tirana është fushëbeteja më e madhe elektorale në Shqipëri dhe rezultati i saj pritet të dominojë atë në shkallë vendi, gjë që e përcakton si frontin kryesor, i cili ka pak apo aspak gjasa të qëndrojë nëse braktiset nga komandanti siç ka ndodhur me z. Rama. Kandidimi në Tiranë i duhej Ramës edhe për të vërtetuar teorinë e tij të humbjes si pasojë e vjedhjes së votave në zgjedhjet e fundit lokale, teori me të cilën ai ka motivuar e justifikuar politikën destruktive dhe të opozitës në drejtimin e tij, sidomos pas humbjes së kreut të Bashkisë së Tiranës. Çdo politikan vlerësohet në zgjedhje për atë çka ai ka bërë në veprimtarinë e tij politike. Z. Rama ka ushtruar për 11 vite detyrën e kreut të bashkisë së kryeqytetit gjë që pretendon ta ketë kryer mirë, ndërkohë që nuk e pranon humbjen si vullnet të qytetareve. Këto zgjedhje ishin mundësia, por edhe detyrimi politik e elektoral për t’u përballur sërish me elektoratin i cili do të vlerësonte me votën e tij pretendimet e z. Rama apo të kundërtën, gjë që me largimin për në Vlorë e ka përcaktuar si të vërtetë vetë ai. Largimi apo braktisja e fushëbetejës së deritanishme politike e elektorale tregon frikën e tij nga ndëshkimi i atyre që ka qeverisur për 11 vite, ndëshkim që e ka firmosur vete me vendimin e tij. Dalja në krye të ekipit të kryeqytetit e kryetarit të partisë është një veprim strategjik që pa dyshim reflekton besim në fitoren e pretenduar deri tek struktura dhe votuesit në skajet më të thella të vendit. “Arratisja” në Vlorë e Ramës bashkë me veprime të tjera që do të flasim më poshtë e ka tronditur apo më mirë të themi minuar këtë besim aq të domosdoshëm për të krijuar një klimë fitoreje, gjë që opozita e ka të vështirë për të mos thënë të pamundur ta arrijë. Me pak fjalë, braktisja e Tiranës nga z. Rama pritet të rëndojë seriozisht në rezultatin e këtyre zgjedhjeve në këtë qark, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Por këto që thamë janë vetëm arsye e argumente përse z. Rama duhet të kandidonte në Tiranë, por nuk mund të lëmë dot jashtë vëmendjes arsyet dhe argumentet përse ai nuk mund ta bënte dot një gjë të tillë.

Që z. Rama ka hyrë në këto zgjedhje me paranojën e humbësit, kjo është një gjë e ditur botërisht dhe e deklaruar edhe nga vetë ai. Kur ftoi Ilir Metën në koalicionin e tij, z. Rama e argumentoi këtë lëvizje para të vetëve me pamundësinë e tij për të fituar i vetëm zgjedhjet. Një deklaratë e tillë nuk mund të bëhet në asnjë moment, aq më tepër në prag të zgjedhjeve nga një politikan i mirëfilltë, sidomos nga një që pretendon seriozisht t’i fitojë ato. Kam dëgjuar këto ditë fushate, politikanë pa asnjë deputet në Parlament si Gjinushi etj. të bërtasin tribunave e ekraneve se do t’i fitojnë këto zgjedhje. I vetmi që ka deklaruar se nuk i fiton dot pa Ilir Metën, është Edi Rama. E theksoj këtë fakt, pasi mbi këtë mentalitet z. Rama ka ndërtuar të gjithë strategjinë e tij elektorale, pjesë e se cilës është edhe arratisja e tij politike nga Tirana në Vlorë. Janë të gjitha arsyet, provat e faktet të këmbëngulim në idenë që z. Rama në strategjinë e këtyre zgjedhjeve ka më shumë parasysh humbjen se fitoren. Nga lisat e spastruara të deputetëve të PS-së e deri tek arratisja e tij politike e elektorale në Vlorë, gjithçka bie era humbje, që për Ramën personalisht përkthehet në disfatë. Në kushte normale politike një humbje e dytë e mundshme do të ishte fundi i karrierës politike të z. Rama, gjë që ai ka pak apo aspak gjasa ta pranojë edhe si opsion. Në këtë situatë, ai po mendon më shumë sesa për fitoren e zgjedhjeve për ruajtjen e kreut të PS-së pas humbjes së pritshme të tyre. Në këtë logjikë kandidimi në Tiranë do t’i hapte shumë probleme, pasi humbja pothuaj e sigurt në këtë qark për shumë arsye do t’i faturohej atij. Arratisja elektorale në Vlorë është si një fletë-garanci për Ramën dhe karrierën e tij politike, pasi mundësitë e humbjes nga PS-ja të zgjedhjeve në këtë qark janë minimale. Dalja në krye të një liste të studiuar e spastruar mirë në qarkun e Vlorës është një mundësi e konsiderueshme politike e z. Rama për të ruajtur kontrollin në PS edhe pas humbjes së mundshme. Vlora qendra e Zonës së Parë Operative është bastioni më i fortë i të majtës ish-komuniste dhe kontrolli mbi të garanton në njëfarë mënyre edhe kontrollin mbi krejt PS-në. Besoj se këto argumente qe sollëm në diskutimin tonë për arsyet dhe pasojat e arratisjes politike e elektorale të Ramës nga Tirana në Vlorë na e mbushin mendjen mjaftueshëm për një lëvizje të detyruar nga paranoja e humbjes së zgjedhjeve dhe sidomos asaj që mund të ndodhë më pas, lajtmotiv që duket se ka kushtëzuar gjithë strategjinë politike dhe elektorale të z. Rama nga aleanca me Ilir Metën, spastrimi radikal i rivalëve të brendshëm e deri tek auto-syrgjynosja në Vlorë. Me pak fjalë, ky largim është një alarm apo një paralajmërim i humbjes së zgjedhjeve nga PS-ja, sinjal që, pavarësisht nga justifikimet apo propaganda e PS-së, nuk besoj se do t’i shpëtojë dot vëmendjes së opinionit publik shqiptar. Si përfundim, dua të theksoj se handikapi më i madh i listave të zgjedhjeve me të cilat kanë ditë që merren krejt mediat shqiptare nuk është largimi nga PS-ja i Malajt e Co apo reagimi i Nanos, por zhvendosja e Ramës politikisht dhe elektoralisht nga Tirana në Vlorë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency