Pyetet biznesmeni nga Kukësi, i fundi që i telefonoi Kotorrit

0
128

policiaPolicia, asnjë autor për krimin, vrasja ka si motiv biznesin e ndërtimit

 

Zbardhet telefonata e fundit e biznesmenit të ndërtimeve Ikmet Kotorri, i ekzekutuar mbrëmjen e të dielës. Policia ka marrë në pyetje një biznesmen nga Kukësi, mik i Kotorrit, i cili pasi ka dalë nga banesa në rrugën “Ali Visha”, ka qenë duke folur me të në telefon edhe në momentin kur është qëlluar. Pas dëshmisë, burimet pranë skuadrës së zbulimit të krimeve ndaj jetës dhe shëndetit kanë përjashtuar çdo lloj lidhje të biznesmenit me ngjarjen, duke i kthyer hetimet në pikën e nisjes. Të njëjtat burime thanë se të dy pistat kryesore ku janë fokusuar hetimet e policisë kanë të bëjnë me biznesin e ndërtimeve të Kotorrit. Policia shoqëroi disa të dyshuar për pistën e konfliktit për pronësinë e një trualli, por i la të lirë të dyshuarit për mungesën e provave inkriminuese. Pista tjetër është konflikti për shitjen e një apartamenti, ku vetë Kotorri ka qenë përfshirë indirekt. Biznesmeni 44-vjeçar, baba i 3 fëmijëve, u përcoll paraditen e të martës për në banesën e fundit në varrezat e Tufinës, duke lënë pas enigmën e ngjarjes së rëndë.

Vrasja e një dëshmitari

Hikmet Kotorri kishte krijuar një kompani të suksesshme në fushën e ndërtimit të pallateve, ku më tepër aktivitetin e tij e kryente në zonën e Dajtit. Nëpërmjet kompanisë “Kotorri-SL”, 44-vjeçari kishte mundur të ngrinte dhjetëra pallate në këtë zonë. Suksesi duket se u zbeh pikërisht në muajin mars, kur ortakut të tij, shtetasit Leonard Picari, i është vendosur një sasi e konsiderueshme tritoli në prapakolpin e makinës së tij tip “Mercedes-Benz”, me targa AA 303 DK. Në këtë atentat mafioz mbeti i plagosur shtetasi 27-vjeçar Leonard Picari. Pikërisht për këtë ngjarje kriminale të një muaji më parë, viktima 44-vjeçar Hikmet Kotorri është thirrur nga ana e policisë së Tiranës për të dhënë sqarime rreth konflikteve që kanë pasur dy ortakët gjatë kohës së ushtrimit të aktivitetit të ndërtimit. Nisur nga kjo situatë, 44-vjeçari ka dhënë deklarimet e tij ku ka treguar “fërkimet” që ka pasur me persona të ndryshëm, por që nuk ka dhënë detaje që do të provonte se ata mund të ishin personat që kishin vendosur sasinë e eksplozivit në makinën e ortakut të tij. Ndërkohë, gati një muaj pas dhënies së dëshmisë në polici, Hikmet Kotorri është qëlluar me katër plumba pistolete, duke mbetur i vdekur në vend, për shkak se njëri e ka prekur në kokë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:20 të mbrëmjes së të dielës, kur Kotorri sapo kishte ardhur nga qyteti i tij i lindjes, Përmeti, dhe po ecte në rrugë për të ngjitur shkallët e pallatit të tij për t’iu bashkuar familjes.

Tre persona në krim

Katër plumba nuk e kanë lejuar biznesmenin e ndërtimit të takojë familjarët e tij. Mendohet se tre persona kanë marrë pjesë në pritën e organizuar në hyrje të pallatit, ndërkohë që një i vetëm ka qëlluar me armë zjarri mbi biznesmenin e ndërtimit. Nga dinamika paraprake e hetimit, policia pohon se një person ka qëndruar në distancë nga hyrja e pallatit, ku edhe ka njoftuar me telefon apo me mjete të tjera bashkëpunëtorët e tij se në drejtim të tyre po shkonte objektivi. Pas këtij njoftimi, të dy personat janë pozicionuar në një vend ku nuk binte drita dhe prej andej njëri prej tyre ka hapur zjarr duke e lënë të vdekur në vend 44-vjeçarin Kotorri. Krismat e armës kanë alarmuar banorët e lagjes, të cilët kanë dalë me shpejtësi jashtë, por nuk kanë mundur të shohin asnjë person në rrugë. Aktualisht, katër gëzhojat e gjetura në vendin e krimit janë dërguar për ekzaminim në laboratorin kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, me qëllim ekzaminimin e tyre.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency