Mbyllet seanca e fundit parlamentare, opozita bojkoton tri ligjet e integrimit

0
153

Florenc Drizari

jozefinaTopalli: Kuvendi më reformator në 20 vite

Kuvendi voton 5 ligje  në fushën ekonomike

 

Kuvendi i Shqipërisë mbajti dje seancën e fundit parlamentare të përcaktuar për këtë legjislaturë duke miratuar një sërë ligjesh që ishin në axhendë, por jo tri ligjet e integrimit që janë debatuar gjatë në arenën e politikës shqiptare. Seanca e djeshme plenare u mbyll pa konsensus mes palëve, edhe pse deputetët e pozitës dhe të opozitës kërkuan ndërprerjen e punimeve për të gjetur një rrugë dialogu për votimin e tri ligjeve. Seanca e Kuvendit u ndërpre për rreth 1 orë, por ende pa sukses. Gjatë kohës që Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli hodhi në votim projektligjet, opozita po largohej nga salla edhe pse një pjesë e tyre votoi për projektligjin “Për ratifikimin e Konventës për Ndihmën e Ndërsjellë në Çështjet Tatimore” si dhe për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Artigiancassa S.p.A., për financimin e programit të ndihmës së integruar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare”.

TOPALLI

Në fjalën e saj Kryeparlamentarja Topalli falënderoi deputetët e mazhorancës për bashkëpunimin duke e quajtur këtë kandidat si më reformatorin e këtyre 20 viteve, ndërsa shprehu keqardhje për deputetët e opozitës të cilët bojkotuan votimin e tri ligjeve. “Tri ligjet këtu janë, këtu do të jenë. Pikë e parë e rendit të ditës. Ato ikën, mua më mbetet që t’ju falënderoj të gjithëve ju deputetëve për punën e shkëlqyer që keni bërë, për gatishmërinë që keni treguar në çdo ditë, në çdo orë për çdo pikë të rendit të ditës edhe për të votuar tri ligjet. Të jeni krenar për punën që keni bërë. Ky mandat ka qenë mandati i parlamentit më reformator gjatë këtyre 20 viteve dhe ju jeni një pjesë shumë e rëndësishme e reformave që kanë ndryshuar Shqipërinë.

Natyrisht kam një keqardhje të madhe për deputetët e opozitës që nuk gjetën kurrë kurajon për të dalë mbi urdhrat e kryetarit të tyre dhe për të votuar tri ligjet që kërkonte Brukseli dhe jo qeveria. Tri ligjet që do të bënin të mundur marrjen e statusit. një mundësi kishin, edhe atë e humbën. Pjesën tjetër e di ndërgjegjja e tyre, mbi të gjitha e z. Rama, peshë e madhe për ta mbajtur mbi supe”.

Ndërkaq, Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje me shumicë të thjeshtë votash edhe projektligjet si: atë “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”; Aktin normativ nr. 2 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”; Aktin normativ nr. 3 “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim Abu Dhabi, për financimin e projektit të bulevardit verior dhe të rehabilitimit të Lumit të Tiranës”.

 

 

Jozefina Topalli: Rama të votojë tri ligjet, po i sjell miliona euro dëme Shqipërisë

Në pushim të seancës së djeshme kur po zhvilloheshin bisedime larg syrit të medias mes PD-së dhe PS-së për votimin e tri ligjeve të integrimit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dha një deklaratë për shtyp para Parlamentit, duke i bërë thirrje publike kryesocialistit Rama për votimin e tri ligjeve. “Siç jeni në dijeni, si gazetarë që ndiqni punimet e Kuvendit të Shqipërisë, por dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë, prej gati një viti çdo ditë në rendin e ditës dhe në axhendën e Parlamentit janë tri ligjet që kërkohen nga Brukseli për t’u votuar. Tri ligje, të cilat janë bllokuar prej më shumë se 200 ditësh nga Partia Socialiste, duke bërë të mundur vetëm një gjë: bllokimin e marrjes së statusit dhe humbjen e marrjes së Statusit. Unë sot jam këtu para qytetarëve shqiptarë me një ftesë ndaj zotit Rama edhe në emër të mazhorancës, por kryesisht si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Tri ligjet janë edhe sot në rendin e ditës siç kanë qenë çdo ditë në rendin e ditës dhe të punës të Kuvendit të Shqipërisë. Unë ftoj z. Rama që të lejojë deputetët e tij që t’i bashkohen mazhorancës dhe të votojnë sot tri ligjet, duke bërë kështu detyrën tonë, duke i qëndruar kështu besnikë vokacionit perëndimor të shqiptarëve”, deklaroi Topalli. Sipas saj, edhe pse Rama realizoi qëllimin e tij që Shqipëria të humbte statusin e vendit kandidat,ai përsëri është në kohë për t’i lejuar deputetët për votimin e tri ligjeve. “Ata po presin atje në sallë që zoti Rama t’i lejojë të votojnë tri ligjet dhe në këtë mënyrë ata i qëndrojnë betimit të tyre, i qëndrojnë përgjegjshmërisë së tyre dhe i qëndrojnë përfaqësimit për të cilin kanë marrë mandatin nga shqiptarët që në 96% të tyre duan Shqipërinë në Evropë. Zoti Rama lejoji deputetët sot që të vijnë dhe të votojnë tri ligjet”, – deklaroi Jozefina Topalli.

 

 

Meta: Berisha u kthye në bojkotues

Pas mbylljes së punimeve të Kuvendit një ditë më parë, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, akuzoi Kryeministrin Berisha se po bojkoton miratimin e tri ligjeve. Kreu i LSI-së e argumentoi se Kryeministri Berisha refuzon kompromisin e ofruar nga opozita, që kërkon hyrjen e ligjeve në fuqi në shtator. “E pamë parodinë e radhës edhe këtë herë duke ndjekur se si Kryeministri Berisha nga një kërkues në të kaluarën së bashku me mua ndaj të gjithë aktorëve të tjerë për të miratuar tre ligjet po kthehet në një bojkotues të votimit të tri ligjeve. Nuk është aspak serioze të mos miratohet kompromisi që ne propozuam, i cili ndihmon jo vetëm miratimin e tre ligjeve, por edhe hyrjen e tyre në fuqi me parlamentin e ardhshëm. Kjo është një përpjekje për tu arratisur nga përgjegjësitë që duhen marrë e duke u ngritur mbi interesat dhe kalkulimet që nxit ankthi i 23 qershorit. E ftoj përsëri zotin Berisha që të jetë më i qartë për ketë çështje. Çdo ditë që vonohet miratimi i këtyre tre ligjeve është përgjegjësi e tij”, – u shpreh Meta.

 

 

 

Votimi i ligjeve dje në Kuvendin e Shqipërisë

Projektligji “Për ratifikimin e Konventës për Ndihmën e Ndërsjellë në Çështjet Tatimore”;
80 vota pro

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Artigiancassa S.p.A., për financimin e programit të ndihmës së integruar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare”;
83 vota pro
Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”;
72 vota pro

Aktin normativ nr. 2 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.;
73 vota pro

Aktin normativ nr. 3 “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim Abu Dhabi, për financimin e projektit të bulevardit verior dhe të rehabilitimit të Lumit të Tiranës”.
73 vota pro

 

KQZ regjistron Dritan Priftin si kandidat i pavarur në Qarkun e Fierit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranoi sot kërkesën e Dritan Priftit për t’u regjistruar si kandidat i pavarur në Qarkun e Fierit. Votimi i kërkesës u bë nga të katërt anëtarët e KQZ-së, pasi vlerësuan se Dritan Prifti i plotëson kriteret e Kodit Zgjedhor për të qenë kandidat për deputet. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në miratoi me 4 vota pro” Projektvendimin “Për regjistrimin e z. Dritan Prifti, si kandidat i mbështetur nga zgjedhësit për zonën zgjedhore, Qarku Fier”. KQZ pas verifikimit, konstatoi se dokumentacioni i paraqitur nga z. Dritan Prifti është paraqitur brenda afateve kohore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe vendosi ta regjistrojë si kandidat për deputet, të mbështetur nga zgjedhësit në zonën zgjedhore, qarku Fieri për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë”, – thuhet në vendimin e KQZ-së. Dritan Prifti pak ditë më parë paralajmëroi se do të kandidojë për një mandat si deputet i pavarur në zgjedhjet e 23 qershorit, duke mos u bërë pjesë e asnjë koalicioni. Sipas tij vendimi për të kandiduar si i pavarur u mor me zgjedhësit e tij.

 

Rasmusen: NATO, ndihmë në zbatimin e paktit

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen vlerësoi shembullin e Kosovës në kuadër të bashkëpunimit të Aleancës me Bashkimin Evropian.Gjatë konferencës së përmuajshme për shtyp, Rasmussen përsëriti se KFOR do të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi brenda fuqive të mandatit që i ka caktuar Organizata e Kombeve të Bashkuara. “Ka qenë një proçes i gjatë dhe i vështirë. NATO dhe KFOR kanë mbështetur që në nisje e gjatë gjithë kohës përpjekjet e BE-së. Në vite kemi parë se bashkëpunimi mes NATO-s dhe BE-së, këtu në Bruksel, si dhe në terren, ka prodhuar përparim të prekshëm.

Angazhimi i NATO-s për të mbështetur zbatimin e marrëveshjes mbetet kyç për suksesin e saj dhe unë shpresoj se ajo do të përkthehet së shpejti në përmirësimin e mëtejshëm të situatës së sigurisë në terren, sidomos në veri të Kosovës”, deklaroi Rasmussen. Rasmussen vlerësoi se marrëveshja e Brukselit përbën një hap të rëndësishëm përpara për sigurinë dhe paqen rajonale dhe një shans të ri për vizionin e përbashkët NATO-BE, për integrimin euro-atlantik të vendeve të Ballkanit.