Përplasja Nuk i ndalon patrullës së policisë, aksidenton për vdekje efektivin Lena

0
162

Sonja Caka

policiaEdmir Koleci, me precedentë penalë, u arrestua në mesnatë në Durrës

Telefonatë familjarëve: “Aksidentova dy policë”, negociata për dorëzim

 

Një efektiv policie ka mbetur i vdekur dhe një tjetër i plagosur rëndë si pasojë e përplasjes me makinë nga Edmir Koleci, një 37-vjeçar i njohur për precedentë të mëparshëm penale. Gjithçka ndodhi në momentin kur dy efektivët i kanë bërë shenjë për të ndaluar Kolecit te rrethrrotullimi për në Bathore në Kamëz, ndërsa po kontrollonin një tjetër automjet me targa greke. Por, Koleci jo vetëm që nuk i është përgjigjur shenjës së dy efektivëve për të ndaluar, por i ka marrë ata para me makinë e tij me targa angleze, duke aksidentuar për vdekje 43-vjeçarin Selman Lena, ndërsa ka plagosur rëndë efektivin tjetër Preng Lleshi, 47 vjeç. Pas këtij veprimi, Edmir Koleci ka vijuar rrugën deri në fshatin e tij Laknas dhe më pas ka braktisur automjetin për t’u arratisur drejt Durrësit. Angazhimi në kohë i efektivëve të policisë, shpërndarja e fotove në gjithë komisariatet e vendit, bëri që brenda një kohe të shkurtër të vihet në pranga te “Katër Rrugët e Shijakut” 37-vjeçari Edmir Koleci.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi në qendër të Kamzës rreth orës 23:30, kur një patrullë e Komisariatit të Policisë Nr.5 Tiranë është goditur nga një automjet tip BMV X5 e drejtuar nga 37-vjeçari Edmir Koleci. Nga përplasja e këtij automjeti ka gjetur vdekjen punonjësi i policisë pranë këtij komisariati, Selman Lena si dhe është plagosur punonjësi Preng Lleshi, i cili aktualisht ndodhet në spitalin Ushtarak Tiranë nën kujdesin e mjekëve. Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë forcat e policisë, grupi hetimor, ekspert për hetimin e aksidenteve, ekspert kriminalist, për të kryer veprimet e para proceduriale dhe mbledhur e administruar provat. Gjithashtu, në vendngjarje kanë mbërritur edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, Tonin Vocaj dhe kreu i policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj, duke marrë në dorë edhe drejtimin e operacionit për kapjen e autorit të ngjarjes së rëndë. Ndërkohë, nisi edhe ndjekja e automjetit që kreu aksidentin më pasojë një të vdekur dhe një të plagosur rëndë. Automjeti i identifikuar ‘BMV X5’ rezultoi se në atë moment drejtohej nga shtetasi Edmir Islam Koleci, 37 vjeç, lindur në Krumë dhe banues në Laknas, i proceduar për vepra të ndryshme penale, ndërsa u gjet i braktisur në fshatin Laknas. Në sajë të një pune të shpejtë hetimore është bërë i mundur identifikimi i autorit të kësaj ngjarje, gjetja e automjetit pak kohë pas ngjarjes dhe kapja e autorit në afërsi të ‘Katër Rrugëve të Shijakut’ Durrës në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

Kontrolli

Në momentin që ka ndodhur ngjarja, dy efektivët dhe kolegë të tjerë të tyre ndodheshin në postbllokun e ngritur në qendër të Kamzës, në kuadër të planit të masave për kontroll të automjeteve pa dokumentacion, kontrollit për armëmbajtje pa leje apo dhe vepra të tjera penale. Në një distancë të afërt me vendin ku ndodhi përplasja ishte edhe furgoni i policisë, ndërsa një prej efektivëve ka qenë duke kontrolluar dokumentacionin e një automjeti me targa greke. Nga larg, efektivi Selman Lena ka konstatuar një automjet që po ecte me shpejtësi dhe i ka bërë shenjë për ndalesë, për t’iu nënshtruar kontrollit të dokumentacionit. Në atë moment, automjeti me targa angleze i drejtuar nga 37-vjeçari Edmir Koleci jo vetëm nuk i është përgjigjur shenjës për të ndaluar, por e ka marrë para efektivin dhe kolegun tjetër të tij, 47-vjeçarin Preng Lleshi, duke shkaktuar vdekjen e njërit dhe plagosjen rëndë të tjetrit.

Arrestimi

Pas ngjarjes, identifikimit të autorit dhe gjetjes së makinës së braktisur në Laknas, policia vazhdoi për orë të tëra lokalizimin dhe ndjekjen e autorit të aksidentit të rëndë, duke bërë të mundur kapjen e tij vetëm në orët e para të mëngjesit në vendin e quajtur “Katër Rrugët e Shijakut”. Policia i ka vënë prangat 37-vjeçarit Edmir Koleci, ish-emigrant në Angli, ndërsa ky i fundit ka pretenduar se ka qenë i dehur në momentin që ka kryer aksidentin dhe është larguar nga vendngjarje nga frika. Ai ka deklaruar se nuk i ka parë policët e postbllokut dhe se ka qenë në efektin e pijeve alkoolike. Por, grupi hetimor dyshon se Koleci duhet të ketë pasur drogë ose armë në momentin që i është bërë shenjë për të ndaluar dhe frika e procedimit e ka bërë të ecë para, pa menduar se do shkaktonte 1 të vdekur dhe 1 të plagosur rëndë. Megjithatë, këto janë vetëm dyshime, nisur edhe nga precedentët e mëparshëm të Kolecit, ndërsa është sekuestruar edhe automjeti me të cilin ka kryer përplasjen e dy efektivëve 37-vjeçari, i cili u gjet i përplasur pas një shtylle në Laknas.

Shpërblimi

Policia e kryeqytetit vuri 10 milionë lekë shpërblim për këdo që do jepte informacione të dobishme për identifikimin e vendit ku ndodhej Edmir Koleci, autori i ngjarjes së rëndë në Kamës, pak para mesnatës. Policia njoftoi se do ruante anonimatin për këdo që ofronte informacione të sakta lidhur me vendndodhjen e autorit të ngjarjes, ndërsa siguronte ruajtjen e anonimatit të tyre. Nuk dihet nëse ka qenë ndonjë person që ka njoftuar vendndodhjen e Kolecit apo është bërë e mundur përmes lokalizimit me anë të telefonit celular.

Negociatat

Pas ngjarjes dhe identifikimit të autorit të ngjarjes, policia ka zbarkuar në familjen e 37-vjeçarit Koleci në Laknas. Menjëherë ka marrë foton e tij, të cilën e ka shpërndarë me shpejtësi në gjithë komisariatet e vendit, me qëllim që të evitohej dalja e tij jashtë territorit. Gjithashtu, përmes familjarëve i është kërkuar të dorëzohet për t’u përballur me drejtësinë për veprën penale të kryer. Familjarët kanë bërë me dije për policinë se janë njoftuar nga vetë Edmiri për ngjarjen, i cili i ka njoftuar në telefon se ka përplasur me makinë dy policë. “Kam përplasur me makinë dy policë në Kamëz” mësohet t’u ketë komunikuar 37-vjeçari në telefon familjarëve, të cilët vazhdimisht gjatë natës i kanë kërkuar që të dorëzohet.

Mjekët: Gjendja e efektivit Lleshi, e rëndë

Efektivi i policisë Preng Lleshi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak. Sipas mjekëve të këtij spitali, efektivi Lleshi është në gjendje shoku, pasi ka pësuar dëmtime të rënda në gjymtyrë dhe mushkëri. Sipas mjekëve, 47-vjeçari po mbahet me ilaçe, plazëm dhe transfuzion gjaku, ndërkohë që i është vendosur edhe një tub për pastrimin e mushkërive. Sipas tyre, ndërhyrja kirurgjikale është e vështirë për shkak të problemeve me tensionin. Sipas tyre, dëmtime të rëndë ka marrë në kokë, gjymtyrët e sipërmve dhe ato të poshtme, ndërsa gjendja vazhdon të mbetet kritike. Ndërkohë që nga aksidenti humbi jetën Selman Lena, 43 vjeç, me origjinë nga Mati, babai i 3 vajzave dhe banues në Kamëz. I plagosuri që tashmë ndodhet në kujdesin e mjekëve në Spital Ushtarak është Preng Lleshi, 47 vjeç, me origjinë nga Lezha, banues në Kodër Kamëz. Ky i fundit ka qenë duke kontrolluar një automjet me targa greke kur është marrë para nga makina e drejtuar prej Kolecit.

Detaje

23:30 ka qenë ora kur dy efektivët e patrullës së komisariatit nr.5 janë përplasur nga Edmir Koleci në qendër të Kamzës

04:00 e mëngjesit të djeshëm ka qenë ora kur policia ka vënë në pranga Edmir Kolecin në “Katër Rrugët e Shijakut”

13:00-14:00 janë zhvilluar homazhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në nder të efektivit Selman Lena

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency