Rama rikthen në PS Ulqinin dhe Hafizin: Politika na ndau, por s’u pushtuan nga mllefi

0
126

Gëzim Saliu

rama. ulqini, hafizi“Pavarësisht se në atë kohë u ndie duke iu ngrënë haku i vet, Ulqini nuk u gudulis në rrugën e mllefit në emër të egoizmit”

 

Të përjashtuar nga lista e PS-së në zgjedhjet e 2009-ës si “gardë e vjetër” e të rikthyer dje si prurje në ekipin e Rilindjes. Musa Ulqini dhe Mimoza Hafizi janë dy emrat e rinj në listën e deputetëve të PS-së në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, ku ish-kreu i PS-së së Tiranës do të jetë kandidat në Qarkun e Elbasanit e ndërsa shefja e departamenti të Fizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës do të kandidojë në Qarkun e Shkodrës. Në prezantimin e tyre nga selia rozë, kreu socialist Edi Rama njohu kontradiktat e kahershme mes tij dhe dy kandidatëve për deputetë, duke nënvizuar nga ana tjetër se rikthimi i tyre në PS vjen në ditët e rilindjes. “Politika na njohu dhe na bëri miq, politika na ndau përkohësisht kur Musai nuk u përfshi në pjesën e sigurt të listës së vitit 2009. Ky është edhe momenti për të nënvizuar konkretisht respektin për kontributin e një pjesëtari të kësaj familjeje politike, që pavarësisht se në atë kohë u ndie i ngrënë në hakun e vet, nuk u gudulis në rrugën e mllefit në emër të egoizmit. Profesoresha Mimoza Hafizi gjithashtu nuk u përfshi në listën e vitit 2009, jo me mllef, po me arsyet e veta, m’u kundërvu publikisht brenda forumeve të partisë pa shkelur asnjëherë etikën”, – tha Rama.

 

Prezantimi

Duke thyer traditën e prezantimit të kandidatëve të rinj gjatë ditëve të diela, kjo edhe për shkak të ngutjes që shkakton afati për të dorëzuar listat e deputetëve në KQZ deri në 6 maj, kryesocialisti Rama nuk ngurroi të vlerësonte Ulqinin dhe Hafizin si dy figura me kontribute të mëdha për Partinë Socialiste. “Jam shumë i kënaqur që në këtë ditë të veçantë të prezantoj dy pjesëtarë të rinj të skuadrës sonë kombëtare të Rilindjes, por që vijnë nga një rrugëtim i kahershëm politik dhe nga një fazë e jetës politike me lëkundje për shkak të zgjedhjeve të bëra në vitin 2009”, – tha ai. Sipas Ramës, ish-kreu i PS-së së Tiranës është një socialist 24 karatë, që kurrë nuk u nda nga PS-ja, pavarësisht se në vitin 2009 nuk u përfshi në listat e kandidatëve për deputetë. “Por edhe më shumë se kaq se lista e deputetëve nuk ndërtohet si stenda e një muzeu, apo kapitulli i një historie, Ulqini vjen sot si një vlerë e shtuar në atë pjesë të patjetërsueshme të ballafaqimit zgjedhor”, – theksoi lideri socialist. Po ashtu edhe për Mimoza Hafizin, Rama pohoi se ky emër ka qenë gjatë në strukturat e PS-së, porse kjo do të ishte hera e parë që ajo do kandidohet për deputete. Nga ana e tij, Musa Ulqini tha se ai ka besuar dhe beson fort në thelbin e ekzistencës së partive politike në demokracitë parlamentare. “Unë besoj se bashkimi dhe angazhimi vullnetar në një parti politike rreth një ideje, çështje, kauze apo alternative është përtej një interesi vetjak, sado i rëndësishëm qoftë ai, sepse është vetëm në këtë mënyrë qytetarët e angazhuar politikisht mund të kontribuojnë që përmes zgjedhjeve elektorale t’i realizojnë në praktikë këto ide, çështje, kauza apo alternativa duke i shërbyer një interesi më të madh, interesit publik. Unë besoj se sot Shqipëria e ka të domosdoshme ndryshimin, që vjen përmes rrotacionit politik”, – theksoi ai. Gjithashtu edhe prurja tjetër e PS-së Hafizi pohoi se lidhja e saj me PS-në është e gjatë në kohë dhe shumë e pasur si në aktivitet politik ashtu edhe organizativ. Për mbylljen e prezantimit ka menduar kreu socialist me një batutë, duke thënë: “Duke i dëgjuar të dy miqtë, dhe pjesëtarët më të rinj të Skuadrës Kombëtare të Rilindjes, m’u kujtua gjyshja ime shkodrane e cila thoshte “jo të gjitha të këqijat vijnë për keq”.

 

Malaj: Lista të bëhet në bazë të meritës dhe me proces demokratik

Deputeti dhe njëkohësisht anëtari i kryesisë së PS-së, Arben Malaj, deklaron se emrat e sigurt në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së duhet të vihen në bazë të meritës dhe përmes një procesi demokratik. Sipas tij, duhet pasur kujdes me listat, pasi prej tyre varet edhe qeverisja e nesërme. “Çdo kërkesë e çdo anëtari dhe çdo mbështetësi të PS-së, qoftë anëtar i thjeshtë, qoftë anëtar i kryesisë, për kriteret e përzgjedhjes së ekipit, për parimet e përzgjedhjes së tyre, për respektimin e meritokracisë, për respektimin e një procesi demokratik nga qendrat e votimit deri tek vendimi përfundimtar nuk është një element i një qejfmbetjeje, por një element i një përgjegjësie maksimale, pasi nga mënyra se si do zbatohen këto parime dhe nga cilësia e ekipit konkurrues në zgjedhje do të varet edhe përmasa e fitores, por edhe cilësia e qeverisjes së vendit”, – tha Malaj për “Ora News”. Ndërkohë, i pyetur se në cilin qark pritet të kandidojë, Malaj u përgjigj duke thënë: “Unë nuk punoj një ditë para listave për të marrë vesh se ku do jem në listë, por punoj që në ditën e parë të një mandati katërvjeçar për t’u shërbyer të gjithë socialistëve”. Po ashtu, deputeti socialist komentoi edhe koalicionin e PS-së me LSI-në ku pohoi: “Sfida e koalicionit të ri është sfida e cilësisë së fitores së zgjedhjeve dhe cilësisë së qeverisjes së vendit”.

 

Engel: Nuk ka rëndësi kush është në KQZ, rëndësi ka zbatimi i ligjit

Kongresmeni amerikan Eliot Engel në një intervistë për agjencinë “INA” pohoi dje se reputacioni i Shqipërisë do të varet nga organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike të 23 qershorit. “Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që të ketë zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, të mos ketë mashtrime apo manipulime dhe procesi zgjedhor të jetë i pastër. Unë kam qenë në Shqipëri në të kaluarën, kur atje janë mbajtur zgjedhjet dhe isha shumë i kënaqur me ato. Gjithkush është duke monitoruar dhe ndjekur nga afër zgjedhjet në këtë shtet. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe unë mendoj se zgjedhjet e lira dhe të pastra do ta ndihmonin anëtarësimin e Shqipërisë edhe në Bashkimin Evropian, e kundërta nuk do të ishte lajm i mirë, sepse e gjithë bota është duke vëzhguar”, – tha Engel, demokrati më i lartë në Komisionin e Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve. Ndërkohë, lidhur me situatën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ligjvënësi amerikan theksoi se institucioni më i lartë zgjedhor duhet të punojë që zgjedhjet të arrijnë standardet ndërkombëtare dhe demokratike. “Nuk më intereson shumë se kush është në Komision, por me rëndësi është që Komisioni ta bëjë punën në pajtim me ligjet në fuqi që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike”, – pohoi Engel.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency