Listat e PS-së, kush mbetet jashtë

0
160

Gëzim Saliu

ramaDeputetët e grupit aktual parlamentar të PS-së që nuk do të jenë më pjesë e Parlamentit të ardhshëm

 

Në kohën kur kreu i PS-së, Edi Rama, po përgatit ndërhyrjet e fundit në përmbylljen e listës zyrtare të kandidatëve për deputetë të PS-së për zgjedhjet e 23 qershorit, deri më tani janë më shumë se 15 emra të grupit aktual parlamentar që me siguri nuk do të bëjnë më pjesë në kuvendin e Shqipërisë. Ndryshimet në listën e deputetëve të cilësuara prej kryesocialisti si të domosdoshme dhe të natyrshme, kanë prekur edhe deputetë me kontribute jo pak të rëndësishme në partinë më të madhe opozitare. Pavarësisht se Rama ka bërë të ditur se askush nuk do të përjashtohet nga PS, duke theksuar se legjislativi dhe ekzekutivi do të jenë të ndarë në qeverisjen socialiste, deputetët që ndihen të përjashtuar mbeten në dyshime rreth këtij premtimi. Mosprania në listën e deputetëve ose vendosja e emrit poshtë vijës së sigurisë, nuk u jep atyre garanci se pas zgjedhjeve, në rast se fiton e majta, do të jenë pjesë e ekzekutivit.

 

Të përjashtuarit

Në Qarkun e Elbasanit është thuajse e përfunduar lista e kandidatëve pjesëmarrës, ku në krye të saj qëndron anëtari i kryesisë së PS-së Ben Blushi. Sipër vijës së sigurisë ndodhen emrat e Damian Gjiknurit, Taulant Ballës, Evis Kushit, Alfred Pezës, Musa Ulqinit dhe në mëdyshje mbeten dy emra: Arben Kamami dhe Bukurosh Stafa. Të përjashtuarit e këtij qarku mbeten deputetët aktual të PS-së, Ilir Bejtja dhe Shegush Ligori, kjo e fundit e pozicionuar në listën e kandidatëve në vendet poshtë vijës së sigurisë. Po ashtu në listën e të përjashtuarve për këtë qark përfshihen edhe Skënder Hasa dhe Agim Leka. Ndërkohë, në Qarkun e Fierit, i cili kryesohet nga kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, mësohet se janë të sigurt emrat e deputetëve: Eglantina Gjermeni, Armando Subashi, Ilirjan Celibashi, Ervin Koçi dhe Arben Çuko. Albert Caci nuk do të bëjë më pjesë në këtë listë e ndërkohë i rrezikuar gjendet edhe deputeti Pirro Lutaj. Në Qarkun e Durrësit, deri më tani është përcaktuar kryesuesi i listës që do të jetë sekretari organizativ Blendi Klosi, i ndjekur nga Ilir Beqja dhe Klodiana Spahiu. Ndërkohë që Gazmir Bizhga dhe Hazir Gashi pritet të mos jenë në listën e kandidatëve ose të jenë poshtë vijës së sigurisë. Po ashtu edhe për Qarkun e Shkodrës duket se kreu socialist ka përfunduar llogaritë, ku vetëm kryesimi i listës mbetet i dyshimtë mes Tom Doshit e Mimoza Hafizit. Ndërkohë emrat e tjerë të përfshirë në vijën e sigurisë janë ato të Paulin Stërkajt dhe Paulina Hoxhës. Astrit Beci mbetet i rrezikuar e ndërsa Ndue Kola përjashtohet nga lista. Në Qarkun e Beratit sigurisht “habinë” më të madhe e ka bërë largimi i anëtarit të kryesisë Erion Braçe, i cili pritet të kandidohet në kryeqytet. Deputetët e zgjedhur nga kreu socialist janë: Fidel Ylli, Ermonela Felaj, Eduard Shalsi. Në këtë qark rrezikon deputeti Marko Bello. Nga ana tjetër në Qarkun e Korçës, janë përcaktuar emrat që do të jenë të vendosur sipër vijës së sigurisë. Kryesuesi i listës Pandeli Majko do të jetë i ndjekur nga Bashkim Fino, Olta Xhaçka, Ilir Xhakolli dhe Ylli Ziçishti. Kështu në këtë qark mbetet i përjashtuar deri më tani Alfred Dalipi. Gjithashtu edhe në Qarkun e Gjirokastrës kanë ndodhur ndryshime, ku me largimin e Arta Dades si kryesuese të listës, e zhvendosur në Tiranë, vendin e ligjvënëses socialiste e ka zënë sekretari për marrëdhënien me biznesin në PS, Arben Ahmetaj. Pas tij vijnë emrat e sekretarit për rininë dhe emigracionin në PS Erion Veliaj si edhe ish-ministrit të Financave Anastas Angjeli. Në këtë qark mund të lihet jashtë listave Ethem Ruka, i cili ndoshta do të përfshihet nga lideri i opozitës në pushtetin ekzekutiv. Afati përfundimtar për dorëzimin e listave zyrtare të kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve skadon në datën 6 maj. Pas ndryshimeve të fundit që pritet të ndodhin dy ditët në vijim, kreu socialist do të paraqesë listën përfundimtare të deputetëve për miratim në kryesinë e PS-së, mbledhje e cila pritet të kalojë me debate dhe kundërshti mes anëtarëve jo vetëm për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve por edhe për lëvizjet e krerëve të fushatës në 12 qarqet e vendit.

 

Të përjashtuarit

Qarku Elbasan – Ilir Bejtja, Agim Leka, Shegush Ligori dhe Skënder Hasa

Qarku Shkodër – Astrit Beci dhe Ndue Kola

Qarku Fier – Albert Caci dhe Pirro Lutaj (në mëdyshje)

Qarku Durrës – Gazmir Bizhga dhe Hazir Gashi

Qarku Berat – Marko Bello (në mëdyshje)

Qarku Korçë – Alfred Dalipi

Qarku Gjirokastër – Ethem Ruka (mund të përfshihet ne ekzekutiv)

 

 

Rama: Të bindim çdo shqiptar që më 23 qershor të mos rrijë në shtëpi

Kreu i PS-së, Edi Rama, ka vijuar dje bashkëbisedimet me qytetarët, ku është ndalur në njësinë nr. 4 në kryeqytet. Edhe në këtë njësi, ai vijoi ritualin e shkuljes së veshit, duke ftuar sërish një vajzë të vogël të kryejë këtë veprim. Lideri socialist u bëri thirrje qytetarëve që më 23 qershor t’u drejtohen kutive të votimit për të mos lejuar cenimin dhe manipulimin e zgjedhjeve. “Sot e kemi të domosdoshme të çojmë në çdo shtëpi mesazhin që këto zgjedhje duhet të jenë të paprekshme, të pacenueshme dhe të pamanipulueshme. Rezultati i këtyre zgjedhjeve duhet të jetë shprehja e vullnetit të popullit për rotacionin e rilindjen. Neve na duhet një fitore e qartë dhe e thellë që të kemi shumicë të plotë, na duhet çdo votë”, – tha Rama. Më tej, kryesocialisti ftoi çdo shqiptar t’i bashkohet projektit të Rilindjes për të ndaluar importin e plehrave, taksën e sheshtë dhe rritjen e krimit. “Sot të bindim çdo shqiptar që më 23 qershor të mos rrijë në shtëpi, por të marrë me vete edhe dikë tjetër që nuk ka shkuar të votojë më 23 qershor. Mos ngurroni të votoni aleancën tonë. Duke shkuar të votoni, jepni kontribut që të ketë rilindje, duke ndenjur në shtëpi i dorëzoheni rritjes së mëtejshme të papunësisë. Duke ndenjur në shtëpi pranoni regjimin e taksës së sheshtë, pranoni sistemin që çdo e drejtë është e drejtë që blihet. Votoni që të ndalni menjëherë importin e plehrave, duke ndenjur në shtëpi i dorëzoheni krimit”, – deklaroi kreu i PS-së.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency