Rama, deputetëve të PS-së: Ju kërkoj ndjesë nëse kam gabuar

0
156

Gëzim Saliu

ram,aLista e deputetëve, kreu i PS-së: Do ketë ndryshime të rëndësishme, jo interesave vetjake

 

Vetëm pak ditë para prezantimit të listës zyrtarë të kandidatëve për deputetë, kreu socialist Edi Rama kërkon ndjesë ndaj grupit aktual parlamentar të PS-së. Duke pranuar kundërshtitë mes tij dhe deputetëve socialistë dhe njëkohësisht duke vlerësuar vlerat dhe kontributet e rëndësishme në rrugëtimin opozitar, kryesocialisti tha se të gjithë pjesëtarët e skuadrës aktuale nuk do të ngelin jashtë rrugëtimit të PS-së, pas zgjedhjeve parlamentare. “Kemi pasur padyshim edhe kundërshtitë, moskuptimet dhe keqkuptimet tona. Rivalitetet e brendshme, nganjëherë të kthyera në deformime të imazhit të kësaj familjeje të madhe politike, e cila për nga shkalla e lirisë dhe vetëdijes së çdo individi është e pakrahasueshme me nivelin e mungesës së lirisë dhe vetëdijes qytetare, që e ka kthyer partinë e kundërshtarit në një oxhak familjar dhe klanor. Sot është dita për t’ju thënë të gjithëve, nëse ka ndodhur, dhe me siguri ka ndodhur, që pa dashje të kem gabuar edhe unë, me këdo prej jush, në rrugën e vështirë e plot mundime që kemi përshkuar deri këtu, për t’ju thënë se ju kërkoj sinqerisht ndjesë. Për mua të gjithë pjesëtarët e këtij grupi kanë qenë dhe do të mbeten bashkëpunëtorët më të afërt të rrugës së përbashkët, që vazhdon me fitoren e 23 qershorit dhe me qeverisjen e vendit për 4 vitet që vijnë”, – u shpreh Rama.

 

Lista

Pavarësisht nga vlerësimet për grupin aktual parlamentar, lideri i opozitës nuk ngurroi të bënte të ditur nga ana tjetër se ndryshimet që do të pësojë ai, do të jenë të rëndësishme. Në këtë kontekst, Rama indirekt kritikoi ata deputetë që kanë kundërshtuar deri më tani mënyrën e formatimit të listës së kandidatëve, duke theksuar se interesat vetjake duhet të lihen mënjanë. “Pikërisht në këtë çast, kur mbyllet një kapitull dhe hapet një i ri, kur mbaron misioni i një grupi parlamentar dhe fillon misioni i një tjetër grupi parlamentar, që sigurisht në përbërjen e vet do të ketë ndryshime se ne jemi mbi çdo interes vetjak, mbi çdo klithmë të brendshme për të vendosur vetveten mbi aspiratat dhe mbi interesat që mbron kjo forcë e madhe politike, duke qenë të vetëdijshëm se gjithkush nga ne që është sot protagonist, padyshim do të jetë edhe nesër protagonist”, – u shpreh kreu socialist. Sipas Ramës, opozita do të jetë në krye për t’i shërbyer popullit dhe jo interesave personale, duke e kthyer politikën, theksoi ai, në duart e qytetarëve të thjeshtë.”Është dita për të vënë interesin madhor të vendit mbi çdo egoizëm dhe mbi çdo interes sado legjitim vetjak. Është dita për të përçuar intensivisht çdo orë dhe çdo minutë drejtpërdrejt dhe nëpërmjet gjithë rrugëve të tjera të komunikimit atë për të cilin shqiptarët sot kanë më shumë nevojë se sa për çdo gjë tjetër, frymën e besimit tek Partia Socialiste, frymën e besimit tek programi i PS-së”, – deklaroi kryesocialisti. Më tej, ai falënderoi të gjithë anëtarët e grupit për gjithçka kanë bërë në 4 vite shumë të vështirë, duke vënë theksin tek 21 Janari. “Keni rezistuar mes pengesash pa fund, sfidash dhe angazhimeve me kundërshtarë primitivë dhe gjakatarë që i ka humbur dy dekada dhe sot i rri vendit mbi kokë si kërcënim për t’ia humbur edhe një dekadë të tretë. Kemi humbur njerëz si të ishim në fushë lufte me armik jo vend pluralist. 21 janari mbetet amaneti i madh i këtij 4-vjeçari në opozitë, dhe një nga synimet për drejtësi”. Në fund të fjalës së tij, e cila ndryshe nga mbledhjet e kaluara ishte e gjatë dhe e mbështetur mbi argumente që kërkonin të arsyetonin ndryshimet që pritet të ndodhin në grupin parlamentar socialist, Rama garantoi që secili prej deputetëve aktualë do të marrë përgjegjësitë e mëdha për mandatin qeverisës. “Në këtë grup parlamentar të gjithë janë protagonistë të dobishëm të rrugëtimit tonë të 4 viteve që vijnë, që të gjithë pa asnjë përjashtim, pavarësisht të ndryshimeve të natyrshme që do të ndodhin brenda grupit, pavarësisht se në cilën anë të hemisferës do të qendrojmë, në anën e ekzekutivit apo legjislativit”, – u shpreh Rama.

 

Tabaku: Rama ka frikë të kandidojë në Tiranë

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku, ka deklaruar dje se kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka frikë të kandidojë në Tiranë, pasi, sipas saj, ai e di që qytetarët nuk do ta votojnë. “Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në serinë e maktheve të humbjes së radhës të zgjedhjeve të 23 qershorit, i është shtuar një ankth tjetër shumë i madh. Rama, humbësi i madh i Bashkisë së Tiranës, e ka frikë dhe tmerr kandidimin në qytetin që vetëm një vit më parë e përcolli në banesën e humbësit. Ai po përpëlitet për të shmangur kandidimin e tij në Tiranë, duke kërkuar qytete të tjera të Shqipërisë, ku ai mendon se i ka dalë boja më pak se në kryeqytet. Edi Rama kërkon ta shmangë Tiranën, sepse ai njëlloj si ne pranverën e vitit 2011, edhe tani nuk ju kthen dot përgjigje kryeqytetasve, se përse e dogji atë më 21 janar. Edi Rama kërkon ta shmangë Tiranën, sepse ai nuk ju kthen dot përgjigje qytetarëve për lejet qe ka firmosur ne kundërshtim të hapur me nenin 64 të urbanistikes dhe konflikt të pastër interesi për ndërtimin e pallatit 5-katësh në sheshin e pallateve nga familja e gruas se tij”, tha Tabaku. Sipas nënkryetares së bashkisë, kreu socialist kërkon të shmangë kandidimin në Tiranë edhe për shkak të lejeve të ndërtimit që ai ka dhënë jashtë rregullave. “Edi Rama kërkon ta shmangë Tiranën, sepse nuk u kthen dot përgjigje fëmijëve të kryeqytetit dhe prindërve të tyre, se përse ua zhduku të gjitha hapësirat e gjelbra, terrenet sportive dhe këndet e lojërave. Edi Rama kërkon ta shmangë Tiranën, sepse rrugëve të shtruara prej tij u ka dalë asfalti elektoral. Edi Rama kërkon ta shmangë votën e kryeqytetasve, sepse ka frikë nga një tjetër ndëshkim spektakolar si ai i 8 majit, për të mos thënë dhe si ai i Ramizit në vitin ‘91. Partia Demokratike konstaton se nuk ka qytet dhe as komune te Shqipërisë që e do për kandidat Edi Ramën”, – përfundoi deklaratën e saj nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Jorida Tabaku.

 

 

 

Prapaskenat për listën e deputetëve, lëvizjet e Ramës

 

Kreu socialist Edi Rama është drejt konfigurimit të plotë të listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Duke bërë të ditur se ndryshimet në grupin aktual janë të domosdoshme, lideri i koalicionit të majtë ka theksuar se edhe ata që nuk do të jenë më pjesë e grupit parlamentar socialiste që do të dalë pas 23 qershorit, do të kenë mundësi të bëhen pjesë e qeverisjes së majtë. Me këtë argumentim, Rama po përmbyll edhe llogaritë e fundit me listën e kandidatëve për deputetë, duke sjellë një sërë ndryshimesh. Kështu deri më tani kreu socialist ka përcaktuar drejtuesit e fushatës në 12 qarqe, të cilët do të jenë njëkohësisht edhe kryesuesit e listës së deputetëve. Edi Rama (ende përfundimisht) në Tiranë, Blendi Klosi në Durrës, Gramoz Ruçi në Fier, Ben Blushi në Elbasan, Pandeli Majko në Korçë, Valentina Leskaj në Vlorë, Eduard Shalsi në Berat, Arben Ahmetaj në Gjirokastër, Shkëlqim Cani në Dibër, Vexhi Muçmata në Kukës, Mimoza Hafizi ose Tom Doshi në Shkodër dhe Mimi Kodheli në Lezhë. Këto vendime kanë hasur kundërshti të mëdha si nga ish-drejtuesit e qarqeve, por edhe nga baza socialiste. Zëvendësimi i Erion Braçes si kryesues i listës në qarkun e Beratit me Eduard Shalsin ka hasur në kundërshtinë e jo vetëm të deputetit socialist por edhe të strukturave të PS-së në këtë qytet. Po ashtu e njëjta situatë është përsëritur edhe në qarkun e Gjirokastrës, ku heqja nga ky qark e Arta Dades dhe zëvendësimi i saj me sekretarin për marrëdhëniet me biznesin Arben Ahmetaj ka hasur në jo pak kritika. Ndërkohë që mësohet se kreu i PS-së ka përmbyllur edhe listat e deputetëve për qarkun e Tiranës, Durrësin, Korçës, Elbasanit, dhe Fierit. Në Tiranë krahas emrit të liderit të PS-së, janë përfshirë në vijën e sigurisë emrat: Saimir Tahiri, Erion Braçe, kryetarja e njësisë bashkiake nr. 1 Lindita Nikolla, Ditmir Bushati, Milena Harito, Ilir Gjoni, Arta Dade, Fatmir Xhafa, Artan Lame, Xhemal Qefalia, Artan Gaçi si edhe sekretarit të koalicionit Ndre Legisi. Ndërsa në Korçë në krye të listës do të jetë Pandeli Majko, i ndjekur nga sekretari për pushtetin vendor në PS Bashkim Fino, Olta Xhaçka, Ilir Xhakolli dhe Ylli Ziçishti. Elbasani i kryesuar prej Ben Blushit, do të ketë të përfshirë në vijën e sigurisë emrat e Damian Gjiknurit, Evis Kushit, Alfred Pezës, Taulant Ballës dhe një emër të LSI. Ndërsa në Fier, i cili kryesohet nga kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi janë emrat e Englantina Gjermenit, Armando Subashit, Ervin Koçit, Pirro Lutajt dhe po ashtu pritet të përfshihet në listën e PS-së edhe një emër i propozuar nga LSI. Deri më 6 maj kur është edhe afati përfundimtar për dorëzimin në KQZ të listës përfundimtare të kandidatëve për deputetë, priten ende zhvillime në selinë rozë. Mbledhja e kryesisë së fundjavës pritet të jetë edhe pika kulmore sa i përket listës së deputetëve, pasi në këtë forum të lartë të PS-së, do të zyrtarizohen përfundimisht emrat e kandidatëve.

Gëzim Saliu

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency