Si u bë shqiponja sorrë Enver Hoxha, Rama dhe diversantët e Kreshnik Spahiut

0
147

akNostalgjikët e kinemasë të socrealizmit, por edhe të rinjtë sot, përmes ekraneve të majta në Shqipëri, mund të kujtojnë fare mirë një fragment nga filmi “Prita” – I ndjeri Ndrek Luca, aktori me mustaqe dhe një çallmë të bardhë në kokë, ka mbetur legjendë me fjalët e tij nga shpella e diversantëve (siç i quante Enveri njerëzit kundër vendosjes së regjimit të tij): “Këtu ka tradhti burra!” Këto fjalë dolën pasi memecit të infiltruar i vunë litarin në fyt, mu te shkëmbi ku zbresin sorrat, sepse hapi gojën e thirri emrin e tradhtarit. A tha të vërtetën?! Të gjithë diversantët rrotull mbetën të shokuar. Ndërsa “diversanti” i ri, i infiltruari i vërtetë nga komunistët u besua totalisht. Kjo skenë është loja e pastër e komunizmit që shndërronte njeriun nga një anë në tjetrën duke përdorur imazhin si alibi.

Kjo ishte loja e Enver Hoxhës. Kthehemi sot për të parë se si rezonon e njëjta skenë, sidomos figurat që përdorin politikanët mes tradhtarit, diversantit, regjimit dhe udhëheqësit!

Para pak ditësh Aleanca Kuq e Zi doli e pavarur, pa pranuar të shkonte drejt zgjedhjeve në koalicion me partitë kryesore, as majtas as djathtas.

Në fakt, kauza që ka ngritur deri më sot Kreshnik Spahiu kanë ngjarë fashiste, që përkon më shumë me regjimin që kërkon të imponojë dhe tërheq atmosfera elektorale se si ka nisur punën Edi Rama. Prandaj u duk sikur AK-ja do kalonte lehtësisht në krah të PS-së.

Deklaratat e Ramës kundër AK-së dhe Spahiut njëkohësisht nuk ndajnë ndonjë ndryshim të madh fabula e filmit socrealist.

Kalimi i “shqiponjës” në “sorrë” është një trans që i vjen më lehtë në imagjinatë Ramës!

Ashtu si personazhi i “Pjetër Mustakuqit” që regjimi i kishte veshur sindromën e tradhtarit dhe arsyetonte me fjalor “diversantësh” duket se Ramës dhe Spahiut u mungon buka e thyer, me mesazhin e fshehur ndërmjet për të kuptuar se janë në një anë. Dhe gjithë sjellja e tyre politike nuk është veçse një alibi, lojë e gjatë sa për t’u quajtur tradhti ky moment.

“Diversantët” dhe shkëmbi i sorrës janë gjuhë e njëjtë e Ramës me paranojën e Enver Hoxhës, si lojë kasollesh ku njerëzit dëgjojnë nga shpella si ushtojnë zërat e dy krerëve, të cilëve nuk u besohet asnjërit se kush tradhton dhe kush ka ideale nacionaliste. Aq e mbrujtur është kjo sindromë komuniste, sa as njëri dhe as tjetri, as Rama dhe as Spahiu nuk mund të vazhdojnë ta kundërshtojnë njëri-tjetrin për sy e faqe.

“Fatkeqësisht, dyshimi im se AK ishte një sorrë e pushtetit për të çoroditur popullin opozitar e jo një shqiponjë e opozitarizmit ka marrë formë gjatë procesit qesharak e të shëmtuar që imponoi ajo parti për të (mos)negociuar me PS dhe është provuar sot, kur Kreshniku i nacionalizmës është shfaqur si xhuxhmaxhuxhi i radhës në përpjekjen e kotë për ta shitur një produkt të diktaturës së korrupsionit si një forcë vetmitare opozitare që aleat të vetëm paskej popullin!”, – shkruante Rama para pak ditësh.

Janë hedhur opinionet mbi “lojën” e quajtur performancë të Kreshnik Spahiut duke turbulluar hapësirën mediatike, se populli nuk e ka aq shumë mendjen tek partitë se do bukën e përditshme! “Në mendimin tim loja e tyre e deritanishme është zhgënjyese. Pse e them këtë? Sepse tani pas rreth dy dekadave tranzicion, kur dy forcat tradicionale PD dhe PS janë konsumuar, madje kompromentuar me sjelljen e tyre, unë kam pritur se këto dy parti të reja politike do të ishin si alternativa ndaj kastave të konsumuara politike. Që këto dy parti të reja t’i qëndronin fort në opozicion kastës së vjetër së konsumuar. Por me sa shikoj kritikat e tyre janë të zbehta, rutinore dhe më keq akoma, nga këto forca të reja është pritur deri në momentin e fundit ndonjë pazar koalicioni, që të jenë si të thuash satelite me kushte, gjë që e ul kreditin e tyre në opinion. Mua më duken më shumë si zgjatime të kastës së vjetër që bëjnë më shumë demagogji…”, – ka thënë Fatos Lubonjë në një intervistë për seksionin shqip të radios gjermane “DW”.

“Është e vërtetë se fushata e saj nacionaliste, paçka se folklorike, ndikoi në të gjithë politikën shqiptare, për t’i trajtuar më shpesh çështjet kombëtare. Është e vërtetë se teza e saj e kufizimit të mandateve ekzekutive e legjislative solli një risi në debatin politik shqiptar.

Për këto arsye, kam qenë një nga përkrahësit e Aleancës Kuqezi në media. Por Kreshnik Spahiu i përdori të gjitha këto, si gjithë demagogët e tjerë të kësaj bote, për të bërë presion që të fuste shoqet dhe shokët e tij në listën e deputeteve të PS…” marrim një citim të Eduart Zaloshnjës nga “zhgënjimi” i tij i shprehur në media.

Fabula prej shqiponjës në sorrë, si ajo e Ezopit kur dhelpra mundohet të kapte rrushtë, po nuk mbërrin dhe për Spahiun e Ramën kthehet në alibi elektorale se “nuk bën rrushi” me diversantët e PS-së.

 

 

***

 

Gjeneza e një “bashkëpunimi”

Pas kthimit në parti të Aleancës Kuq e Zi dhe krijimit të FRD-së, forcës së drejtuar prej ish-presidentit të vendit Bamir Topi, arena politike shqiptare mori një hov të ri. Si AK ashtu edhe FRD, të cilësuara në atë kohë nga shumëkush në ambientin mediatik dhe jo vetëm si parti që do “zhvishnin” nga votat PD-në në zgjedhjet e 23 qershorit, bënë të ditur prerë se nuk do të përfshiheshin në asnjë koalicion ku ishin pjesë dy forcat kryesore politike në vend, PD dhe PS. Duke i cilësuar PS-së dhe PD-në si parti të vjetra, konfliktuale dhe shkaktare të staniacionit politik të vendit, Kreshnik Spahiu dhe Bamir Topi ishin shfaqur si opozitarë të qeverisë dhe njëkohësisht si opozitarë të opozitës. Por përkundrejt këtyre qëndrimeve, do të ishte anëtari i kryesisë së PS-së, ish-kryeministri i vendit Pandeli Majko, i cili do të ndërmerrte hapin e parë drejt një bashkëpunimi të mundshëm paraelektoral mes forcës më të madhe opozitare dhe dy partive të reja, AK dhe FRD. Në emisionin “Top Story” në 28 qershor të vitit 2012, i pyetur nga gazetari Sokol Balla lidhur me mendimin e tij për partitë e reja në skenën politike shqiptare, deputeti socialist do të shprehej: “Për mua ta them hapur, qoftë partia FRD, qoftë Aleanca Kuq e zi, janë aleate të natyrshme të opozicionit në Shqipëri, të një shtrese shoqërore që kërkon ndryshimin. Ne duhet të ulemi me ta për t’i fiksuar ata në një ditë, në një kuti për një qëllim të përbashkët. Ne duhet të jemi pragmatistë për tu ulur me gjithë njerëzit që duan ndryshimin në Shqipëri. Dhe nuk ka diferenca jo i majtë e i djathtë”. Një deklaratë e tillë do të bënte jo pak bujë në shtypin e përditshëm e njëkohësisht do të pritej jo me pak kundërshti në selinë rozë, ku nga thuhej se “Rilindja” do të fitojë e vetme 72 deputetë.

Ftesa dhe refuzimi i parë

Thuajse një muaj pas deklaratës së deputetit Majko, do të vinte reagimi i parë publik i kreut socialist Edi Rama. Në 27 korrik të vitit të kaluar në emisionin “Debat” të gazetarit Alfred Peza, i cili tashmë është pjesë e PS-së, lideri i opozitës do të fliste për herë të parë lidhur me mundësinë e një bashkëpunimi paraelektoral me FRD-në dhe AK-në. “Është e vërtetë që Pandi ka bërë një ftesë publike duke logjikuar se opozitat duhet të bëhen front në kushtet kur realisht kur kemi konturimin e një shteti parti me simptomat e një shteti policor dhe me një qasje të qartë për të kontrolluar çdo qelizë të shtetit në funksionon të pushtetit. Dhe me këtë logjikë ka apeluar ndaj AK-së dhe FRD-së. Ne jemi të hapur. Por, unë mbetëm i mendimit që ato janë parti të djathta, apelojnë drejt një elektorati të djathtë dhe nga ana tjetër dua ta bëj të qartë se koalicioni ynë ka gravitet programin tonë. Sigurisht që ne kemi bërë ndryshime shumë të qenësishme në program dhe kemi adresuar në mënyrën më të hapur, por dhe me mekanizmat më konkret edhe çështje deri dje tabu të së majtës dhe monopol të së djathtës, pronat, ish të përndjekurit politik dhe në këtë kuptim jam i bindur që është një gravitet ku nuk ka arsye pse të mos përfshihen parti të djathta. Madje kemi forca të djathta të zëshme që janë pjesë e koalicionit dhe që përfaqësohen nga të përndjekur politik si Spartak Ngjela apo Kurt Kola. Por nga ana tjetër, koha do të tregojë se si do të zhvillohen dinamikat në tërësi”, – u shpreh Rama. Një ditë më pas do të vinte edhe refuzimi i parë i AK-së dhe FRD-së. “Deklarata e Edi Ramës është bërë në kushtet e drithërimave që kanë kapur socialistët dhe demokratët nga mbështetja popullore që po fiton çdo ditë Aleanca Kuq e Zi. Ne refuzojmë çdo lloj koalicioni të mundshëm dhe nuk pranojmë në gjirin tonë as PD dhe as PS. Rama dhe Berisha në panik kanë formalizuar modelin politik grek si PASOK dhe Demokracia e Re, duke i hapur dyert njeri-tjetrit për një koalicion në zgjedhjet e ardhshme. Aleanca Kuq e Zi do të jetë lokomotiva nacionaliste e koalicionit të lëvizjeve patriotike në zgjedhjet e ardhshme”, – do të shprehej Kreshnik Spahiu. Në të njëjtën linjë, FRD do të pohonte: “Fryma e Re Demokratike deklaron se koalicioni i saj do të jetë vetëm me qytetarët shqiptarë, në funksion të ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe realizimin e aspiratës së shqiptarëve për të qenë pjesë e denjë e bashkësisë së madhe evropiane. Në këtë qëllim të madh FRD nuk do të bëjë asnjë koalicion me zotin Berisha dhe zotin Rama”.

 

Viti 2013, sfidë apo bashkim?

Për herë të parë për publikun shqiptar, kreu socialist Edi Rama do të zhvillonte një bashkëbisedim live me qytetarët në rrjetin social “Twitter”. Në 6 janar të vitit 2013, në konferencën online, Rama do të ribënte ftesën e tij ndaj AK-së dhe FRD-së për tu bashkuar me kampin e majtë. “Jemi përballë një regjimi. Duhet një front opozitar pa paragjykime. Prioriteti i parë është largimi i regjimit me votë mbarëpopullore”. Një muaj më pas, kreu socialist do të bënte ndarjen e parë mes dy forcave: FRD nuk mund të bëhet pjesë e koalicionit të majtë, shanset dhe mundësitë më të mëdha janë tek AK. “Bamir Topi është jo vetëm i djathtë, po ka dhe synimin të duket i ri në fushë. Plus që qëllimi i tij real është reformimi i PD-së”, tha Rama në konferencën e 3 shkurtit. Një distancim i tillë nga FRD dhe lënia hapur e derës së partisë për AK-në tregoi se druajtja më e madhe e opozitës ishte pikërisht Kreshnik Spahiu. Opozitarizmi i ashpër deri në ekstremizëm ndaj Kryeministrit Berisha, përbënte një “sfidë” për PS-në e Ramës, një sfidë e cila mund të thellohej më tej me përballje direkte ose të shuhej me një aleancë. E dyta dukej se ishte zgjedhja e kryesocialistit…

Aleanca e “riskut” me Metën dhe Spahiu

Edi Rama e kishte vendosur. Lëvizja Socialiste për Integrim duhej të bashkohej me PS-në, pasi në këtë formë sigurohej një e majtë e bashkuar dhe në të njëjtën kohë sipas tij rrudhej mundësia e manipulimit të votës (kjo e fundit mund të shërbejë edhe si akuzë indirekte ndaj LSI-së në rast se zgjidhte të djathtën). Pas ftesë zyrtare nga PS, forca e drejtuar nga Ilir Meta vendos të dalë përfundimisht nga koalicioni qeverisës duke zgjedhur opozitën. Një bashkëpunim i tillë solli një “lum” kundërshtish ndaj kreut të PS-së, si nga baza socialiste ashtu edhe nga deputetët e forcës më të madhe opozitare. Shkaku nuk ishte i vështirë: demonstrata e 21 janarit. Tri dalje televizive, një editorial, shkëmbime me pyetje-përgjigje me qytetarët do të ishin disa nga format e përdorura nga kryesocialisti për të shpjeguar se pse vendosi të bashkohej me LSI-në. Por kundërshtitë vazhdonin e ndërkohë risku i një “aleance pa moral” jepte shpresa tjetërkund. AK e Kreshnik Spahiut po cilësohej si forca e vetme opozitare, si kundërshtarja e denjë ndaj Sali Berishës dhe kjo nuk “përtypej” lehtë nga Rama. Dhe rikthemi tek bashkëpunimi…

Sorrë apo shqiponjë?

Daljen publike nga selia rozë me kreun e Internacionales Socialiste, Luiz Ajala, i cili mbërriti në Tiranë për të “bekuar” politikisht koalicionin PS-LSI, Rama e shfrytëzoi sërish për të ushtruar presion ndaj AK-së, duke nënvizuar se ka vetëm një javë kohë për të vendosur nëse do të jetë parti opozitare apo radikale. “Kjo është një betejë për t’u çliruar nga një regjim i cili ka prodhuar një kapitalizëm familjar. Dhe në këtë betejë dëshiroj ta theksoj për gjithë shqiptarët se kemi nevojë për një front opozitar dhe jo për axhenda të ndara nga axhenda e këtij fronti. Unë uroj që edhe Aleanca Kuqezi të jetë pjesë e këtij fronti dhe jam shumë i dëshiruar të besoj deri në fund që në Shqipëri nuk do të përsëritet skenari i njohur i shumë diktaturave të korrupsionit që për t’i shpëtuar fronteve opozitare, prodhojnë parti radikale kundër vetvetes për të çoroditur votën e popullit”, tha Rama. Më shumë do të rritej “intonacioni” opozitar tre ditë më pas, ku Rama u shpreh prerë: “Aleancën Kuq e Zi do ta presim edhe një javë. Nëse ata nuk i bashkohen koalicionit tonë, i cili po shndërrohet në një front të madh opozitar kundër regjimit të Berishës, Aleanca do të jetë një shqiponjë e vërtetë. Nëse ajo do të qëndrojë jashtë këtij fronti opozitar, atëherë do të jetë një sorrë, dhe ne do ta konsiderojmë si një parti që kërkon të përçajë votat e koalicionit opozitar”. Tratativa mes Ramës dhe Spahiut do të zhvilloheshin deri në limitet e kohës së regjistrimit të koalicioneve. Ndarja ishte e qartë: PS nuk pranonte emrat e AK-së në listat e saj të deputetëve. Por nga ana tjetër nuk donte ta lëshonte atë, pasi votat e majtë ishin në rrezik. Negocimi po bëhej i vështirë. Në këto rrethana kreu socialist pranoi të përfshijë në listat e PS-së emrat e AK-së, por me kushtin që përzgjedhja e tyre të bëhej nga vetë ai, kërkesë kjo që u hodh poshtë nga Spahiu. Në një konferencë publike, pas një telefonate me tone aspak miqësore me kryesocialistin, kreu i AK-së do të bënte të ditur vendimin: Do konkurrojmë vetëm në zgjedhje, nuk bëhemi pjesë e një koalicioni ku është përfshirë një parti greke. Ishte ky vendim që ktheu “shqiponjën në sorrë”. Tashmë AK për PS-së nuk ishte më një forcë që luftonte kundër regjimit, porse një parti që e mbante gjallë atë. Tanimë Kreshnik Spahiu nuk ishte një opozitar, por një xhuxhmaxhuxh. “Fatkeqësisht dyshimi im se AK ishte një sorrë e pushtetit për të çoroditur popullin opozitar e jo një shqiponjë e opozitarizmit, ka marrë formë gjatë procesit qesharak e të shëmtuar që imponoi ajo parti për të (mos)negociuar me PS dhe është provuar sot, kur Kreshniku i nacionalizmës është shfaqur si xhuxhmaxhuxhi i radhës në përpjekjen e kotë për ta shitur një produkt të diktaturës së korrupsionit si një forcë vetmitare opozitare që aleat të vetëm paskej popullin!Çfarë pështirosje prej atyre kërkesave të shtruara skuthërisht mes tekstesh provokative, ku mbërrihej deri në marrëzinë e një lufte të ftohtë ballkanike, dhe këmbënguljes për të desantuar 5 diversantë deputetë në listat e PS apo për të përcaktuar se për çdo 10 mijë vota AK duhet të merrte një portofol ministror! Ndërsa vetë Kreshniku xhuxhmaxhuxh i oborrit të Saliut na dha me ketë rast, ilustrimin më të freskët të proverbit të famshëm që thotë se nacionalizmi është streha e fundit e maskarallëkut”, – shkruante Rama në FB, i paraprirë më parë nga deputeti Sajmir Tahiri dhe një ditë më pas nga kolegu Taulant Balla, i cili do të guxonte më tej në retorikën e tij duke pohuar se Spahiu u shit tek Berisha. “Pinjolli i vetë Saliut Zeni, i cili përmes një personi të besuar lëvroi torbën e pareve për shpenzime. Kjo është historia e sorrës kreshnike”.

 

Në vend të një përfundimi

AK-PS rezultoi një histori me fund të hidhur. Kreshnik Spahiu dhe Edi Rama nuk mundën të tejkalonin ndarjet mes tyre, si ato për pushtetin si edhe ato të mënyrës së qeverisjes pas 23 qershorit. E vetme në zgjedhje, AK ka marrë përsipër një risk jo pak të vogël, por që gjithsesi përbën një zgjedhje. Një zgjedhje e një partie që nuk është ngritur as me filozofinë dhe as me ndihmën e së majtës. E një force politike që në fund të fundit, ka në bazë interesat partiake, ashtu siç edhe kreu socialist që me kërkesën e tij për bashkëpunim, më shumë se sa formimin e një fronti të gjerë opozitar, synonte unifikimin e votave të majta. Llogaritë elektorale u bënë kështu dhe si të tilla ato nuk duhen paragjykuar (siç edhe Rama kërkon që të mos paragjykohet për koalicionin me LSI-në) e aq më tepër sulmuar me një retorikë të ashpër e akuzuese. Pas 24 qershorit PS mund t’i “duhet” të ndryshojë qëndrim… atëherë ndoshta sorra do të kthehet sërish në shqiponjë…

 

 

28 qershor 2012 – Ftesa e parë

Pandeli Majko

Për mua ta them hapur, qoftë partia FRD, qoftë Aleanca Kuq e zi, janë aleate të natyrshme të opozicionit në Shqipëri, të një shtrese shoqërore që kërkon ndryshimin. Ne duhet të ulemi me ta për t’i fiksuar ata në një ditë, në një kuti për një qëllim të përbashkët. Ne duhet të jemi pragmatistë për tu ulur me gjithë njerëzit që duan ndryshimin në Shqipëri. Dhe nuk ka diferenca jo i majtë e i djathtë

 

Edi Rama

27 korrik 2012

Është e vërtetë që Pandi ka bërë një ftesë publike duke logjikuar se opozitat duhet të bëhen front në kushtet kur realisht kur kemi konturimin e një shteti parti me simptomat e një shteti policor dhe me një qasje të qartë për të kontrolluar çdo qelizë të shtetit në funksionon të pushtetit. Dhe me këtë logjikë ka apeluar ndaj AK-së dhe FRD-së. Ne jemi të hapur.

 

6 janar 2013

Jemi përballë një regjimi. Duhet një front opozitar pa paragjykime. Prioriteti i parë është largimi i regjimit me votë mbarëpopullore

 

7 prill 2013

Unë uroj që edhe Aleanca Kuqezi të jetë pjesë e këtij fronti dhe jam shumë i dëshiruar të besoj deri në fund që në Shqipëri nuk do të përsëritet skenari i njohur i shumë diktaturave të korrupsionit që për t’i shpëtuar fronteve opozitare, prodhojnë parti radikale kundër vetvetes për të çoroditur votën e populli

 

10 prill 2013

Aleancën Kuqezi do ta presim edhe një javë. Nëse ata nuk i bashkohen koalicionit tonë, i cili po shndërrohet në një front të madh opozitar kundër regjimit të Berishës, Aleanca do të jetë një shqiponjë e vërtetë. Nëse ajo do të qëndrojë jashtë këtij fronti opozitar, atëherë do të jetë një sorrë, dhe ne do ta konsiderojmë si një parti që kërkon të përçajë votat e koalicionit opozitar

 

24 prill 2013

Fatkeqësisht dyshimi im se AK ishte një sorrë e pushtetit për të çoroditur popullin opozitar e jo një shqiponjë e opozitarizmit, ka marrë formë gjatë procesit qesharak e të shëmtuar që imponoi ajo parti për të (mos)negociuar me PS dhe është provuar sot, kur Kreshniku i nacionalizmës është shfaqur si xhuxhmaxhuxhi i radhës në përpjekjen e kotë për ta shitur një produkt të diktaturës së korrupsionit si një forcë vetmitare opozitare që aleat të vetëm paskej popullin

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency