Moralin nuk e studion arkeologjia

0
173

Fitim Zekthi

 

moraliSjellja politike kudo në botë studiohet nga shkenca sociale si sociologjia, politologjia. Lami të tjera si antropologjia apo psikologjia ndihmojnë në shpjegimin e këtyre sjelljeve. Në Shqipëri, në mënyrën më të pabesueshme, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i kërkoi arkeologjisë dhe historisë në përgjithësi të merret me çfarë ai ka bërë, ka thënë apo si është sjellë. Edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se ai sheh përpara dhe nuk do të mbetet peng i së kaluarës. Që në krye duhet thënë se ndarjet e thella nuk mund të jenë domosdo arsye që kjo ndarje të vazhdojë apo edhe më keq të thellohet. Veprimi politik megjithatë nuk mund të jetë i pandikuar nga arsyet e ndarjes, nga shenjat e ndarjes dhe sidomos nga njollat e saj kur ka pasur. Qëndrime të gjata disavjeçare që e përkufizonin tjetrin si vrasës, hajdut me bllok në dorë, manipulues, psikopat, patericë, diktator etj. nuk mund të jenë subjekt shpjegimi i arkeologëve, por më së pari i atyre që i kanë mbajtur këto qëndrime. Që kur njerëzimi ka të dokumentuar elemente të qytetërimit të tij, diskutimi për moralin ka qenë një prej gjërave më të pranishme. Gjithë filozofia e Greqisë së vjetër ka themel moralin, Roma po ashtu. Më pas vjen Krishtërimi, Islami dhe besime të tjera të cilat pothuajse përcaktuan trajektoren e diskutimeve për moralin. Në epokën e sotme askush nuk është aq i guximshëm, në asnjë katedër apo auditor që ta quajë moralin çështje arkeologjie. Teorikisht e majta dhe e djathta sigurisht që kanë këndvështrime të ndryshme për moralin. George Lakoff, një prej filozofëve më të njohur në botë, profesor i Universitetit të Berklit, thotë se e djathta është më konservatore, ka për metaforë të moralit “babain e fortë”, vlerëson si themelore vetëpërmbajtjen dhe mosrendjen ndaj kënaqësisë, kërkon një familje të qëndrueshme, i jep fesë një rol të rëndësishëm në jetën e shoqërisë dhe njeriut etj. Politikanët e djathtë, thotë Lakoff, përgjithësisht sillen në këtë mënyrë dhe sjellja e tyre gjykohet po nga ky këndvështrim. E majta ka për metaforë të moralit “babain kujdestar”. Në një libër monumental për moralin në politikë, profesor Lakoff thotë se morali për të majtët ka tri tipare bazë: disiplina nuk është një bindje strikte, por respekt dhe dhembshuri. Bota nuk është më shumë armiqësore sesa është miqësore, ajo thjesht na imponon respekt dhe respekti e mirësia mësohen nga shembulli. Është e qartë se ajo që tha kreu dhe sidomos ajo që bëri kreu i LSI-së dhe ai i PS-së nuk ka asnjë lidhje me atë që e majta mendon se është morali. As respekt, as dhembshuri, as mësim të respektit dhe dhembshurisë nëpërmjet shembullit nuk ka veprimet e tyre. Do të ishte e drejtë dhe në përputhje me moralin që mbron e majta që PS dhe LSI të bashkoheshin në një koalicion, po në këtë koalicion nuk mund të ishte Meta dhe Rama dhe as zërat më fortë në krah të tyre këto vite. Vetëm kjo do të ishte respekt, dhembshuri dhe shembull. Në botën demokratike, Bill Clinton nuk tha gjatë kohës që ishte në garë për president në vitin 1992 të merret historia me çështjen e shmangies nga shërbimi ushtarak, por iu përgjigj asaj akuze dhe mbajti përgjegjësi. Edhe Al Gore nuk i ka kërkuar arkeologjisë të merret me akuzat për shpërdorim fondesh, por është përgjigjur vetë. Këtë gjë ka bërë Michael Dukakis, kandidat demokrat për president, kur u akuzua nga Bush, pa dyshim për gjëra krejtësisht minore nga akuzat llahtari të Metës dhe Ramës. Shembujt janë pa fund, kudo nga Prodi tek Shroeder, nga Miterrand tek Jospin meqë jemi tek e majta, sepse e djathta është edhe më e ashpër. Joseph Nye, një profesor i Harvardit dhe ish-zëvendëssekretar i Pentagonit, thotë se në zgjedhje njerëzit më shumë gjykojnë inteligjencën emocionale dhe atë morale të kandidatëve. Ai thotë se programet ndikojnë pak ose aspak, se premtimet gjithashtu nuk kanë vlerë të madhe. Prof Nye thotë se njerëzit do të vendosin duke kuptuar me instinkt se cili kandidat është më pranë tyre, cili kandidat është i ndershëm dhe më ndjeshëm. Vetëm kjo bën diferencën. E majta i ka shtuar vetes edhe një problem më shumë me sjelljen e Metës dhe Ramës. Nuk ka zgjedhës që të mendojë se kjo sjellje i bën ata më të shfaqen më ndershëm, më të drejtë dhe më të afërt me ta. Këtë gjykim njerëzit do ta bëjnë edhe qeverinë dhe për Kryeministrin dhe sigurisht veprimet e tij do të kalojnë në të njëjtin filtër. Ai dhe qeveria nuk mund të shihen si më të pandershëm dhe më të padrejtë pas ikjes së LSI-së. Me gjithë përpjekjet për të relativizuar gjykimet për moralin, ai gjithnjë ka pasur peshën e vet, sepse e natyrshmja nuk bëhet dot ndryshe. Arkeologjia nuk mund të studiojë moralin.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency