Mirush Kabashi, pse Shqipëria befasoi në Lion

0
162

mirushËshtë i tejngopur informacioni në Shqipëri, e sidomos në kryeqytet, se si kultura nga mjaft vende të Europës e deri nga Arabia Saudite celebrojnë e promovojnë traditën. Ndërsa janë të rralla lajmet që nga vende të tjera një artist shqiptar të bëhet shkak, apo inspirim të hapë dyert për të festuar kulturën shqiptare. Kjo ka ndodhur në Lion, kur në mesin e prillit është organizuar java e Shqipërisë. Bashkia e Lionit kishte zgjedhur Libanin, Luksemburgun, Togon dhe Shqipërinë për t’i nxjerrë në skenë. Shkas për Javën e Shqipërisë u bë aktori Mirush Kabashi! Një shkrimtar i mirënjohur lionez Jacques Bruyas, e pa në skenë vitin e kaluar, kur Mirush Kabashi erdhi në Lion për të luajtur “Apologjia e Vërtetë e Sokratit” dhe u mahnit nga loja e aktorit. Që atë ditë interesi i Bruyas-ë erdhi duke u rritur për Shqipërinë dhe shqiptarët. Disa muaj më vonë, Bruyas me telefonon e më thotë: po të bëjmë një javë me aktivitete për ta bërë të njohur Shqipërinë a e merrni përsipër ta realizoni ? U tha – u bë ! Një javë më vonë në tavolinën e Laurence Croisier, nënkryetares së bashkisë që merret me organizimin e këtij aktiviteti gjendeshin 9 projekte. Java e Shqipërisë u hap me një konference mbi Shqiperinë, e ndjekur nga prezantimi i fotografive të dinastisë Marubi nga Loic Chauvin dhe Christian Raby. Ata treguan aventurën shqiptare, se si kishin mbetur të magjepsur para klisheve të Marubit gjatë udhëtimeve të tyre në Shqipëri e se si përpiqeshin t’i bënin jehonë në Francë kësaj trashëgimie të çmuar të fotografisë shqiptare e botërore. Të pranishmit mbetën të mrekulluar nga fotografite autentike. Kryetari i bashkisë Jean Jacques David shprehu në publik kureshtjen e tij për Shqipërinë dhe dëshirën që të zbulonte këtë vend misterioz. Me datë 3 prill në kinemanë CinéDuchère u transmetua filmi

“Slloganë” në gjuhën shqipe i nëntitruar frëngjisht. Ishte rasti, për shqiptarët e pranishëm të dëgjonin gjuhën shqipe e të sillnin ndër mend kujtimet e rinisë së tyre. Francezët e pranishëm nuk i kursenin komplimentet: “Film shumë i bukur”, “E paimagjinueshme”, “Bravo për iniciativën”. Pas seancës biseda vazhdoi gjatë mes spektatorëve që vazhdonin të diskutonin mbi filmin dhe Shqipërinë. Më datë 4 prill në sallën më të bukur të bashkisë u mbajt konferenca “Justin Godart e Leon Rey – dy bijtë e Shqipërisë”, nga shkrimtari lionez Jacques Bruyas dhe shkrimtari dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Francë, Z. Luan Rama. Supriza e aktivitetit ishte ardhja e në aktivitet e Jean Gabriel Rey-t, djalit të Leon Rey-t që solli me shumë emocion kujtimet e të jatit.

Personalitete të shumta e intelektualë lioneze na nderuan me ardhjen e tyre: Gilbert Gardes, historian i artit dhe autor i Guidës së Shqipërisë; konsuj, kryetarë shoqatash e mbi të gjitha plot shqiptarë që jetojnë e punojnë në Lion. Monique Monchanin, nënkryetare e shoqatës “ Lyon Quebec” u shpreh:  “Faleminderit për aktivitetin e bukur mbi Shqipërinë. Niveli i lartë i konferencave në lejoi të zbulojmë lidhjet historikë që kanë ekzistuar e vazhdojnë të ekzistojnë mes vendit tuaj dhe Lionit”. Aktiviteti u pasqyrua edhe në shtypin lokal si dhe në site të ndryshme internet.

Rina Çela-Grasset

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency