Drejt fundit të “oazeve fiskale” në Evropë

0
130

tsxsVende të tilla si Luksemburgu, Lihtenshtajni, Zvicra, Austria dhe Qiproja kanë vite që shërbejnë si vende të sigurta për depozitimin e parave për t’u shpëtuar taksave

 

Me sa duket, oazeve fiskale në Evropë po u vjen fundi. BE-ja synon që me reformimin e sistemit të tatimeve t’u mbyllë shtigjet evazorëve fiskalë. Vende të tilla si Luksemburgu, Lihtenshtajni, Zvicra, Austria dhe Qiproja kanë vite që shërbejnë si vende të sigurta për depozitimin e parave për t’u shpëtuar taksave. Por, me sa duket, këtyre oazeve për evazion fiskal po u vjen fundi. Luksemburgu miratoi sinkronizimin automatik të informacioneve lidhur me llogaritë bankare me vendet e tjera të BE-së. Po ashtu, edhe dy banka të famshme zvicerane u kanë bërë thirrje klientëve të tyre gjermanë që ose t’ua deklarojnë paratë që kanë depozituar në to zyrave të taksave dhe të tatimeve në Gjermani, ose t’i heqin paratë nga këto banka. Me sa duket, pas dështimit të marrëveshjes gjermano-zvicerane për çështjet tatimore, bankave të Zyrihut po u duket e rrezikshme loja me para gjermane nga burime të paqarta.

 

Njësimi i bazës për normën e tatimit

Sekreti bankar që praktikohet në Luksemburg, Lihtenshtajn, Zvicër apo Austri është interesant sidomos për klientët e huaj, të cilët i investojnë paratë e tyre në këto vende për t’i mbrojtur kështu nga sytë e zyrave të taksave dhe të tatimeve në vendet e tyre. Në këto vende të ardhurat nga përqindjet e interesit për paratë e depozituara tatohen me një normë që është më e favorshme se norma me të cilën tatohen të ardhura të tilla p.sh. në Gjermani. Kështu në Austri p.sh. ato tatohen me 35 për qind dhe Austria transferon në vendin e origjinës të mbajtësit të llogarisë vetëm tre të katërtat e kësaj sasie.

BE-ja synon që me reformimin e sistemit të tatimeve t’u mbyllë shtigjet evazorëve fiskalë duke përcaktuar se si bazë për normën e tatimit duhet të shërbejnë kursimeve e pastra mbi fondet e investimeve ose të sigurimeve të jetës, të cilat bazohen kryesisht tek normat e interesit. Po ashtu tatimeve nuk duhet t’u shpëtojnë më as fondacionet dhe trustet në të cilat për t’u shpëtuar tatimeve themeluesit e tyre nuk shfaqen si subjekte natyrorë por si subjekte ligjorë.

 

Luksemburgu, qendra më e madhe e fondeve në Evropë

Vitet e fundit Luksemburgu, ky vend i vogël evropian, është shndërruar në qendrën më të madhe, ku kanë selinë e tyre fondet në Evropë. Sipas të dhënave të shoqatës përkatëse ALFI shuma e depozituar në fondet e investimeve në Luksemburg është rreth 2,5 trilionë euro, në fillim të mijëvjeçarit ajo qe më pak se një trilion. Edhe ofruesit gjermanë të fondeve janë mjaft të pranishëm në Luksemburg, ku sot ata përbëjnë grupin e dytë më të madh të klientëve pas SHBA-së. Madje duke u renditur edhe përpara bankave zvicerane.

Kjo lidhet me faktin se Luksemburgu ka filluar shumë herët që të përcaktonte standarde për produktet e fondeve duke krijuar në këtë mënyrë “marka” përkatëse. Shembulli më i spikatur janë fondet UCITS (Undertakings for Collective Investment in Transferable Securities). Ato bazohen në direktivat e BE-së dhe Luksemburgu qe i pari që i zbatoi. Në këtë mënyrë shumë ofrues të huaj fondesh morën aty leje për produkte UCITS.

 

 

 

 

 

Hap i ri drejt realizimit të plotë të projektit “e-government”

Në mjediset e Ministrisë së Financave u nënshkrua dje marrëveshja e kredisë së eksportit për financimin e projektit të taksimit elektronik. Marrëveshja u firmos nga ministri i Financave Ridvan Bode dhe për palën austriake nga Thomas Oberndorfer, menaxher i Transaksioneve të Shitjeve Bankare. Gjatë ceremonisë, ishte i pranishëm edhe ambasadori austriak në Tiranë, Florian Raunig.

Ministri Bode tha se “ky projekt është pjesë e programit strategjik e-government të qeverisë shqiptare, i financuar nga qeveria austriake në kuadër të marrëveshjes dypalëshe të bashkëpunimit financiar, të nënshkruar më 7 dhjetor 2010.
Objektivi i projektit është të implementojë një sistem të ri tatimor që do të përmbushë kërkesat funksionale dhe ligjore sipas standardeve evropiane dhe do të ofrojë shërbime bashkëkohore për tatimpaguesit, duke bërë të mundur përafrimin e legjislacionit dhe të procedurave me standardet e BE-së”.

Ai shtoi se “nëpërmjet këtij projekti do të bëhet i mundur zëvendësimi i sistemit aktual dhe i nënsistemeve në përdorim nga administrata tatimore dhe tatimpaguesit, duke dhënë mundësinë e rritjes së performancës të administratës dhe mbledhjes më efiçente të të ardhurave. Blerja e një sistemi të tillë ofron avantazhin e implementimit në një periudhë të shkurtër të kritereve ligjore dhe teknike, në kombinim me një shkallë të gjerë fleksibiliteti për ndryshime në të ardhmen duke ofruar shërbime publike më cilësore dhe me kosto më të ulët”, – përfundoi kreu i Financave.
Thomas Oberndorfer theksoi se kjo ishte një marrëveshje shumë e rëndësishme për Shqipërinë. “Ne jemi tepër krenarë që e përmbyllëm këtë marrëveshje të rëndësishme në një kohë kaq të shkurtër”, – shtoi ai.

Nga ana e tij, ambasadori Raunig tha se marrëveshje të tilla në mbështetje të qeverisë shqiptare do të vazhdojnë edhe në fusha të tjera, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë.

Shuma e financimit që akordohet nga qeveria austriake, nëpërmjet “Erste Bank der Oesterreichischen Sparkassen AG”, në cilësinë e bankës tregtare ndërmjetëse, është 10.3 milionë euro nëpërmjet një huaje me terma të butë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency