Bajerni i rekordeve rikthen titullin kampion në shtëpinë e vet Bajerni fitoi dje titullin e 23-të kampion

0
110

 Përgatiti Altin Vorpsi

bajreniBavarezët në këtë edicion kanë fituar edhe Superkupën e Gjermanisë

 

Është kronika e një triumfi të paralajmëruar. Dy vite pa tituj kanë qenë të dhimbshëm për një ekip si Bajerni, që dje është rikthyer fuqishëm. 28 ndeshje, 75 pikë (të fituara), 24 fitore, 3 barazime, vetëm 1 humbje e papritur (në “Allianz Arena” përballë Leverkusenit), sulmi më i mirë (79 gola të shënuar) dhe mbrojtja më e mirë (vetëm 13 gola të pësuar) u kanë lejuar rekordmenëve bavarezë që të çojnë “Meisterschale”-n në shtëpinë e tyre, edhe pse edicioni i 50-të i Bundesligës ka ende në program edhe 6 javë për të luajtur.

 

Hegjemoni bavareze

Këta janë numrat që tregojnë për hegjemoninë bavareze. Supermacia e ekipit të Jup Hejnkesit ka “anuluar” edhe një nga skuadrat më të forta të Evropës. Po flasim për Dortmundin, që dje, edhe pse mundi 4-2 skuadrën e Augsburgut, mbetet e dyta me 20 pikë më pak se Bajerni.

 

Rekorde

Që një ekip i tillë do të linte gjurmë në historinë e futbollit gjerman, askush nuk kishte dyshime. Por diferencat me skuadrat e tjera kanë qenë të frikshme. Skuadra e “Don” Jup Hejnkesit edhe në takimin ku u shpall kampion bëri të flitej jo vetëm për titullin numër 23 të fituar. Ajo e djeshmja për Bajernin ishte fitorja e 11-të radhazi në Bundesligë. Askush më parë nuk kishte mundur që të çonte në shtëpi 33 pikë në 11 takime radhazi. Ndërkohë, një tjetër rekord i madh ishte edhe ai që ka të bëjë me titullin kampion. Në 50 edicionet e mëparshme të Bundesligës, asnjë ekip nuk kishte mundur që të shpallej kampion, kur në lojë ishin ende 18 pikë (6 ndeshje).

 

9 lojtarë për herë të parë kampionë

Nojer, Shtarke, Boateng, Xhan, Luiz Gustavo, Manxhukiç, Rafinja, Shaqiri dhe Dante janë 9 lojtarët e skuadrës së Bajernit që ngrenë titullin e Bundesligës për herë të parë në karrierën e tyre. Por në total numri i lojtarëve të federuar me skuadrën e parë shkon në 13-të, përfshirë dhe portierët Reder, Riedmyler, por edhe talentet që pritet të kalojnë përfundimisht në ekipin e parë nën drejtimin e Pep Guardiolës, Vaihrauh dhe Vaiser.

 

Objektivat e tjerë

Por me të shkruar fjalën fund në Bundes, për Bajernin tani janë hapur objektiva të tjerë. Pas dhjetë ditësh rekordmenët e Gjermanisë do të luajnë përballë Volfsburgut një ndeshje të vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë. Ndërkohë, të mërkurën ata do të udhëtojnë drejt Torinos për të marrë biletën për në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. Në veri të Italisë, Jup Hejneksi do të shkruajë një tjetër kapitull të historisë të Bajernit përpara se t’ia lërë “penën” Pep Guardiolës.

 

Kronika e mrekullisë së 11-të

Në “Commerzbank Arena” të Frankfurtit, Bajerni mori fitoren e 11-të në Bundesligë në 2013-ën. Në këto takime ata kanë shënuar plot 30 gola (9 ia shënuan vetëm Hamburgut) dhe kanë pësuar vetëm 6. “Perla” e fundit kishte për autor Bastian Shvajnshajgerin që vendosi fatet e takimit në minutën e 52-të, kur me një goditje me takë mposhti Nikolovin. Asisti qe i nga përhershmi Filip Lam. Ndërkohë, lojtari më i mirë i takimit ishte Xherdan Shaqiri që së bashku me Alabën goditën nga një herë shtyllën e majtë pingule të portierit maqedonas. Në javën e ardhshme Bajerni mund të përmirësojë rekordin e vet përballë një kundërshtari që gjithmonë e ka bërë të vuajë. Pas shtarë ditësh në “Allianz Arena” do të vijë Nurembergu. Ndërkaq, para këtij derbi bavarezëve do t’u duhet që të mbyllin hesapet edhe me Juventusin. Duke iu referuar këtij dueli, Jup Hejnkesi la dje pushim lojtarë si Riberi, Manxhukiç dhe Van Bujten. Respektivisht në vend të tyre luajti Shaqiri, Gomezi dhe Boatengu. Ndërkohë që, Armin Veh (ka qenë lojtar i Gladbahut në atë kohë kur e drejtonte Hejnkesi) bëri formacionin pa portierin titullar Kevin Trap. “Shqiponjat” vunë në vështirësi Nojerin vetëm në minutat e fundit. Në fillim Takashi Inui me një goditje nga larg vuri në provë reflekset e portierit gjerman. Ky i fundit do të ishte edhe më deciziv kur kronometri shënonte minutën e 80-të. Lakiç u gjend para Nojerit dhe goditi sferën që u prit për mrekulli nga numri 1 i Bajernit.

 

Renditja                                 ND.     Pikë

1. Bajern Mynih                    28        75

2. Borusia Dortmund           28        55

3. Bajer Leverkusen            28        49

4. Shalke 04                          28        45

5. Frajburg                             28        42

6. Eintrakt Frankfurt             28        42

7. Borusia M’gladbah          28        41

8. Majnc 05                           27        39

9. Hamburg SV                    28        38

10. Hanover 96                     27        37

11. Nuremberg                     27        35

12. Volfsburg                        28        33

13. VfB Shtutgart                 27        32

14. Verder Bremen             28        31

15. Fortuna Dyseldorf         28        29

16. Augsburg                        28        24

17. Hofenhaim                     28        23

18. Grojter Fyrt                      28        15

 

Rezultatet

Të premten

Hohenhaim – Fortuna Dyseldorf

11’ Frimino, 75’Lambertz, 90’ Volland

Dje

Borusia Dortmund-Augsburg     4-2

22’, 52’ Shiber, 64’ Subotiç, 90’+2’ Levandovski / 43’ Baier, 44’ Vogt

B. Mynshengladbah-Grojter Fyrt 1-0

74’ De Jong

Bajer Leverkusen-Volfsburg     1-1

12’ Shyrle / 70’ Kjaer

Verder Bremen-Shalke          0-2

51’ Draksler, 69’ Marica

Eintraht Frankfurt-Bajern Mynih 0-1

52’ Shvajnshtajger

Hamburg – Frajburg                        0-1

69’ Shmid

Sot

Nuremberg – Majnc 05

Hanover 96 – VfB Shtutgart

 

23 herë kampionët e Gjermanisë nuk njohin limite: Duam Champions-in

Bajerni është në mes të “luftës” për “tripletën” e famshme. Për 24 orë deklaratat lejohen të jenë euforike, por çuditërisht nuk janë të tilla. Jup Hejnkesi ka arritur t’i përcjellë skuadrës përqendrimin maksimal në prag të dy javëve decizive. Dhe 67-vjeçari, si arkitekti i kësaj skuadre, i takon t’i shprehë i pari emocionet e titullit të 23-të në historinë e Bundesligës.

Hejnkes: “Sot u thashë lojtarëve të mi se ky është titulli më emocional që kam fituar në karrierën time të gjatë. Pas 23 vitesh shpallem sërish kampion dhe është një emocion fantastik. Nëntë prej lojtarëve të kësaj skuadre janë shpallur kampionë të Gjermanisë për herë të parë në karrierën e tyre. Nuk ishte një ndeshje si ajo me Juven, por e rëndësishme ishte fitorja. Ia dolëm, edhe pse me pak fat”.

Nojer: “Deri tani titullin e kisha prekur vetëm në posterin e dhomave të zhveshjes. Është një ndjenjë fantastike. Por mezi po presim për të fituar trofetë e tjerë. Jemi shumë krenarë. Tashmë kanë ngelur edhe dy trofe që ne do bëjmë të pamundurën për t’u shkuar deri në fund. Nuk e dimë nëse do ia dalim, prandaj duhet ta shijojmë në maksimum këtë titull”.

Lam: “Ishte shumë e rëndësishme ta hipotekonim titullin e parë në këto momente. Tashmë birra mund të derdhet, por nuk kemi arritur ende në fund. Kemi akoma rrugë për të bërë dhe na presin objektiva të mëdhenj. Duam të thyejmë dhe rekordet që kanë mbetur njëri pas tjetrit. Kjo skuadër meriton të jetë e para, sepse ka punuar shumë këtë sezon”.

Roben: “Është një ditë e shkëlqyer. Ndeshja ndaj Frankfurtit nuk ishte më e mira, por kjo pak rëndësi ka. Të mërkurën na pret një tjetër ndeshje shumë herë më e rëndësishme. E fitojmë titullin me 20 pikë diferencë. Kjo është një arritje për të cilën duhet të ndihemi krenarë. Po e shijojmë këtë moment shkurtimisht, sepse duhet të fitojmë përqendrimin për sfidën me Juven”.

Myler: “Duket e çuditshme të shpallesh kaq herët kampion. Ne e dinim që kjo mund të ndodhte në Frankfurt. Është një moment i bukur, sepse është kurorëzimi i mundit të një sezoni. Kemi thyer disa rekorde, të tjerë na presin. Por ajo çka është më e rëndësishme tashmë fillon të përmbyllet sezoni ynë, prandaj duhet të mbetemi me këmbë në tokë”.

 

 

Rekordet që janë në shënjestër të Bajernit

– Rekordi i pikëve. Bajerni ka aktualisht 75 dhe rekordi është i Dortmundit që u shpall vjet kampione duke fituar 81 pikë.

– Rekordi i fitoreve. Bajerni ka aktualisht 24 fitore dhe rekordi është 25.

– Rekordi i humbjeve. Aktualisht Bajerni ka vetëm një humbje. Nëse çdo gjë mbaron këtu, skuadra e Jup Hejnkesit do të barazonte rekordin e Bajernit të vitit 1986-87.

– Rekordi i golave. Bajerni ka shënuar 79 gola dhe rekordi mbahet nga Bajerni i 1971-72 me plot 101 gola të shënuar.

– Rekordi i golave të pësuar. Deri tani Bajerni ka vetëm 13 gola të pësuar dhe rekordi mbahet nga Bajerni i 2007-08 me 21 gola të pësuar.

– Rekordi i diferencës së golave të shënuar me ata të pësuar. Bajerni ka aktualisht diferencën +66 gola dhe rekordi mbahet nga Bajerni i 1972-73 me +64 gola.

– Rekordi i diferencës së pikëve me ekipin e dytë. Bajerni ka aktualisht 20 pikë diferencë nga vendi i dytë dhe rekordi mbahet nga Bajerni i 2002-03 me 16 pikë diferencë.

– Mospësimi i humbjeve jashtë fushe. Një “mrekulli” e tillë nuk i ka dalë askujt. Të gjithë kampionet e Gjermanisë deri më tani kanë pasur të paktën nga një humbje jashtë “mureve mike”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency