Anët pozitive të koalicionit të majtë

0
159

Çelo Hoxha

 

lsiFushatat elektorale në Shqipëri gjithmonë kanë qenë të vështira. Ato janë shoqëruar përherë me një tensionim të madh të situatës, për shkak të mosbesimit që kanë pasur te njëri-tjetri. Tensioni fillonte me parashikimin e opozitës, kushdo që ishte në opozitë, se qeveria po përgatiste vjedhjen e zgjedhjeve. Pastaj retorika ashpërsohej me akuzat për abuzime, korrupsion etj. Akuzat arrinin, sigurisht, deri në akuza personale, familjare etj. E njëjta tendencë filloi që nga fundi i vitit të kaluar. Mosvotimi i tri ligjeve, sulmet personale ndaj Kryeministrit dhe familjes së tij, akuzat se gjoja mazhoranca po përgatiste vjedhjen e zgjedhjeve nuk munduan as kësaj radhe. Dhe parashikimet që situata do të vazhdonte të tensionohej dhe më, duke pasur parasysh afrimin e datës së zgjedhjeve, parashikimet për acarimin e situatës politike ishin të zymta. Por u krijua koalicioni i të majtës, PS-LSI, dhe më në fund të gjitha frikërat u asgjësuan. Opozita është e çarmatosur nga të gjitha kauzat e mundshme ku mund të kritikojë qeverinë. Për 21 janarin më shumë u akuzua Meta, ose ai u bë shkaktari i protestës, dhe tani Meta e partia e tij janë pjesë e koalicionit opozitar. Dhe kjo është një gjë e mirë, sepse përdorimi i asaj ngjarjeje në fushatë realisht do të ishte një abuzim. Fajtore kryesore në atë protestë ishte opozita, e cila sulmoi Kryeministrinë. Qeveria u akuzua padrejtësisht, qoftë edhe për vdekjet. Vrasja e katër qytetarëve nuk ishte një veprim politik, por përgjegjësi e gardistëve që qëlluan. Ata duheshin gjykuar dhe arrestimi i personave të dyshuar nuk mund të fillonte me arrestimin e drejtorit të Gardës. Ai mund të arrestohej më vonë, nëse personat që qëlluan vërtetonin se e kishin bërë atë veprim me urdhër nga eprorët e tyre. Opozita tashmë nuk do të mund të hedhë më në ajër akuza për pazare në tenderat e Ministrisë së Ekonomisë, sepse një skuadër me njerëz që kanë shërbyer si ministra të Ekonomisë në katër vitet e fundit të qeverisjes “Berisha”, janë pjesë e opozitës. PS nuk do të guxojë ta bëjë një gjë të tillë, sepse kështu do të niste konflikti brenda koalicionit të saj. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Ministrinë e Shëndetësisë, ministrat e katër vjetëve të fundit qeverisje kanë qenë të gjithë të LSI-së. Nganjëherë, ka kaq shumë gjëra që lëvizin në të njëjtën vijë logjike, saqë të lind dyshimi se Berisha katër vjetët e fundit nuk ka qeverisur Shqipërinë, por ka menduar vetëm e vetëm si të kompromentonte LSI-në, që pastaj t’ia flakte në prehër PS-së. Ose, kjo mund të çojë dhe në një përfundim tjetër, që Edi Rama dhe partia e tij kanë qenë aq shumët mbushur me urrejtje ndaj LSI-së, për shkak të koalicionit që ajo bëri me Berishën në 2009-ën, saqë gjatë katër viteve të fundit janë përqendruar aq shumë te ministritë e drejtuara nga anëtarët e LSI-së, saqë tani nuk u ka mbetur shumë për të kritikuar në llojin tradicional të opozitës shqiptare, që përqendrohet te individë dhe jo në parime dhe ide. Po të vëresh, me kujdes, veç ministrave të LSI-së, objekt i kritikave të opozitës (gjatë kohës që opozitë ishte vetëm PS dhe ca individë pa asnjë lloj integriteti politik), ka qenë dhe zoti Berisha, duke përfshirë dhe fëmijët e tij. Edhe në këtë pikë, opozita ka marrë goditje të fortë. Jo nga gjyqet që kanë fituar fëmijët e zotit Berisha ndaj akuzuesve të tyre, por për faktin që opozita u godit (nga Zoti) atje ku s’e priste, në po atë mënyrë që akuzonte të tjerët. Një nga zyrtarët e saj të lartë u kap duke vjedhur në Amerikë, babai i një deputeti u kap duke bërë tregti të paligjshme. Vjedhja në një supermarket (rasti i Amerikës) dhe tregtia me shuma të vogla (rasti i babait të deputetit) e rrënojnë edhe më shumë moralisht PS-në, sepse ato vjedhje janë vulgare dhe në komunitetin e hajdutëve.

E mbetur pa municion tradicional (që është i llojit primitiv), opozitës do t’i duhet të kërkojë rrugë të tjera për të bërë opozitë. Rruga më e mirë, dhe nuk jam i sigurt sa do të ndiqet, është ajo e ideve. Veprimtaria e qeverisë të gjykohet në tërësi, bazuar në premtimet që ajo bëri 4 vjet më parë, dhe opozita të hedhë versionin e saj të majtë me anë të të cilit ajo mendon se mund të qeverisë më mirë.

Koalicioni i majtë tani çalon vetëm në asketin moral, por tashmë që gjithçka është realizuar, atë s’ka pse e bren ndërgjegjja. Tashmë topi ka kaluar në fushën e votuesit. Nga zgjedhja që do të bëjë në 23 qershor elektorati, do të kuptojmë se cili është morali i tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency