Sonja Caka
Gjykata e Selanikut ia kalon Athinës çështjen për të marrë një vendim. Avokati Kaftopulos: Kjo gjykatë, kompetente për shqyrtimin e akuzës ndaj biznesmenit
Gjykata e Selanikut shpalli moskompetencën dhe vendosi t’ia delegonte për vendim Gjykatës së Lartë në Athinë, nëse duhet ekstraduar ose jo për në Shqipëri biznesmeni Arben Frroku dhe Jak Jaku, të dyshuarit kryesorë për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Vendimi është marrë paraditen e djeshme nga gjykata, ndërsa avokati i Frrokut i ka konsideruar si politike akuzat ndaj klientit të tij, ndaj dhe u shpreh dakord që shqyrtimin e kërkesës për ekstradim ta merrte Gjykata e Lartë në kryeqytetin helen. Avokati i Frrokut, Maqis Kaftopulos deklaroi se nisur nga dosja e ardhur nga prokuroria shqiptare, akuzat ndaj Frrokut janë të pabaza dhe të pavërtetuara. Tashmë, pritet që të jetë Gjykata e Lartë ajo që të vendosë nëse do e pranojë apo jo kërkesën e drejtësisë shqiptare për ekstradimin e Frrokut dhe Jakut, ndërsa avokati ngulmon në mosekstradimin e tyre drejt Shqipërisë, me argumentin se është më tepër një çështje politike. Sipas autoriteteve shqiptare vendimi për ekstradimin e Frrokut pritet të zgjasë të paktën 2 javë për shkak se pas vendimit të Gjykatës së Lartë do të duhet edhe miratimi i Ministrisë së Drejtësisë Greke. Pas këtij vendimi të Gjykatës së Selanikut kanë reaguar të afërmit e Frrokut dhe avokati i tij mbrojtës, të cilët e kanë cilësuar fitore vendimin e gjykatës së Selanikut dhe kanë shtuar se nuk janë kundër kthimit të tij në Shqipëri, por si një person i lirë dhe jo në pranga.
Akuza
Arrestimi i Arben Frrokut dhe Jak Jakut në Selanik të Greqi erdhi me kërkesë të autoriteteve shqiptare, si të dyshuarit kryesorë për organizimin e vrasjes së 24 shkurtit të kryekomisarit Dritan Lamaj, në zonën e Selitës, rreth 200 metra pranë banesës së tij. Policia bazoi dyshimet në konfliktet për shkak të detyrës së kryekomisari ka pasur me Frrokun, konflikte të cilat në atë kohë i kushtuan edhe postin e shefit të Komisariatit të Policisë së Kombinatit oficerit Lamaj. Frroku dhe Jaku janë arrestuar në ambientet e një hoteli në qendër të Selanikut, ndërsa kishin vetëm pak orë që kishin hyrë në tokën greke. Grupi hetimor pretendon për një telefonatë të Frrokut ku është shprehur se atë ditë kishte mbyllur një punë të madhe, duke e konsideruar si provë të fortë për provimin e akuzës. Por, këtë provë të akuzës e rrëzon avokati në mbrojtjen e tij, duke u shprehur se klienti i tij është biznesmen dhe në ditë mbyll punë shumë të mëdha që kanë për të objekt ekonomik. Ndërkohë që në Greqi pritet vendimi i Gjykatës së Lartë, avokati Tonin Prendi i ka bërë rekurs vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda që lanë të pandryshuar masën e arrestit të marrë në mungesë “Arrest me burg”.
Dyshimi
Por, ndërsa Frroku dhe Jaku vazhdojnë përballjet me drejtësinë për ndryshimin e masave të arrestit në Shqipëri dhe ekstradimin ose jo nga Greqia drejt vendit tonë, Krimet e Rënda vazhdojnë hetimet për zbardhjen e vrasjes. Grupit hetimor i kanë lindur dyshime se vrasje e kryekomisarit Lamaj është bërë nga vrasës me pagesë që mund të kenë ardhur nga Kosova dhe më pas të jenë larguar sërish drejt shtetit të tyre, ndërkohë që vazhdohet të punohet në zbardhjen e një dyshimi të tillë.
Reagimi
Precedenti Dajti, Krimet e Rënda akuzojnë avokatët për dështimin e 207 seancave
Nis përplasja institucionale me reagime publike mes Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Një ditë pas refuzimit të pjesëmarrës në gjykim të Maks Haxhisë dhe Fatmir Brakës për të mbrojtur Dritan Dajtin dhe akuza e tyre se gjykata ishte e paaftë për të menaxhuar proces, vjen reagimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda. Përmes një reagimi zyrtar, gjykata bën përgjegjës avokatët për dështimin e 207 seancave gjyqësore ndaj këtij të pandehuri. “Gjykata mbi bazën e kërkesës së të pandehurit ka caktuar avokatë kryesisht nga lista e avokatëve, 42 avokatë nga kjo listë kanë refuzuar paraqitjen para Gjykatës, 140 seanca nga ky proces janë shtyrë për shkak të mosprezencës së avokatëve dhe 19 të tjera me kërkesë të avokatëve. Për 207 seanca me radhë, Gjykata ka hapur këtë proces gjyqësor dhe ka qenë e detyruar ta shtyjë. Lista e avokatëve kryesisht në shumë raste nuk është e saktë, nuk ka adresa dhe numra kontakti. Gjykata ka kërkuar procedime për 42 avokatë, për asnjë prej tyre nuk është kthyer ndonjë përgjigje nëse është shqyrtuar apo jo në Këshillin Drejtues të Dhomës së Avokatisë”, – thuhet në reagimin e gjykatës. Në këto kushte, në pamundësi për të zhvilluar një proces të rregullt ligjor, Gjykata e Krimeve të Rënda, kërkon nga Dhoma e Avokatisë Tiranë dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë të përmbushin detyrimet e tyre ligjore për të siguruar një listë efektive të saktë dhe me kritere të përcaktuara qartë të avokatëve kryesisht si dhe të shqyrtojnë ankesat e Gjykatës për sjellje joprofesionale të avokatëve që refuzojnë të zbatojnë vendimet e Gjykatës. Në fund, Krimet e Rënda, theksojnë se shtyrjet e njëpasnjëshme të këtij procesi nuk janë më përgjegjësi e kësaj Gjykate, për faktin se po bëhen të gjitha përpjekjet për zhvillimin e gjykimit. Në reagimin e saj, gjykata i referohet edhe një memoje të shpërndarë nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Këshilli Drejtues i saj, e cila bën përgjegjëse Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda për marrëdhëniet e krijuara deri tani mes këtyre dy institucioneve. Situatën e krijuar në këtë proces, Gjykata ua ka bërë me dije dhe institucioneve si Dhoma Kombëtare e Avokatisë, Dhoma e Avokatisë Tirane, Komisionit Shtetëror për Ndihmë Juridike, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministrisë së Drejtësisë, duke u kërkuar që secili prej tyre të marrë përsipër përgjegjësitë e veta për situatën e krijuar, duke vepruar për zgjidhjen e saj.
Gjirokastër
Trafiku i emigrantëve nga Lindja e Mesme, prangoset një shqiptar
Policia e Gjirokastrës ka ndaluar 6 shtetas të ardhur nga Lindja e Mesme dhe synonin të kalonin për në Evropën Perëndimore, ndërsa ka prangosur personin që po i transportonte ata. Operacioni u realizua nga sektori antitrafik, ndërsa personat e ndaluar ishin nga Algjeria, Tunizia dhe Siria, të cilët kishin hyrë ilegalisht në territorin tonë nëpërmjet kufirit të gjelbër me shtetin grek. Policia arrestoi në flagrancë një të ri nga Tepelena, i cili po i ndihmonte këta shtetas kundrejt vlerës 500 euro secili, në total 3000 euro, për t’i transportuar në kufi me Malin e Zi. Arrestimi i tij u bë për veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit”. Makina me të cilën po transportoheshin të huajt u ndalua në aksin rrugor Gjirokastër – Tepelenë, pasi në ndjekje të tyre ishte vënë policia që nga momenti që kishte marrë informacion për ta. Ndalimi u bë në vendin e quajtur Kthesa e Viroit, Gjirokastër. Gjithashtu, policia bëri të mundur edhe kapjen e shoqëruesit të tyre, i cili po i priste me makinë tek kthesa e Viroit, me qëllim që të mos binte në sy të policisë. Nga marrja në pyetje e tyre rezultoi se kishin hyrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet kufirit të gjelbër dhe do të shkonin në Malin e Zi, e më pas në një nga vendet e BE-së. Roli i 25-vjeçarit Lorent Haxhia ishte vetëm transporti deri në veri të vendit, kundrejt shumës 3 mijë euro. Gjithashtu u bë edhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të automjetit të tij tip “Mercedes-Benz” me targa TP 28 27 B. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.