Studenti i Infermierisë pranon rrëmbimin, gjykata e lë në “Arrest në burg”

0
116

Elton Qyno

Begzim Isa 2Begzim Isa u soll si person me probleme mendore në ballafaqimin me Qamilen

Adoleshenti, kontigjent kriminal, nuk pranon të ketë lidhje me Bleona Matën

 

 

Izolohet në qeli 19-vjeçari Begzim Isa, i cili rrëmbeu për qëllime trafikimi në Kosovë bashkëfshatarin e tij, 8 vjeç, me inicialet A. F. Kanë qenë përgjimet telefonike provat që kanë lënë në burg adoleshentin, i cili gjatë marrjes në pyetje ka treguar se nuk kishte lidhje me këtë ngjarje, duke shtuar se ai kishte qenë në gjumë gjatë momentit të arrestimit. Mirëpo policia ka këmbëngulur se Begzim Isa kishte pak kohë që ishte kthyer në banesën e tij, pasi studionte në një shkollë, në degën e Infermierisë në qytetin e Prizrenit. Çështja në Gjykatën e Kukësit është ndjekur nga prokurori i rrethit të Kukësit, Dritan Prençi, i cili në bazë të provave të administruara në dosje i ka kërkuar Gjykatës së Kukësit lënien në burg të 19-vjeçarit, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë” dhe “Trafikimit të të miturve” mbetur në tentativë. Kërkesa e prokurorit është pranuar nga gjyqtarja e çështjes Alma Ahmetaj, e cila ka vendosur të lërë në burg studentin për dy akuzat e ngritura nga prokuroria. Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, 19-vjeçari nuk ka qenë në gjendje të mbrohet me avokat, pasi asnjë nga mbrojtësit ligjorë nuk e ka marrë përsipër mbrojtjen ligjore të tij, dhe nisur nga kjo situatë gjykata ka vijuar seancën pa praninë e asnjë avokati. Nuk dihet se çfarë ka thënë në seancën gjyqësore i arrestuari Begzim Isa, por nga burime pranë organit të akuzës mësohet se adoleshenti ka pranuar rrëmbimin e fëmijës me qëllim trafikimin e tij në drejtim të shtetit të Kosovës. Pikërisht në këtë shtet banon edhe vëllai i tij më i madh, gjë që shton dyshimet për një linjë trafiku të fëmijëve nga Shqipëria drejt Kosovës.

Isa, kontigjent kriminal

Studenti i Infermierisë në një shkollë të Prizrenit njihet nga policia e Kukësit si kontigjent kriminal, për shkak se është dyshuar edhe disa herë të tjera për rrëmbimin e fëmijëve. Veç kësaj 19-vjeçari ka shoqëri me shumë persona që njihen si kontigjent krimi në zonën e Kukësit si dhe qëndron me individë që kanë pasur probleme me drejtësinë shqiptare. Nisur nga këto dyshime, policia e Kukësit ka ngritur dyshimet e saj rreth këtij personi dhe se për dy ditë me radhë e ka mbajtur në vëzhgim 19-vjeçarin. Pas interceptimit të disa prej bisedave telefonike, një grup efektivat policie kanë shkuar me shpejtësi në banesën e tij, ku edhe kanë bërë arrestimin dhe më pas kanë liruar fëmijën e mitur me inicialet A. F., i cili banonte vetëm 200 metra larg banesës së Begzim Isës. Vetë Isa, gjatë marrjes në pyetje, ka treguar se fëmija kishte shkuar në shtëpinë e tij me dëshirë dhe se askush nuk e ka detyruar, por pas insistimit të anëtarëve të grupit hetimor, ai ka pranuar se e mbante me forcë fëmijën 8-vjeçar dhe se ka planifikuar që të largohej së bashku me të në Kosovë, ku edhe studionte. Sipas burimeve të policisë, nuk dihet nëse Isa do ta shiste ose jo të miturin, por shumë dyshime janë se i mituri mund të shfrytëzohej për lypje në rrugët e Kosovës, por jo vetëm për këtë. E gjithë ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Orgjost, që ndodhet shumë afër me fshatin Zapod, aty ku në vitin 2010 është zhdukur në rrethana misterioze 7-vjeçarja Bleona Mata, e cila sot e kësaj dite ende vazhdon të qëndrojë e zhdukur nga të gjitha agjencitë ligjzbatuese në vend. Pas arrestimit të 19-vjeçarit, familjarëve të Bleonës së vogël i janë rihapur shpresat për të mësuar më shumë rreth misterit të vajzës së tyre, të cilët dyshojnë gati 100 për qind se në zhdukje e 7-vjeçares ka dorë Begzim Isa.

S’pranon Bleona Matën

Përgjatë gjithë mbrëmjes së të dielës, Begzim Isa është marrë në pyetje nga efektivët e policisë dhe prokurori i Kukësit lidhur me rastin e zhdukjes së Bleona Matës. Së bashku me Begzim Isën, në pyetje janë marrë dhe dy vajza të tjera, Qamile Mata dhe një vajzë, e cila ka qenë pjesë e grupit të 5 vajzave, që ishin së bashku me Bleona Matën mbrëmjen e 22 majit në Zapod të Kukësit, ku edhe u bë zhdukja. Gjatë ballafaqimit mes Isës dhe Qamile Mata, këta të fundit kanë dhënë dëshmi kontradiktore, ku Isa ka treguar se nuk e njeh Qamile Matën, por më pas ka pohuar se kishte njohje me të. Në dëshminë e tij, herë pas here 19-vjeçari ka shfaqur shenja të çrregullimit mendor, por që në fakt sipas burimeve të policisë, të gjitha këto veprime nuk kanë qenë aspak ndikuese gjatë procesit të hetimit. Prokuroria dhe policia e Kukësit janë shprehur tepër të rezervuara për të dhënë informacione të sakta rreth asaj që kishte pohuar Begzim Isa për rastin e Bleona Matës, por kanë shtuar se ai nuk ka pranuar se ka gisht në këtë ngjarje. Por për policinë dyshohet se ai nuk po thotë të vërtetën. Kjo, për faktin se Begzim Isa prej kohësh shoqërohej me një grup njerëzish me precedent penal, ndaj dyshohet se mund të jetë pjesë e një rrjeti të trafikut të fëmijëve.

 

Flasin vëllai dhe nëna e 19-vjeçarit

“Djali pati sherr me 8-vjeçarin,

por nuk e rrëmbeu për asnjë çast”

 

Familjarët e Begzim Isës janë shprehur të irrituar nga arrestimi i djalit të tyre, duke akuzuar policinë e Kukësit se ka manipuluar provat, me qëllim futjen në burg të 19-vjeçarit. Sipas anëtarëve të familjes, pas gjithë kësaj historie qëndron prapa një person, që për arsye të ndryshme ka sjellë arrestimin e djalit të tyre. “Nëse ka prova se vëllai im është autor i rrëmbimit dhe trafikimit të fëmijëve, ai duhet të varet menjëherë. Këtu nuk ka asnjë provë dhe gjithçka është sajuar nga policia për të na goditur ne si familje”, – është shprehur Blerim Isa, vëllai i 19-vjeçarit Begzim Isa. Më tej, vëllai i të arrestuarit tregon se 19-vjeçari ka qenë në gjumë kur e ka arrestuar policia, ndërsa 8-vjeçari në banesën e prindërve të tij. “Nuk pranojmë asnjë nga akuzat e policisë dhe prokurorisë. Vëllai im ka qenë në gjumë kur u arrestua nga policia kurse fëmija ka qenë në banesën e tij në momentin kur u arrestua Begzimi”, – tha Blerimi. Madje, vëllai shprehet se nëse Begzimi gjendet fajtor, atëherë të pushkatohet. Nëna e Begzimit thekson se djali i saj dhe 8-vjeçari patën një zënkë të vogël, por hedh poshtë pretendimet se i biri ka rrëmbyer dhe ka mbajtur në banesë fëmijën. “Djali im nuk është i përfshirë në trafik dhe i bëjmë thirrje policisë dhe prokurorisë të zbardhin të vërtetën”, – thanë nëna dhe vëllai i Begzim Isës. Pas përfundimit të procesit të gjykimit, familjarët janë shprehur se nuk janë dakord me vendimin e gjykatës dhe se shumë shpejt do të bëjnë maksimumin për të apeluar vendimin, me qëllim që të lirojnë djalin e tyre, të cilin e quajnë të pafajshëm.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency