Tentoi të vriste vajzën dhe veten policia, akuzë për vrasje të ëmës

0
197

vretAge Prela, ende e shtruar në repartin Toksikologjik. Hetuesit: Tentoi të vriste vajzën me sindromën “Daun”

 

Ngrihet akuza e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë ndaj shtetases 45-vjeçare, e cila tentoi të vriste vajzën e saj 18 vjeçe, që vuante nga sindroma “Daun”. Policia e Tiranës ka referuar materialet hetimore ndaj shtetases Age Prela, e cila ka qenë deri ditën e djeshme e shtruar në spitalin e Toksikologjisë së bashku me vajzën e saj, 18-vjeçare me inicialet J. P. Sipas burimeve nga komisariati nr. 5 në Kamëz, 45-vjeçarja ka zgjedhur t’i japë fund jetës së saj dhe vajzës duke bërë një helmim masiv. Fillimisht ajo i ka dhënë fotoksinë vajzës dhe më pas helmin e ka pirë edhe vetë. Dhënia e substancës helmuese, sipas burimeve të policisë, ka konsistuar në vrasjen direkte të 18-vjeçares dhe për pasojë aktualisht ndaj Age Prelës policia ka nisur hetimet për akuzën e “Vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë. Pritet që në ditët në vijim 45-vjeçarja të merret në pyetje sërish nga ana e oficerëve të policisë, ndërkohë që në pyetjen e saj të parë, ajo ka deklaruar se e kishte bërë ajo helmimin e vajzës së saj, pasi nuk e shihte në gjendjen e rënduar shëndetësore, ku ishte katandisur vajza 18-vjeçare. Këtë veprim ajo e kishte kryer në kushtet e depresionit të thellë dhe se nisur nga kjo situatë, 45-vjeçarja kishte vendosur t’i jepte fund jetës, duke marrë me vete edhe vajzën 18 vjeçe.

45-vjeçarja, jo e sëmurë

Age Prela fillimisht në dëshminë e saj ka deklaruar se vetëhelmimin nënë dhe bijë e ka kryer për shkak të depresionit të thellë, pasi veç viteve të vuajtjes me vajzën e saj, kohët e fundit ajo kishte mësuar se ishte prekur nga një sëmundje e rëndë tumoriale. Nisur nga kjo situatë, Prela ka zgjedhur t’i japë fund jetës, pasi, sipas saj, nuk ka qenë në gjendje të përballojë fatkeqësinë që i kishte rënë. Por ndryshe nga kjo dëshmi, burime pranë komisariatit nr. 5 në Kamëz thanë se Prela ka gënjyer duke pohuar se 45-vjeçarja nuk është prekur nga sëmundja e rëndë. Sipas hetuesve të çështjes, veprimin për vetëhelmimin e dyfishtë Prela e ka kryer me vetëdije dhe se për këto veprime 45-vjeçarja do të mbajë përgjegjësi ligjore, pasi ka tentuar të vrasë një jetë njeriu. Që prej dy ditësh 45-vjeçarja qëndron e shtruar në spitalin “Nënë Tereza”, ku mjekët e repartit të Toksikologjisë shprehen se gjendja e dy pacienteve është përmirësuar ndjeshëm, por ato ende vazhdojnë të mbahen nën mbikëqyrjen intensive të bluzave të bardha, duke bërë herë pas here lavazh të organeve të brendshme të trupit, veprim ky që kryhet, sipas mjekëve, me medikamente të posaçme. Lidhur me këtë çështje janë marrë edhe familjarët e 45-vjeçares, të cilët kanë treguar se Age Prela është kujdesur që në lindje për vajzën e saj dhe se një gjë e tillë nuk e ka lejuar atë për të punuar me qëllim nxjerrjen e të ardhurave financiare.

Krimi në Bathore

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 23:00, në Bathore të Kamzës. Shkak për këtë është bërë gjendja psikologjike e Age Prelës, të provokuar nga sëmundja e së bijës, J. Prelës. Madje, ajo kishte përgatitur edhe rrobat e vdekjes së 18-vjeçares dhe vetes së saj. Skema e krimit ka nisur në dhomën ku nëna flinte me të sëmurën prej shumë vitesh. Prela gjithë jetën ia kishte kushtuar të sëmurës, derisa erdhi një ditë që nuk po e duronte më këtë situatë. Ndiente dëshpërim për vajzën e paralizuar dhe shurdhmemece dhe dy net më parë tentoi që të shkaktonte vdekjen e së bijës dhe vetes. Dhimbjen që ndiente e kishte shprehur edhe te pjesa tjetër e familjes, por askush nuk e kishte marrë parasysh se situata do të shkonte deri në këtë akt ekstrem. Ajo e ka përgatitur vrasjen e së bijës dhe vetes me detaje. Pas blerjes së rrobave të vdekjes, kishte blerë fotoksinën në një farmaci bujqësore. Mbrëmjen e 28 marsit ka pritur që familja të shkojë në shtrat. Kur është siguruar që të gjithë ishin në gjumë, është ngritur për të vënë në jetë planin makabër.

 

 

Dje, 4 muaj nga zhdukja e Julianit

asnjë gjurmë për gjetjen në Sharrë

Prishet ekskavatori i kërkimit, irritohen familjarët. Të afërmit mundësojnë dy mjete kërkimi

 

Elton Qyno

 

Dje u mbushën plot 4 muaj nga zhdukja tragjike e 11-vjeçarit Julian Çela dhe ende nuk dihet asnjë gjë për trupin e të ndjerit. Dy javë më parë, policia e Tiranës arrestoi Ardian Prrenjasin, i cili deklaroi se përveç rrëmbimit dhe abuzimit seksual me të miturin A. C., kishte rrëmbyer dhe më pas vrarë fëmijën e zv.drejtorit të Antiterrorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Skënder Çela. Më tej në dëshmi monstra i Laprakës ka rrëfyer se kishte hedhur trupin e pajetë në plehrat e landfilldit të Sharrës, duke treguar tri herë me radhë edhe në vendngjarje vendin se ku e kishte hedhur trupin e pajetë të minorenit Julian Çela. Nisur nga kjo situatë, prokuroria ka urdhëruar kryerjen e gërmimeve në një zona që shkon në rreth 20 dynymë tokë, e mbuluar me një mal me plehra. Kërkimet kanë vijuar për rreth dy javë me radhë, por që në fakt nuk është gjendur asnjë gjurmë e trupit të pajetë, veçse dy batanijeve, me të cilat Ardian Prrenjasi pretendon se ka mbështjellë trupin e pajetë të 11-vjeçarit dhe më pas e ka hedhur në kazanët e plehrave. Mirëpo pas ekzaminimeve të këtyre batanijeve dhe ripyetjes sërish të monstrës së Laprakës, 45-vjeçari ka treguar se dy batanijet e gjetura nuk kanë qenë ato me të cilat ai ka bërë mbulimin e trupit të pajetë të Julian Çelës. Dje u mbushën katër muaj nga zhdukja e këtij të fundit dhe policia e Tiranës ende nuk ka rënë në gjurmët e vendndodhjes së trupit, por edhe se nuk ka një autor konkret të vrasjes, megjithëse 45-vjeçari Ardian Prrenjasi ka treguar se është ai personi që ka mbytur me duar vogëlushin Julian Çela, që studionte në shkollën “Jeronim de Rada” në Tiranë.

Prishet ekskavatori

Ankthit të familjarëve të Julian Çelës për mosgjetjen e trupit të 11-vjeçarit ditën e djeshme i është shtuar dhe prishja e ekskavatorit me të cilin prokuroria dhe policia e Tiranës kanë kryer kërkimet. Familjarët kanë qenë tepër të irrituar dhe kanë kërkuar menjëherë vënien në dispozicion të mjeteve të tjera, por në pamundësi për gjetjen e shpejtë të mjeteve kërkuese, ata kanë vendosur t’i vënë grupit të hetimit një ekskavator dhe një buldozer, të cilët janë transportuar në drejtim të landifillit të Sharës, me një kamion. Pas mbërritjes së dy mjeteve kërkuese kanë rifilluar sërish kërkimet, por edhe gjatë ditës së djeshme, sërish nuk është arritur të gjendet asnjë gjurmë e vogëlushit Julian Çela. Të afërmit e këtij të fundit çdo ditë e më tepër janë duke humbur durimin, për më tepër edhe mbi mënyrën se si po kërkojnë në zonë ekspertët e policisë dhe prokurorisë. Nisur nga kjo situatë ata kanë njoftuar se ditën e sotme do të hyjnë me forcë në landfill, duke kërkuar në mënyrë private rreth trupit të 11-vjeçarit, që u zhduk nga banesa e tij në datën 30 nëntor të vitit 2012.

S’ka akuzë për vrasje

Landfilli i Sharrës vazhdon të jetë i rrethuar dhe i vëzhguar si një skenë krimi, pasi aty dyshohet se është hedhur trupi i 11-vjeçarit Çela, pas vrasjes nga Ardian Prrenjasi. Ndaj këtij të fundit nuk është ngritur asnjë akuzë për vrasje, ndërkohë që faktet e mbledhura ende nuk tregojnë asgjë konkrete në lidhje me fatin e të miturit. E vetmja gjë që e lidh monstrën me Julian Çelën është dëshmia e tij para oficerëve të policisë gjyqësore se e ka mbytur dhe më pas e ka hedhur në Sharrë trupin. Kërkimet vijojnë me të njëjtën intensitet, bazuar edhe në grafikun e mbajtur nga kompania, për zonat ku janë hedhur mbeturinat e fundit të muajit nëntor. Gjetja e batanijeve dhe kockave nga ekspertët dhe ushtria ka rezultuar pa sukses. Ndërkohë, familjarët e të miturit ndjekin nga afër kërkimet në Sharrë, duke pritur zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.

 

14 ditë

Kanë hyrë në ditën e 14-të kërkimet për gjetjen në landfillin e Sharrës së trupit të pajetë të Julian Çelës. Fëmija i mitur është pretenduar se është vrarë nga 45-vjeçari Ardian Prrenjasi, por deri tani nuk është bërë gjetja e trupit, sipas përshkrimit të vendit që monstra i Laprakës ka treguar në Sharë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency